Aleksander Shallvari
INTERMEXO
Dashuri e bardhë,
Ëndërr e fjetur,
Mall i strukur,
Rënkim i vjetër,
Puthje e ftohur
Nën rrënjët e një shelgu
Nga vitet lodhur.
LUTEM
Lutem,
dashuria ime
lutjet nuk ngjajnë si përpara altarit,
ne nuk kemi nevojë për dëshmitarë të veshur me të zeza,
as për kalimtarë të rastit,
ne nuk kemi nevojë për ikona të shenjta,
as për Prefektin shirit ngjeshur gjoksit,
…unë lutem vetëm për bukurinë tënde,
ushqyer me të kuq luleshtrydhesh.
Lutem,
e dashura ime,
lutem kokë lart drejt horizontit,
duke iu drejtuar të ashtuquajturit frymëzim shpirti
duke larë mëkatet valëve të detit,
mbështetur grushtet mbi bashin e kësaj anije të përflakur,
shtrënguar pas direkut të një puthje
buzë-lotuar nga mallëngjimi.
Lutem,
hyjnia ime,
ulur mbi gurin e rëndë të Sizifit,
pa menduar se kjo majë dëshirash për ty
do më marrë kohën kaq të shkurtër
mbetur,
rënduar nga sëmundja më e vjetër,
që më ha çdo ditë larg teje.
Apo ndoshta po qorrohem si një Polifem
që nuk ndjej mbi qafë frymën tënde?
Lutem,
e Mira ime,
që një ditë,
kur të ketë shumë diell
e pjeshkët;
të shpërthejnë nga kënaqësia,
te marr përdore qeshjen tënde,
mbi parmakë
të kësaj ure të vjetër
të të puth në faqe.
(Apo në buzë?)
Ndërsa çelësin e zemrës
si një kasafortë e vjedhur
tashmë të hapur
ta ruaj si një relike të pavlerë,
por që gjithsesi
do më bëjë të dridhem si purtekë
sa herë të më kujtojë
kënaqësinë të jesh pranë teje.
VDEKJA E SHPIRTIT
E kaluara eshte nje vend teper i larget
dhe une nuk kam ndermend te kthehem aty,
sado qe me pickojne si mushkonja gjakpirese
gjurme te lena here pas here diku.
Diku, ku asgje nuk mban me asnje paragraf domethenes
dhe diçiturat anagrafike jane fshire nga bojaxhijte e nates,
diku ne memorjen e plakur nga orgjite
nje gardh i rende hekurash me shfaqet
dhe mijra silueta me kostume njesoj.
E kaluara eshte nje trysni qe rrit atmosferen
e une ndjehem mes saj si nje tenxhere me presion,
brenda avujve te antikrishterimit ziejne,
groshet e helmuara te nje diktature te re,
nderkohe kuzhinieret me bajonetat e ndryshkura
vazhdojne e perzijne kete kazan- vullkan,
e here pas here therrasin kaviet ta provojne.
Nje dreq e ndan kete kronike ogurzeze ne thella te perbashketa,
te gjitha njesoj, te gjitha te se njejtes forme,
pastaj shtrohet tryeza gjigande,te ftuar te gjithe pa perjashtim
pas çdo koke nje kamarier milic…
“duhet ta pertypesh,nese nuk do te gelltitesh gjakun tend”
Kjo fraze eshte e shkruar ne cdo kartevizite.
Sa here i hip autobuseve historike
prodhuar ne vend,
me vijne drejt syve,
si prozhektore,
figura te pakuptimte emblemash
te gjitha te njejta ne permbajtje e ne forme,
ne rresht si saragat e pjekura,
ndersa perbri nje coca cole revizioniste,
kerciste dhembet e florinjte,
Sekretari i Pare,
Kryeministri
e pastaj bojaxhinjte,
te gjithe ne aksion per te fshire edhe psheretimen e fundit,
perpara vdekjes se nje shpirti te lire.
E kaluara,eshte nje vend teper i larget,
e une kam frike se kthimi per atje
do me lodhe mendimet.
Tri mendime poetike që ndajnë të njëjtën periudhë në përvojën intuitive që shkaktojnë realiteti, imagjinata, politika, ideologjia, absurditeti… ndjeshmëri të shoqëruar me mendimin filozofik e që shpeshherë i dalin jetës përballë me ashpërsinë e tyre. Pasiguria, ndrydhja, atmosfera e frikës, stigmatizim i politikës antikombëtare dhe i egërsisë së diktaturës (vërehet tek poezia e Pipës)… çojnë tre poetët në kontekste të ndryshme meditimi: Lexime vetjake nga Fatos Arapi, Kasem Trebeshina dhe Arshi Pipa
Si s’të desha pak më shumë
Fatos Arapi
E paëndërrta ime
Më duhet një gjysëm ëndrre,
E paëndërrta ime.
Vë kokën në gjoksin tënd
E tani përplasem
Te kokë e një tjetri.
Më duhet një gjysëm ëndrre.
Shigjetat e orës së dorës
Tutje i shtyjnë kalimtarët,
në ditë të rrëpirta tiranase.
Shpirtra jo shpirtra që shkojnë…
Bri meje dikush flet me vete.
pa e kuptuar besoj në rrëfimin e tij.
Dikush, prej zhgënjirni të egër,
mbërthen kryqe të reja.
I hedh një gjysëm leku
Dhe blej kryqin tim.
Tani që ta ngre
Më duhet një gjysëm ëndrre,
E paëndërrta ime.
Si s’të desha pak më shumë
Unë e desha përtej vdekjes,
Ashtu dashurova unë
Edhe prap s’ia fal dot vetes:
S’i s’e desha pak më shumë…
Pak më shumë ku shpirti thyhet,
T’i them ndarjes: – Prit, ca pak…
Të gënjejmë mallin që s’shuhet,
Kujtimin të gënjejmë pak.
Përtej vdekjes, përtej botëve,
Atje ku nis “ca pak” tjetër,-
Asaj që më rri mes Zotave:
“Si s’të desha pak më tepër…”.
Arshi Pipa
Nemesis (mallkim)
I
Ndër gropa burgjesh shkrye për gur e baltë,
mbërthye qelash ndër pranga,
nga gjoksi i shtypun sungullon mâ e naltë
kur del prej s’thelli kanga.
Na shajnë e na poshtnojnë, na plasin gjamën:
anmiq t’adheut! Tradhtarë!
pse duem Shqipnin e plotë, pse urrejmë na namën
e huej, pse jem, shqiptarë.
E ata qi e shitën tue ja lidhun qerit
t’anmikut për trofe,
ata qi flamurin, heu, i’Iskanderit
e zhyen me tjetër fè,
ata qi deri dje mbajshin kapistra,
teneqexhinj, shollarë,
gjysmakë, t’falimentuem, e sot ministra:
ata janë atdhetarë!
Na zhgulin thonjt me danë, ndër plagët krypë
na këllasin, na e shtyjnë
n’gërmaz me grushta, e uj kur bâjmë me lypë
qeshin e na pështyjnë.
Na lagin dimnit qelat, elektrikun
na e venë ndër veshë e n’gojë
e ndër trupa… E qeshin tue fikun
cigaret n’sy për lojë.
Na vene jelekun sa me u thye kërbishtnash,
na lanë me ditë e netë
varun për shpatullash mbi maje gishtash,
pa ngrënë, pa pi, pa fjetë.
Mandej po ngelëm prapseprap na gjallë
me shkelma na mbarojnë,
na hjedhin prej dritores, e veç rrallë
me nji plumb na nderojnë.
Pa gur, pa shenj, ndër gropa plehu hjedhun
si coftina na kallin,
ku grat e foshnjet tona s’vinë me rrjedhun
lotët që zbusin mallin.
Po e fortë asht zemra jonë, ma e fortë, o vllazën,
se tortura qi e sosë.
E zjarrmi i anmikut veç mâ keq na ndezën
urrejtjen qi rroposë.
Heu e tmerrshme ajo ditë tri herë fatore
kur shokët qi nuk ranë,
me shpirtin dalldisur për fitore,
do t’thrrasin gjakun tonë.
Dridhnju tiranë mbi frona e ju xhelatë
qi vegla u bâh’ ni qorre.
E zezë asht nata, por s’ashtë veç një natë.
Dielli i liris, ti shporre!
E n’se lypet durim e besë qi s’vdaret.
aq sa më dhambë me bre
hekurin që kryqzon dyert e dritaret,
qoftë ajo ligjë për né.
Nga gropa burgjesh me njeni-tjetrin rrokë
me besën e dëshmorit,
nga shpirti i bamë thëngjill qyshkur, o shokë,
pa shfrim mbrenda kraharorit,
ushton kanga e kushtrimit. Then çelikun,
shpartallon ledh e strehë,
dhe si shqiponja e flamurit vërtikun
ndër qiellna t’lira zhgrehë.
Përpëlitet Shqipnija nën mizoren
thundër si krymb n’handrak.
Heu, deri kur ma do puthim dorën
qi syt na i plasi gjak?
Kushtrim, o male, o fusha! Qitni bén
ksaj zgjedhe fund me i dhanë!
Ta zhbijmë krajtën qi na e bani atdhen
veç burg e kasaphanë.
*Poema është shkruar në burg prej vitit 1946-1948.
Kasem Trebeshina
Mendimi
Bie mendimi në mendjet e njerëzve dhe duket nuk ndalet,
s’e merr dot era s’e lag shiu që bie rrëmbimthi.
N’er’ dhe në shi, as në mendjet e njerëzve nuk mbetet mendimi…
Ne nuk do vemi më pas, kur vdekja vdekje të bëhet?!…
1953
Melankoni
Në dritare të dy rrimë
dhe nga hëna po shikojmë
s’jemi parë dhe të mërguar
njëri-tjetrin po kërkojmë.
Jemi fare pran’në jetë
dor’ për dore gati zënë:
Diku rrugët na takojnë,
po kalojnë nëpër Hënë!
Burg 1954
Dy botët
Dy botë
një mrekulli…
Një jet’ më vete tirret ditën
dhe nata ngre një tjetër mbretëri.
Te jet’ e ditës
nxitojmë të harruar,
të ndjekur nga një frikë e paformë
te jet’ e natës kthejmë
për t’ëndërruar.
1963
Qentë
Te bosht’ i natës kthehen yjet,
te gjum’ i natës zgjohet gjumi,
te heshtj’ e natës shkon mendimi
te hap’ i rëndë!
Nga larg dëgjohet një rrëmujë;
po lehin qentë!
Te pyll’ i natës së qytetit
po lehin qentë!
Dhe hap’ i rënd’ përplaset nëpër shkallë,
dhe hap’ i rënd’ përplaset nëpër rrugë,
përmes pallatesh një buçimë.
Po lehin qent’ te frik’ e natës
dhe griset befas errësira
nga nj’ ulërimë.
Po kthehen yjt’ ngadal te bosht’ i natës,
te gjumi po kërkon të fshihet gjumi,
Sa ndihen qent’ në largësi. Ushtojnë hapat.
Përmes pallatesh frik’ e heshtjes shkon si lumi.





