Mbledhje grupi PS/ Dy ditë nga votimi i ligjeve me 3/5-at, Rama  përballet sot me deputetët në mbledhje grupi

grupi psRama përballet drejtpërsëdrejti: Tom Doshi, Armando Prenga, Mark Frroku, Pjerin Ndreu e Parid Cara

Partia Socialiste pritet të mbledhë paraditen e së martës grupin e saj parlamentar. Në këtë mbledhje priten debate të forta mes deputetëve dhe drejtuesve të partisë, për faktin se seanca e fundit plenare po afron dhe në axhendë janë disa projektligje që kërkojnë shumicë të cilësuar votash. Kësaj mbledhjeje i shtohet edhe përballja e drejtpërdrejtë e kreut të PS-së, Edi Rama, me pesë deputetët që munguan të enjten e shkuar, si: Tom Doshi, Armando Prenga, Mark Frroku, Pjerin Ndreu dhe Parid Cara. Edhe pse prania e këtyre të fundit nuk është e konfirmuar në këtë mbledhje, mungesa e tyre në seancën e datës 24 korrik, e la mazhorancën në pamundësi numrash për të votuar ligjet me shumicë të cilësuar. Kjo bëri që projektligji për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, disa ndryshime në Kodin e Procedurës Penale të shtyheshin për seancën plenarë të kësaj jave, ndërkohë që në axhendë është futur edhe miratimi i reformës administrative-territoriale.

 

Negociatat

 Një ditë pas mbylljes së seancës së shkuar parlamentare, të premten, nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, u caktua në rolin e negociatorit për të bindur deputetët e PS-së që të ishin të pranishëm edhe në mbledhjen e fundit parlamentare për këtë sesion, atë të 31 korrikut. Pak ditë më parë, deputeti Balla është parë duke u takuar në një nga lokalet në zonën e ish-Bllokut me deputetin Tom Doshi, ndërkohë që ende nuk bëhet e ditur nëse mes tij dhe deputetëve të tjerë të PS-së është zgjidhur “ngërçi” i krijuar në seancën e së enjtes. Gjithashtu, kontakte me deputetët që munguan në seancën e para një jave mësohet të ketë pasur edhe kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi. Në reagimet publike që u bënë fundjavën e shkuar, deputetët theksuan se nuk kishin asgjë personale me Kryeministrin Rama. Deputeti Tom Doshi tha se mosprania e tij në seancë erdhi për shkak se ndodhej në ditëlindjen e kolegut të tij Armando Prenga, ndërsa deputeti tjetër socialist, Pjerin Ndreu, gjatë një shpjegimi në rrjetin social “Facebook”, tha se qëndrimi i tij nuk kishte të bënte me interesa të ngushta politike apo personale. Në tërësi në qëndrimet publike të deputetëve që munguan në seancë, nuk konfirmohet as prania e as votimi në linjën e mazhorancës për projektligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar.

 

Aleatët, me pikëpyetje

 Fundjava e kaluar ka pasur një axhendë të ngjeshur takimesh dhe konsultash mes përfaqësuesve të qeverisë dhe aleatëve të saj. Dy ditë më parë, ministri për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, zhvilloi një takim në Sarandë me deputetë të PS-së dhe përfaqësues vendorë, ndërkohë që mësohet se në fokus të këtyre takimeve ka qenë zgjidhja e ngërçit të krijuar për ndarjen e Bashkisë së Himarës. Aktualisht, PBDNJ ka deklaruar votën kundër me ndarjen e re administrative-territoriale, ndërkohë që në mëdyshje është edhe qëndrimi i deputetit të PS-së, Andrea Marto, lidhur me qëndrimin përfundimtar që do të mbajë në Kuvendin e Shqipërisë. I pyetur nga gazeta “Standard” të dielën, Marto u shpreh se po punon me përfaqësues të qeverisë për një variant konsensual të hartës territoriale. Ndërkaq, ajo që mësohet është se me variantin zyrtar të qeverisë për ndarjen territoriale me 61 bashki, PDIU do ta mbështesë me votë projektin në Kuvend, por në pikëpyetje mbetet qëndrimi që do të mbajë për projektligjet e tjera që kërkojnë shumicë të cilësuar votash. Ajo që pritet të shihet është se a do t’i bashkohet PDIU koalicionit të majtë edhe në votimin e ligjeve të tjera me 3/5-at apo do të votojë vetëm reformën administrative-territoriale. Dy ditë më parë, deputeti i PDIU-së Dashamir Tahiri tha për “Standard” se do të votojë me të dyja duart që Himara të jetë e bashkuar me Vranishtin. Por përtej qëndrimit që PDIU dhe PBDNJ pritet të mbajë në Kuvendin e Shqipërisë, PS ka përpara saj edhe zgjidhjen e ngërçit të krijuar me pesë deputetët që bojkotuan seancën e shkuar. Ajo që pritet të vendosë është dita e enjte, ku do të mbahet edhe seanca e fundit për këtë sesion parlamentar.

 

 Harta e re territoriale/ Pas PS-së, edhe deputetët e LSI-së zbresin në Himarë

Pas negociatave të zhvilluara në Himarë mes përfaqësuesve të qeverisë dhe PS-së me banorë të zonës apo me përfaqësuesit të pushtetit vendor, edhe deputetët e LSI-së kanë zbritur në “terren”. Një ditë më parë mësohet se pjesë e këtyre konsultave kanë qenë edhe deputetët Petrit Vasili, Spartak Braho dhe Shkëlqim Selami. Fillimisht u përfol se takimi nuk do të ishte mediatik, por thjesht një diskutim informal me qytetarët e Himarës si dhe grupet e interesit, ndërsa mësohet se media nuk u lejua të merrte pjesë. Pas takimit deputeti Vasili mësohet të ketë thënë: “Është një çështje që do diskutuar kjo e reformës, por ka edhe nga ata këshilltarë apo qytetarë të cilët e kundërshtojnë hapur bashkimin me Kuçin dhe Vranishtin pasi janë krejt të kundërt, si për besim apo edhe për tradita”. Gjatë fundjavës së shkuar në jug të vendit edhe përfaqësues të qeverisë dhe Partisë Socialiste kanë zhvilluar takime intensive me banorë të zonës si dhe krerët e pushtetit vendor, për të arritur në një konsensus lidhur me bashkimin e disa fshatrave me Bashkinë e Himarës. Ky bashkim kundërshtohet nga Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut e kryesuar nga Vangjel Dule, i cili mban edhe postin e nënkryetarit të Kuvendit të Shqipërisë. gjithashtu Dule është edhe pjesë e koalicionit të majtë, ndërsa për projektin e fundit të qeverisë, atë me 61 bashki, është shprehur kundër.

 

Share it :