Liqeni i ‘Barunëve’ drejt tharjes, Kalaja: Për dy javë mund të përballemi me masakrën si në Lushnjë

Liqeni i ‘Barunëve’ në Krujë ndodhet përballë një katastrofe mjedisore. Ky është denoncimi që vjen këtë të diel, më 4 tetor, nga ky qytet.

Ish-kandidati për deputet i Partisë Demokratike dhe gazetari Aulon Kalaja ka publikuar një video-denoncim i cili tregon qartë rënien e nivelit të ujit të këtij liqeni.

‘Kam ardhur këtu sot për shkak të disa ankesave që kanë pasur banorët, pikërisht për çështjen e rënies së nivelit të ujit në këtë liqen.

Duket qartë pra se deri ku ka qenë niveli i ujit. Është zvogëluar jashtë mase.’, thotë Kalaja, i cili e mat afërsisht deri në 7 metra rënien e nivelit të ujit.

‘Në rast se situata vazhdon në këtë mënyrë, peshkatarë dhe njerëz që e njohin këtë liqen më thonë që për dy javë do të shkojmë drejt një masakre mjedisore ekologjike.

 

Në rast se nuk do të ketë reshje apo mjete të tjera për ta mbushur këtë liqen, dhe uji i tij të mos humbasë në rrjedhje për poshtë, ne do të përballemi me masakrën e peshqve që pamë pikërisht në qytetin e Lushnjës.’, paralajmëron Kalaja, duke iu referuar rastit në Rezervuarin e Kasharajt në Lushnjë, ku mbi 300 tonë peshq kanë ngordhur për shkak të tharjes së rezervuarit.

Më tej, Kalaja kujton ditët e vështira me të cilat është përballur Kruja këtë verë për shkak të zjarreve, duke thënë se ‘ky liqen ka shpëtuar qytetin e Krujës nga flakët’.

Kjo për shkak se helikopterët që ndihmonin për të shuar zjarret mbusheshin me ujë pikërisht në këtë liqen.

Share it :