Formulari A2 publikohet brenda datës 14 korrik. Si duhet të përzgjidhen degët për në universitet
Formulari A2 do të publikohet brenda datës 14 korrik. Burime pranë Ministrisë së Arsimit bëjnë me dije se menjëherë pas publikimit të notave të provimeve me zgjedhje, do të nisë puna për publikimin e formularit A2. Ndërkohë, Agjencia Kombëtare e Provimeve bën me dije se në bazë të dokumenteve të paraqitura, Komisioni i Maturës ka përcaktuar notën mesatare të viteve të shkollimit, si dhe notat e provimeve të detyruara Dl e D2, të cilat ia përcjell zyrtarisht shkollës ku kandidatët janë regjistruar në Maturën Shtetërore. Për shkollat profesionale dhe shkollat e orientuara, në rastet kur kandidati ka fituar Dëftesën e Pjekurisë, si provime të detyruara njihen Letërsia dhe Matematika (nëse janë dhëne e fituar). Në mungesë të Letërsisë dhe Matematikës, një ose dy nga provimet, sipas planit mësimor të shkollës së tyre. Kandidatët që kanë kryer shkollat e mesme para vitit shkollor 2010-2011 dhe nuk kanë dhënë provimet me zgjedhje ose kanë rezultuar jokalues, por dëshirojnë të aplikojnë për studime ne universitet, kanë pasur mundësi t’i japin këto provime. Në rastet kur kandidati ka dhënë më shumë se një herë një lëndë në provimet me zgjedhje, i njihet vetëm rezultati i fundit. Në përllogaritjen e pikëve për sistemin meritë-preferencë, për këto lëndë merren koeficientët e Maturës Shtetërore 2015. Në rastet kur lënda, rezultati i së cilës kërkohet të mbartet, nuk gjendet në listën e lëndëve me zgjedhje të këtij viti, për llogaritjen e pikëve të tyre nga AKP-ja do të merret koeficienti i lëndës së përafërt me të.
Maturantët e viteve të kaluara
Kandidatët e Maturës Shtetërore 2006-2014, kanë mundur të aplikojnë për në universitet, bazuar në rezultatet e viteve të mëparshme të Maturës Shtetërore, nëse pas verifikimit nga AKP-ja rezulton se: a) Nuk janë shpallur fitues, b) Janë shpallur fitues dhe nuk janë regjistruar; c) Janë shpallur fitues dhe janë çregjistruar, vërtetuar nga dekanatet përkatëse me shkresë zyrtare në AKP. Fleta origjinale e çregjistrimit është dorëzuar pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve para aplikimit me formularin A1Z, duke bërë të mundur çregjistrimin në sistemin e Maturës dhe heqjen e numrit të matrikullimit. Fotokopja e fletës së çregjistrimit është dorëzuar në shkollën ku është bërë aplikimi online me formularin A1Z. Aplikantët që kanë plotësuar formularin A1Z kanë plotësuar një deklaratë personale ku janë shprehur se nuk janë të regjistruar në asnjë program studimi në universitetet publike apo private. Kjo deklaratë është dorëzuar në shkollën ku aplikojnë.
Pikët
Formula për llogaritjen e pikëve të grumbulluar nga maturanti/kandidati pas përfundimit të provimeve të maturës shtetërore është: {[26 x M + 20 x (D1 + D2)] x K + 17 x (Z1 x F1 + Z2 x F2)} x 5 Formula nr. 1 ku D1, D2, M, Z1, Z2 janë respektivisht notat e shkallëzuara me dy shifra pas presjes dhjetore të provimit D1 (gjuhë–letërsi), D2 (matematikë), mesatares së shkollës, lënda e parë dhe lënda e dytë me zgjedhje. K-është koeficienti i profilit të shkollës. Për secilën lloj shkolle, IPAL-të propozojnë koeficientin përkatës në varësi nga profili dhe drejtimi i shkollës së mesme. E thënë në mënyrë më të thjeshtë fakultetet për programet e studimit me drejtim shkencor, preferojnë maturantët me më shumë prirje dhe përgatitje në shkencat ekzakte dhe për gjimnazet propozojnë koeficientë më të lartë. E gjitha kjo bëhet që fakultetet të thithin kontigjentet e përgatitura më mirë në drejtimin e kërkuar nga programet e studimit që ofrojnë. Informacionin e plotë për këta koeficientë të propozuar nga IPAL-të dhe të miratuara nga MASH, çdo maturant kandidat mund ta gjejë në linqet: www.arsimi.gov.al dhe www.akp.gov.al F1, F2-janë koeficientët e lëndëve me zgjedhje, që gjithashtu propozohen nga IPAL-të mbi bazën e të njëjtit arsyetim. Edhe në informacionin e plotë për këta koeficientë të propozuar nga IPAL-të dhe të miratuara nga MAS, çdo maturant kandidat mund ta gjejë tek të njëjtët linqe.
Për rastet kur maturantët/kandidatët kërkojnë të studiojnë në programet e studimit, që parashikojnë zhvillimin e konkurseve, si p.sh. Edukimi Fizik dhe Sporte pranë Universitetit të Elbasanit dhe të Shkodrës, dy programet e studimit të ofruara nga Universiteti i Sporteve Tiranë, të gjitha programet e studimit të ofruara nga Universiteti i Arteve Tiranë, si dhe programet e studimit të ofruara nga Fakulteti i Studimeve të Integruara me Praktikën (FASTIP) pranë Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës etj., formula e llogaritjes së pikëve merr në konsideratë edhe rezultatet e konkurseve sipas peshës së tyre.
Formulari A2
Pas marrjes së rezultateve të të gjitha provimeve të Maturës Shtetërore, si dhe njohjes me pikët mesatare të grumbulluara gjatë të gjitha viteve të shkollës së mesme, duhet që maturanti/kandidati të bëjë një përgatitje paraprake jashtë sistemit online (Portalit të Maturës Shtetërore), duke u konsultuar me të gjithë informacionin që i vihet në dispozicion nga MAS dhe AKP në faqet e tyre zyrtare. Fillimisht, maturanti duhet të njihet me : Listën e plotë të programeve të studimit që ofrohen nga IPAL-të për vitin akademik 2015 – 2016;. Kuotat e miratuara me VKM për çdo program studimi të të gjitha IPAL-ve; koeficientët e shkollës (K) për çdo program studimi; koeficientët e lëndëve me zgjedhje (F1, F2) për çdo program studimi; formulën e llogaritjes së pikëve, të shprehur në një tabelë të thjeshtë në Excel. Duke vendosur notat dhe koeficientët, secili maturant mund të llogarisë pikët për secilën prej preferencave. Pikët shfaqen automatikisht në qelizën PIKËT Pikët e fituesit të fundit për çdo program studimi në vitin e kaluar akademik Në këtë mënyrë, pasi njihet me listën e programeve të studimit, secili maturant duhet të bëjë një listë fillimisht me më shumë se 10 programe studimi, ku dëshiron të studiojë, në cilindo universitet të Shqipërisë.
Degët
Në dispozicion të maturantëve vihet lista e programeve të studimit që ofrojnë IPAL-të. Të gjitha programet e studimit të ofruara nga IPAL-të, për vitin akademik 2015- 2016, janë të publikuara në ëeb site (faqen zyrtare të internetit) të MAS-it dhe AKP-së. Me plotësimin online të Formularit A2, maturanti shpreh dëshirën për të studiuar në një nga 10, ose më pak programet e studimit të përzgjedhura prej tij, edhe shpallet fitues në preferencën më të lartë të grupit të preferencave ku i arrin pikët e nevojshme. Kjo do të thotë që maturanti duhet të jetë shumë i kujdesshëm në plotësimin e preferencave, në përzgjedhjen dhe renditjen e tyre. Një maturant me rezultate shumë të larta, me pikët që grumbullon, mund të jetë fitues në të dhjetë preferencat e zgjedhura prej tij, por sistemi atë e shpall fitues në preferencën e parë. Një maturant me rezultate shumë të dobëta, nuk shpallet fitues në asnjërën prej preferencave të tij. Nëse maturanti është me rezultate mesatare, shpallja e tij fitues varet nga rezultatet e grupit të maturantëve që kanë kërkuar po ato programe studimi, sikurse dhe ai. Sikurse duket qartë, faktori kryesor dhe përcaktues për shpalljen e një maturanti/kandidati fitues në një program studimi është merita, e thënë ndryshe sasia e pikëve të grumbulluara. Kriteri i meritës është kriteri krahasues midis maturantëve/kandidatëve fitues, ose jofitues në një program të caktuar studimi. Prandaj një maturant/kandidat shpallet fitues në një program studimi, edhe sikur ai ta ketë përzgjedhur si preferencë të dhjetë, dhe kjo ndodh nëse ai grumbullon më shumë pikë se sa një tjetër maturant, që e ka renditur këtë program si preferencë të parë. Pra, preferenca është kriter vlerësues i brendshëm i një maturanti të caktuar dhe jo i jashtëm për krahasimin e maturantëve midis njëri-tjetrit.




