Trajneri është shprehur se nuk i beson renditjes, në derbi gjithçka është e rrezikshme dhe se bardheblutë nuk mund t’i neglizhosh.
Gjithçka duket se është gati për sfidën më të historike në Shqipëri. Derbi Tirana-Partizani është gati dhe duket se vetëm pak kohë na ndan nga emocionet që ngjall kjo sfidë. Tifozët kanë preferuar të ndjekin edhe stërvitjen për të motivuar skuadrën përpara derbit kundër Tiranës. Një mënyrë origjinale e mbështetësve të kuq për t’i treguar edhe lojtarëve të huaj rëndësinë që ka derbi. Kjo për të krijuar figurën se klubi ka një traditë dhe do fitoren. Prania e tifozëve në seancën e fundit është pritur mirë edhe nga trajneri Hasan Lika. Tifozët janë një detaj i kësaj sfide, por ajo që vendos rezultatin është fusha e lojës. Duket se teknikut Lika nuk i pëlqen të ekzaltohet, sepse ai e di mirë se ç’ndodh, nëse gabon. Partizani vjen në këtë sfidë me një diferencë të madhe ndaj rivalëve të përjetshëm, që luftojnë vetëm për të shpëtuar sezonin. Gjithsesi, Lika nuk i beson tabelës së renditjes. Trajneri u shpreh se do të presë deri në ditën e ndeshjes për të parë më pas në do të gëzojë apo hidhërohet. Problem i vetëm duket se është aktivizimi i sulmuesit Migen Memelli duket i pamundur. Ndërsa për sa i përket lojtarëve të rinj ka edhe mundësi aktivizimi. Në sfidë mund të gjejnë hapësira Demiri dhe Nexhipi blerja e fundit në merkaton e dimrit.
Derbi i historisë
Derbi i kryeqytetit, Tirana-Partizani, është i skalitur në faqet e historisë së futbollit shqiptar që nga viti 1947, kur vjen dhe përballja e parë mes dy kundërshtarëve që do t’i jepnin një tjetër dimension lojës së futbollit në vitet në vazhdim. Partizani u formua si klub në janar të vitit 1946, ndërsa derbi i parë është regjistruar në mars të 1947 dhe përfundoi 4-2 për të kuqtë, ndërsa në muajin gusht të këtij viti Partizani regjistroi një fitore të thellë 8-0 që mbetet një rekord i pathyeshëm edhe në ditët e sotme. Dominimi i Partizanit, por edhe i Dinamos, në periudhën e diktaturës ishte i dukshëm dhe pavarësisht përpjekjeve të Tiranës për t’i përmbysur statistikat në vitet ’60 dhe ’80, përplasjet direkte tregojnë supermadhësinë e të kuqve. Më 22 shtator të vitit 1985 Tirana e një brezi të artë futbollistësh, arriti një fitore historike ndaj Partizanit me rezultatin e thellë 7-3, ndeshje kjo që ka mbetur në memorien e tifozëve të futbollit si një nga sfidat me spektakolare të zhvilluar mes dy ekipeve kryeqytetase. Pas vitit 1993, kur Partizani u shpall për herë të fundit kampion i Shqipërisë, nis periudha e dominimit të bardhekaltërve, duke ulur ndjeshëm diferencën e përplasjeve direkte, që në fund të viteve ’80 ishte +20 fitore për Partizanin. Në 64 vjet histori të derbit Tirana-Partizani, të kuqtë vijojnë të jenë dominues në statistika me 54 fitore, 40 barazime dhe 42 humbje, me golavarazh të përgjithshëm 197/158. Vlen të përmendet fakti që përtej dominim të Partizanit në 136 sfidat direkte, bardheblutë kanë fituar 24 tituj kampionë, 9 më shumë se të kuqtë, që janë ndalur 21 vjet më parë në shifrën e 15 titujve.
Rriten çmimet për biletat
Përcaktohen detajet e fundit për derbin Tirana-Partizani, teksa janë përcaktuar jo vetëm ndarjet e tifozëve, por edhe çmimet e biletave. Sa i përket kostos, mësohet se ato janë rritur krahasuar me derbin e fundit që është zhvilluar mes dy skuadrave. Konkretisht çmimet janë: 800, 600, 300 dhe 100 lekë të rinj. Tifozët vendës do të akomodohen në tribunat A, D1 dhe D2, kurse miqtë te B, D3 dhe E. Një gjë të tillë e komunikon zyrtarisht edhe zyra e shtypit të Tiranës. “Ju lajmëroj se shitja e biletave për derbin Tirana-Partizani fillon nesër paradite (sot). Tifozët bardheblu do të sistemohen në tribunat A, D1, D2. Ndërsa ata të të kuqve në tribunat B, D3, si dhe E” deklarohej në komunikatë.
Malta, kundërshtari i parë i Shqipërisë
5 mars, zyrtarizohet miqësorja në Shqipëri. Kuqezinjtë tanë do të përballen me Maltën. Kombëtarja kuqezi do të zhvillojë ndeshjen e parë zyrtare për vitin 2014. Pasi të ketë mësuar kundërshtarët e vet në fazën e grupeve kualifikuese për “Euro 2016”, skuadra e drejtuar nga trajneri De Biazi do të zhvillojë edhe testin e parë miqësor. Pikërisht më 5 mars 2014 në Shqipëri. Gjithçka është zyrtarizuar një ditë më parë dhe do të zhvillohet në kuadër të datës së lirë të FIFA-s. Kjo ndeshje është shumë e rëndësishme për De Biazin dhe kandidatët e mundshëm për të qenë pjesë e kombëtares shqiptare. Kundërshtari përballë kuqezinjve, ndonëse me koeficient më të dobët në renditjen botërore të FIFA-s. Edhe kuqezinjtë, natyrisht, janë të interesuar që të luajnë me titullarët dhe të paraqesin vlerat e tyre më të mira.
Januzaj bëhet 19 vjeç
Mesfushori shqiptar i Mançester Junajtid, Adnan Januzaj, dje në 5 shkurt, festoi ditëlindjen e tij të 19-të. Në të njëjtën ditë kur Kristiano Ronaldo feston të 29-ën. Januzaj të martën u shpall Lojtari i Muajit nga tifozët e Mançester Junajtid, një mirënjohje të cilën e fiton për herë të dytë këtë sezon. Januzaj fitoi 75 për qind të votave nga tifozët, që ishte një dhuratë e veçantë një ditë para ditëlindjes së tij të 19-të, të cilën e feston sot. Shqiptari nga Istogu i Kosovës, filloi karrierën si gjashtëvjeçar te Brusel në Belgjikë. Si dhjetëvjeçar kaloi te Anderlehti, para se të nënshkruajë me Junajtid si 16-vjeçar.
FSHF pezullon Enea Jorgjin
Katërshja e arbitrave me kryesor Enea Jorgjin të cilët gjykuan ndeshjen Besa-Laçi janë pezulluar pa afat nga FSHF nga ushtrimi i kësaj detyre në Superligë. Burime të sigurta pranë FSHF bëjnë të ditur se arsyeja kryesore e këtij vendimi është gafa që bëri Jorgji në anulimin e pashpjegueshëm të 11-metërshit që u shndërrua në gol nga Sefa. Pas ndeshjes, e cila përfundoi në barazim 2-2 drejtuesit e të dyja skuadrave ka deklaruar se gjykimi i Jorgjit i cili mban dhe stemën e FIFA-s ka qenë tendencioz. Federata Shqiptare e Futbolli ka dashur ta ndajë gafën e Jorgjit edhe me gjyqtarët anësorë dhe atë të katërt duke i ndëshkuar edhe me ata me pezullim pa afat. Gjyqtari Jorgji ka qenë në një seminar të UEFA-s për gjykimin dhe duke qenë se nuk është zotërues e mire i gjuhës angleze, ka gabuar. Në seminar janë dhënë disa orientime shtesë të vendosjes së gjyqtarit në momentin e gjuajtjeve të penalltive, dhe Jorgji ka kuptuar gjithçka sikur ka ndryshuar rregullorja dhe nëse lojtarët hyjnë në fushë atëherë penalltia anulohet dhe shoqërohet me goditje dënimi për kundërshtarin. Këtë gjë Jorgji ia ka rrëfyer një miku të tij. Gjuha angleze e ka penalizuar gjyqtarin e rëndësishëm shqiptar ndërkombëtar.




