LEGALIZIMET/ Cilat kategori do  përjashtohen nga  marrja e tapive

Florenc Drizari

Rama: Qytetari rri në shtëpi ALUIZNI shkon tek dera e tij

zone informale 2“Nuk ka proces legalizimi për ata që kanë zënë trotuaret. Zaptuesit për qëllime përfitimi, nuk mund të bëhen pronarë të buzës së liqenit, rërës, detit, zonave arkeologjike”. Kjo deklaratë e Kryeministrit Edi Rama duket se do të përjashtojë përfundimisht të gjithë ata që kanë ndërtuar në kategoritë e zonave të përmendura me lart. Gjatë një takimi që zhvilloi mbrëmjen e djeshme me punonjësit e ALUIZNI-t, pranë ambienteve të Jashtme të Akademisë së Arteve, Rama theksoi se rehabilitimi i territorit do të vazhdojë. Kryeministri premtoi sërish legalizim falas për banesat e përdorura për strehim, ndërsa bëri të ditur se nuk do të legalizohet asnjë ndërtesë e ngritur për qëllime fitimi buzë rrugës apo në ambiente të tjera publike.

Lidhur me zhvillimin e procesit të marrjes së të dhënave, apo verifikimit të dosjeve, Rama tha është ALUIZNI ai që shkon tek dera e qytetarëve, ndryshe nga sa ka ndodhur në qeverisjen e shkuar, tha ai.

“Pavarësisht se çfarë thonë cinkët që analizojnë do të jetë falas legalizimi. Sot jo vetëm legalizimi është falas por është një proces që e bën shteti. Qytetari rri në shtëpi ALUIZNI shkon tek dera e tij. Pagesa është për parcelën e tokës, pagesa për te mbyllur konfliktin potencial të shtëpisë së legalizuar dhe trashëgimtarët e pronës. Do legalizojmë shtëpitë, ngrehinat e sakrificës dhe mundit të familjeve që kanë lëvizur në drejtim të qyteteve të mëdh”,-tha Rama.

Sipas Kryeministrit Rama, procesi i legalizimeve falas do të mbyllë njëherë e mirë kapitullin e ndërtimeve pa leje. “Legalizime falas që të mbyllim këtë kapitull të tmerrshëm që ka hapur anarkia e fillim viteve ’90 dhe nuk arritën ta mbyllin për vite të tëra pushtetet e shkuara. Jo vetëm kaq, por duke mos e mbyllur procesin e vështirësuan atë duke krijuar volume të tëra problemesh të reja. Legalizimi ka dy aspekte ai i formalizimit dhe i dhënies fund të abuzimit dhe ndërtimit pa leje”,-tha Rama.

Ndërkaq, në ligjin e ri të miratuar nga mazhoranca pranverën e shkuar për legalizimet, përjashtohen nga procesi edhe ata persona që kanë ndërtuar pas vitit 2009-të. Përjashtimi sipas ligjvënësve vjen për shkak se në këtë vit u bënë edhe ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, ku ndërtimet pa leje u cilësuan si vepër penale. Këto ndryshime pesë vjet më parë u miratuan me konsensus mes forcave politike në vend, ndërsa një tjetër ndryshim do të kërkonte sërish konsensus për faktin se ndryshimet në Kod kërkojnë më shumë vota se shumica e cilësuar që ka aktualisht koalicioni qeverisës PS-LSI.

Nga ana tjetër, deklaratat e krerëve të qeverisë se procesi i legalizimeve po bëhen falas ndaj qytetarëve, janë kritikuar ashpër nga opozita, e cila i ka quajtur si mashtrime. Sipas përfaqësuesve të Partisë Demokratike, procesi pritet t’i kushtojë më shtrenjtë qytetarëve dhe se premtimet e bëra në fushatë nga socialistët nuk janë mbajtur gjatë vitit të parë të qeverisjes.

 

 Legalizimet, Lame: Reformuan agjencinë dhe kuadrin ligjor

Gjata takimit të djeshëm të Kryeministrit Rama punonjës të ALUIZNI-t, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë, Artan Lame, bëri një analizë të rezultateve të punës, kur rinisi procesi. Puna, tha Lame, nisi me një qasje të re ndaj procesit, me reformimin e Agjencisë dhe përmirësimin e kuadrit ligjor. Ministrja Gjermeni theksoi se procesi i legalizimit do të vazhdojë edhe me procesin e urbanizimit të këtyre zonave. “Vizioni i qeverisë është në radhë të parë vendosja e kontrollit mbi territorin, zhdukja e informalitetit dhe rritja e rolit të qytetarit në planifikimin e zhvillimin e territorit, rigjenerimin urban në gjithë vendin. Këto janë sfida që do t’i kalojmë bashkë. Pjesa e legalizimit falas është pjesa e parë dhe shumë e rëndësishme e gjithë këtij procesi. Paralelisht me të, ne po mundohemi që përmes projekteve pilote dhe programeve specifike me zona informale të fillojmë procese të urbanizimit të tyre, për t’ju ofruar qytetarëve një jetë më cilësore”.

 

 

Share it :