Javier Mascherano është akuzuar për evazion fiskal të një shume prej 1.5 milion eurove, ka thënë prokurori publik spanjoll të hënën. Mascherano, që iu bashkua Barçës në vitin 2010 nga Liverpuli, akuzohet se ka fshehur fitimet nga të drejtat e imazhit të tij që u përdor nga kompanitë në Amerikë dhe Portugali, thuhet në njoftimin e prokurorit. Mesfushori 31-vjeçar akuzohet se ka dëmtuar autoritetet për 587 mijë euro në vitin 2011 dhe për 968 mijë euro një vit më vonë. Mascherano dhe Barcelona nuk kanë komentuar akoma akuzat. Kjo nuk është hera e parë që një akuzë e tillë ndodh drejt lojtarëve të ekipit katalanas. Lionel Messi ishte akuzuar për evazion fiskal kohë më parë.




