Media Amerikane: A është Edi Rama Noriega apo Erdogani i ri? Përgjigjja është të dy!

 

Media Amerikane: A është Edi Rama Noriega apo Erdogani i ri? Përgjigjja është të dy!

Media e njohur amerikane, Washington Examiner, i ka kushtuar një artikull kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, të cilin e krahason me figura të njohura autoritare si Manuel Noriega dhe Recep Tayyip Erdoğan.

Në artikullin e saj ajo analizon përzierjen e politikave të Edi Ramës, ndikimin në ekonominë e drogës dhe përdorimin e pushtetit për të neutralizuar opozitën, duke e paraqitur Ramën si një lider që kombinon taktikat e dy regjimeve të njohura, në Shqipëri.

Gjithashtu Washington Examiner, në shkrimin e saj thotë që Rama gjatë 3 mandateve të tij ka kthyer përmbys trajektoren demokratike të Shqipërisë dhe kjo mund të kthehet në kërcënim për të gjithë Ballkanin në dekadat që vijnë.

“Rama ka transformuar Shqipërinë në një mënyrë që përmbys trajektoren e saj demokratike dhe do ta kthejë në një barrë rajonale për dekadat e ardhshme.” thuhet në në një pjesë të shkrimit të Washington Examiner.

Artikulli i plotë:

Vetëm pak më shumë se pesë muaj më parë, Edi Rama, udhëheqësi i Partisë Socialiste të Shqipërisë, fitoi zgjedhjet e tij të katërta radhazi për të qëndruar në detyrën e kryeministrit, post që e mban që nga viti 2013. Ndërsa Riviera shqiptare u bë destinacioni më i kërkuar për elitën botërore, Rama u kthye në yll të shoqërisë.

Duke folur në Forumin e Nismës për Investime të së Ardhmes në maj 2025, dhëndri i presidentit Donald Trump, Jared Kushner, tregoi se si e kishte njohur Ramën në jahtin e familjes Rothschild në vitin 2021, gjatë një lundrimi në Detin Adriatik. Në qershor 2025, Rama mbajti një fjalim në dasmën e Alexander Soros në Hamptons me Huma Abedin. Ndërkohë, diplomatë si ish-ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, lundronin në jahtin e Ramës dhe, sipas zyrtarëve shqiptarë, pranonin dhuratat e tij duke justifikuar burgosjen e rivalëve të tij politikë, Rama ka transformuar Shqipërinë në një mënyrë që ka përmbysur rrugën e saj demokratike dhe do ta kthejë vendin në një barrë rajonale për dekada të tëra.

Ndoshta mënyra më e mirë për ta kuptuar Ramën sot është ta shohim si një përzierje midis ish-diktatorit panamez Manuel Noriega dhe presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan.

Noriega ishte për vite me radhë aleat i ngushtë i SHBA-së, që u ngrit në radhët e ushtrisë panameze përpara se të bëhej udhëheqësi ushtarak i vendit në vitin 1983. Fillimisht, qeveria amerikane dhe CIA e përqafuan Noriegën si një aleat të Luftës së Ftohtë. Por deri në vitin 1989, ai ishte kthyer në një turp për Shtetet e Bashkuara për shkak të korrupsionit, kriminalitetit të hapur dhe abuzimit me demokracinë, si dhe provave të pamohueshme për lidhjet e tij me kartelet e drogës në Amerikën e Jugut. Më 20 dhjetor 1989, presidenti George H.Ë. Bush urdhëroi pushtimin e Panamasë për ta arrestuar Noriegën. Ndërsa Kombet e Bashkuara e dënuan pushtimin, një sondazh CBS–Neë York Times i panamezëve tregoi mbështetje dërrmuese për të.

Një sërë politikanësh shqiptarë që intervistova në SHBA, Greqi dhe Zvicër, përfshirë ish-anëtarë të Partisë Socialiste të Ramës dhe Partisë Demokratike të ish-kryeministrit Sali Berisha, folën për “kanabizimin” e ekonomisë shqiptare. Shqipëria ka qenë prej kohësh një kultivuese e paligjshme e marijuanës, por në korrik 2023 Rama e kaloi me forcë në parlament ligjin për legalizimin e saj. Në teori, marijuanë mjekësore; në praktikë, ajo ushqen krimin e organizuar dhe pastrimin e parave. Kultivimi i paligjshëm vazhdon, por qeveria e Ramës përdor legalizimin për të justifikuar rënien e kapjeve. Nën Ramën, Shqipëria mbetet një partner dhe qendër kryesore për kartelet latinoamerikane dhe trafikun e tyre të kokainës drejt Europës.

Ka gjithashtu ngjashmëri të pakëndshme mes Ramës dhe Erdoğanit. Të dy burrat kanë përdorur ambasadorë amerikanë që kanë shfrytëzuar pozicionet e tyre për kontrata fitimprurëse pas daljes në pension. Si në rastin e Erdoğanit, këto kontrata përfitojnë në mënyrë disproporcionale Ramën, ndërmjetësit ose klientelën e tij. Zhvillimi i pasurive të paluajtshme është veçanërisht fitimprurës, dhe Rama – si Erdoğan – ka përdorur pushtetin e shtetit për të burgosur dhe zëvendësuar kryetarë bashkish të zgjedhur që i kundërvihen.

Një shqiptar i pranishëm në takim më tha se Erdoğan e kishte këshilluar Ramën se manipulimi i zgjedhjeve të treta do t’i siguronte atij sundim të përjetshëm. Rama ndoqi gjithashtu shembullin e presidentit turk duke përdorur auditues të politizuar për të burgosur opozitën dhe për t’u konfiskuar pasuritë. Ndryshimi i vetëm është se Katari financoi përpjekjet e Erdoğanit, ndërsa Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) financoi audituesit shqiptarë, duke injoruar faktin se Rama i kishte nënshtruar ata.

USAID mund të ketë ikur, por mbështetja e verbër për goditjet e Ramës vazhdon, e ushqyer nga lobistët dhe dembelizmi diplomatik. Nuk ka justifikim për verbërinë e administratës Trump; më 16 shkurt 2024, një gjykatë federale në SHBA dënoi me dy vjet burg ish-agjentin e FBI-së Chris McGonigal, i cili kishte mbikëqyrur operacionet e sigurisë kombëtare në Nju Jork, për marrjen e një ryshfeti prej 225,000 dollarësh nga një ndërmjetës i Ramës.

Ashtu si Erdoğan përdor dosje të rreme si mjet për shtypje ndërkombëtare, edhe Rama vepron në të njëjtën mënyrë. Viktima e fundit është ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, i cili përballet me akuza të rreme për shkak se refuzoi të bëhej pjesë e rrjetit korruptiv të Ramës, por që Zvicra mund ta deportojë në Shqipëri mbi bazën e auditimeve të rreme të financuara nga SHBA dhe kompromiseve morale të Kim.

Udhëheqësit autoritarë mund të jenë në modë, por çdo bast mbi Ramën do të jetë po aq vetëshkatërrues sa ai i presidentit Ronald Reagan mbi Noriegën apo përqafimi i ish-presidentit Barack Obama ndaj Erdoğanit. Qoftë përmes karteleve të drogës apo terrorizmit, të dy – Noriega dhe Erdoğan – kanë minuar interesat amerikane. Rama përfaqëson më të keqen e të dyve. Amerikanët do të paguajnë çmimin në fund. /Washington Examiner

Share it :
Koncesioni i check-up/ Milva Ekonomi i dha mln € Vilma Nushit, paratë u investuan te kulla e Pak ditë më parë, emisioni “Plug” në Syri TV bëri një përmbledhje me fakte dhe dokumente konkrete të abuzimeve që janë bërë nga shteti shqiptar me koncesionet e shëndetësisë, një prej tyre edhe koncesioni i check-up, një skemë e madhe abuzimi me taksat e qytetarëve shqiptarë. Për këtë koncesion u hap një garë ku morën pjesë disa kompani me eksperiencë në fushën e kryerjes së analizave mjekësore, por fituese u shpall 3P Life Logistic e Vilma Nushit. Do të hyjmë në detaje dhe do të kuptojmë se jemi përpara një gare fiktive me fitues të paracaktuar. Së pari, kjo kompani u themelua më 9 dhjetor 2014, ndërsa kontrata koncesionare u firmos dy ditë pa u mbushur muaji, më 7 janar 2015. Ndërkohë, gara për koncesionin e check-up u shpall që në shkurt 2014. Thënë ndryshe, 11 muaj përpara se të lidhej kontrata me kompaninë që Vilma Nushi themeloi një muaj përpara se të firmoste marrjen e koncesionit prej 138 milionë eurosh. Dhe çudia më e madhe qëndron te fakti se shpallja e fituesit zyrtarisht u bë më 6 tetor 2014, dy muaj përpara se të themelohej kompania që do të fitonte kontratën koncesionare. Pas firmosjes së kontratës koncesionare në fillim të muajit janar 2015 nga Ministria e Shëndetësisë dhe kompania 3P Life Logistic, Agjencia e Prokurimit Publik refuzoi publikimin e kësaj kontrate pasi konstatoi shkelje të rënda ligjore. E para, kontrata u dërgua në APP pa numër protokolli dhe pa u firmosur nga titullari i institucionit. E dyta ishte shuma totale që shteti shqiptar do të paguante në fund të 10 viteve koncesion, si dhe mënyra e pagesës, që sipas APP-së, në formularin e dërguar nga MSH deklarohej se pagesa për check-up do të kryhej në bazë të numrit të analizave që do të kryheshin. Dhe këtu ka një mospërputhje në lidhje me vlerën totale të kontratës së nënshkruar. Konkretisht, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/23 Prot., datë 20.01.2015, në pikën 5 jepet vlera totale e kontratës 13.833.000.000 lekë. Ndërkohë, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/27 Prot., datë 10.02.2015, në paragrafin IV.4 shkruhet shprehimisht se: “Vlera reale do të jetë në varësi të numrit të kontrolleve”. Gjashtë ditë më pas, Ministria e Shëndetësisë firmos edhe njëherë formularin e njoftimit të kontratës së nënshkruar dhe më datë 19.02.2015 ministri i atëhershëm, Ilir Beqaj, i delegon kompetencën vartëses së tij, Milva Ekonomi, që të firmosë formularin e fituesit të kontratës koncesionare. Në këtë shkresë, përveç firmës dhe vulës së Ministrisë së Shëndetësisë, deleguar te Milva Ekonomi, saktësohet në pikën IV.3 se: “Vlera totale e kontratës do të jetë 13.833.000.000 lekë”, apo rreth 138 milionë euro për dhjetë vjet. Ndërsa në pikën IV.4 saktësohet: “Vlera e sipërcituar është vlera e dhjetë viteve të marra së bashku për numrin maksimal të kontrolleve për grupmoshën 40-65 vjeç. Vlera reale e kontratës do të jetë më e ulët pasi ajo do të llogaritet në varësi të numrit të kontrolleve që do të kryhen çdo vit”. Do të mjaftonte vetë ky dokument, që minimalisht sot SPAK ta kishte marrë të pandehur zv.ministren e asaj kohe, Milva Ekonomi, e cila me dashje i ka shkaktuar disa milionë euro dëm buxhetit të shtetit, pasi me firmën e saj ka kryer pagesa në kundërshtim me kushtet e parashikuara në kontratë. Por skandalet nuk mbarojnë këtu. Në pikën 3 të kontratës përcaktohet se: Kjo ndodhi për një arsye. Vilma Nushi, sipas kontratës, 20 laboratorët do të duhej t’i ndërtonte në qendrat shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe, në përfundim të koncesionit, ky investim do t’i mbetej si aset shtetit shqiptar. Gjë që nuk ndodhi asnjëherë. Sipas kontratës që shihni në ekran, nënshkruar mes kompanisë së Vilma Nushit dhe kompanisë Intermedica të deputetit të PS-së, Vasil Llajo, çmimi për një check-up te Intermedica për Vilma Nushin do të kushtonte 740 lekë me TVSH. Pra, ndërkohë që shteti do t’i paguante Vilma Nushit 1844 lekë me TVSH për kryerjen e një pakete check-up, ajo e delegoi këtë shërbim te nënkontraktori për një çmim prej 740 lekësh me TVSH. Me vetëm këtë skemë, Vilma Nushi ka përfituar për çdo analizë rreth 11 euro. Gjithçka me firmën e hedhur nga ish-zv.ministrja Milva Ekonomi. Në një përballje me gazetarin Freard Rista, zonja Ekonomi mohoi të kishte lidhje me këtë formular kontrate, pavarësisht se emri dhe firma e saj janë të zeza mbi të bardhë. Kompania e Vilma Nushit, Marketing & Distribution, e cila ka në pronësi koncesionin e check-up nëpërmjet kompanisë 3P Life Logistic, rezulton gjithashtu se ka financuar edhe kompaninë “Victoria Construction”, e cila po ndërton kullën “Ekspozita Building”. Deri këtu do të ishte diçka normale, nëse pas kësaj kulle nuk do të qëndronte një emër si ai i Ervin Matës, i arrestuar së fundmi në Brazil me kërkesë të SPAK-ut për trafik droge. Konkretisht, në vitin 2018, kompania Marketing & Distribution kalon për llogari të shoqërisë “Victoria Construction” një shumë prej 1.1 milionë eurosh. Nga të dhënat e bilanceve të kompanisë “Victoria Construction”, nuk specifikohet arsyeja pse Vilma Nushi i ka dhënë një shumë të tillë monetare kompanisë. Derdhja e parave u bë vetëm një vit përpara se të firmosej leja e ndërtimit për kullën “Ekspozita Building”. Pra, në vitin 2018 Vilma Nushi paguan këstin e parë të parave për llogari të kompanisë së Luan Matës, ndërsa në vitin 2019, me firmë të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, u miratua edhe leja e zhvillimit. Kujtojmë se pikërisht në vitin 2018, kur Vilma Nushi ka deklaruar se ka futur për investim 1.1 miliardë lekë në kullën e Ervin Matës, ka marrë edhe dividendin e parë nga kompania e check-up, në vlerën e rreth 1.2 miliardë lekëve, përafërsisht sa shuma që futi te kulla e Ervin Matës. Edhe për këtë gjë, zonja Ekonomi u pyet nëse ndjen ndopak përgjegjësi morale që me firmat e saj pasuron privatin, i cili më pas këto lekë të fituara nga taksapaguesit shqiptarë i investon tek personazhe me rekorde kriminale, por nuk ktheu përgjigje, duke kyçur gojën dhe nxituar këmbët për të votuar. /Piranjat news