Gëzim Saliu
Taksim progresiv për shtëpitë e dyta, të treta dhe të katërta. S’ndryshon taksa për ndërtesat para ‘93-shit
Edhe pijet energjike me akcizë
Kundërshtitë dhe debatet për paketën fiskale janë përcjellë dje edhe në mbledhjen e grupit parlamentar socialist. Në mbyllje të javës së diskutimit të paketës fiskale dhe projekt buxhetit, kur ndërkohë mbeten edhe 7 ditë të tjera nga diskutimi i tyre në Parlament, Kryeministri Rama vendosi të mblidhte ditën e djeshme grupin parlamentar socialist. Pas fjalës publike të kreut të qeverisë, mbledhja ka vazhduar me dyer të mbyllura, ku janë diskutuar pikat kryesore dhe më të debatueshme të paketës fiskale. Një ndër çështjet që ka hasur më shumë debat, ka qenë ajo për dyfishim e taksës së ndërtesës për shtëpitë e dyta. Marrë për bazë edhe kundërshtimet e shprehura më parë edhe nga deputetët e mazhorancës për këtë pikë, grupi i PS-së, në mbështetje të propozimit të kreut të Komisionit të Ekonomisë Erion Braçe, vendosi taksim progresiv për ata që kanë shtëpi të dyta, të treta dhe të katërta. Kundërshtitë e shfaqura nga ligjvënësit socialistëve, veçanërisht nga deputeti Pandeli Majko për këtë pikë nuk janë marrë parasysh. Ndërkohë, një tjetër vendim i marrë në mbledhje ishte edhe ai që për të gjitha ndërtesat e para vitit 1993 taksa të mos ndryshojë, ku në paketë ishte parashikuar që të gjithë ata që jetojnë në një apartament të ndërtuar para këtij viti të paguanin taksë ndërtese dyfish.
Diskutimi
Ndër çështjet e tjera të cilat hasën debat në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar socialist ishin edhe ato për nivelin e ri të tatimit mbi të ardhurat nga dividenti si edhe taksimi për sipërmarrjen e madhe. Marrë shkas nga kundërshtitë e shfaqura haptas nga këta të fundit, si përfaqësues të biznesit të madh vendas ashtu edhe atyre të huaj, deputetë të PS-së kërkuan dje një reflektim mbi propozimet e bëra publike. Ndërkohë që deputeti socialist Braçe kërkoi që të rishikohet edhe një herë rritja e dividendit, pasi është e papranueshme sipas tij që të rritet taksa për biznesin dhe ndërkohë dividendi të mbetet 10 %. “Do të vijojë deri në fazën e diskutimit nen për nen, debati ynë për një favor të fortë fiskal për industrinë e fasonit, duke rigjallëruar punësimin, eksportet dhe riinvestimin këtu; do të vijojë deri në fazën e diskutimit nen për nen, debati ynë për një nivel të ri të taksës së ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet duke përjashtuar veprat publike dhe ato të natyrës së aktivitetit prodhues, tregtar e të shërbimeve, turizmit gjithashtu”, – bënte të ditur dje kryetari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, njëkohësisht deputeti i PS-së, Erion Braçe.
Rritja e akcizës
Një tjetër vendim i rëndësishëm i marrë në grupin e PS-së ishte ai për vendosjen e regjimit të akcizës edhe për pijet energjike. “Ashtu sikundër pijet alkoolike dhe pijet energjike, ne do t’i vendosim nën akcizë më të rritur”, – deklaroi Rama dje në grup. Po ashtu sipas parashikimeve të paketës fiskale u miratua edhe rritja e akcizës për duhanin dhe pijet alkoolike. “Ne nuk i fshihemi, përkundrazi i dalim ballas edhe rritjes së akcizës së cigares. Ne do ta rrisim akcizës e duhanit dhe do dekurajojmë pirjen e duhanit”, – pohoi Kryeministri Rama, duke shtuar se nga të gjitha këto do të rriten me 35 milionë dollarë të ardhurat.
Vendimet e grupit
Taksim progresiv për ata që kanë shtëpi të dyta, të treta dhe të katërta
Për të gjitha ndërtesat e para vitit 1993 taksa nuk do të ndryshojë
Futjen e akcizës për pijet energjike
Niveli i sigurimeve shëndetësore për të vetëpunësuarit në fshat të mos ndryshojë
Zbatim i plotë i direktivës së BE-së për akcizën mbi birrën, veçanërisht në elementin që diferenca mes nivelit te poshtëm dhe të lartë të akcizës të jetë 50%
Çështjet në diskutim
Niveli i tatimit mbi të ardhurat nga dividenti (kërkohet rritja e tij, ndërkohë qeveria në paketë e ka lënë të pandryshuar 10%)
Tatim fitimi mbi sipërmarrjet e mëdha
Rama: Kthyem ekonominë në shina për 99 ditë
Kryeministri Edi Rama bëri të ditur dje arritjet e qeverisë në 99 ditët e saj në pushtet si dhe ka sjellë një pasqyrë të përgjithshme mbi impaktet e sistemit të ri të taksimit në vend. Në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat, kreu i mazhorancës qeverisëse tha se vendi është shpëtuar nga gremina ekonomike ku rrezikonte të binte. “Ne as e kemi thënë dhe as nuk mund të mendohet nga një njeri që mendjen e ka në kokë që për 3 muaj do bëjmë realitet ato që jemi zotuar. Kush kërkon më shumë prej nesh unë ndihem i nderuar, por ne do japim llogari, zotim për zotim në fund të mandatit dhe jo në krye të 100 ditëve të një vendi të rrënuar. Pas 99 ditësh jam i gatshëm të shoh në sy shqiptarët, sidomos atyre 1 milionë që votuan Aleancën për të Ardhmen Shqiptare, tu them se më e keqja ka kaluar. Se rruga e rrënimit të financave është ndërprerë. Një rrugë e re do të nisë me miratimin e buxhetit dhe sistemit të ri të taksave”, – tha Rama. Në këtë kontekst, Kryeministri pohoi se qeveria hartoi politika që nxorën vendin nga katrahura. “Në 99 ditë kemi bërë rimëkëmbjen dhe jo vetëm ndalimin e hemorragjisë së borxheve. Në mbështetje të skuadrës sonë fantastike të ekspertëve të shquar botërisht në fushën e financave projektuan me durim dhe këmbëngulje rrugëdaljen nga gjendja e katrahurës dhe negociuan me FMN një marrëveshje të re, absolutisht të favorshme për vendin dhe popullin tonë. Ne u kemi thënë shqiptarëve hapur dhe ndershmërisht kur ishim në opozitë dhe se politika e tyre e vjetër e borxheve po e fuste Shqipërinë në qorrsokak. Sot 99 ditë pas marrjes së frenave të qeverisjes në dorë kemi të drejtë të ndihemi mirë, jo vetëm se u kemi thënë të vërtetën dje, por se kemi mbetur po aq të vërtetë dhe sot, në themelimin e politikës së re që po vëmë në jetë me borxhet, taksat e administrimin e tyre”. Ndërkohë, në përgjigje të akuzave të opozitës për mosrritje rrogash e pensionesh, Rama theksoi se është vendosur kushti i panegociueshëm që përsëri të rriten pensionet edhe gjatë vitit 2014. “Pensionistët nuk do të përfitojnë vetëm rritjen e pagesës mujore që në të shkuarën ka qenë thjesht indeksim, e jo rritje, ne do të ulim për ta çmimet e ilaçeve, që e bënin pensionin e tyre nul dhe do të garantojmë për ta shërbimin shëndetësor që meritojnë duke siguruar në harkun e këtij mandati shërbimin shëndetësor te premtuar pa sigurime shëndetësor, por me kontributin e shtetit”.
Kreu i PD-së
Rama nuk reflektoi mbi shqetësimet e qytetarëve, paketa fut në ngërç biznesin
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, reagoi dje pas deklaratave të Kryeministrit Rama lidhur me paketën fiskale dhe projekt buxhetin e qeverisë. Sipas tij, kreu i ekzekutivit nuk ka reflektuar mbi shqetësimet e shprehura publikisht nga qytetarët për rritjen e taksave. “Monologu i sotëm i Kryeministrit plot akuza dhe sharje ndaj opozitës. Asnjë reflektim për shqetësimin mbarëpopullor në rritje për rritjen galopante të taksave dhe shtrenjtimin e kostos së jetesës. Për ngërçin e madh në të cilin po e fut biznesin e vogël e të madh, qytetin dhe fshatin, me paketën e tij fiskale që do të shkatërrojë mijëra vende pune. Asnjë fjalë pensionistëve, invalidëve, shtresave në nevojë për premtimet e pambajtura. I vetmi moment sinqeriteti me shqiptaret: nuk do ketë vende të reja pune”, – shkruante Basha në rrjetin social “Facebook”.




