5000 hektarë tokë janë të përmbytur në zonat e Shkodrës dhe Lezhës
Përmbytje edhe në Fushë-Krujë. Lumenjtë dalin nga shtrati
Reshjet e dendura të shiut kanë dhënë efektet e para. Rreth 5000 hektarë tokë janë përmbytur në zonën e Lezhës dhe të Shkodrës. Sipas të dhënave nga Shtabi i Emergjencës, vetëm në Lezhë janë përmbytur 3500 hektarë tokë, ndërkohë që 1500 hektarë ndodhen nën ujë në Shkodër. Të dhënat e para tregojnë se 150 shtëpi janë përmbytur në Qarkun e Lezhës. E njëjta situatë është edhe në Shkodër, ku ka me dhjetëra shtëpi nën ujë. Si çdo vit, Komuna Bushat në Shkodër mbetet zona më problematike. Që në ditët e para, ujërat kanë vërshuar në këtë zonë, duke përmbytur katet e para të banesave. Banorët, duke parë edhe përmbytjet e viteve të kaluara, kanë marrë masa, që mobiliet dhe orenditë e tjera shtëpiake t’i lëvizin në skajin më të lartë të shtëpive. Nisur nga situata e krijuar në Komunën e Bushatit, është ngritur Shtabi i Emergjencave, i cili po mban kontakt të vazhdueshëm me banorët e prekur. Në Lezhë gjendja është më e vështirë në Zadrimë. Dalja e lumit Gjadër ka paralizuar zonën. Lëvizja e banorëve të disa fshatrave është bllokuar, pasi uji ka mbuluar segmentet rrugore. Intensiteti i reshjeve të shiut dhe rritja e nivelit të lumit Drin me 30 cm mbi pikën maksimale vlerësohen nga bordi i kullimit si shkaku kryesor i këtyre përmbytjeve.
Shqetësuese mbetet situata edhe në Komunën Dajç. Në këtë Komunë janë mbyllur disa shkolla. Gjithashtu është bllokuar edhe rruga që lidh autostradën Lezhë – Shkodër me Komunën Dajç, duke izoluar banorët.
Erzeni dhe Ishmi
Reshjet e dendura të shiut, në pak orë, kanë rikthyer përmbytjet edhe në Qarkun e Durrësit. Zona më e dëmtuar është Komuna e Bubqit në rrethin e Krujës, ku 300 hektarë tokë gjenden nën ujë. Dalja nga shtrati e lumenjve Ishëm dhe Erzen ka përmbytur sipërfaqe të tëra me tokë bujqësore edhe në komunat Thumanë, Nikël të Krujës, si dhe në Hamallaj të Sukthit. E ndërsa hidrovorët, deklarohet nga Shtabi i Emergjencave, se po punojnë me intensitet të plotë, situata në grykëderdhjen e lumit Ishëm paraqitet e ngarkuar për shkak të prurjeve të shumta të lumenjve dhe morisë së mbeturinave urbane që rëndom depozitohen në to. Në Fushë-Krujë dhe Nikël ka nisur ndërhyrja me mjetet e bordit të kullimit, ndërsa të gjitha njësive vendore të prekura nga përmbytjet u është kërkuar të parandalojnë në kohë, dhe përmes evakuimit, rrezikun nga përmbytja e disa banesave.
Inspektimet në zonë
Ministri i Bujqësisë dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, zhvilloi dje një inspektim në zonat e përmbytura në Qarkun e Lezhës. Panariti njoftoi krijimin e një shtabi emergjence për këtë qark, të kryesuar nga vetë ai, i cili do të detajojë një plan ndërhyrjeje për të pastruar anët e lumit Gjadër në një gjatësi 12 km, por edhe për të pastruar kanalet e dyta dhe të treta që kalojnë nëpër parcelat e banorëve. Ndërhyrja do të nisë me fondet e Ministrisë së Bujqësisë, sapo të evadohen ujërat nga sipërfaqet e përmbytura aktualisht. Ministri u shpreh se hidrovori i Tales në Lezhë ka qenë në funksion të plotë dhe vazhdon të funksionojë. Gjithsesi, sasia e reshjeve në 24 orët e fundit i ka kaluar 100 mm ndaj dhe situata është bërë dramatike. Ministri Panariti bëri me dije se e njëjta situatë është edhe në Shkodër, ku një ditë më parë nga ora 6:00 e mëngjesit deri në 20:00 të mbrëmjes ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike dhe kjo ka sjellë mosfunksionimin e hidrovorëve në Ças e Velipojë. Me këtë rast, Ministria e Bujqësisë u bëri thirrje organeve që furnizojnë me energji elektrike këta hidrovorë, që të krijojnë linja te dedikuara për ta dhe të mos i lidhin këto linja me banesat. Kjo thirrje bëhet që hidrovorët të jenë në kapacitet të plotë, ndërsa priten shira të tjerë në ditët në vazhdim. Kjo situatë ka ardhur nga reshjet jashtëzakonisht të mëdha të krijuara për 24 orë.
Reshjet mbushin liqenet e kaskadës së HEC-eve mbi lumin Drin
Reshjet e dy ditëve të fundit kanë ndikuar në mbushjen e liqeneve të hidrocentraleve mbi lumin Drin. Burime nga KESH-i thanë dje se në liqenin e HEC-it të Fierzës, niveli i ujit ka arritur 271.64 metra dhe prurjet llogariten në 392 metra kub/sek. Në liqenin e HEC-it të Komanit niveli i ujit arrin 174.38 metra dhe prurjet në 586 metra kub/sek. Ndërsa në HEC-in e Vaut të Dejës niveli i ujit arrin 75.84 metra dhe prurjet janë rritur ndjeshëm, duke arritur në nivelin 623 metra kub/sek.
Moti, sot shi dhe diell, nesër shtrëngata
Sot mbi vendin tonë do të mbajë mot me vranësira, shoqëruar me reshje shiu si dhe kthjellime. Shërbimi meteorologjik i Forcave të Armatosura njoftoi se reshjet e shiut do të jenë në të gjithë territorin e vendit, të shoqëruara edhe me intervale kthjellimi, me diell.
Temperaturat më të ulëta dhe më të larta në disa qytete të vendit parashikohet të jenë:
Shkodër 6/12 shi diell
Kukës 4/10 re
Lezhë 8/12 shi diell
Dibër 2/9 shi diell
Durrës 9/15 shi diell
Tiranë 9/15 shi diell
Elbasan 7/14 shi diell
Berat 8/16 shi diell
Vlorë 11/16 shi diell
Sarandë 8/15 shi diell
Korçë 2/9 re diell
Gjirokastër 7/13 shi diell
Ditën e premte vendi ynë do të ndikohet nga masa ajri të paqëndrueshme. Moti do të jetë me vranësira dhe reshje shiu, pjesërisht shtrëngata. Era do të jetë me drejtim të jugut me shpejtësi deri në 9 m/sek. Valëzimi do të jetë i forcës 5 në det të hapur.
Temperaturat pritet të jenë:
Vendet malore 2/ 8
Vendet e ulëta 8/ 13
Bregdeti 9/14




