Mbledhja me dyer të mbyllura Debati në grupin e PS-së për mesazhin e Frrokut, Rama-deputetëve: Të mos përsëritet

Gëzim Saliu

 

Diskutimi për AMA-n, grupi i PS-së kërkon zëvendësimin e anëtarëve

grupi i socialisteveDebati i hapur për mesazhin e dërguar nga deputeti demokristian Mark Frroku ndaj ligjvënëses demokrate Jozefina Topalli ka qenë pjesë e diskutimit në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar socialist. Në mbledhjen e zhvilluar me dyer të mbyllura, ku merrte pjesë edhe kreu i PKD-së dhe Kryeministri Rama, ky i fundit ka kërkuar jo vetëm nga aleati, por edhe nga të gjithë deputetët e grupit parlamentar, që të mos e përsëritë më një akt të tillë. Duke e cilësuar këtë një formë të gabuar komunikimi, kreu i mazhorancës mësohet se ka kritikuar sjelljen e Frrokut, duke kërkuar zbutjen e deklaratave politike përballë kundërshtarëve të opozitës. “Është e rëndësishme etika e komunikimit. Kërkoj që një situatë e tillë të mos përsëritet nga asnjë nga deputetët e grupit parlamentar socialist. Duhet të zbuteni në deklaratat tuaja”, – ka thënë Rama, drejtuar ligjvënësve socialistë. Ndërkohë, mësohet se Frroku ka bërë të ditur qëndrimin e tij se mesazhi nuk ishte kërcënues dhe se në qendër të tij ishte vetëm keqardhja për qëndrimet e deputetes Topalli. Në seancën e kaluar parlamentare, ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kërkoi shpjegime nga Kryeministri Rama dhe kreu i LSI-së Ilir Meta për denoncimin që një gazetë belge kishte bërë ndaj deputetit Frroku. “Para disa ditësh një gazetë belge fliste për një emër që është deputet këtu në sallën e Kuvendit që akuzohej për vepra të renda penale, trafiqeve etj., unë nuk di cili do të jetë vendimi, por një njeri që është ulur në këtë sallë disa vite nuk mund të rrijë pa i thënë Kryeministrit: Fol e shpjego. Ku do shkojë vendi nëse të gjithë do të heshtin, nëse gazetat e huaja hapen me të tille emra e probleme, nëse është i pafalshëm pse nuk i del zot Kryeministri”. Ndërkohë që pas kësaj deklarate, deputeti demokristian i ka dërguar një mesazh koleges së PD-së duke pohuar: “Jozi, më informuan për sulmin tënd në parlament sot. Më erdhi keq që pikërisht ti e bën këtë gjë. Më ke akoma borxhe nga fushatat që kam bërë për ty dhe më vjen keq për gjithë ata burra që s’kanë guxim por fshihen pas fustanit tënd. Unë s’merrem me gra të përdorura”. Ky mesazh u cilësua si kërcënim i pastër nga ana e selisë blu e ndërkohë kreu i PKD-së theksoi se ka shprehur vetëm habi për sulmet që Topalli bën ndaj tij dhe të vëllait .

 

AMA

Një tjetër diskutim në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së ishte edhe ai që lidhej me Autoritetin Mediave Audiovizive, ku mazhoranca duket e vendosur në zëvendësimin e anëtarëve të këtij institucioni. Marrë shkas nga kërkesat e deputetëve socialist, të cilët kanë kërkuar reformë urgjente tek AMA, kreu i qeverisë deklaroi dje se socialistët do të kenë një material të plotë sqarues për qëndrimin e tyre. “Për sa kohë që ata janë anëtarë që u ka mbaruar mandate, duhet të nisë procedura e zëvendësimit”, – mësohet të jetë shprehur Rama. Mazhoranca ka paraqitur pak kohë më parë në Parlament amendamente për ligjin audiovizual i cili, nëse miratohet, do të çojë në shkarkimin e anëtarëve të këshillit drejtues të Autoritetit të Medias Audiovizuale shqiptare. Lidhur me këtë çështje, Parlamenti Evropian përmes kreut të delegacionit të PE për Evropën Juglindore, Eduard Kukan, kërkoi nga qeveria shqiptare e Parlamenti që të ruajnë pavarësinë e integritetin e institucioneve kryesore në vend. Ndërkohë, eurodeputetja Doris Pack, si kryetare e Komitetit të Kulturës në Parlamentit Evropian ka kritikuar veprimet e qeverisë shqiptare për të zëvendësuar rregullatorët e medias në vend. “Zëvendësimi i anëtarëve të këshillit të Autoritetit Audiovizual të Medias ngre pyetje serioze mbi pavarësinë e ardhshme të peizazhit të medias shqiptare dhe kërcënon të prishë përpjekjet e vendit për të kaluar në një sistem të TV dixhitale. Pavarësia e rregullatorëve të medias është një standard kyç evropian që duhet të respektohen”.

 

 

 

Nisma: Mazhoranca gati reformën për SHISH-in, ndryshon skema e funksionimit

 Pjerin Ndreu: SHISH s’ka informacion për ngjarjet kriminale

Mazhoranca kërkon me ngulm rishikimin e skemës së funksionimit të Shërbimit Informativ Shtetëror. Pas deklaratës së Kryeministrit Rama në Parlament për domosdoshmërinë e një reformë ligjore në shërbimin inteligjent shqiptar, deputeti i Partisë Socialiste, anëtar i Komisionit të Sigurisë Pjerin Ndreu pohoi dje se ky institucion duhet reformuar. Pas përfundimit të mbledhjes së grupit parlamentar, deputeti i PS-së theksoi se SHISH nuk ka dhënë asnjë informacion në lidhje me ngjarjet e rënda kriminale të kohëve të fundit, gjë kjo që do të thotë sipas tij se diçka nuk funksionon me institucionin. “Fakti që SHISH deri tani nuk ka absolutisht një informacion të dhënë për një fluks ngjarjesh kriminale që kanë shqetësuar opinionin publik është tepër shqetësuese që do të thotë se diçka nuk funksionon në atë institucion dhe na bën ne të mendojmë se duhet rishikuar skema e funksionimit. Media ka nxjerrë fakte shqetësuese që kanë të bëjnë me rekrutimin e personelit e viteve ‘92-‘97, ka nxjerrë fakte për rekrutimin e personelit pa kursin bazë të SHISH, ka nxjerrë fakte për rekrutimin e drejtuesve pa certifikatë sigurie”, – tha ai, duke pohuar se kjo çështje nuk kishte qenë pjesë e diskutimit në mbledhjen e grupit parlamentar socialist.

 

SHISH

Sipas deputetit socialist, ka një mosrakordancë mes institucionit të SHISH dhe Ministrit të Brendshëm, ku mos informimi theksoi ai, sjell një problem shqetësues për funksionimin normal të marrëdhënies mes dy institucioneve. “Nuk jam këtu për të nxjerrë motivin se pse, e konstatoj si problematik këtë shqetësim. Është një institucion që ka në dorë burimin e informacionit dhe në burimet e veta të informacionit është e natyrshme që informacioni mund të vijë edhe për fakte ose ngjarje që nuk janë kompetencë e atyre por e policisë së shtetit apo institucioni tjetër që edhe për shkak të shpejtësisë në parandalimin e krimeve, duhet t’ia kalojnë drejtpërdrejt institucionit dhe kështu është vepruar gjithmonë”, – deklaroi Ndreu. Ndërkohë i pyetur se kur pritet të fillojë nga puna Byroja Kombëtare e Hetimit, ai u përgjigj: “Është problem i cili do bëhet publik shpejt”. Pak ditë më parë Kryeministri Edi Rama paralajmëroi në seancën parlamentare reformimin tërësor të Shërbimit Informativ Shtetëror. “Së shpejti, në Parlament do t’i vijë për shqyrtim një reformë ligjore e këtij Kuvendi, për rendin publik dhe po ashtu do të ngrihet edhe Byroja Kombëtare e Hetimit, për të cilat po punojmë ngushtësisht dhe jemi në përfundim me partnerët tanë. Ky është një fakt më shumë, po ashtu, sesa i mjaftueshëm, për të kuptuar se niveli i shërbimeve inteligjente shqiptare, jo vetëm i SHISH-it që ngrihet mbi një ligj të vitit ’98, që nuk përmbush më nevojat për të përballur sfidat e kohës, duhet ngritur në një shkallë tjetër. Edhe këtu lypset një reformë tërësore, ligjore edhe organizative, e cila ka filluar, siç ka filluar edhe strategjia e re e Sigurimit Kombëtar”, – bëri të ditur kreu i qeverisë Edi Rama.

 

 

Reforma territoriale

Celibashi: Presim opozitën në Komision, por jo pafundësisht

Ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ilirjan Celibashi, deklaroi dje se mazhoranca po pret opozitën që të bëhet pjesë e komisionit për reformën administrativo-territoriale, por siç tha ai, jo pafundësisht. Në një deklaratë publike, ministri theksoi se janë të gjitha garancitë për opozitën për të qenë jo formalisht pjesëmarrëse në komision, por dhe për të dhënë kontributet e veta. “Nuk besoj që do ketë progres puna e këtij komisioni për sa kohë që nuk janë prezent në mbledhjet e këtij komisioni dhe anëtarët e opozitës. Besoj që mund të deklarojmë përgjegjësi të plotë politike që ne do të kemi durimin për të pritur dhe anëtarët e opozitës që të marrin pjesë në komision. Pritja do të jetë e arsyeshme sepse në fund të fundit është e rëndësishme që ky proces të ketë një produkt dhe përderisa dhe vetë opozita nuk ka ndonjë pretendim në lidhje me produktin, besoj që nuk ka asnjë lloj arsyeje që dhe ne të presim pafundësisht”, – u shpreh Celibashi. Dy ditë më parë, ministri për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, deklaroi se nëse opozita nuk do t’i bashkohet komisionit për reformën administrative, atëherë kjo reformë do të kalojë vetëm me votat e mazhorancës.

 

 

 

 

 

Share it :