Lufta në Siri/ Financimi nga celula terroriste, bllokohen llogaritë bankare

Anxhela Tato

 

Dyshime se transfertat bankare dërgoheshin nga jashtë Shqipëri për investimin në rekrutime

Hetimet, brenda viteve 2005-2006 Bujar Hyska tërhoqi nga banka 40-60 mijë euro

siriaTransfertat bankare në emër të dy imamëve të vetëshpallur dyshohet se kanë prejardhje nga celula terroriste, me qëllim pagimin e kontributeve për rekrutimin dhe dërgimin e të rinjve në kampet e luftës. Kjo është pika kyçe ku momentalisht janë përqendruar hetimet e akuzës. Shuma të dyshimta deri në 60 mijë euro janë tërhequr nga imami Bujar Hyska, i cili dyshohet se mund t’i ketë përdorur për të ndërtuar xhaminë e Mëzesës. Ka dyshime se këto lekë dërgoheshin nga persona të lidhur me Al Nusrën me qëllim financimin e rekrutimeve, duke hequr kështu shpenzimet e rrugës dhe lekët e xhepit që i jepeshin “ushtarëve” shqiptarë. Nga verifikimi i kryer janë evidentuar disa llogari bankare dhe pasuri të paluajtshme në emër të të arrestuarve dhe të afërmve të tyre. Ajo që bie në sy, sipas dosjes hetimore, bëhet fjalë për llogarit bankare të imamit të vetëshpallur të xhamisë së fshatit Mëzez, Bujar Hysa. Nga kontrolli analitik i këtyre llogarive tashmë të sekuestruara, rezulton Hysa ka bërë shumë transferta të shumave të mëdha parash ndër vite. Lëvizjet më të mëdha të parave rezulton se i ka bërë gjatë viteve 2005–2006, ku ka pranuar dhe tërhequr në disa raste nga llogarit e tij bankare shuma që varionin nga 40 deri 60 mijë euro. Këto para, sipas dosjes, i dërgoheshin Hysës nga banka jashtë territorit shqiptar, që për arsye hetimi nuk jepen detaje për vendin e origjinës së nisjes. Hetuesit dyshojnë se këto para janë përdorur edhe në investimin dhe ngritjen e xhamisë së fshatit Mëzez dhe atij të Unazës së re. Edhe të dyshuarit Genc Balla i njohur si Shehj Abdurrahim Balla i janë sekuestruar disa llogari bankare pasi janë pjesë e verifikimit pasuror. Ndërkohë, në ditët në vazhdim pritet marrja në pyetje e të arrestuarve, për të dhënë shpjegime në lidhje me të gjitha transaksionet e tyre bankare. Hetuesit thonë se hetimi pasuror në bazë të ligjit “Antimafia” do të shtrihet edhe tek të afërmit e tyre.

 

Grupet terroriste

Ushtarët shqiptarë dërgohen në Siri për të luftuar pro celulave terroriste, të cilat duan të sjellin Sheriatin, që do të thotë feja islame mbi ligjin dhe institucionet. Nga hetimet e organit të akuzës është zbuluar se këto grupe kërkojnë rrëzimin e Bashar Al Assad dhe vendosjen e islamit të dhunshëm. Krahas bandave radikale në Siri ekziston edhe ushtria e luftëtarëve për liri, të cilat duan të hedhin poshtë regjimin diktatorial të Assadit, por me idealin e ngritjes së institucioneve të ligjit dhe demokracisë. Nga hetimet rezulton se të gjithë shqiptarët që kanë shkuar në Siri bëjnë pjesë në grupet e shpallura si terroriste dhe jo në formacionet e  ushtrisë së lirë Siriane apo e njohur si ushtria e opozitës, që kërkon rrëzimin e regjimit të Bashar Al Assadit. Sipas dosjes voluminoze 85 vullnetarët shqiptarë që kanë luftuar apo vazhdojnë të jenë në front, janë të rreshtuar krah grupeve të njohur si “Al-Nusra”, “Doële” dhe nëngrupeve të tjera të krijuara nga celulat e “Al-Kaedas”, që synojnq ngritjen e një Shteti Islamik të Irakut dhe Sirisë. Këto grupe, të quajtura si më agresivët dhe më të suksesshmet në luftime, janë renditur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe SHBA-ja në listën e grupeve terroriste. Imami i vetëshpallur i xhamisë së Unazës së Re, Genc Balla dhe ai i fshatit Mëzes, Bujar Hysa, bashkë me besimtarët myslimane tashmë të arrestuar, përveç nxitjes së urrejtjes dhe thirrjeve e propagandimit për luftë,  dërgonin vullnetarë shqiptar mes këtyre grupeve terroriste. Kjo është edhe arsyeja se pse, Prokuroria e Krimeve të Rënda, ka ngritur akuzat zyrtare ndaj tyre. Sipas dosjes, të gjithë shqiptarët, që kanë luftuar dhe luftojnë në Siri, janë pjesë e njësitit ushtarak, të drejtuar nga Lavdërim Muhaxheri nga Kacaniku, i njohur në Siri, si i prijësi i shqiptarëve në xhihad.

 

Trageti “Bridge”/ Motra e 39-vjeçarit: Ekuipazhi u tregua neglizhent, nuk veproi të shpëtonte vëllanë

Familjarët e 39-vjeçarit Gentian Peta, i cili ra nga trageti “Bridge” në 19 prill dhe u zhduk në ujërat e Adriatikut, kërkojnë që autoritetet të marrin parasysh dëshmitë e pasagjerëve, që tregojnë se ekuipazhi i tragetit nuk ndërmori në kohë operacionin e shpëtimit. Motra e 39-vjeçarit, Anita Peta deklaroi për media se drejtësia ka nxjerrë të pafajshëm ekuipazhin e tragetit “Bridge”, pavarësisht se pasagjerët treguan për neglizhencën e tyre. “Të merren parasysh dëshmitë. Reagoj që mos të pësojnë të tjerë atë që pësoi vëllai im,”- shprehet Anita Peta. Dy ditë më parë Drejtoria Detare ka përfunduar hetimet për ngjarjen e ndodhur më 19 prill, kur nga trageti “Bridge”, pasagjeri 39-vjeçar Gentian Peta ra në det. Specialistë të kësaj drejtorie pohuan se “ka qenë një hedhje e vullnetshme e pasagjerit. Përsa u përket procedurave rutinë që kryhen nga trageti për shpëtimin e jetës së pasagjerit, nuk janë evidentuar probleme apo mungesa në shërbimin që i është ofruar”. Ky hetim i kryer nga ekspertë të ngjarjeve detare i është dërguar Ministrit të Transporteve, Edmond Haxhinasto dhe sipas autoriteteve portuale të Durrësit ai do të bëhet transparent brenda një kohe të shkurtër. Ndërkohë, kapiteni i Portit të Durrësit, Hyzni Aruci deklaroi se “paralelisht është duke hetuar për rastin në fjalë dhe policia e prokuroria e Durrësit, por nga informacionet që kemi edhe këto struktura janë me konkluzione të ngjashme.

 

Tiranë/ Bazë prodhimi pijesh false, pranga autorit

Policia e Tiranës në bashkëpunim me seksionin kundër krimit ekonomik ka zbuluar ditën e djeshme një bazë të prodhimit të pijeve të falsifikuara, si dhe ka vënë në pranga autorin. Kështu në pranga të policisë ka përfunduar Agron Sadikaj, 63 vjeç. Nga hetimet paraprake të policisë, rezulton se Sadikaj ishte dënuar më parë dy herë për prodhim të kundraligjshëm të ushqimeve. Materialet e sekuestruara i kanë kaluar në ngarkim Prokurorisë së Tiranës për procedim të mëtejshëm penal, ndërsa po punohet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

 

Aksidenti/ Makina përplas motorin, plagoset drejtuesi

Një aksident ka ndodhur paraditen e djeshme në kryeqytet ku një makinë ka përplasur një motor në Kamzë. Si pasojë e aksidentit ka mbetur i plagosur rëndë drejtuesit i motorit. Ai është dërguar menjëherë tek Spitali i Traumës dhe mësohet se gjendja shëndetësore e tij vazhdon të jetë e rëndë. Ndërkaq policia e mbërritur në vendin e ngjarjes ka nisur hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.

 

Share it :
Koncesioni i check-up/ Milva Ekonomi i dha mln € Vilma Nushit, paratë u investuan te kulla e Pak ditë më parë, emisioni “Plug” në Syri TV bëri një përmbledhje me fakte dhe dokumente konkrete të abuzimeve që janë bërë nga shteti shqiptar me koncesionet e shëndetësisë, një prej tyre edhe koncesioni i check-up, një skemë e madhe abuzimi me taksat e qytetarëve shqiptarë. Për këtë koncesion u hap një garë ku morën pjesë disa kompani me eksperiencë në fushën e kryerjes së analizave mjekësore, por fituese u shpall 3P Life Logistic e Vilma Nushit. Do të hyjmë në detaje dhe do të kuptojmë se jemi përpara një gare fiktive me fitues të paracaktuar. Së pari, kjo kompani u themelua më 9 dhjetor 2014, ndërsa kontrata koncesionare u firmos dy ditë pa u mbushur muaji, më 7 janar 2015. Ndërkohë, gara për koncesionin e check-up u shpall që në shkurt 2014. Thënë ndryshe, 11 muaj përpara se të lidhej kontrata me kompaninë që Vilma Nushi themeloi një muaj përpara se të firmoste marrjen e koncesionit prej 138 milionë eurosh. Dhe çudia më e madhe qëndron te fakti se shpallja e fituesit zyrtarisht u bë më 6 tetor 2014, dy muaj përpara se të themelohej kompania që do të fitonte kontratën koncesionare. Pas firmosjes së kontratës koncesionare në fillim të muajit janar 2015 nga Ministria e Shëndetësisë dhe kompania 3P Life Logistic, Agjencia e Prokurimit Publik refuzoi publikimin e kësaj kontrate pasi konstatoi shkelje të rënda ligjore. E para, kontrata u dërgua në APP pa numër protokolli dhe pa u firmosur nga titullari i institucionit. E dyta ishte shuma totale që shteti shqiptar do të paguante në fund të 10 viteve koncesion, si dhe mënyra e pagesës, që sipas APP-së, në formularin e dërguar nga MSH deklarohej se pagesa për check-up do të kryhej në bazë të numrit të analizave që do të kryheshin. Dhe këtu ka një mospërputhje në lidhje me vlerën totale të kontratës së nënshkruar. Konkretisht, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/23 Prot., datë 20.01.2015, në pikën 5 jepet vlera totale e kontratës 13.833.000.000 lekë. Ndërkohë, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/27 Prot., datë 10.02.2015, në paragrafin IV.4 shkruhet shprehimisht se: “Vlera reale do të jetë në varësi të numrit të kontrolleve”. Gjashtë ditë më pas, Ministria e Shëndetësisë firmos edhe njëherë formularin e njoftimit të kontratës së nënshkruar dhe më datë 19.02.2015 ministri i atëhershëm, Ilir Beqaj, i delegon kompetencën vartëses së tij, Milva Ekonomi, që të firmosë formularin e fituesit të kontratës koncesionare. Në këtë shkresë, përveç firmës dhe vulës së Ministrisë së Shëndetësisë, deleguar te Milva Ekonomi, saktësohet në pikën IV.3 se: “Vlera totale e kontratës do të jetë 13.833.000.000 lekë”, apo rreth 138 milionë euro për dhjetë vjet. Ndërsa në pikën IV.4 saktësohet: “Vlera e sipërcituar është vlera e dhjetë viteve të marra së bashku për numrin maksimal të kontrolleve për grupmoshën 40-65 vjeç. Vlera reale e kontratës do të jetë më e ulët pasi ajo do të llogaritet në varësi të numrit të kontrolleve që do të kryhen çdo vit”. Do të mjaftonte vetë ky dokument, që minimalisht sot SPAK ta kishte marrë të pandehur zv.ministren e asaj kohe, Milva Ekonomi, e cila me dashje i ka shkaktuar disa milionë euro dëm buxhetit të shtetit, pasi me firmën e saj ka kryer pagesa në kundërshtim me kushtet e parashikuara në kontratë. Por skandalet nuk mbarojnë këtu. Në pikën 3 të kontratës përcaktohet se: Kjo ndodhi për një arsye. Vilma Nushi, sipas kontratës, 20 laboratorët do të duhej t’i ndërtonte në qendrat shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe, në përfundim të koncesionit, ky investim do t’i mbetej si aset shtetit shqiptar. Gjë që nuk ndodhi asnjëherë. Sipas kontratës që shihni në ekran, nënshkruar mes kompanisë së Vilma Nushit dhe kompanisë Intermedica të deputetit të PS-së, Vasil Llajo, çmimi për një check-up te Intermedica për Vilma Nushin do të kushtonte 740 lekë me TVSH. Pra, ndërkohë që shteti do t’i paguante Vilma Nushit 1844 lekë me TVSH për kryerjen e një pakete check-up, ajo e delegoi këtë shërbim te nënkontraktori për një çmim prej 740 lekësh me TVSH. Me vetëm këtë skemë, Vilma Nushi ka përfituar për çdo analizë rreth 11 euro. Gjithçka me firmën e hedhur nga ish-zv.ministrja Milva Ekonomi. Në një përballje me gazetarin Freard Rista, zonja Ekonomi mohoi të kishte lidhje me këtë formular kontrate, pavarësisht se emri dhe firma e saj janë të zeza mbi të bardhë. Kompania e Vilma Nushit, Marketing & Distribution, e cila ka në pronësi koncesionin e check-up nëpërmjet kompanisë 3P Life Logistic, rezulton gjithashtu se ka financuar edhe kompaninë “Victoria Construction”, e cila po ndërton kullën “Ekspozita Building”. Deri këtu do të ishte diçka normale, nëse pas kësaj kulle nuk do të qëndronte një emër si ai i Ervin Matës, i arrestuar së fundmi në Brazil me kërkesë të SPAK-ut për trafik droge. Konkretisht, në vitin 2018, kompania Marketing & Distribution kalon për llogari të shoqërisë “Victoria Construction” një shumë prej 1.1 milionë eurosh. Nga të dhënat e bilanceve të kompanisë “Victoria Construction”, nuk specifikohet arsyeja pse Vilma Nushi i ka dhënë një shumë të tillë monetare kompanisë. Derdhja e parave u bë vetëm një vit përpara se të firmosej leja e ndërtimit për kullën “Ekspozita Building”. Pra, në vitin 2018 Vilma Nushi paguan këstin e parë të parave për llogari të kompanisë së Luan Matës, ndërsa në vitin 2019, me firmë të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, u miratua edhe leja e zhvillimit. Kujtojmë se pikërisht në vitin 2018, kur Vilma Nushi ka deklaruar se ka futur për investim 1.1 miliardë lekë në kullën e Ervin Matës, ka marrë edhe dividendin e parë nga kompania e check-up, në vlerën e rreth 1.2 miliardë lekëve, përafërsisht sa shuma që futi te kulla e Ervin Matës. Edhe për këtë gjë, zonja Ekonomi u pyet nëse ndjen ndopak përgjegjësi morale që me firmat e saj pasuron privatin, i cili më pas këto lekë të fituara nga taksapaguesit shqiptarë i investon tek personazhe me rekorde kriminale, por nuk ktheu përgjigje, duke kyçur gojën dhe nxituar këmbët për të votuar. /Piranjat news