Anxhela Tato
Rrëfimi i motrës së viktimës për lidhjen 5-vjeçare me Latollarin dhe arsyet e tradhtisë
Mirhada Meti: Kunati im ishte i papunë, luante kumar dhe shiti të gjitha sendet e shtëpisë
Tragjedia e Korçës është historia e dhimbshme e një femre, së cilës iu mor jeta vetëm se nuk mundi t’i bashkohej “dashurisë së ndaluar”, duke mos braktisur lidhjen bashkëshortore. Danjela Meçollari ka pasur një lidhje intime 5-vjeçare me autorin e krimit të rëndë. Sipas familjarëve ajo ka pasur arsye të mjaftueshme për të tradhtuar bashkëshortin e saj, i cili i kishte rënuar ekonomikisht duke mos i lënë asnjë të ardhur për të përballuar shpenzimet e përditshme. Belimon Meçollari luante kumar tërë ditën, duke shitur çdo send të vyeshëm të shtëpisë. Ai kthehej në banesë i pirë dhe gjithë dufin ia shpërthente viktimës, bashkëshortes së tij. Ndonëse Danjela ishte e dashuruar me Bashkim Litollarin, nuk mund të shkatërronte familjen e saj duke qëndruar me bashkëshortin për hir të fëmijëve. Por Bashkimi nuk hiqte dorë duke insistuar dhe duke i bërë presion Danjelës se do e vriste në rast se nuk ndahej nga bashkëshorti. Shumë pak persona ishin në dijeni të kësaj lidhjeje të fshehtë, e cila përfundoi në një krim makabër. Vetëm dy ditë pas Vitit të Ri Bashkimi ka kërcënuar Danjelën duke i drejtuar thikën. Ndërsa nuk ka hezituar që të dhunojë viktimën në sy të të gjithë bashkëfshatarëve të tij. Ndonëse dhunës Danjela kishte merakun e fëmijëve dhe nuk kishte guxim që të denonconte Bashkimin në polici.
Rrëfimi
E motra e Danjela Meçollarit flet për një histori 5-vjeçare dashurie mes 30-vjeçares dhe autorit të masakrës, Bashkim Latollari. Në një prononcim për median, Mirhada Meti pranon se Danjela kishte lidhje intime dhe se e motra e donte, por nuk mund të ndahej nga bashkëshorti i saj, për shkak të fëmijëve. Sipas motrës, shkak i kësaj tradhtie bashkëshortore ka qenë varfëria dhe problemet e saj me bashkëshortin. “Danjela e donte, por nuk mund të ndahej, pasi nuk donte të linte fëmijët rrugëve”, – thotë Mirhada Meti tri ditë pasi Bashkim Latollari vrau Danjelën dhe Belimon Meçollarin dhe dajën e këtij të fundit së bashku me nusen e tij, Rexhep dhe Valbona Metollari, mbrëmjen e 7 janarit 2014 në fshatin Gjonomadh, 10 km larg Korçës. Jo vetëm kaq. Raporti mes Danjelës dhe autorit Bashkim Latollari kishte edhe momente të tjera. Ajo thotë se Bashkimi këmbëngulte që Danjela të divorcohej duke shkuar deri në presion, duke e kërcënuar me thikë, që të ndante Belimonin dhe të bashkohej me të. “Bashkimi e kërcënonte me thikë, që të linte burrin dhe të jetonte me të”, – thotë ajo. Sipas saj, autori e kishte kërcënuar viktimën se do ta vriste, por ajo kishte frikë të sinjalizonte policinë, ndërsa pak ditë para ngjarjes, ai e kishte rrahur në mes të fshatit. Ajo ka treguar se herën e fundit, kur ka takuar motrën e saj, i kishte pohuar se fëmija i vogël ishte i bashkëshortit të saj dhe se pretendimet e autorit nuk janë të vërteta. “Dy ditë pas Vitit të Ri, Bashkimi e kërcënoi se do ta vriste. Më tregoi motra. Ajo më tha se kishte ankth”, – tregon e motra. Ajo tregon edhe një detaj tjetër nga lidhja martesore mes Danjelës dhe Belimonit. “I shoqi i Danjelës luante kumar dhe i shiste të gjitha çfarë kishte në shtëpi”, – tregon ajo. Madje, babai i Danjelës bën me faj Belimonin si shkaktar të gjithë kësaj tragjedie. Dy fëmijët jetimë, 4 dhe 6 vjeç, tani do të jetojnë me gjyshërit e tyre nga mamaja. Thirrja për ndihmë financiare është dëgjuar nga Shërbimi Social në Korçë, i cili ka vendosur të lidhë një pension prej 3 mijë lekësh të reja në muaj për secilin fëmijë. Nga ana tjetër, familjarët e Beliman Meçollarit, por edhe të çiftit Metollari, kanë kërkuar që shteti të japë dënimin maksimal për autorin, pasi në të kundërt ata do të bëjnë vetëgjyqësi. “Të varet! Të merret haku i motrës sime”, – thotë ajo.
Nëna e Bashkim Latollarit: “Djali më ka turpëruar, kërkoj mëshirë”
Djemtë e Rexhep Metollarit kërcënojnë se do të djegin me benzinë nipin e Latollarit
Drama e këtij krimi të rëndë ka edhe anën tjetër të medaljes, dhimbjen e familjes së autorit, të cilët janë ngujuar në banesë, nga frika e hakmarrjes. Nëna e Bashkim Latollarit shpreh keqardhje dhe nuk mund të falë krimin makabër të djalit të saj. Ajo shprehet se tashmë nuk ka asnjë djalë, pasi të tre djemtë ndodhen në burg. E vetmja gjë që e shqetëson, është jeta e nipit, pas kërcënimeve të djemve të Rexhep Metollarit. Fidari Latollari i kërkon shtetit mëshirë dhe shton se nuk dinte asgjë për lidhjen që Bashkimi kishte me Danjelën. “Kërkojmë nga shteti mëshirë, të mos e dënojë shumë. Është djalë i ri dhe unë kam mbetur vetëm, pasi jam e sëmurë”, – thotë ajo. E moshuara tregon se është kërcënuar nga djemtë e Rexhep Metollarit. “Na kanë kërcënuar se do të na djegin nipin me benzinë. Unë nuk dija gjë për lidhjen e djalit tim me Danjelën. Në asnjë mënyrë nuk do të lejoja të martohej me të”. Ajo kujton se ditën e krimit, Bashkimi kishte dalë nga banesa shumë i qetë dhe kishte shkuar në arë për të punuar, ndërkohë që tregon se kishte mësuar për vrasjen nga televizori. “Më tha se do të shkonte të punonte tokat. U ngrita dhe i bëra një lakror, se i pëlqente shumë. E prita gjatë gjithë ditës dhe nuk vura as vetë asgjë në gojë, pasi doja të vinte të hante edhe ai. Më në fund erdhi, la xhaketën në dhomë dhe doli jashtë. Kisha një lëmsh në gjoks, por nuk më shkonte mendja kurrë se do të bënte atë që bëri. Nuk shkuam në varrim. Kemi frikë. Unë jam e sëmurë dhe jam strukur në këtë qoshe. Më vjen turp për atë që bëri djali im. Më ka turpëruar. Kam frikën e nipit, kam frikën e hakmarrjes. Mbeta qyqe. Kisha tre djem, por tani nuk kam asnjë. Ata hynë në burgje. Nuk i kam bërë asgjë Zotit që të më dënojë kështu. Do të ishte më mirë të vdisja dhe të mos përjetoja këtë dhimbje”, – përfundon rrëfimi i nënës së Bashkim Latollarit.
Trafiku i plehrave
Pranga avokatit Manilo Cerroni, i njohur në Shqipëri për lidhje me biznesin
Trafik plehrash dhe mashtrim është akuza për “mbretin e plehrave” Manilo Cerroni, i cili është vënë në pranga gjatë një super aksioni të policisë italiane. Lajmi është dhënë nga agjensia italiane e lajmeve ANSA dhe më pas nga të gjitha mediat e tjera në vend. “L’Espresso” shkruan se Manlio Cerroni, i njohur ndryshe si mbreti i plehrave në rajonin e lacios për shkak të monopolit të industrisë, përfundoi në pranga pas 5 vjet hetimesh dhe mijëra telefonatash të përgjuara nga karabinerët e Romës. Sipas hetuesve, për vite të tëra Cerroni ka qenë padroni i një makinerie parash pa rivalë që përmes mashtrimeve dhe favoreve politike ka fituar miliona euro në mënyrë të paligjshme. “Corriere della Sera” shkruan pas aksionit të arrestimit se biznesmenit i janë sekuestruar mbi 18 milionë euro. Në arrest dhe ish-presidenti i rajonit të Lacios, Bruno Landi. Mediat italiane shkruajnë se avokati Cerroni është në arrest shtëpie dhe kjo masë sigurie iu vendos për shkak, moshe. Shoqëria “Colari” është kompania që menaxhonte grumbullimin e plehrave të Malagrotta, e mbyllur më 30 shtator 2013 pas 30 vjetësh aktiviteti. “L’Espresso” shkruan se Manlio Cerroni përfundoi në pranga pas 5 vjet hetimesh dhe mijëra telefonatash të përgjuara nga karabinerët e Romës. Gazeta “L’Espresso” shkruan gjithashtu se rënia në pranga e Cerronit shënon fundin e perandorisë miliardere që ai kishte ngritur. Cerroni kishte monopolin absolut në Romë dhe në të gjithë Lazio-n. Ndërkaq është sekuestruar një pasuri që arrin në një total prej 18 milionë Euro. Giuseppe Pignatore, prokurori që ka koodinuar hetimin ka komentuar: “Shpresoj që ky operacion të jetë një kontribut për zgjidhjen e problemit të plehrave në Romë”. Cerroni dyshohet të ketë në Shqipëri degën e kompanisë. Të dy bashkë, Cerroni dhe Becchetti zotërojnë grupin “Beg”, i përfshirë në projektin e hidrocentralit të Kalivacit, siç faktohet edhe nga vetë faqja zyrtare e shoqërisë, ku Cerroni shfaqet ne grupin drejtues. Sipas gazetës italiane Manlio Cerroni ka 20 për qind të aksioneve të “Beg”. Të dy, Cerroni dhe Beccheti janë të njohur në Shqipëri edhe vite më parë, kur tentuan që në bashkëpunim me qeverinë Nano të ndertonin një impiant përpunimi të plehrave në zonën e Kasharit, projekt që nuk mundi të realizohej për shkak të tërheqjes së Qeverisë pas protestave të mëdha të ambientalistëve dhe qytetarëve.




