Maks Velo: Edi Hila dhe Alush Shima nuk donin të ekspozoja

Dezinfektimi i Galerisë së Arteve si një aksion i sforcuar i Ministrisë së Kulturës duket se simbolikisht u ka hapur rrugë punëve të Maks Velos, konsideruar i refuzuar më parë. Një ekspozitë retrospektivë me fonde personale dhe të GKA-së do të qëndrojë e hapur deri më 4 tetor

Violeta Murati

 

 

 

 

Dezinfektimi i Galerisë së Arteve si një aksion i sforcuar i Ministrisë së Kulturës duket se simbolikisht u ka hapur rrugë punëve të Maks Velos, konsideruar i refuzuar më parë.

Një ekspozitë retrospektivë me fonde personale dhe të GKA-së do të qëndrojë e hapur deri më 4 tetor. Një rast për të folur krejtësisht si piktor, me gjurmë e njolla nga diktatura, por edhe sot. Nuk është hera e parë që Velo flet hapur për ndalimin e tij, por dje para mediave nuk është përmbajtur, ashtu siç ka treguar edhe për procesin e krijimit.

Akuza ka qenë me emra, për kolegë të tij, artistë. “Atë që më kanë bërë artistët nuk ma ka bërë njeri, si para dhe pas viteve `90”, – ka thënë Velo, duke menduar se kjo ekspozitë është një lloj rehabilitimi dhe. siç është shprehur në album. realizim i qëllimit të tij, i lënies së gjurmës në paliri. Tregimi i tij mblidhet retro, kohë më parë e tani: “Në sallën e gjyqit kur jam dënuar ka pasur rreth 40-50 artistë, kanë bërë teatër me mua. Kjo ishte e gjitha. Nuk kam pasur ku të ekspozoj. Edi Hila dhe Alush Shima nuk më kanë dashur”.

Në linjë të përndjekjes, Velo për herë të parë thotë se deri tani nuk është bërë asnjë projekt për të hapur një ekspozitë për ish-të burgosurit, ndërsa Ministria merret me lloj-lloj injorantësh.

Si i mbytur nga kjo situatë, e që tani ende s’kanë marrë fund, piktori flet edhe për punë të vjedhura, pa menduar gjyqe për të drejtën. Dje, kemi pasur përballë një piktor, artist me plot shqetësime që reflektimi i tyre në punë kanë ndërtuar fizionominë e abstraksionit kaq të dallueshëm mbi Velon. Ndërtimi i komunikimit me publikun është gjithë muri që ka kërkuar prej kohësh ta realizojë. “Unë nuk di se ç’është një vepër, çfarë dua të them me të, sepse unë vetëm e realizoj. Kjo gjë vjen në jetën time në një diagramë të gjerë. Nga njeriu ekzakt kam zhvilluar atë që kam pasur brenda, e cila ka dalë si një prurje e jashtëzakonshme figurative. Nuk e mbaja më, me shqetësonte, por nuk kam pasur me kë të bisedoja për këtë”. Jo të gjitha punët janë paraqitur dje para publikut, vetëm 99 prej tyre janë ekspozuar. Ka bërë një kalkulim dramatik çfarë ka mbetur nga veprat e tij, prej diktaturës, e si arrin të strehojë gjithë pasurinë. “Më janë djegur rreth 250 vepra, ndërsa në total kam 2-3 mijë vepra, që i mbaj aty ku jetoj, në kondita të tmerrshme”.

Ky njeri aktiv në media e në debatet më delikate, madje edhe i dëmtuar, ka mbushur 80 vjetët pak ditë më parë. Ndërsa galeria për të parën herë merr përsipër të rivlerësojë në një album gjithë krijimtarinë e Velos.

“Galeria e Arteve, duke njohur personalitetin e Maks Velos, ka zbuluar jetën artistike dhe mbijetesën e tij njerëzore që nga vitet `60 e deri në ditët tona. Procesi i njohjes e veçon dhe e vlerëson artistin Maks Velo për vlerat e veçanta që mban krijimtaria tij, për rrugën “rebele” se si ajo u zhvillua në kohët komuniste, për mbijetesën e artistit në mungesë të lirisë, për këmbënguljen e tij në debatin social, politik dhe ekonomik mbi cilësinë e jetës së individit dhe të shoqërisë shqiptare”, – ka thënë drejtori i Galerisë, Artan Shabani.

Sipas tij, ekspozita merr përsipër të bëjë publike jo vetëm punimet e artit të Maks Velos, të cilat janë në teknikat e pikturës – në vaj e akrilik; në teknikat e grafikës – në lavi dhe bojë kine; në vizatim – laps e pastel; në skulpturë – bronz e allçi, por përmes tyre i propozohet publikut të zbulojë ritmin e krijimit, ndikimet mbi krijimin, transformimet dhe provat e artistit nga një gjini në tjetrën, si dhe nga një teknikë në tjetrën. Sidomos është shumë e rëndësishme, thotë Shabani, që veprat e ekspozuara të demonstrojnë në mënyrë të qartë trysninë e kohëve mbi artistin dhe organizimin e jetës së tij.

“Maks Velo nuk është thjesht një piktor, i cili u ul dhe shprehu horizontalisht me figura ëndrrat apo rrugëtimet e jetës së ideve dhe ndodhive”, – thotë kuratorja Suzana Varvarica Kuka, në fjalën e saj. “Maks Velo është një personazh, që do të mbahet mend gjatë ndër shqiptarët, pasi riciklimi i të gjitha shprehive të tij artistike, letrare, kritike, arkitektonike dhe multimediatike të lidhura me njeriun, artin, letrat, mediat dhe politikën kanë sjellë në platformën e bardhë shënimet e arsyetimeve të atyre gjërave që i bëri mirë dhe të tjerave që i bëri “jo mirë””. Sipas kuratores, Velo e riformoi gjithë artin e tij pas viteve `90, duke i dhënë vlerë imagjinative memories dhe trysnive të kohëve pa liri. Paliria ka shkaktuar te ai, thotë Varvarica, informacione, të cilat në mënyrë selektive i ka trajtuar si subjekte. “Ky nuk është i thjeshtë, as një akt i lehtë. Ai së pari na bën të dallojmë se shkaku i krijimtarisë “së lirë” në vitet `70 ishte, në njëfarë mënyre, ndikimi i përvojave fatlume të jetës me kah perëndimor, por jo vetëm kaq. Mendoj se aftësia për abstragim e surrealizëm dhe aftësia për mos përshtatje me parimet bazë të realizmit socialist qëndronin si në buxhetin familjar dhe emocional të Velos ashtu dhe në tërheqjen e tij ndaj jetës dhe artit të kulturës evropiane. Së dyti kthesat e forta ne jetën e tij, humbja e krijimtarisë zhvilluan një mënyrë tjetër jetese, nxitën emocione të ashpra, përpunuan mënyra të tjera shqisore dhe formuan xhepa plot kujtesë. Të gjitha këto ndikuan në tjetërsimin psikofunksional të artit dhe i dhanë shkas vrullit të tij në gjetjet figurative”.

  1. Murati

 

 

 

 

Albumi është rrugëtimi im i jetës

 

Maks Velo

 

Është Autobiografia ime me njolla, figura të kuptueshme dhe të pakuptueshme. E nuk i kam zbërthyer dot as vetë. Dhe kjo me kënaqte: misteri im i brendshëm i nxjerrë jashtë, në sajë të artit. Sa herë kam përfunduar një vepër doja të vija firmën, sikur kisha frikë se do ma rrëmbente njeri. Isha i lumtur si vija firmën. Por ajo lumturi ish e dënueshme. Diktatura nuk lejonte të gëzoheshe me veprën tënde.

Kam punuar me gjithë teknikat: laps, tush me kallam, Lavi, akuarel, pastel, tempera, akrilik, vaj, monotype, litografi, gravura në linoleum, skulpturë, vitrazh. Më duket sikur eksploroja botën nga fillimet e saj. Se bota kështu edhe u zhvillua, nëpërmjet artit.

Mbi të gjitha kam përdorur tushin e zi, atë që quhet bojë kine. Në kundërshtim me gjithë atributet negative që në jetë merr E ZEZA, në grafike, ajo e zeza, ka shënjuar rrugëtimin njerëzor. E zeza mbi të bardhë, mbi bardhësinë e letrës. Ky është kontrasti më i bukur që ka krijuar njeriu.

Bardhësia e letrës është mirësia njerëzore. Letra është çarçafi ku u projektuan, gjithë ëndrrat e njerëzimit. Dhe ëndrrat e mia. Burgu im është projektuar në letër.

Cikli me vizatimet abstrakte, (Lavi), që fillova në 1964 është ai që më dha dimensionin e lirisë. Nëse arti ta dhuron lirinë, diktatura nuk ta m err dot. Sado që Diktatura dogji qindra vepra të mia, u ngrita prapë të punoj. Ky album është dëshmitar. Qëllimin që i vura vetes e realizova. Do lë një shenjë.

 

 

 

Share it :