Përfitojnë 50 pronarë që aplikuan në muajin gusht
Nuk mbahet premtimi, për 2014-ën, i njëjti fond si një vit më parë
Kompensimi financiar i pronave është mbyllur për vitin 2013. Për këtë vit janë shpërndarë 300 milionë lekë dhe me këtë fond janë kompensuar vetëm një pjesë e aplikantëve. Ky fond u nda pas një verifikimi që u është bërë dosjeve nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe më pas vetëm 50 pronarë kanë rezultuar të rregullt. “AKKP-ja sapo ka përfunduar procesin e kompensimit financiar për vitin 2013. Nga 1098 aplikime u përmbyllën me vlerësim 358 dosje 200 prej të cilave u verifikuan 45 ditët e fundit, pasi u mor vendimi për shtyrje afati të procedurës administrative 3-mujore. Si konkluzion, nga fondi 300 milionë lekë u akorduan nga buxheti i shtetit për vitin 2013 përfitojnë këtë vit 50 aplikues, trashëgimtarë ligjor të subjektit të shpronësuar”, – tha në një dalje për mediat Sonila Qato, drejtore e AKKP-së.
Kompensimi i pronave nisi në muajin gusht, kur numri i aplikantëve për të dorëzuar dokumentacionin e kërkuar ishte tepër i lartë. Sipas drejtores Sonila Qato drejtuesit e mëparshëm kishin kontrolluar shumë pak dosje, duke lënë jashtë procesit rreth 700 dosje të tjera. “Deri përpara një muaji, kjo agjenci kishte aktivizuar vetëm 156 dosjet e para për shqyrtim, sipas rendit kronologjik të vendimeve për kompensim ka rrezikuar ecurinë normale të rregullt të procesit dhe të shpërndarjes së plotë të fondit të akorduar”, – theksoi Qato.
Fatura
Mungesa e të dhënave të sakta se ku ndodhet procesi i kompensimit ka bërë që të nisë procesi për nxjerrjen e një fature financiare. Drejtorja e AKKP-së njoftoi nisjen e ndryshimeve ligjore së bashku me Ministrinë e Drejtësisë për këtë qëllim.
“Jemi duke krijuar një plan veprimi me nxjerrjen e kësaj fature financiare për kompensimin financiar. Këtë vit jemi duke punuar edhe për propozime konkrete legjislacioni për të vënë në punë edhe kompensimin fizik të pronave për të akorduar sa më shumë kompensime në bazë të vendimit të kompensimit në vite”, – tha Qato.
Pakënaqësia
Fondi për kompensimin e pronave për vitin 2014 është i njëjtë me fondin e një viti më parë. Premtimet e qeverisë aktuale në fushatën elektorale të qershorit kishin sjellë shpresë të qytetarët se ky proces do të mbyllej shumë shpejt, por, siç duket, qeveria nuk pati mundësi të akordonte dyfishim të fondit, ashtu siç kishte premtuar në muajin qershor.
Si u kompensuan pronarët
-Për pronat e njohura për kompensim deri në 1500 (një mijë e pesëqind) m², masa e kompensimit është 200 (dyqind) m².
-Për pronat e njohura për kompensim mbi 1500 (një mijë e pesëqind) m² deri në 3 000 (tre mijë) m², masa e kompensimit është 300 (treqind) m².
-Për pronat e njohura për kompensim mbi 3000 (tre mijë) m² deri 5000 (pesë mijë) m², masa e kompensimit është 400 (katërqind) m².
-Për pronat e njohura për kompensim mbi 5000 (pesë mijë) m² deri në 10 000 (dhjetë mijë) m², masa e kompensimit është 500 (pesëqind) m².
-Për pronat e njohura për kompensim mbi 10.000 (dhjetë mijë) m², masa e kompensimit është 600 (gjashtëqind) m²
Basha: Bashkia e Tiranës, 3 mijë dhurata për fëmijët e çerdheve
Fëmijët e çerdheve të Tiranës do të kenë edhe këtë vit një dhuratë nga Bashkia e Tiranës për festat e fundvitit. Kryebashkiaku Lulzim Basha ishte dje në çerdhen “Zërat e jetës”, në njësinë bashkiake nr. 11, ku ndau dhurata për të gjithë fëmijët që marrin shërbimin në këtë çerdhe. Krahas shërbimeve të përmirësuara dhe që po përmirësohen çdo ditë, Basha i ka garantuar fëmijët e kryeqytetit se vëmendja e Bashkisë nuk do të mungojë në asnjë moment, për t’i bërë edhe më të gëzuara festat. “Me kënaqësi të madhe, dua të njoftoj se të gjithë fëmijët e çerdheve në qytetin e Tiranës do të marrin dhuratën e vitit të ri. Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me donatorë të fondacionit zviceran SFI dhe UNICEF, kanë mundësuar 3 mijë dhurata për fëmijët e çerdheve të kryeqytetit, të cilat shpresoj se do sjellin edhe më shumë hare dhe gëzim tek këta fëmijë të vegjël dhe nëpërmjet fëmijëve tek familjet e tyre. Me këtë rast, dua të falënderoj donatorët që kanë bashkëpunuar me Bashkinë e Tiranës dhe t’u uroj vogëlushëve të çerdheve, kopshteve, shkollave të Tiranës dhe prindërve të tyre një fund-vit sa më të gëzueshëm dhe gëzuar vitin e ri!”, – u shpreh kryebashkiaku Basha.
Ndarja e fondeve me privatët, mjekët: QSUT, jo skllav që punon “free”
Deri në fund të marsit, Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor do të ketë gati koston e çdo pacienti që kurohet nga problemet me zemrën, veshkat e mëlçinë. Gjatë një takimi të zhvilluar mes mjekëve, një grup specialistësh të ISKSH-së do të vlerësojnë kostot në secilin repart. “Matja e saktë e kostove të këtyre shërbimeve do të bëjë të mundur kontraktimin real nga ana e Fondit të Sigurimit të Shëndetësor me ofrues të shërbimit publik dhe privat. Përmes kostove të përcaktuara drejt dhe të konkurrencës ne presim një ulje të çmimeve në sektorin privat, për të cilin Fondi i Sigurimeve do të kontratojë për këto shërbime”, – tha Astrit Beci, drejtor i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore. Mjekët kërkuan që kostoja e ndërhyrjeve të jetë e njëjtë si në spitalet publike edhe në ato jopublike, pasi, sipas tyre, shërbimi shëndetësor në QSUT është shumë më i lirë se spitalet private. “QSUT-ja të mos konsiderohet si një skllav që do të punojë ‘free’, por QSUT-ja, kundrejt atyre procedurave që do kontraktojë me ju në bazë të paketës, do të paguhet për çdo shërbim. Jam i sigurt që ju jeni të interesuar që sa më shumë të bëjë QSUT-ja, aq më lirë do t’i bjerë sistemit, për më tepër sot për sot ekspertiza më e mirë është në QSUT”, – tha Artan Goda, shef i shërbimit të Kardiologjisë. Mjekët e pranishëm në këtë konferencë vlerësuan bërjen pjesë të Fondit të Sigurimeve edhe të QSUT-së. Gjithashtu, ata kërkuan që të investohet tek burimet njerëzore, sepse, siç u shprehën, disbalanca të tilla çojnë që mjaft mjekë t’i adresojnë në privat.




