MAFIA PO NA MERR QYTETIN

Haris Vongli

haris Mbi qytet ajri sa vjen e rëndohet. Çdo ditë, herë oshëtijnë e herë ulërasin, ngjarje negativisht të bujshme dhe të mëdha për nga dhimbja. Ngjarje të stër rënda për Shqipërinë e vogël të 3 milion shqiptarve. Sakaq, plakosin të molepsura keq mungesa e sigurisë dhe rendit, puna medemek transparente por pa profesionalizëm e kopetentëve të të gjitha fushave, politika e dobët dhe qëllimet për shumë shfaqje ama punë pak. Ky popull jemi, e këtë qeverisje meritojnë! Asgjë më shumë e asgjë më pak. Sovrani mund të jetë populli, por në gjykimin tim ai ka zgjedhur gabim. Dhe pasojat i vuajmë të gjithë, pa dallime moshe, krahinore, politike, fetare, ekonomike, bukurie, etj. Të gjithe ne jetojmë në dishezë e përfundojmë të thyejmë kokën. Në bllok a gjëkundi tjetër nuk ka ngjitje simbolike, as fizike, mendore, shpirtërore, ekonomike, artistike e aq më pak politike. Vrasja e Santos nuk është vetëm vrasja e tij, por vrasje elitare, vrasje e mbarë shoqërisë. Këtë duhet ta kuptoni dhe ta kuptoni mirë. Vërtet ne të tjerët, ndryshe nga ai, sot jetojmë, por të paktën të kuptojmë gjendjen mjerane në të cilën ndodhemi. Mbizotëron frika e pasiguria, dhe kjo është e padrejtë!

Por tashmë beteja mes së vërtetës dhe gënjeshtrës më ngjan me atë të Don Kishotit dhe mullinjve të erës. Nuk triumfon dot e vërteta, jo! Bën luftë me mullinjtë e erës, me gënjeshtrat, me anarkinë, me të plotfuqishmit. E mira po lufton për të impresionuar  e sunduar mullinjtë, por askush nuk impresionohet nga “demagogjia” e së vërtetës. Ujku, ujku, ujku thërret e vërteta, por nuk do ta shohë njeri. Krimi dhe droga dhe mafia dhe marrja e pushtetit në një dorë të vetme, kanë një guxim të pashoq. Guxim aspak imagjinativ. Ky pus i errët, i gjithëfarë përmbajtjeje, ka arrogancë, cinizmin dhe shkatërron, mbyt, vret. Mafia kapet me individin dhe thelbin e tij. Mafia kapet jo ku t’i dalë, po ku t’i thuhet se duhet të kapet. E me qëllimin që i ka vënë vetes, për t’u marrë me më të mirët, nuk tregon asgjë veçse megalomanisë, delirit dhe aftësisë për të arritur, me çdo kusht atë që do, kur e do, dhe si e do. Kjo e fundit trondit themelet e një shoqërie që dëshiron të jetë Evropiane. Epo Evropianizëm kështu nuk ka, nuk bëhet dhe nuk do të bëhet!

Këshilli i gjithë qytetarve duhet të mblidhet, duhej të mblidhej përpara Këshillit Evropian për dhënien e vendimit për statusin e vendit kandidat, lajm aq i shumë pritur. Po po, shumë zëra duheshin dhe duhen të ngrihen, sonabul apo të vetëdijshëm. Një zë, dy, tre, apo dhjetra dhe qindra nuk mjaftojnë, jo. Duhen miliona zëra të ngritur, të çjerrur, me këmbana alarmi ndezur. Në mes të ditës vritet një njeri i rëndësishëm, por edhe mos të qe i tillë, sikur një kalimtar i thjeshtë të ishte, përsëri dëshpërimi duhej të kllaponte shoqërinë tonë të fjetur. Keni frikë nga qeveria ndoshta, e di edhe une kam frikë por ja që nuk hesht dot. Keni frikë nga hija juaj? Po edhe unë kam! Më tmerron edhe hija ime. Më tremb hija e një të panjohuri, e një polici, hija e një ministri që bën xhiron e darkës në boulevard, rrethuar me truproja, por ja që më duhet të jetoj, të ngre zërin, nuk mund të ekzistoj thjesht duke vëzhguar, s’mund të vegjetoj. Ju duket idealiste kjo? Jo nuk është aspak e tillë. Është thirrje realiste. Realiste sepse në mes të ditës, mes kallaballëkut e aq afër ruajtësve të rendit apo parkingjeve të gabuara të makinave, mafia e kreu misionin e saj me sukses. Pa iu dridhur qerpiku. Si hyri në qytet ashtu dhe doli, pa problem fare, me një motorr, dy njerëz të veshur me të zeza, dy njerëz me kasketë të errët e të frikshme (shqiptarët nuk i mbajnë veshur kasketat kur ngasin motorrat apo biçikletat) dhe kjo, sipas gjykimit tim, mendim krejt i ftohtë dhe impuls i menjëhershëm, duhet të përbënte dyshim në vetvete. Dy ekzekutorë me kasketa (krejt e pazakonshme në Shqipëri e përsëris), do t’i kishin rënë në sy çdokujt, aq më tepër “çunave” të rendit!

Se si ka filluar java! Çuditshëm, e trishtë, dhe pa shumë frymëzim. Të paktën të ndieja çerekun e energjive positive që më karakterizojnë, zakonisht. Gjumi më del herët fare në mëngjes dhe nga shtëpia dal si e përgjysmuar. Në Bllok nuk më kalohet. Sa herë më ka rastisur të shoh cepin e krimit, jam përlotur e papërmbajtur nga emocionet, nga mëllëfi, nga inati, nga dhembshuria, nga frika, nga mafia, nga policia e aftë sa s’ka për gjoba, por qorre për të mbrojtur jetën e Tan Santos, jetët e qytetarve të Tiranës, jetët e “bllokmenave”, jetët e gjithë shqiptarve. Në Bankën Credins, mu në zemër të bllokut, aty në qoshen përballë shtëpisë tashmë muze të diktatorit, nuk kam tërhequr lek qysh prej asaj dite. Nuk ma bën dora, më drridhen këmbët. Nuk e njihja prej së afërmi Z. Santo, por ai ishte një zë i nderuar dhe i ditur. Kishe padurim ta ndiqje nëpërmjet televizorit e ishte kënaqësi më vete ta kishe mik, siç rrëfejnë edhe miqtë e tij të pikëlluar, të shokuar. Në bllokun e të rinjve, muzikës dhe paradave, sikur ka rënë një zi e madhe. Një zi pasigurie. Ka të ngjarë se disa e kanë harruar se ç’ndodhi në mes të ditës, pa rënë ende temperaturat e larta mbi qytet. E me siguri, po të njëjtit njerëz që kanë harruar, se shqiptarët, si për dreq, i karakterizon dhe një memorie e shkurtër e llahtarisur, pa më të voglin dyshim hedhin baltë mbi bisedat e kafeneve. Aty I nisin dhe I bitisin po aty. Asgjë nuk ndryshon. Ah, memoria e hollë, e paqepur mirë e Shqiptarve. Pika që s’iu bie! O lebetitje masive, o njerëz pa ndërgjegje, o njerëz të magjepsur. Ne po ecim, por ndryshe nga qytetërimi Evropian e më tej, po ecim mbrapsht! Po po, po ecim me hapa galopante madje, por mbrapa ama, jo përpara. Epo ndoshta keni thjesht frikë, e si mos kesh?! Friika mbyt mendimin dhe veprimin. Ajo krijon pavendosshmëri që çon në stanjacion. Por unë kam njohur njerëz të talentuar që kapërcejnë frikërat duke gjetur guximin e duhur sepse ata, sado të paktë në numër, nuk zënë rehat mbi dështimin e rrezikut, nuk flenë dot me frikë vetëm dhe heshtje. Mundësitë e humbura shkaktojnë erosion dhe fillon rënia e spirales, ndodh kaosi, triumfon krimi. O NJERËZ, MOS IA LINI QYTETIN KRIMIT DHE MAFIAS.

 

 

Share it :