Varri i D’Artanjanit
Më 25 qershor 1673 Luigji XIV i shkruan së shoqes, mbretëreshës Marie-Therese: “Humba D’Artanjanin, të vetmin njeri që besoja…”
Vera ishte në të ardhur e sipër, por në fshatin Lupiac, në Pirenejtë e Francës, frynte një erë e thëllimtë. Isha ngjitur mbi një kodër rreth 243 metra të lartë për të vizituar Muzeun e D’Artanjanit. Kishte pothuaj një vit që po merresha me përkthimin në shqip të Tre Muskëterëve, një nga romanet më të famshme kalorësiake të shekullit të 19-të, që i thurte himn miqësisë së vërtetë, motoja e së cilës “Një për të gjithë e të gjithë për një” kishte gati dy shekuj që kish rrëmbyer zemrat e rinisë së botës… Thuhej se, së bashku me Don Kishotin e Mançës, Tre muskëterët, i botuar që më 1844, i ribotuar dhe i stërbotuar në të gjitha gjuhët e botës, nën dhjetëra e qindra forma kopertinash, qe libri më i lexuar mbarëbotërisht, pas Biblës. E pra, qe hera e dytë brenda vitit që udhëtoja për në Arles të Francës ku ndodhej Kolegji i Përkthyesve me mediatekën e tij të vyer, që me fjalorët e saj të kohës së Dumas-it më ndihte të përktheja veprën e vështirë, e cila do t’i vinte e plotë për herë të parë lexuesit shqiptar.
Ishte viti 1991, kur me një grup miqsh, banorë të përkohshëm të Kolegjit të Arles-it, Espace Van Gogh, dy prej të cilëve, njëlloj si unë, i qenë futur përkthimit në gjermanisht dhe anglisht, gjuhët e tyre respektive, të Tre Muskëterëve, u kuturisëm në aventurën më të këndshme dhe më të padëgjuar që mund të bëhet: mes bisedave dhe konfrontimeve të zjarrta që shoqëronin procesin tonë të përkthimit të të njëjtit libër, ndërmorëm po atë udhëtim që kishin bërë tre muskëterët, Atosi Portosi, Aramisi dhe D’Artanjani, tre shekuj më parë, nga Parisi në Londër, në misionin e tyre të rëndësishëm në shërbim të mbretëreshës: për të marrë nga dora e Milord Buckingham-it gjerdanin e saj me diamante. Por nuk dua të ndalem në peripecitë e mrekullueshme të aventurës sonë, dëshiroj vetëm të rrëfej se një mëngjes të lagësht tipik parizian, me “hartën” e rrëfenjave të romanit në dorë, dolëm (duke përdorur transport modern, sigurisht, por tokësor) nga Parisi nëpërmjet Saint-Denis-e, kaluam nëpër Chantilly, Bove, Crevecoeur, dhe në Amiens, arritëm të zbulonim vendin ku, më shumë se 300 vjet më parë ndodhej hani i famshëm Lis d’or (Zambaku i artë), ku hanxhiu i preu në besë muskëterët dhe Atosin e zunë gafil hafijet e Kardinalit. Mëpastaj kaluam në Saint-Omar, udhëtuam gjer në Port de Calais dhe prej aty, me det, mbërritëm në portin e Douvres-it në Angli — vajtja në Londër dhe në Pallatin e Buckingham-it e përmbylli udhëtimin tonë aventuror.
Muzeu i D’Artanjanit në kodër qe i hatashëm: Charles de Batz d’Artagnan, emri i vërtetë i D’Artanjanit, pati lindur më 1615 në Chateau de Castelmore, në veri të Tarbes, në Gaskonë. Familja e tij e fisme, pri-ndërit, dorëzimi i djaloshit muskëter, betejat, dokumentet historike të kohës, marrja e postit të kapitenit të muskëterëve etj., tërë historia e asaj epoke qenë mrekullisht aty, — zonja plakë e muzeut më la të qetë të sodisja me nge gjithçka. Koha fluturonte; pas nja dy orësh të mira, ajo erdhi dhe më propozoi një kafe në një dhomëz të vogël të muzeut, ku ajo rrinte zakonisht duke rregulluar faqet e shkalafitura të librave të vjetër, me një takëm veglash rregullimi të përpikta, që ngjante si një kuti miniaturistësh. Mbaja në dorë botimin e parë të Tre muskëterëve dhe i tregova zonjës plakë për botimin e ardhshëm të librit në shqip, duke u kujdesur t’i rrëfeja më parë për këtë gjuhë të lashtë të Ballkanit… “Alexandre Dumas-ja e ngriti Gaskonën atje ku e meritonte, i thuri himn botërisht trimërisë, guximit dhe shpirtit luftëtar gaskonas! I ndrittë shpirti!”, më ndërpreu zonja plakë me një pathos që i vezulloi syve ngjyrë gri në një ballë të lartë rrethuar nga flokët argjend… Kishim pirë kafen, kur ajo m’u afrua pak dhe, sikur më të besonte një të fshehtë të dhembshme, tha me një zë të ulët plot hidhërim: “D’Artanjani ynë nuk ka varr!”. Më vështroi drejt e në sy për të parë reagimin tim pas kësaj të fshehte të rëndë që më pati besuar, pas kësaj plage që më kish zbuluar; u zura krejt në befasi dhe nuk e hapa dot gojën. Vetëtimthi m’u kujtua statuja e D’Artanjanit në kalë në një shesh të Tarbes, rrethuar nga një bordurë e lyer kujdesshëm me gëlqere, që përmbyllte një parcelëz me lule plot ngjyra… Ç’t’i thosha? Më ngjante se legjendarit D’Artanjan nuk i mungonte gjë, se kishte tërë famën e botës dhe se Gaskona kish D’Artanjanin, — të dy ushqenin lavdinë e njëri-tjetrit, heroi dhe vendi i tij. Përse kaq brengë për varrin e munguar? Të ishte vallë i rëndësishëm gjer në këtë pikë varri? Zonja plakë vazhdonte të më vështronte pyetshëm: a nuk të ngjan gjëmë e madhe kjo, që simboli i burrërisë dhe trimërisë gaskonase nuk ka varr? Ngrita supet dhe mendja më shkoi te vajtimi i përzishëm: “Nuk ka as varr ku ta qajmë!”. Të ishte kjo? Jo, jo, i dhashë udhë përgjigjes, legjendari nuk ka pse të qahet dhe për t’u nderuar ka shumë qoka. Varri i heroit, banesa e tij e përhershme, është kujtesa kolektive; por ja që Gaskona kërkonte ngulshëm një varr për D’Artanjanin. U ndava nga zonja plakë, rojtarja e historisë së D’Artanjanit me pyetjen e pazgjidhur në kokën time për rëndësinë e varrit në jetëvdekjen e legjendarëve, por edhe të vdektarëve të tjerë.
Mëngjesin e datës 20 nëntor 2008, 17 vjet pas bisedës me zonjën plakë të Muzeut të D’Artanjanit, lajmi që lexova në Le Monde më futi sërish në vramendjet e thekshme për rëndësinë e varrit. Dhe vërtet, që kur pati lindur njerëzimi, në të gjithë qytetërimet e tij, nderimi i trupit të të vdekurit ishte shumë i rëndësishëm, nderimi i vdekjes në nderim të jetës. Të lashtët besonin në një tjetër jetë pas vdekjes dhe varri qe porta e kësaj jete tjetër, por edhe shenja materiale e ekzistencës së një jete të mëparshme; por edhe vendi (i vetmi, unikali) që tani i përkiste atij që nuk ishte më këtej, por andej, një lloj kufiri mes dy botëve ku mund të kujtohej ai që nuk ishte më. Që nga agu i kohërave varri shihej si “banesë” e përhershme në pasvdekje, andaj dhe faraonët e përgatisnin vetë (piramida); po ashtu edhe perandorët kinezë (Han-i perëndimor); pak më ndryshe ndodhte tek etruskët, ku vendosej hinorja – urna – me hirin e të vdekurit; te hebrenjtë, varri nuk ishte “habitat”, por “vendi” ku njeriu kthehej në dhe, ku bashkohej me tokën, si rrjedhojë e ndëshkimit hyjnor (kjo është arsyeja përse hebrenjtë e vjetër nuk e vendosnin trupin në qivur, edhe Krishti nuk u vendos në qivur!). Në këtë kuptim, varri mbart një ngjyresë mnemotike (kujtese); kjo ngjyresë u rimor nga grekët e vjetër të periudhës pashomerike; në periudhën homerike, të vdekurit “shkrumboheshin” (kujto “shkrumbimin” e Hektorit, atë të Patroklit, dhe hiri hidhej në det, a në humnerë, a futej në hinore), çka duhet të jetë me prejardhje nga Lindja e largët (India) – hindutë e konsiderojnë trupin si burgun e shpirtit dhe e shkrumbojnë atë, e kthejnë në hi (Dilema e gjithkohshme e njerëzimit: Pluhur apo Hi?) dhe e hedhin në lumenjtë e shenjtë; më pas, gjatë periudhës kur lulëzoi “orfeizmi”, të vdekurit vendoseshin në një qivur, së bashku me një pllakatë ku ish shkruar një lutje për “Mnemosyni”-n, hyjneshën e kujtesës, e vetmja që mund të çlironte shpirtin nga cikli i metampsikozës (nga gjallimi i të njëjtit shpirt njëpasnjëshëm në trupa të ndryshëm); paskëtaj, mnemotizmi (kujtesa, të kujtuarit) kalon nga forma aktive e të vdekurit, në pasive (i vdekuri tashmë kujtohet, nuk kujton vetë), për të kaluar aktive tek i gjalli, për t’i kujtuar shkurtësinë e jetës: “O udhëtar, lexojmë në një varr latin (pa harruar se latinët më parë përdornin po “shkrumbimin”, si etruskët, dhe hinoret vendoseshin në një varr), kur të kalosh këndej, kujto: unë isha çka ti je, ti do të jesh çka unë jam”. Kjo formë ruhet ende edhe sot, ndonëse jo edhe aq në formën aktive të të gjallit (i gjalli përpiqet, psikologjikisht, që të largojë tej çdo gjë që i shkakton dhembje).
Nga periudhat faraonike e këtej, varret janë dhe monumentet më të rëndësishme kulturore, ruajtëse të qytetërimeve dhe kulturave të shuara, muzetë e pavdekshëm të artit dhe historisë. Varri ka qenë dhe vazhdon të jetë edhe një vend i mirë për t’u lutur, për të komunikuar me Zotin, një lloj tempulli dedikuar shpirtit: a nuk konsiderohet trupi njerëzor si tempulli i shpirtit, a nuk prehet trupi në varr? A nuk është për hebrenjtë vendi më efikas për t’u lutur varri i Të Drejtëve, të cilët konsiderohen si shenjtët e tyre? Nga ana tjetër, për të gjithë krishterimin varri është simbolika e besimit, — varri i zbrazët i Krishtit është provë e Ringjalljes së tij. Në tollovinë e këtyre përsiatjeve mbi varrin vazhdoja të lexoja lajmin e jashtëzakonshëm të Le Monde-it që kish për titull: A është zbardhur më në fund misteri i varrit të D’Artanjanit? Dhe poshtë tij: Odile Bordaz, një historiane franceze, mendon se ka gjetur varrin e D’Artanjanit në një kishë pranë Mastrihtit në Hollandë, ku kapiteni i muskëterëve të mbretit, që ka frymëzuar personazhin e Alexandre Dumas-it, është vrarë më 1673 gjatë rrethimit të qytetit. Përpara se të ishte heroi famëmadh i Tre muskëterëve (1844) D’Artanjani, me emrin e vërtetë Charles de Batz de Castelmore d’Artagnan, ka luftuar dy shekuj më parë në të gjitha frontet në shërbim të Luigjit XIV. Odile Bordaz, që u ka kushtuar shumë libra muskëterëve, pohon se ka fort të ngjarë që D’Artanjani të jetë varrosur në kishën e Wolder-it pranë Mastrihtit. “Me kolegët e mi arkeologë, arkivistë, holandezë, kemi studiuar hartat e Mastrihtit të bëra në atë kohë nga ekipi i Vauban-it. Shihet qartë kampi i ushtrisë së mbretit që rrethonte qytetin” tregon ajo. Luigji XIV dhe muskëterët kishin ngritur kazermën e tyre në fshatin fqinj me Wolder-in. “Logjikisht, që aty D’Artanjani me të tijtë u nisën më 25 qershor 1673 për t’i pushtuar me sulm muret e qytetit dhe u vra nga një e shtënë mushkete”, vazhdon ajo. Po atë ditë, Luigji XIV i shkruan së shoqes, mbretëreshës Marie-Therese: “Humba D’Artanjanin, të vetmin njeri që besoja…” Sipas Odile Bordaz-it, regjistrat famullitarë të rajonit tregojnë se personazhët “e rangut të lartë” të vrarë në betejë ishin varrosur në kishën më të afërt. Por nuk ekzistojnë regjistrat e kishës së Wolder-it. “Sipas të gjithë treguesve, ka më shumë se 90% mundësi që D’Artanjani dhe të tjerë muskëterë të shtatmadhorisë së mbretit të jenë varrosur në kishën ngjitur me kampin e tyre”, pohon ajo. Hipoteza, sipas së cilës trupi i tij mund të qe sjellë në Francë, në mes të verës, nuk korrespondon me zakonet në kohë lufte, kur “duhej varrosur trupi shpejt”. Prifti i kishës Saint-Pierre dhe Paul de Wolder, Piet van der Aart nuk i ka kundërshtuar gërmimet, por pret një “provë” për të dhënë autorizimin.
Shpresa se D’Artanjani së shpejti do të ketë varr, është e madhe; ndoshta zonja plakë, rojtarja e Muzeut të tij nuk jeton më, porse tërë Gaskonës do t’i qetohet brenga shekullore.
Nga pasthënia për romanin “Tre Muskëterët”
Mira Meksi
20 dhjetor 2008
Tre muskëterët, për herë të parë në botim integral në shqip
Për herë të parë realizohet botimi integral në shqip i romanit “Tre muskëterët”, të Aleksandër Dumas. Ky botim, njoftuar nga “Onufri”, vjen në përkthimin mjeshtëror nga frengjishtja i Mira Meksit, kur më parë njihet e botuar në tri pjesë, nga botuesit “Naim Frashëri” dhe “Dituria”. Romani “Tre Muskëterët” i Aleksandër Dymasë u botua fillimisht me kapituj në gazetën “Siècle”, nga marsi gjer në korrik të vitit 1844. Më pas u botua me volume, po në vitin 1844, nga shtëpia botuese “Baudry”, dhe u ribotua më 1846 te “Fellens dhe Dufour” me ilustrimet e Vivant Beauce. Romani tregon aventurat e një gaskonasi trim të çartur tetëmbëdhjetëvjeçar me emrin D’Artanjan, që vjen në Paris të bëjë karrierë në trupën e muskëterëve. Krijon miqësi me Atosin, Portosin dhe Aramisin, muskëterë të mbretit Luigji XIII. Këta katër burra do t’i kundërvihen kryeministrit, kardinalit Risheljë dhe agjentëve të tij, mes të cilëve konti Roshfor dhe bukuroshja misterioze Miledi dë Uinter, për të shpëtuar nderin e mbretëreshës së Francës, Ana e Austrisë. Me duelet, betejat, përleshjet e shumta dhe zhvillimet romaneske, “Tre Muskëterët” është shembulli tipik i romanit kalorësiak, dhe suksesi i romanit qe aq i menjëhertë dhe aq i madh, sa vetë Dymaja e përshtati veprën për pjesë teatrale dhe i rimori të katër heronjtë për të shkruar edhe dy romane të tjera: “Njëzet vjet më vonë” dhe “Vikonti i Bargelonne-s, ose Dhjetë vjet më vonë” në vitet 1847-1850, duke krijuar kështu trilogjinë e tre muskëterëve. Përherë e më popullore, kjo vepër ka frymëzuar një numër shumë të madh filmash dhe pjesësh teatrale.




