Ahmet Prençi dorëhiqet nga posti i drejtorit të Hetimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Përmes një letre dërguar Kryeministrit Rama dhe drejtores së Përgjithshme të Tatimeve, Briseida Shehaj, Prençi ka sqaruar të gjitha arsyet e këtij vendimi. Ndonëse Prençi nuk pranoi dje të bënte publike arsyet e dorëheqjes, mësohet se në letrën dërguar eprorëve të tij ai ka vënë theksin tek disa abuzime që kanë ndodhur tek Tatimet, për të cilat ai nuk do të donte të ishte përgjegjës. Po ashtu mësohet se Prençi ka theksuar në letër se ai ka kërkuar prej kohësh marrjen e masave për mosrealizimin e planeve dhe orientimin e kontrollit tatimor, kërkesa për të cilat, sipas drejtorit të dorëhequr të Hetimeve tek Tatimet, nuk kanë gjetur bashkëpunimin e eprorëve.




