Kryeministri Rama iu drejtua dje qytetit të Lezhës, duke pasur dy qëllime kryesore: aksionin kundër informalitetit si edhe situatën e vështirë që po kalon struktura e PS-së së degës pas largimit të deputetëve nga lista. Fillimisht kreu i qeverisë u ndal tek disa subjekte në rrugën “Luigj Gurakuqi”, ndërsa në një prej lokaleve të zonës konsumoi edhe një kafe se bashku me ministrat e kabinetit të tij, Mimi Kodheli, Lindita Nikolla, Shkëlqim Cani e drejtues të tatimeve në Lezhë. Në fund natyrisht mori dhe kuponin tatimor. Por duket se inspektimi i aksionit kundër informalitetit duket se nuk ka qenë shqetësimi kryesor që e çoi në Lezhë Kryeministrin. Në kafe së bashku me të dhe ministrat ishte edhe deputeti që prej dy ditësh ka dorëzuar mandatin, Arben Ndoka. Në takimin me bazën e PS-së është folur për zëvendësuesit e deputetëve Prenga dhe Ndoka, ndërsa socialistët duket se nuk janë të gatshëm t’i lënë vendin një deputeti të LSI-së. Por marrëdhëniet jo të mira kohët e fundit me Eduart Ndocajn, i cili, sipas listës emërore të Partisë Socialiste pritet që të zëvendësoje deputetin që la mandatin Arben Ndoka, kanë qenë temë e takimit me strukturat, ku ka marrë pjesë edhe kreu i Bashkisë së Mirditës, Ndrec Dedaj. Ndërkaq, nuk përjashtohet mundësia që Dedaj të lërë postin e kreut të Bashkisë së Mirditës për të marrë mandatin e deputetit, pasi në zgjedhjet parlamentare të 23-qershorit të vitit 2013 ka qenë i 4 në listën emërore të deputetëve të Partisë Socialiste.




