Gëzim Saliu
Kryeministri: Grup i përbashkët deputetësh që të hartojnë letrën e Kuvendit drejt Kryetarit të Komitetit të Çmimit “Nobel”
Përmes një letre drejtuar të gjitha grupeve parlamentare në Parlament, Kryeministri Rama, në rolin e kreut të Partisë Socialiste, kërkoi dje mbështetjen e të gjithë klasës politike shqiptare për kandidaturën e homologut të tij të Kosovës Hashim Thaçi për çmimin “Nobel”. “Në emër të Partisë Socialiste dëshiroj t’ju ftoj të kontribuojmë së bashku në mbështetje të kandidaturës për çmimin “Nobel” të Kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi, që së bashku me kandidaturën e përfaqësueses së lartë të BE-së Baroneshës Chatherine Ashton dhe atë të Kryeministrit të Serbisë Ivica Daçiç, vlerësohen si protagonistët e një marrëveshjeje historike që çel rrugën e paqes mes dy shteteve të rajonit tonë, duke i dhënë fund historisë së gjatë të konflikteve në rajonin ku jetojmë”, – shkruante Rama në letër.
Letra
Sipas kreut të qeverisë, Thaçi, me qëndrimin e tij në marrëveshjen me Serbinë, tregoi largpamësi të guximshme dhe vendosmëri të madhe në dobi të interesit të lartë kombëtar, por edhe në dobi të një bote më të mirë. “Marrëveshja e arritur ndërmjet Kryeministrit të Kosovës dhe Kryeministrit të Serbisë ishte një hap më larg nga e kaluara dhe një hap më afër Evropës për të dyja vendet, prandaj për këtë kontribut kaq të rëndësishëm për krejt Evropën Juglindore le të bashkojmë edhe ne zërin tonë me promovuesit e kësaj ideje”, – theksoi ai. Në këtë kontekst, Rama propozoi ngritjen e një grupi të përbashkët deputetësh që të hartojnë letrën e Kuvendit të Shqipërisë drejt Kryetarit të Komitetit të Çmimit “Nobel”. “Ja pse ju propozoj ngritjen e një grupi të përbashkët deputetësh të të gjitha grupeve parlamentare për hartimin e letrës së Kuvendit të Shqipërisë drejtuar Kryetarit të Komitetit të Çmimit “Nobel”, Thorbjorn Jagland, në mbështetje të kandidaturës së Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi si çmim “Nobel” për paqen. Gjithashtu le t’u kërkojmë mbështetje grupeve respektive politike në Parlamentin Evropian, në asambletë parlamentare të Këshillit të Evropës, OSBE e me radhë, organizatat e tjera me të cilat partitë tona bashkëpunojnë për t’u shprehur në favor të nismës që promovon si kandidatë për “Nobelin” për paqen protagonistët e marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë”, – theksoi Kryeministri në letrën e tij drejtuar grupeve parlamentare politike në Parlament. Një javë më parë, grupi parlamentar i Aleancës Progresive të Socialisteve dhe Demokratëve në Parlamentin Evropian i drejtoi një letër kreut të Komitetit të Çmimit “Nobel”, Torbjorn Jagland, ku propozonte që kryeministrat Thaçi e Daçiç si edhe baronesha Ashton të merrnin çmimin “Nobel” për paqen 2014. Po ashtu, në fund të muajit dhjetor kongresistët Eliot L. Engel dhe Robert Aderholt, bashkëkryetarë të Komitetit të Kongresit për Çështjet Shqiptare, dhe kongresisti Ted Poe dhe Emanuel Ceaver, bashkëkryetarë të Komisionit të Kongresit të Serbisë, i dërguan një letër Komitetit të Oslos në Norvegji për emërimet e çmimit “Nobel” për paqe. Ata propozuan që Baronesha Catherine Ashton, Përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Evropian, për Politikë të Jashtme dhe Siguri dhe kryeministrat Ivica Daçiç dhe Hashim Thaçi të nominohen për çmimin “Nobel” të paqes 2014 për rolet e tyre kritike për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës.
Kreu i Task-Forcës për Energjinë
Peleshi: U rritën arkëtimet me 10 milionë USD, tolerancë zero për mospaguesit
Zv.kryeministri Niko Peleshi si kryesues i Task-Forcës së ngritur për Energjinë, deklaroi dje se kjo njësi operacionale që një muaj nga krijimi i saj ka bërë të mundur rritjen e arkëtimeve. “Ende nuk është në lartësinë e pretenduar, por rezultati për janarin, pra arkëtimet e janarit, janë rreth 10 milionë dollarë më tepër krahasuar me janarin e vitit 2013. Kjo tregon se sa e madhe është rezerva që CEZ Shpërndarje ka për të vjelë tek debitorët, por edhe tek vjedhësit e energjisë elektrike”, – tha ai. Në këtë kontekst, Peleshi theksoi se shifrat e CEZ-it për humbjen e energjisë shkojnë deri në 43,2%, humbje e cila është e barabartë sipas tij me 200 milionë dollarë ose sa 70% e fuqisë së kaskadës së Drinit. “Pra, të paguash sot faturat ndaj shtetit, ndaj CEZ-it në rastin konkret, një kompani e rëndësishme, me një peshë të madhe specifike në buxhetin e shtetit, nuk do të thotë të humbasësh, por do të thotë të fitosh. Kjo është kultura e re që ne duam të implementojmë edhe përmes kësaj Task-Force: kultura e pagimit të detyrimeve nga njëra anë dhe nga ana tjetër, një klime bashkëpunimi, mbështetëse, ndërmjet qytetarëve, subjekteve private dhe shtetit nga ana tjetër”,- tha zv.kryeministri. Nga ana tjetër, kreu i Task-Forcës së Energjisë bëri të ditur se do të ketë tolerancë zero ndaj individëve dhe bizneseve që iu shmangen detyrimeve për të paguar energjinë elektrike. “Për të gjitha ato biznese që e kanë kuptuar se është hequr vija e kuqe dhe tani duhet të fillojë një raport tjetër me detyrimet ndaj të tretëve, me detyrimet kontratuale, me detyrimet ndaj shtetit, dua të them se sot e në vazhdim, toleranca ndaj të gjithë atyre që do të vazhdojnë ti shmangen detyrimeve ndaj CEZ-it, detyrimeve ndaj shtetit, do të jetë zero”, – deklaroi Peleshi.
Zyra e punës në Durrës
Rama: Qendër graviteti për të tërhequr punëkërkuesit dhe sipërmarrjen
Kryeministri Edi Rama përuroi dje zyrën e re moderne të punësimit në qytetin e Durrësit. Sipas kreut të qeverisë, në një kohë shumë të shkurtër u bë e mundur që të ngrihet zyra, e cila do të shërbejë, sipas tij, si një hapësirë moderne në shërbim të qytetarëve në kërkim të një pune. “Nuk u hap thjesht një zyrë, por po krijojmë një tjetër qendër graviteti shumë të rëndësishme për të tërhequr në një pikë të vetme sipërmarrjen dhe punëkërkuesit. Besojmë se këto zyra nuk janë të vlefshme thjesht për ata që duan të gjejnë një punë, por janë të barasvlershme dhe për ata që kanë punë për të ofruar, por nuk gjejnë dot njerëz që kanë aftësinë për ato punë”, – tha Rama. Në këtë kontekst, Kryeministri theksoi se është mjaft e rëndësishme mbështetja e dhomave të tregtisë, e përfaqësive të organizuara të biznesit dhe e autoriteteve vendore për të garantuar që vendet e punës që janë në dispozicion të bëhen të njohura për të gjithë ato që kërkojnë punë. “Kemi përcaktuar si prioritet, jo thjesht për të organizuar në kushte të ndryshme punëkërkuesit, por për të realizuar objektivin e tyre, që të gjejnë punë. Duke qenë se ky prioritet që sot është pjesë e atyre prioriteteve që përcaktojnë kornizën tonë për 300 ditët e para të qeverisjes, këto zyra pune janë pikat ku kryqëzohen disa pika tona”, – theksoi Rama. Më tej, në ceremoninë e përurimit, kreu i ekzekutivit theksoi se zyrat e punës do t’i shërbejnë tejkalimit të një dobësie të tregut të punës, që përbën një faktor themelor në tre aspekte, në luftën me varfërinë, në aktivizimin e burimeve njerëzore dhe zhvillimin e vet tregut të punës. “Nëse për punëkërkuesit informimi dhe stimulimi i adresimit të problemit është një punë e përditshme e qeverisë, për punëdhënësit është me vend të kërkohen edhe mekanizma të mirëpërcaktuar në kuadrin e organizimeve të tyre të ndryshme, por dhe në kuadrin e tyre ligjor, për ta garantuar qasjen e çdo biznesi me Shërbimin Kombëtar të Punësimit”, deklaroi ai, duke shtuar se ky është vetëm fillimi, duke pasur parasysh që “objektiv mbetet që çdo ditë, nga çdo zyrë pune të hyjnë njerëz në kërkim të një pune dhe të dalin njerëz me një punë. Jemi të bindur se këtë sfidë do ta fitojmë jo duke kthyer shtetin në punëdhënësin më të madh, por duke e vendosur qeverinë në rolin e punëdhënësve dhe punëkërkuesve. Duke stimuluar mekanizmat ndërveprimet, kushtet që sjellin punësim”.




