Florenc Drizari
Gjermeni: Projektligji i propozuar i jep zgjidhje duke ofruar mënyrat dhe procedurat e kalimit të truallit të mbetur pa funksion brenda zonës së stimuluar
Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 65 vota projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10.186, datë 5.11.2009 “Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin” të ndryshuar”, ndërsa opozita votoi kundër. Sipas mazhorancës, projektligji për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin u jep zgjidhje problemeve të hasura me ligjin e mëparshëm, duke ofruar procedura për kalimin e trojeve të mbetura pa funksion, si: rrugë, sheshe, pishina, sipërfaqe të gjelbëruara, brenda zonës së stimuluar.
Zgjidhja e problemit të pronësisë së truallit pronë private, të kthyer ish-pronarëve në zonat e stimuluara, do të kryhet nëpërmjet procedurave të kompensimit financiar nëpërmjet çmimeve të tregut, njësoj si me ligjin e legalizimeve. Nga ana e saj, ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni, tha se përmes këtij projektligji të gjendet një zgjidhje për të realizuar kalimin e truallit subjekteve të interesuar. “Ndryshime ligjore që qeveria ka miratuar rregullojnë midis personit që ka fituar titullin si person i stimuluar dhe organeve qeveritare problematikën e krijuar që nga viti 1993. Në këtë projektligj janë identifikuar të gjithë individët të cilët janë përfshirë në këtë kategori. Projektligji i propozuar i jep zgjidhje, duke ofruar mënyrat dhe procedurat e kalimit të truallit të mbetur pa funksion brenda zonës së stimuluar. Kjo zonë e stimuluar do të kalojë në favor të të gjithë personave të stimuluar. Më lejoni të theksoj se projektligji do të sjellë zgjidhjen e një praktike shumë vjeçare jo efikase, do të çlirojë zonat turistike nga ngërçi ligjor dhe do të mbyllë kapitullin e shëmtuar të zhvillimit informal dhe kaotik”, – tha Gjermeni. Relatorja e këtij projektligji, Esmeralda Shkjau, u shpreh se projektligji do t’i japë zgjidhje problematikës së shfaqur gjatë këtyre viteve, ndërsa theksoi se propozimet janë në përputhje me Kushtetutën dhe aktet e tjera ligjore, ndërsa në emër të grupit të PD-së, deputeti Gjergji Papa shprehu qëndrimin kundër këtij projektligji duke shprehur rezerva në lidhje me propozimet.
Ndërkaq, lidhur me ndryshimet që propozon projektligji, zona e stimuluar do të kalojë në favor të të gjitha subjekteve të interesuara ose personit të stimuluar në përputhje me kuotën e pjesëmarrjes në bashkëpronësi. I gjithë ky proces do të kryhet edhe në përputhje me ligjin nr. 10.112, të vitit 2009 për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesat e banimit, ndërsa në rastet kur subjektet e interesuara dhe personi i stimuluar, nuk kërkojnë kalimin në bashkëpronësi të detyrueshëm të truallit të lirë, sipas përcaktimeve të propozuara, ky truall do të ngelet me titull pronësie, shtet.
Ky projektligj, sipas ekzekutivit, u jep zgjidhje edhe subjekteve të interesuara që të kërkojnë blerjen e truallit në funksion të njësisë të ndërtuar të ndodhur brenda kufirit të parcelës ndërtimore. Në këtë rast, personit të stimuluar i lind e drejta për blerjen e truallit dhe nëse është në fazën e zbatimit të lejes së ndërtimit. Një zgjidhje tjetër është shlyerja e detyrimeve të prapambetura që rrjedhin nga marrëveshja e qirasë. Ky ndryshim bëhet duke llogaritur paguar detyrimet deri në momentin e zgjidhjes së marrëveshjes. Ligji që u miratua dje në Kuvend, parashikon edhe penalitete. Në këtë projektligj është përcaktuar edhe çmimi i truallit i cili reduktohet në masën 10 për qind nëse paguhet brenda një muaji nga njoftimi me shkrim që i bën ALUIZNI. Mospagimi i çmimit brenda 6 muajve nga njoftimi sjell penalitete në masën 10 për qind të çmimit të truallit për çdo muaj vonesë, me kusht që masa e penalitetit të mos kalojë çmimin total të truallit.




