Mbesa e Bajo Topullit: Ja pse garoj në primaret e PD për Gjirokastrën

Enkeleda Mushi prezantoi kandidaturën në primare për Bashkinë e Gjirokastrës

DEKLARATA E PLOTE

Jam Enkeleda Mushi, anëtare e Partisë Demokratike që në ditën e parë të themelimit dhe bashkëthemeluese e saj.
Gjatë gjithë jetës deri më sot, kam punuar me shpirt dhe kam kontribuar për Partinë Demokratike dhe demokracinë në vend. Jam aktivizuar në të gjitha nivelet e PD, që nga njësia bazë e deri në institucionet e PD. Në vitin 2001 kam marrë pjesë në fushatën elektorale si kandidate për deputete.Më ka bindur ideja e Partisë Demokratike, sidomos për respektin e individualitetit dhe dinjitetit të individit, për zhvillimin e lirisë si fuqi materiale e trupëzuar në  iniciativë.

Jam aktivizuar pa asnjë mungesë në manifestimin e protestës ose të triumfit të Partisë Demokratike, si edhe në forumet e PD, që nga baza e deri në rajon.

Te Partia Demokratike nuk gjej vetëm idetë, por edhe shpresën.

Vitet e fundit jam zgjedhur në forumet drejtuese të PD në Degën 5. Kam qenë gjithnjë e papërtuar, bashkë me njerëzit e mi, me anëtarët e PD në degë, me qëllim që të zhvillojmë jetë dinamike e të suksesshme të Partisë Demokratike në gjithë piramidën e saj. Kam marrë pjesë dhe kam dhënë mendimin tim në gjithë debatet brenda PD.

Në Kuvendin e PD me 11 dhjetor 2001 në Arena kam mbajtur diskutimin ku kam kërkuar që në zgjedhjet e ardhshme të jem pjesë e pushtetit lokal në Gjirokastër.

Me Gjirokastrën më lidhin fije shumë të forta.

Unë jam mbesa e Bajo dhe Çerçiz Topullit.

Bajo Topulli, siç dihet nga historia- ka qenë kryetar i Bashkisë së Gjirokastrës që prej vitit 1925. Dëshmitë e kohës dhe të dhënat e tjera, e përshkruajnë Bajo Topullin si ‘kryetarin e qytetit’ që zgjidhi probleme të shumta e të vështira për Gjirokastrën. Në radhë të parë ai forcoi lidhjet e qytetarit me Bashkinë dhe anasjelltas.

Si trashëgimtare e denjë e Bajo Topullit, kam njohje të gjerë dhe respekt të ndërsjellët me qytetarët gjirokastritë, sidomos me familjet e mëdha, konservatore e demokrate.

Kam ndjekur dhe ndjek me vëmendje zhvillimet në Partinë Demokratike. Këto primare e tregojnë më së miri se si risitë dhe fryma e re po zënë vend ndër demokratët.

Në këto rrethana, shpall kandidaturën time në primaret për Bashkinë e Gjirokastrës duke uruar të gjithë kandidatët, jo vetëm në Gjirokastër, por në të gjithë Shqipërinë të përqafojnë këtë garë nga më të bukurat e demokratiket, pavarësisht sfidave dhe vështirësive që ajo afron.

Share it :