Me vendimin për Olta Xhaçkën, Gjykata Kushtetuese fuqizon maxhorancën dhe dobëson opozitën

Nga Bledar Dervishaj

Gjykata Kushtetuese e nisi vitin 2023 me mbylljen e dyerve të saj për pakicat parlamentare duke zgjeruar edhe më tepër fuqinë dhe kompetencat e shumicës.

Të enjten, Gjykata Kushtetuese zbardhi dy vendimet e saj nr.1 dhe nr.2, datë 18.01.2023 për shqyrtimin e çështjes mbi papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka.

Vendimmarrja e shumicës së anëtarëve në Gjykatën Kushtetuese i dha të drejtë kërkesës së 1/10 së deputetëve të opozitës, duke i rrëzuar si antikushtetuese vendimet e Kuvendit për dy raportet e Këshillit të Mandateve lidhur me mandatin e Xhaçkës, por nuk e mori në shqyrtim çështjen në themel sipas kërkesës tjetër të opozitës, 1/5 së deputetëve të Kuvendit, me argumentin se është shumica në Kuvend që duhet të marrë vendim për ta përcjellë çështjen për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

Për sa kohë që Kuvendi nuk ka vendosur për dërgimin e çështjes në gjykatë, ajo nuk mund të aktivizohet për shqyrtimin e papajtueshmërisë në ushtrimin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka. Këtë thotë Gjykata Kushtetuese.

Nga leximi i argumenteve të shumicës, unë mendoj se gjykata me këto dy vendime ka pakësuar jo vetëm mekanizmat e kontrollit dhe balancës brenda Kuvendit, por ka pakësuar dhe kompetencat e vetë Gjykatës Kushtetuese.

Kjo do të thotë që maxhoranca fuqizohet edhe më shumë, ndërsa pakicat dobësohen. Pra, më pak mjete demokratike kontrolli në dorë të opozitës, sot e në vijim.

Me vendimet e zbardhura po krijohet mburojë hermetike për shqyrtimin e çështjes në fjalë, sepse nëse ajo çështje mund të shkojë për shqyrtim në GJK, kjo ngelet në dorë vetëm të vullnetit të maxhorancës.

Kjo do të thotë që Gjykata Kushtetuese ka kufizuar ndjeshëm kompetencat dhe rolin e saj në Republikën Parlamentare. Praktikisht ajo me dy vendimet e saj, i ka krijuar një kompetencë të re dhe terren të pamerituar veprimtarie e vendimmarrje organit politik, pra shumicave parlamentare kurdoqofshin e sidoqofshin.

Gjykata jo vetëm e ka lënë çështjen pa zgjidhje, por e ka futur shqyrtimin e saj në një rreth vicioz politik që shumica/t sot apo nesër ta rrotullojnë e t’i sjellin vërdallë këtë çështje apo të tjera të kësaj natyre.

Më troç, nesër e në vijim, do ngelet në cipën morale/përgjegjshmërinë e shumicës, nëse e dërgojnë ose jo çështjen e papajtueshmërisë së mandatit për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

Në rastin konkret, Gjykata Kushtetuese aty e kishte çështjen sepse ia kishte paraqitur pjesa tjetër e opozitës 1/5 deputetëve, por ajo nuk pati kurajën ta shqyrtonte.

Nëse shumica parlamentare nuk dëshiron ta dërgojë çështjen për shqyrtim në GjK, atëherë deputeti, qoftë kur është i shumicës apo i pakicës (por i duhet shumicës si numër vote), mund të lejohet të ushtrojë një mandat edhe pse ai është antikushtetues, thjesht e vetëm se shumica nuk bën një shkresë përcjellëse për ta dërguar çështjen për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa kjo, sipas vendimeve të sotme nuk do të ndërhyjë dhe shqyrtojë më për asnjë arsye këto çështje, po nuk e solli letrën shumica pavarësisht kërkesave të paraqitura nga pakice.

Në thelb, kjo është përmbajtja e dy vendimeve të çështjes Xhaçka që Gjykata Kushtetuese ka zbardhur sot, vendimmarrje kjo e cila për mendimin tim nuk është kurajoze.

Është e paprecedentë dhe e papranueshme për rendin demokratik dhe shtetin e së drejtës që Gjykata Kushtetuese të kufizojë njëkohësisht si rolin dhe mundësinë e pakicave për të kontrolluar kushtetutshmërinë e mandatit të deputetëve të shumicës por njëkohësisht të kufizojë dhe kompetencat dhe pozitën që Kushtetuta i ka dhënë vetë Gjykatës Kushtetuese.

Është tmerruese, e paprecedentë që GJK, normave kushtetuese në unitetin e tyre u jep kuptim, me natyrë kufizuese dhe jo zgjeruese të kompetencave të saj (GjK). Këtë ka bërë Gjykata Kushtetuese me dy vendimet e saj. Në demokraci është gjykata ajo që kontrollon qeverisjen/ligjbërjen, e që vendos përfundimisht për ndarjen e kompetencave dhe kushtetutshmërinë e akteve dhe papajtueshmërinë e mandateve, dhe jo politika.

Nëse qeverisja, ligjbërja, vendimmarrja e tyre, apo edhe gjyqësorit në shkallë më të ulëta përmbajnë elementë jo të mirë dhe antikushtetutshmëri është gjykata kushtetuese garante e kushtetutës ajo që kontrollon dhe vendos përfundimisht në nivel kushtetues.

Shqipëria nuk as është as Finlanda, Suedia apo Gjermania, ku morali publik e politik i detyron shumicat në parlament të sillen e të veprojnë korrekt dhe me moral. Kultura jonë parlamentare nuk ka arritur deri aty dhe për shumë kohë duket se nuk do të arrijë.

Gjykata me këto dy vendime të saj në vlerësimin tim ka mbyllur dyert e saj një herë e përgjithmonë, duke i lënë këto lloj çështjesh për zgjidhje “de jure” vetëm domein i terrenit politik shqiptar, që siç të gjithë e dimë është acid dhe aspak moralist, ndërsa “de facto” në dorë vetëm të mazhorancave të sotme apo të nesërme.

Ata deputetë opozitarë të Kuvendit, pra pakica e 1/10 që menduan se fituan këtë çështje, në fakt referuar interpretimit të Gjykatës Kushtetuese në vendimet e saj kanë humbur “me dinjitet” jo vetëm për vete, por për të gjithë shoqërinë shqiptare.

Jo vetëm kaq, por Gjykata Kushtetuese duke i shpallur ata në dukje si “fitues” në fakt, jo vetëm ua ka mbyllur derën atyre personalisht një herë e përgjithmonë, por të gjithë opozitave të sotme dhe të atyre që do të vijnë.

Nëse deputetët e pakicave do duan të mbrojnë e paraqesin këto çështje, ata do munden të shkojnë në dyert e Gj. Kushtetuese vetëm nëse këtë e dëshiron shumica.

Mos të harrojmë se vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë fuqi detyruese edhe në pjesën arsyetuese të tyre, përpos pjesës vendimmarrëse, pavarësisht se Gjykata në rastin konkret, është shpesh herë kontradiktore.

Na i bëri edhe këtë “nder” shumica e trupës gjyqësore në Gjykatën Kushtetuese që në rifreskim e sipër ka marrë këto vendime.

Jam i sigurt që shumica parlamentare nuk mund të jetë e kënaqur me këtë vendim. Ajo mund të buzëqesh momentalisht, por do hidhërohet nesër kur të jetë vet pakicë.

Ndërkohë që, duhet respektuar mendimi kundër dhe qëndrimi i pakicës i trupës gjyqësore në vendim. Do veçoja qëndrimin objektiv të gjyqtares zj.Sonila Bejtja. Sipas arsyetimit në pakicë të gjyqtares Bejtja, kërkesa e 1/10 së deputetëve duhej të rrëzohej, pasi i heq gjykatës mundësinë për të vlerësuar në themel çështjen në bazë të kërkesës së 1/5 së deputetëve. Bejtja argumenton më tej se ky mekanizëm është mënyra e vetme për të vënë në lëvizje juridiksionin kushtetues, në rast se Kuvendi nuk vepron në përputhje me detyrimin kushtetues.

Ky duhet të ishte edhe qëndrimi i shumicës, e cila duhet t’i kishte bashkuar të dy kërkesat e paraqitura veç e veç nga deputetët e opozitës (1/10 + 1/5 deputetëve) për shqyrtim të përbashkët dhe ta kishte zgjidhur çështjen në themel.

Kjo fatkeqësisht nuk ndodhi, tani të rrimë e të presim sesi do të sillet Kuvendi (shumica) me çështjen në fjalë.

Share it :
Mato: Pastrimi i parave në ndërtim po lë të rinjtë pa strehë: Të monitoren transaksionet Në një kohë kur Tirana dhe zonat turistike të Shqipërisë përjetojnë një bum të jashtëzakonshëm ndërtimi, me kulla që ngrihen çdo ditë, një pyetje thelbësore po shqetëson gjithnjë e më shumë publikun: nga vijnë të gjitha këto para? Alarimin e ngriti Fanswa Mato, anëtar i departamentit “Brain Gain” në PD, i cili nga tryeza e diskutimit ‘Qeveria e Pasigurisë – dhe alternativa e opozitës’, denoncoi se pas fasadës së projekteve luksoze fshihet fenomeni i pastrimit të parave, duke e deformuar tregun dhe duke e bërë të pamundur për qytetarët e zakonshëm blerjen e një shtëpie. Mato, një profesionist me përvojë në menaxhimin e ndërtimit në Neë York, thekson paradoksin e hidhur të realitetit shqiptar: ndërsa miliona metra katrorë ndërtohen çdo vit, çmimet e apartamenteve kanë arritur nivele të papërballueshme për familjet mesatare. Fanswa Mato: Përvoja ime personale më ka dhënë mundësi të punoj në një mjedis ku standardet, transparenca dhe rezultatet konkrete janë thelbësore. Pikërisht kjo eksperiencë më motivon të kontribuoj me njohurinë dhe përvojën time për çështjet që lidhen me zhvillimin, mirëqenien dhe të ardhmen e Shqipërisë. Sot dua të flas për një nga problemet më serioze që po dëmton ekonominë shqiptare dhe po rëndon jetën e qytetarëve tanë: pastrimin e parave në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe në ndërtim. Gjatë viteve të fundit kemi parë një bum të jashtëzakonshëm ndërtimesh, sidomos në Tiranë dhe në zonat turistike, ku kulla të reja ngrihen çdo ditë, projekte luksoze shtohen me ritme të shpejta dhe miliona metra katrorë ndërtohen çdo vit. Por pyetja që ushtrojnë shqiptarët është shumë e thjeshtë: nga vijnë të gjitha këto para? Sepse realiteti është ky: ndërsa ndërtohet gjithnjë e më shumë apartamente, qytetarët shqiptarë e kanë gjithnjë e më të vështirë të blejnë një shtëpi. Çmimet janë rritur në nivele të papërballueshme për familjet e zakonshme. Të rinjtë nuk arrijnë të sigurojnë një strehim, ndërsa shumë apartamente mbeten bosh dhe përdoren vetëm si instrumente financiare. Ky është paradoksi i Shqipërisë sot. Në njërën anë kemi një mbingopje me ndërtime, nga ana tjetër kemi mungesë strehimi për qytetarët. Kjo nuk është ekonomi normale tregu. Kjo është pasojë e deformimit të tregut nga paratë informale dhe nga mungesa e kontrollit shtetëror. Sipas të dhënave dhe analizave të institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare, Shqipëria ka pasur për vite me radhë probleme serioze në luftën kundër pastrimit të parave dhe organizata të rëndësishme ndërkombëtare kanë evidentuar dobësi në kontrollin financiar dhe në monitorimin e sektorit të ndërtimit. Gjatë analizës së këtij fenomeni, janë përdorur të dhëna nga institucione si Banka e Shqipërisë, INSTAT, Agjencia e Inteligjencës Financiare dhe FATF. Janë zhvilluar gjithashtu biseda me profesionistë të tregut, agjentë imobiliar, noterë dhe ekspertë financiarë. Të gjitha këto tregojnë se ekziston një shqetësim real për mënyrën se si fondet e dyshimta depërtojnë në ekonominë shqiptare. Mekanizmat janë të ndryshme. Në shumë raste përdoren kompani me burime financiare të paqarta, përdoren pagesa të mëdha kesh, transferta të dyshimta dhe forma të tjera që e bëjnë të vështirë gjurmimin e origjinës së parave. Në disa raste kemi dhe kompani që nuk justifikojnë nivelin e investimeve që realizojnë. Dhe kush e paguan koston e kësaj situate? E paguajnë qytetarët shqiptarë, e paguajnë familjet e reja, e paguajnë bizneset e ndershme, e paguan ekonomia e vendit. Sepse kur paratë e paligjshme futen në treg, konkurrenca bëhet e padrejtë. Çmimet rriten artificialisht, korrupsioni forcohet, besimi tek shteti dobësohet dhe në fund humb qytetari i zakonshëm që punon me ndershmëri. Si opozitë, ne kemi detyrimin moral dhe politik të ngremë zërin për këtë problem. Shqipëria nuk mund të ndërtojë të ardhmen mbi ekonomi informale dhe mbi mungesë transparence. Ne kemi nevojë për institucione të forta, për kontroll real financiar dhe për shtet ligjor funksional. Ne kërkojmë rritje të transparencës në transaksionet e pasurive të paluajtshme, kufizim të pagesave kesh në sektorin e ndërtimit, kontroll më të fortë mbi burimin e fondeve, monitorim më rigoroz të kompanive të ndërtimit, bashkëpunim më të madh mes institucioneve financiare dhe organeve ligjzbatuese. Ky nuk është thjesht një debat politik. Ky është një debat që prek ekonominë e vendit, të ardhmen e të rinjve dhe mundësinë që qytetarët shqiptarë të jetojnë me dinjitet në vendin e tyre.