Driçim Çaka
Procedura për përzgjedhjen e aplikantëve, kërkesat që duhen për arsimin dhe eksperiencat e punës
Nga dita e nesërme nisin aplikimet për lotarinë amerikane. Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, përmes një njoftimi, ka bërë publike procedurën se si do të bëhet aplikimi. “Regjistrimi për Programin e Lotarisë DV-2016 duhet të kryhet në mënyrë elektronike në: www.dvlottery.state.gov nga e mërkura e datës 1 tetor 2014, deri të hënën, 3 nëntor 2014. Mos prisni deri në javën e fundit të periudhës së regjistrimit, pasi kërkesat e shumta mund të shkaktojnë mbingarkesë të faqes së internetit. Aplikimet me letër ose aplikimet e vonuara nuk do të pranohen. Ligji lejon vetëm një regjistrim për çdo person gjatë periudhës së regjistrimit. Departamenti i Shtetit përdor teknologji të sofistikuar për t’u vënë në dijeni të regjistrimeve të shumëfishta. Individët që kanë aplikuar më shumë se një herë gjatë një periudhe regjistrimi do të skualifikohen”, – shpjegon në një njoftim Ambasada e SHBA-së në Shqipëri.
Përzgjedhja e aplikantëve
Bazuar në shpërndarjen e vizave të disponueshme për çdo rajon dhe shtet, individët do të përzgjidhen rastësisht nga kompjuteri ndërmjet aplikimeve të kualifikuara. Për të gjithë aplikantët e DV-2016 do të kërkohet të shkojnë tek Kontrolli i Statusit të të Regjistruarve duke përdorur numrin unik të konfirmimit të ruajtur nga regjistrimi DV-2016 i aplikimit të tyre në internet për të gjetur nëse aplikimi i tyre është përzgjedhur në programin e DV. Kontrolli i Statusit të të Regjistruarve do të jetë në dispozicion në faqen e internetit të E-DV www.dvlottery.state.gov, duke filluar nga 5 maji 2015 deri të paktën më 30 qershor 2016. Nëse aplikimi juaj përzgjidhet, ju do të drejtoheni tek një faqe konfirmimi që do ju japë udhëzime të mëtejshme, përfshirë informacione për pagesat lidhur me emigracionin në Shtetet e Bashkuara. Kontrolli i Statusit të të Regjistruarve do të jetë mjeti i VETËM me të cilin të përzgjedhurit do të njoftohen për përzgjedhjen e tyre për DV-2016. Departamenti i Shtetit nuk do të dërgojë letra njoftimi ose të njoftojë të përzgjedhurit me email. Ambasadat e Shteteve të Bashkuara dhe konsullatat nuk do të sigurojnë lista për të përzgjedhurit. Individët të cilët nuk janë të përzgjedhur gjithashtu do të njoftohen VETËM përmes Kontrollit të Statusit të Regjistrimit. Ju jeni të inkurajuar fuqimisht të hyni vetë tek Kontrolli i Statusit të të Regjistruarve dhe të mos mbështeteni tek dikush tjetër për të kontrolluar dhe për t’ju informuar. Nëse jeni përzgjedhur, në mënyrë që të merrni një vizë DV për të emigruar në Shtetet e Bashkuara, ju prapëseprapë duhet të përmbushni të gjitha kërkesat e pranueshmërisë sipas ligjit të SHBA-së. Këto kërkesa mund të rrisin nivelin e kërkuar të shqyrtimit dhe kohën e nevojshme për shqyrtim për vendasit e disa vendeve të renditura në këtë njoftim, duke përfshirë, por jo kufizuar në, vendet e përcaktuara si shtete sponsorizuese të terrorizmit. Të gjitha shqyrtimet e aplikimeve dhe lëshimi i vizave DV të aplikantëve të përzgjedhur që kanë plotësuar kërkesat e duhura edhe për anëtarët e familjes së tyre duhet të përfundojnë deri në mesnatë
Cilat janë kërkesat për arsim ose eksperiencë pune?
Ligji dhe rregullat e Emigracionit të Shteteve të Bashkuara kërkojnë që çdo aplikant duhet të ketë të paktën një arsim të shkollës së mesme ose ekuivalentin e saj, ose brenda pesë viteve të fundit të ketë dy vjet përvojë pune në një profesion që kërkon përvojë ose trajnim të paktën dy vjet. Një “arsimim i shkollës së mesme ose ekuivalente” përkufizohet si përfundimi me sukses i një kursi dymbëdhjetëvjeçar fillor dhe të mesëm në Shtetet e Bashkuara OSE përfundimin e suksesshëm në një vend tjetër të një kursi edukimi zyrtar të krahasueshëm me filloren dhe të mesmen të një shkolle në arsimin e mesëm në Shtetet e Bashkuara. Vetëm kurset zyrtare të studimit e përmbushin këtë kërkesë, kurset e korrespondencës ose çertifikata të ngjashme (të tilla si me kohë të pjesshme G.E.D.) nuk janë të pranueshme. Prova të dokumentuara të edukimit ose përvojës së punës duhet t’i prezantohen zyrtarit konsullor në kohën e intervistës për vizë. Nëse ju nuk i përmbushni kërkesat për edukim ose për përvojë pune, regjistrimi juaj do të skualifikohet në ditën e intervistës për vizë dhe as juve e as anëtarëve të familjes suaj nuk do t’ju lëshohet vizë.
Sa individë do të përzgjidhen për DV-2016?
Për DV-2016 janë në dispozicion 50.000 viza DV. Për shkak se ka të ngjarë që një pjesë e 50.000 aplikantëve të përzgjedhur nuk do të kualifikohen ose nuk do të ndjekin (vazhdojnë) rastet e tyre për lëshimin e vizave, më shumë se 50.000 regjistrime do të përzgjidhen për të siguruar që të gjitha vizat e vëna në dispozicion për lotarinë të jenë lëshuar. Gjithsesi, kjo gjithashtu do të thotë se mund të mos ketë një numër të mjaftueshëm vizash për të gjithë ata që janë përzgjedhur fillimisht. Ju mund të kontrolloni nëpërmjet Statusit të të Regjistruarve (Entrant Status Check) dhe në faqen e internetit të E-DV-së nëse jeni përzgjedhur për procesim të mëtejshëm, si dhe për radhitjen e tyre në listë. Intervistat për programin e DV-2016-s do të fillojnë në Tetor 2015 për ata të përzgjedhur të cilët kanë dorëzuar të gjithë dokumentacionin e kërkuar para intervistës dhe informacion tjetër siç mund t’u jetë kërkuar në udhëzimet e njoftimit. Të përzgjedhurit, të cilët plotësojnë informacionin e kërkuar në udhëzime, do të informohen për datën e intervistës së tyre për vizë nëpërmjet Kontrollit të Statusit të të Regjistruarve në faqen e internetit të E-DV-së katër deri në gjashtë javë para intervistës së planifikuar me zyrtarët konsullorë të SHBA-së në vendet e huaja. Çdo muaj, do të lëshohen viza për aplikantët që kualifikohen gjatë atij muaji, aq sa lejon numri në dispozicion për lëshimin e vizave. Pasi të gjitha 50.000 vizat për llotari të jenë lëshuar, programi do të përfundojë. Në parim, numrat e vizave mund të përfundojnë përpara shtatorit 2016. Aplikantët e përzgjedhur të cilët dëshirojnë të marrin vizë duhet të jenë të përgatitur që të dokumentojnë me përpikmëri dosjet e tyre. Të jesh thjesht i përzgjedhur rastësisht nuk garanton që ju do të merrni një vizë. Përzgjedhje do të thotë vetëm që ju jeni i ligjshëm të aplikoni për një Vizë Shumëllojshmërie (lotarie), dhe nëse numri i dosjes suaj bëhet aktual për shqyrtimin final, ekziston mundësia për lëshimin e vizës së lotarisë. Vetëm 50.000 viza do t’u lëshohen aplikantëve të tillë.
Çfarë është Programi i Vizave Emigruese të Shumëllojshmërisë
Programi i Vizave Emigruese të Shumëllojshmërisë, i autorizuar nga Kongresi, administrohet nga Departamenti i Shtetit në bazë vjetore. Seksioni 203(c) i Aktit të Emigracionit dhe Kombësisë (INA) mundëson viza për një grup “emigrantësh të shumëllojshmërisë”, prej vendeve me shkallë historikisht të ulët emigrimi në Shtetet e Bashkuara. Për vitin fiskal 2016, do të jenë në dispozicion 50,000 viza emigrantësh të shumëllojshmërisë (DV). Regjistrimi për në programin e Lotarisë është falas. Aplikantët që janë përzgjedhur nga programi i lotarisë (“të përzgjedhurit”) duhet të plotësojnë kërkesa të thjeshta, por të rrepta, të pranueshmërisë në mënyrë që të kualifikohen për një vizë shumëllojshmërie. Një kompjuter përzgjedh rastësisht aplikantët për vizën e lotarisë. Vizat e lotarisë shpërndahen ndërmjet gjashtë rajoneve gjeografike dhe asnjë vend i veçantë nuk mund të përfitojë më shumë se 7% të Lotarive (DV-ve) të disponueshme për çdo vit. Për Lotarinë DV-2016, vendasit e shteteve të mëposhtme nuk janë të ligjshëm për të aplikuar, pasi këto shtete kanë dërguar në total më shumë se 50,000 emigrantë në SHBA në pesë vitet e shkuara: Bangladesh, Brazil, Kanada, Kinë (të lindurit në kontinent), Kolumbi, Republika Domenikane, Ekuador, San Salvador, Haiti, India, Xhamajka, Meksikë, Nigeri, Pakistan, Peru, Filipine, Koreja e Jugut, Mbretëria e Bashkuar (me përjashtim të Irlandës së Veriut) territoret e varura prej saj dhe Vietnam.
Të dhënat që duhen për të aplikuar
– Emrin – mbiemrin, emrin, emrin e mesit – ekzaktësisht siç shkruhet në pasaportë. Mos vendosni emrin e babait si emër mesi, por vendosni N/A.
– Datën e lindjes – ditë, muaj, vit.
– Gjininë – mashkull ose femër.
– Qytetin e lindjes.
– Shtetin e lindjes – Përdorni emrin me të cilin njihet aktualisht shteti ku keni lindur.
– Vendi i kualifikueshëm për Programin e Lotarisë – Vendi i kualifikueshëm për Programin e Lotarisë normalisht do të jetë i njëjtë me atë të lindjes. Vendi i kualifikueshëm për Programin e Lotarisë nuk lidhet me vendin ku jetoni.
– Fotografitë e të regjistruarve – Fotografi personale tuajën të kohëve të fundit, të bashkëshortit/es dhe të të gjithë fëmijëve të përfshirë në regjistrim.
-Shteti ku jetoni aktualisht.
– Numri i telefonit (jo i detyruar).
– Adresë E-maili – Një adresë poste elektronike në të cilën ju keni akses të drejtpërdrejtë. Nëse aplikimi juaj përzgjidhet dhe ju i përgjigjeni njoftimit të përzgjedhjes tuaj nëpërmjet Kontrollit të Statusit të të Regjistruarit, ju do të merrni e-maile të tjera komunikuese nga Departamenti i Shtetit duke ju njoftuar që informacion me detaje i intervistës për vizën emigruese është vendosur në Kontrollin e Statusit të të Regjistruarve. Departamenti i Shtetit kurrë nuk do t’ ju dërgojë një e-mail duke ju thënë se ju jeni përzgjedhur për programin e DV-së.
-Niveli më i lartë i arsimimit që ju keni arritur, deri më sot
-Statusi aktual martesor
-Numri i fëmijëve




