Jurges Veizaj
Ka qenë sulmuesi Migen Memelli ai që i ka dhënë fitoren Partizanit, duke shënuar dy gola ndaj Lushnjës dhe duke marrë triumfin
Skuadra e Vllaznisë ka dështuar në misionin e saj për sukses në Krujë. Kjo, pasi do të ishin krutanët ata që do të arrinin të shënonin më shumë dhe të merrnin tre pikëshin.
Dje janë luajtur dy nga sfidat e javës së 19 të Superligës Shqiptare. Sfida që patën emocione të veçanta dhe dhuruan spektakël dhe u përshkuan nga risi, debutime dhe surpriza. Ndeshja midis Partizanit dhe Lushnjës ka qenë e veçantë. Kjo, pasi për skuadrën e kuqe debutonte Memelli dhe Sampajo në rolin e trajnerit, ndërsa në ndeshjen e zhvilluar në Krujë Kastrioti i ka bërë dëmin Vllaznisë, duke i marrë një trepikësh të rëndësishëm. Skuadra krutane arriti që të shënonte një gol më shumë se shkodranët, duke i zhytur në një krizë pikësh.
Partizani-Lushnja
Një ndeshje e vështirë për lushnjarët dhe ditë feste për Partizanin. Për myzeqarët do të ishte mision i pamundur që të fitonin në kryeqytet dhe u mundën me rezultatin dy me zero. Duke parë edhe diferencat midis dy klubeve, ishte tepër e thjeshtë për skuadrën e Partizanit që të fitonte. Nuk është dashur shumë që të hapet rruga e golit. Kjo, pasi një ndër blerjet e goditura të kësaj merkatoje janari Memelli arriti ta zhbllokonte rezultatin. Që në minutën e dytë sulmuesi arriti të mposhtte portierin Spaho, duke e çuar skuadrën e tij në avantazh. Nuk do të vononte shumë edhe goli i dytë. Autori do të ishte përsëri lojtari pogradecar, i cili do të arrinte të shënonte dopietën e tij personale. Gjithçka duket se mori fund për 20 minuta, ndërkohë që ndeshja nuk është përshkuar nga një atmosferë festive. Kjo, pasi koret e “Guerilasve” kësaj radhe duket se nuk kanë qenë të gëzueshme. Tifozët janë shprehur të pakënaqur me skuadrën, edhe pse po fitonte. Kjo, pasi ata e kanë akoma mendjen te derbi i Tiranës. Sipas tyre, skuadra e kuqe qe shumë toleruese dhe nuk doli në lojën e saj, ndërsa skuadra jugore nuk arriti që të përfitonte nga kjo situatë. Skuadra e Sampajos u shfaq mjaft e freskët me anë të Mazrekajt nga krahët apo dhe Memellit, duke mos e lënë skuadrën mike të bënte lojën e saj. Ndërsa në pjesën e dytë vendasit do të fillonin menjëherë zëvendësimet. Dunkoviç zëvendësohet nga Nderim Nexhipi për t’i dhënë më shumë fantazi lojës. Ndërsa Maliqi i lë vendin Demirit, duke ndryshuar pak dhe skuadrën. Edhe Hyshmerit i cili deri pak para largimit ishte i pazëvendësueshëm, iu dhanë disa minuta nga fundi. Një tregues ky që tregon se konkurrenca për postin e titullarit te skuadra e kuqe është e madhe.
Kastrioti-Vllaznia
Një ndeshje surprizë ka qenë sfida Kastrioti-Vllaznia. Një sfidë që gjithmonë dhuron emocion, ndërsa kësaj radhe ka pasur veçantinë e saj. Kjo, pasi ka qenë skuadra krutane, e cila ka triumfuar dhe ka marrë një trepikësh shumë të rëndësishëm. Ekipi ka bërë mjaft përforcime në merkato dhe duke përfituar dhe nga faktori fushë, ka marrë një triumf të madh. Skuadra është e gjendur në vendet e fundit dhe fitorja ndaj Vllaznisë ishte mjaft e rëndësishme. Kjo, pasi skuadra shkodrane është rivali që duhet kaluar në tabelën e Superligës. Ndërsa për sa i përket skuadrës shkodrane, asnjë gjë nuk është në rregull. Kjo, pasi humbja ndaj Kastriotit e çon në një gjendje krize. Tashmë ekipi duhet që të sforcohet në maksimum për të marrë pikë, pasi ndeshjet në vazhdim janë të vështira. Ka qenë e rrufeshme shpejtësia me të cilën Kastrioti ka shënuar ndaj Vllaznisë. Në minutën e 13-të do të ishte Doku ai që do të mposhte Vujadinoviç, duke e kaluar skuadrën në avantazh. Ndërsa vetëm katër minuta më vonë do të vinte edhe goli i dytë. Një gol që do të trondiste miqtë që do ta gjenin veten në disavantazh shumë shpejt. Skuadra e Canajt do të merrte mjaft shpejt veten dhe pas 20 minutash do të shënonte edhe golin e parë. Do të ishte Bushiç ai që do t’i jepte një fije shprese skuadrës se mund të merrte pikë. Pjesa e dytë do të niste e fortë dhe me shumë aksione. Do të ishte Tafili ai që do të barazonte shifrat dhe që do të zgjonte shpresat e Vllaznisë. Mirëpo buzëqeshja miqve do t’u ngrinte vetëm pesë minuta më vonë. Kjo, pasi pas një gabimi në mbrojtje nga skuadra e Vllaznisë do të ishte Popoviç ai që do të çonte skuadrën në avantazh dhe do t’i jepte golin e fitores. Si Vllaznia ashtu dhe Kastrioti gjenden në katërshen e fundit të tabelës. Kjo fitore shërbeu si motivim për Kastriotin për të kërkuar më shumë, ndërsa Vllaznisë thjesht i shtoi edhe më shumë problemet.
Ndeshjet e djeshme
KASTRIOTI-VLLAZNIA 3-2
Golat: Doku 13′, Bratiç 17′, Popoviç 52′ / Bushiç 36′, Tafili 47‘
Gjyqtarë: L. Jemini
PARTIZANI-LUSHNJA 2-0
Golat: Memelli 2′, 11′
Gjyqtarë: A. Koci
Atletiko rrëmben fitoren ndaj Valadolidit
Atletiko Madrid është treguar bindës në fitoren prej 3-0 përballë Valadolidit në “Vicente Calderon”. Kryeqytetasit realizuan dy gola të shpejtë në minutat e para të ndeshjes, duke ia bllokuar shpresat kundërshtarit që të dilte ne lojën e tij. Gabi dërgoi një top drejt Raul Garsias, i cili e hapi takimin në minutën e tretë. Shumë shpejt, Garsia i dërgoi një asist Diego Kostës, që po ashtu u shtua në listën e golashënuesve. Rezultatin përfundimtar e vendosi Diego Godin, që shënoi pas harkimit nga këndi të brazilianit Diego. Atletiko është në krye të tabelës me tri pikë më shumë se Barcelona dhe Real Madridi që nuk i kanë zhvilluar ndeshjet e kësaj xhiroje.
Shaqiri dhe Bajerni marrin suksesin e radhës
Bajerni i Mynihut vazhdon fuqishëm drejt titullit të radhës në Bundesligë. Me rezultatin 4-0 bavarezët mposhtën Frajburgun në “Allianz Arena”. Pas një harkimi të Diego Kontentos, Dante zhbllokoi rezultatin me kokë, duke shënuar kështu golin i tij të dytë sezonal. Në skenë doli Xherdan Shaqiri, i cili pasi mori një top nga Pixarro, e dërgoi në rrjetë në të 34-ën. 22-vjeçari shënoi edhe golin e dytë personal pa përfunduar pjesa e parë. Toni Kros u angazhua për t’i nxjerrë topin kosovarit, i cili e çoi skuadrën në epërsi. Në minutën e 61-të, mesfushori shqiptar u largua nga fusha nën duartrokitjet e publikut, ndërsa vendin e tij e zuri Bastian Shvajnshtajger, i cili u kthye nga lëndimi. Vendasit shënuan edhe një gol deri në fund të takimit. Realizues ishte Klaudio Pixarro, që i dha fund ndeshjes. Kjo ishte fitorja e 19-të e Bajernit të Mynihut pas 21 javësh dhe ka 59 pikë në krye të tabelës. Fitore ka shënuar edhe Borusia e Dortmundit që me rezultatin 4-0 ka mposhtur Eintrahtin e Frankfurtit.




