Lumi i Tiranës / Basha: Rikuperojmë barbarinë betonizuese të 20 viteve të fundit, shtojmë 1 milion m² gjelbërim

basha-te-lumi-tiranes

Projekti i Bashkisë së Tiranës, i hartuar së bashku me bulevardin e ri nga “Grimshaw”, parashikon zgjerimin e shtratit të lumit dhe krijimin e hapësirave të gjelbra në të dyja anët e tij, përmes argjinaturave do të bëhet mbrojtja e zonave urbane nga rreziku i përmbytjeve

Lumi i Tiranës po shndërrohet çdo ditë në një oaz për banorët e Bashkisë së Tiranës dhe të Komunës së Paskuqanit. Deri më sot, ky lumë është përdorur për shkarkimet e hapura të mbeturinave dhe derdhjet e ujërave të zeza. Urbanizimi i kësaj zone ka sjellë ngushtimin e shtratit të lumit në hapësirën minimale të mundshme. Projekti i Bashkisë së Tiranës, i hartuar së bashku me bulevardin e ri nga “Grimshaw”, parashikon zgjerimin e shtratit të lumit dhe krijimin e hapësirave të gjelbra në të dyja anët e tij, përmes argjinaturave do të bëhet mbrojtja e zonave urbane nga rreziku i përmbytjeve, sikundër në të dy anët e lumit janë ndërtuar kolektorë për mbledhjen e ujërave të zeza, me qëllim që ato të mos derdhen më në lumë. Përgjatë gjithë gjatësisë së lumit prej 7 km janë hequr rreth 600.000 m³ mbeturina të depozituara gjatë 30 viteve të fundit. Kryebashkiaku Lulzim Basha, i cili inspektoi dje punimet që po kryhen përgjatë gjithë gjatësisë së lumit në zonën urbane, theksoi se në përfundim të punimeve ky lumë do të jetë parku blu dhe i gjelbër, më i madhi që kryeqyteti ka. “Kemi ardhur këtu bashkë me një përfaqësi të madhe të komunitetit të kësaj zone, për të inspektuar punimet në një nga dy veprat më të mëdha të Tiranës në 80 vite, rehabilitimin e lumit të Tiranës. Në historinë e qytetërimeve, lumenjtë kanë qenë burim jete, qytetërimi, urbanizimi. Për fat të keq, lumi i Tiranës që i ka dhënë emrin qytetit tonë, në 30 vitet e fundit u kthye në një bombë ekologjike, me mbi 1 milionë m³ mbetje urbane të hedhura në të dhe me të gjitha kanalizimet e ujërave të zeza të banorëve si të Tiranës, si të Paskuqanit që derdheshin në të”, – tha Basha gjatë inspektimit të punimeve.

 

Projekti

Ky projekt, i cili është pjesë e projektit të madh të bulevardit të ri të Tiranës dhe rehabilitimit të lumit të Tiranës, sipas Bashës, ka në fazën e tij të parë si qëllim largimin e mbetjeve 30-vjeçare si dhe ndërtimin e kolektorëve të ujërave të zeza në të dyja brigjet e lumit, në mënyrë që lumit t’i kthehet ngjyra e dikurshme, blu, dhe bashkë me të pastërtia, qytetërimi dhe premtimi se nuk do të jetë thjesht lumi i Tiranës, por do të jetë parku blu dhe i gjelbër i Tiranës, më i madhi që kryeqyteti ka. “Me një gjatësi prej 7 km, kontraktorët kanë punuar me përkushtim, ndonëse jashtë vëmendjes së medias e për fat të mirë jashtë politikës bllokuese dhe ia kanë dalë që në këtë periudhë të zhvendosin 600 mijë tonë mbetje nga shtrati i lumit. Në fazën e dytë, do të realizohet gjelbërimi dhe krijimi i parqeve në të dyja anët e lumit, pedonalet për banorët, jo vetëm të kësaj zone, por të gjithë Tiranës, si edhe hapësira të tjera rikrijuese, do t’i japë lumit të Tiranës vlerë më të lartë të mundshme për jetën qytetare, për jetën urbane, do të kthehet në një pikë reference për jetën e përditshme urbane të fëmijëve, të të rriturve, të moshuarve. Dhe, për këtë projekt konsulenti ynë, që është ndër më të mirë në botë, Nicholas Grimshaw, në fund të muajit do të dorëzojë edhe projektin përfundimtar që do të vërë në jetë me kontraktorët” , – deklaroi zoti Basha.

Fondi

Kryebashkiaku Basha bëri të ditur se me fondin e Abu Dabit pjesë e financimit të bëhen edhe 1.5 km të tjera të gjatësisë se lumit, të shtrihet në zonë urbane duke e çuar në 8.5 km gjithë gjatësinë ku do të ndërhyhet nga Bashkia e Tiranës për rehabilitimin e tij dhe ofrimin e një cilësie më të mirë jete qytetarëve që jetojnë në afërsi të këtij lumi dhe qytetarëve të tjerë që do ta shfrytëzojnë në të ardhmen hapësirën e gjelbër që do të ofrojë. “Qëllimi i menjëhershëm i projektit është të parandalojë edhe situata të tmerrshme që kaluan banorët e kësaj zone vitin e kaluar, gjatë përmbytjeve, t’i parandalojë këto një herë e përgjithmonë, prandaj po ta vini re lumi është me dy breza. Brezi i dytë jep një mbrojtje për vërshime që ndodhin 1 herë në 100 vjet, me një sasi uji prej 700m³/s. Pikërisht, për t’i mbrojtur banorët e zonës nga këto vërshime dhe për ta shtrirë efektin pozitiv të rehabilitimit të lumit gjatë gjithë zonës së banuar ne së bashku me Fondin e Abu Dabit që financon këtë projekt, kemi vendosur shtrirjen e projektit për afro 1 km e gjysmë në drejtim të perëndimit, çka do të bëjë mbulimin e plotë të zonës urbane dhe projekti kështu zgjerohet nga 7 km gjatësi në 8.5 km gjatësi. Lumi do të intersektojë me bulevardin e ri, do të krijojë kështu një aks peizazhik të kryeqytetit të shqiptarëve unik në Ballkan, siç jemi edhe ne unik në Ballkan, nga Parku i Liqenit përmes bulevardit të vjetër, bulevardi i ri tek parku i ri që do të ndërtohet në rezervuarin e Paskuqanit. Një qytet pra me një aks prej afro 4 km, një aks veri-jug prej 4 km që përshkohet nga dy lumenj, një i vogël dhe i mirënjohur siç është Lana, një i madh dhe deri tani shumë pak i njohur por që do të jetë pikë reference për qytetërimin e kryeqytetit, që është lumi i Tiranës Me brezin autokton të kësaj zone, me brezin e parë të të ardhurve të kësaj zone dhe me gjithë qytetarët dhe qytetaret e rinj të Bashkisë së Tiranës, të Komunës të Paskuqanit, të cilët në përfundim të projektit do të krenohen për vendbanimin e tyre, do të krenohen që janë pjesë e një metropoli me një infrastrukturë të tillë moderne dhe evropiane që do t’i dhurojë qytetit të Tiranës, mbi 1 milionë m² gjelbërim, pra do të rikuperojë barbarinë betonizuese të qytetit përjetoi në 20 vitet e fundit”, – përmendi kryetari i Bashkisë.

 

Qeveria të mos bllokojë

Kryebashkiaku Basha i ka kërkuar qeverisë që të heqë dorë nga bllokimi i projekteve strategjike të Bashkisë së Tiranës, siç është bulevardi i ri. “Jam i vendosur që projektin që e kemi nisur brenda kohës më të shkurtër, që nga hartimi i tij, ta çojmë përpara, sikundër i bëj thirrje qeverisë të heqë dorë nga politikat bllokuese, të depozitojë firmat e zyrtarëve të Bashkisë pranë Fondit të Abu Dabit e t’i japë fund një praktike që sipas donatorëve nuk është parë as në Afrikën Ekuatoriale, të bllokimit të një vepre madhore që i shërben drejtpërdrejtë mbi 200 mijë qytetarëve”, – theksoi Lulzim Basha. Kompania që po zbaton punimet, deri tani ka realizuar rreth 46% të punimeve.

 

 

 

Dyfishohen rastet e kancerit të tiroidëve, shkak mungesa e jodit

Numri i personave të prekur nga kanceri i tiroides është dyfishuar vitin e fundit, ndërkohë që më të prekurat janë gratë. Shefi i pavijonit të Endokrinologjisë, Agron Ylli, në konferencën ndërkombëtare mjekësore bëri me dije se 81.8% të rasteve të diagnostikuara janë femra, ndërkohë që Tirana ka numrin më të lartë të të prekurve, e ndjekur nga Durrësi, Korça dhe Elbasani. Grupmosha që rezulton më e prekur nga kanceri i Tiroides është 40-60 vjeç. Sipas specialistëve, rastet me këtë tumor janë rritur për shkak të mungesës së përdorimit të kripës së jodizuar, por edhe si pasojë e rrezatimeve të ndryshme, përfshirë edhe celularët. Çdo person për të pasur një shëndet të mirë duhet të ketë një dietë të pasur me jod, jo më pak se 100-150 ml/gram jod në ditë. Kjo sasi siguron një funksionim të mirë të gjëndrës tiroide dhe gjithë efekteve të tjera që jodi ka në organizëm.

 

Share it :