Ekipet e Milanos duket se po bëjnë lëvizjet e fundit para mbylljes
Ndërkohë, Juventusi është hedhur drejt Osvaldos për të përforcuar sulmin
Seria A duket se po bën edhe blerjet e fundit. Milani, Interi, por edhe Juvja po shikojnë opsionet e fundit për të përforcuar skuadrat. Ndërkohë, duket se ekipet nuk po shikojnë të shpenzojnë shifra të mëdha, por po tentojnë të bëjnë blerje ekonomike. Interi është shumë pranë finalizimit të përforcimit më të ri, Hernanes, ndërsa ka arritur të sigurojë suksesshëm Danilo D’Ambrozio. Mediet italiane raportojnë se Interi ka arritur marrëveshje me Lacion prej 12 milionë eurosh plus kartonin e mbrojtësit Ibrahim M’baje. Mendohet se operacioni është realizuar pas negociatave intensive të presidentëve Erik Tohir dhe Klaudio Lotito. Nga ana tjetër Interi po ashtu pritet të zyrtarizojë në orët në vijim edhe transferimin, ku e ka mposhtur Juventusin, për Danilo D’Ambrozion. Hernanes dhe D’Ambrozio pritet të jenë të gatshëm për të debutuar në fundjavën e ardhshme në supersfidën ndaj Juventusit, ndërkohë që pritet tashmë që skuadra e Maxarrit të fillojë të bëjë edhe ndërrimet e reja në formacion.
Adel Tarbat vishet kuqezi
Është Adel Tarabt ai që do të kalojë te kuqezinjtë, raportuan mediet italiane. Klubet kanë gjetur gjuhën e përbashkët dhe pritet vetëm zyrtarizimi nga ana e dy shoqërive. Tarabt është ndjekur edhe nga Juventusi dhe Lacioja. Mirëpo, kuqezinjtë ndërkohë po tentojnë edhe diçka tjetër për të përforcuar skuadrën. U duk se çdo gjë po merrte drejtimin pozitiv drejt kryerjes së marrëveshjes, por sërish Kevin Konstant ka thënë “jo”. Bëhet fjalë për tratativën mes Napolit dhe Milanit për shkëmbimin mes dy futbollistëve të krahut: Pablo Armero dhe Kevin Konstant, por ashtu si para dy ditësh ka dështuar çdo gjë. Të dyja klubet kishin rënë dakord për operacionin dhe kolumbiani i Napolit u kishte thënë “po” kuqezinjve, por kur pritej vetëm “OK”-i i futbollistit nga Guinea, ajo ka qenë negative, duke rikthyer edhe një herë në vendnumëro të dyja klubet. Pritet që edhe në orët në vijim, pasi të bindet Konstant, drejtuesit e të dy klubeve të nisin sërish bisedimet.
Juventusi shikon opsionin Osvaldo
Juventusi ka hedhur shikimin drejt Dani Osvaldos në këto ditë të mbetura të afatit të janarit. Futbollisti italian planifikon të largohet nga klubi anglez, pas problemeve me bashkëlojtarët dhe trajnerin, ndërsa “Zonja e vjetër” mund të jetë destinacioni i radhës. Bardhezinjtë duan që fillimisht ta huazojnë ish-sulmuesin e Romës dhe gjatë verës të mendojnë për blerjen e tij. Derisa Mirko Vuçiniç është në rrugë për t’u larguar nga Juvja, Osvaldo mund të bëhet njëri nga sulmuesit rezervë të kampionit italian. Ndërkohë, akoma po spekulohet se mund të rihapen bisedimet me Interin për shkëmbimin Vuçiniç-Fredi Guarin.
Esien: Te Milani për më shumë minuta
Mesfushori i Milanit, Majkëll Esien, ka zbuluar se ai është larguar nga Çelsi për Milanin, pasi nuk ka pasur shumë minutazh nën drejtimin e Hoze Murinjos. Ganezi i cili ka bërë vetëm 12 paraqitje këtë sezon për blutë, ka zyrtarizuar kalimin e tij te gjiganti italian ditë më parë. Ai thotë se në San Siro ka ardhur për të luajtur. “Pse kam luajtur aq pak ndeshje këtë sezon? Nuk e di, ishte vendimi i Murinjos. Unë e di se atmosfera në Serinë A nuk është si në Angli, por kjo nuk ka lidhje, pasi unë luaj për t’i fituar ndeshjet”, – u shpreh ish-lojtari i londinezëve.
Falkao: Do të jem për botëror
Radamel Falkao nuk pranon dorëzimin në luftën e tij për t’u rikuperuar nga lëndimi dhe për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror. Ylli i Monakos ka pasur një operim në ligamentin e gjurit të tij të majtë dhe është pritur që ai të mungojë në Botëror. Por, sulmuesi nuk dorëzohet. “Jam i bindur se gjithçka do të jetë në rregull dhe se unë do të jap më të mirën që kam në Kampionatin Botëror. Kur ata më kanë thënë në fillim se kam lëndim serioz dhe se është mundësi e vogël për të luajtur në Brazil, nuk më ka interesuar se sa për qind kam gjasa. Do të punoj shumë dhe do të kthehem në formën time. Do të kthehem dhe jam i bindur se do të luaj në botëror”, – është shprehur kolumbiani.
Eden Hazard. Dua të konkurroj Mesin dhe Ronaldon
Beniamini i Murinjos, Eden Hazard, ka zbuluar se ai synon që të rivalizojë Kristiano Ronaldon dhe Lionel Mesin në garën për futbollistin më të mirë në botë. Lojtari më i mirë i londinezëve në sezonin e kaluar beson se ai mund të mbajë formën e lartë e, pse jo, edhe të garojë me yjet e Barcelonës dhe Realit të Madridit. “Unë e di se mund të konkurroj me Mesin dhe Ronaldon në të ardhmen e afërt, nëse natyrisht punoj më shumë. Nuk e di nëse ndonjëherë do të arrij nivelin e tyre. Do të jetë e vështirë, pasi ata kanë statistika të pabesueshme, por unë e pranoj sfidën. Natyrisht që dua të bëhem më i miri në botë”, – ka deklaruar belgu.
Mojes dhe plani i spastrimit
Mediat britanike kanë risjellë planet e menaxherit të Mançester Junajtid, Devid Mojes, për të pastruar skuadrën e “djajve” gjatë këtij viti. Sipas “The Times”, trajneri skocez do të largojë së paku dhjetë lojtarë nga skuadra aktuale. Mbrojtësit veteranë, Nemanja Vidiç dhe Patris Evra, kanë kontrata deri në fund të këtij sezoni dhe gjasat janë të mëdha që atyre të mos u vazhdohen ato. Në listë janë edhe dy lojtarët rezervë, Antonio Valencia dhe Havier Hernandez. Ndërkohë, Rio Ferdinand, Aleksander Batner, Nani, Ashli Jong dhe Shinji Kagava tashmë konsiderohen si shtesë të kota për skuadrën. Nga Junajtidi do të largohet edhe i huazuari te Fiorentina, Anderson, që mund të blihet nga vjollcët.




