Tonelata peshqish kanë ngordhur në rezervuarin e Kasharajt në Lushnjë, pasi ujëmbledhësi është tharë në kuadër të punimeve për rehabilitimin e digës dhe shkarkuesit kryesor.
Pamjet nga terreni tregojnë një sipërfaqe të madhe të mbuluar me baltë dhe peshq të ngordhur, ndërsa një pjesë e tyre kanë nisur të dekompozohen, duke krijuar një situatë të rëndë mjedisore.
Në lidhje me ngjarjen, Policia e Lushnjës ka nisur procedimin penal ndaj administratorit të firmës “Fled” sh.p.k., Fredi Marra.
Firma nën hetim për menaxhimin e ujërave
Sipas Policisë, gjatë punimeve për rikonstruksionin e digës së dëmtuar, kompania nuk ka marrë masat e duhura për menaxhimin e ujërave të rezervuarit.
Si pasojë, një numër i konsiderueshëm peshqish kanë ngordhur.

Materialet i janë referuar Prokurorisë së Fierit, ku hetimet po kryhen për veprat penale “Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore” dhe “Ndotja e ajrit, ujërave dhe e tokës”.
32 milionë lekë për rehabilitimin e shkarkuesit
Rezervuari i Kasharajt është ndërtuar në vitin 1985, ka një sipërfaqe prej 190 hektarësh dhe kapacitet prej 11 milionë metrash kub ujë.
Ai shërben për ujitjen e tokave në Myzeqe dhe kultivimin e peshqve.
Në vitin 2025, Bashkia e Lushnjës akordoi fondin prej 32,9 milionë lekësh për rehabilitimin e shkarkuesit.
Punimet duhej të kishin përfunduar rreth një vit më parë, por firma që ka fituar tenderin ka kërkuar shtyrje të afatit.
Ministri Salla: Përgjegjësia i takon bashkisë
Në terren ka qenë edhe ministri i Bujqësisë, Andis Salla, i cili deklaroi se përgjegjësia për situatën i takon pushtetit vendor.
“Kjo është totalisht e bashkisë. Ne jemi në ndihmë të bashkisë dhe për ta asistuar në të gjithë mënyrën me Bordin e Kullimit, me drejtorin e Peshkimit dhe gjithë stafin e Ministrisë së Bujqësisë”, deklaroi Salla.

Ministri tha gjithashtu se subjekti që kishte kontratën për shfrytëzimin e peshkut deri në vitin 2022 ishte njoftuar nga bashkia për largimin e peshkut përpara nisjes së ndërhyrjes.
Ndërsa kryebashkiakja Eriselda Sefa, e cila ishte e pranishme, nuk bëri asnjë koment. Sakaq, inxhinieri hidroteknik i Bordit të Kullimit thotë se zbrazja e rezervuarit ishte e vetmja mënyrë për të hapur portat e bllokuara.
“Kjo është e parashikuar edhe nga rregullorja që thotë çdo fund shtatori duhet të kontrollohen shkarkuesit, kullat e marrjes së ujit. Ndërhyrja është e domosdoshme, ndryshe do të shkaktonte katastrofë në qytetin e Lushnjës. Nuk ka mënyrë tjetër për hapjen e portave të ujit”, tha Ferdinant Dervishi, inxhinier.
Korreshi: Për të rregulluar hinkën, u tha e gjithë këneta
Situata ka shkaktuar edhe reagime politike. Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka qenë në zonë dhe ka publikuar pamje nga rezervuari.
Korreshi e ka cilësuar situatën si një “masakër”, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si janë zhvilluar punimet dhe menaxhuar uji.
“Tonelata peshqish të ngordhur kanë dalë në rezervuarin e Kasharajt. Tmerr i vërtet me atë që ka ndodhur në Rezervuarin e Kasharajt. Për të rregulluar hinkën e daljes është tharë e gjithë këneta”, shkroi deputeti në rrjetet sociale.
Sipas tij, ekspertë të fushës i kanë thënë se një ndërhyrje përpara hinkës së shkarkimit mund të kishte mundësuar ruajtjen e ujit dhe shmangien e ngordhjes masive të peshqve. Kjo mbetet një çështje që pritet të sqarohet gjatë hetimit.
Ndërkohë, banorë të zonës kanë ngritur edhe pretendimin se rrjetat e vendosura përpara shkarkuesit nga administrimi i mëparshëm i peshkimit mund të kenë ndikuar në bllokimin e tij.




