Rreth 3 tonë marijuanë dhe 88 kallëpe tritoli janë gjetur gjatë aksionit në Lazarat që vijon tashmë prej 20 ditësh. Si rezultat i kontrolleve të të gjithë territorit në Lazarat policia në lagjen Gjoka ka zbuluar sasi të madhe droge të presuar, tritol e municione luftarake të groposura në gropat që shërbenin për kultivim të kanabisit në bahçen e shtetasit K. Buzheri nga fshati Lazarat, i cili është shpallur në kërkim. Gjatë ditës së djeshme policia ka ushtruar kontroll të imtësishëm në 7 banesa dhe një sëre territoresh në fshatin Lazarat. Mësohet se gjithashtu po dje është zbuluar dhe asgjësuar një sasi shumë e madhe marijuane e fshehur në një cisternë metalike që shërbente për transport uji. Policia bën të ditur se pas sasive të mëdha të drogës, të armëve të zjarrit e sendeve të tjera të kundërligjshme, si dhe mënyra e fshehjes së tyre bën të domosdoshme vazhdimin e operacionit edhe në ditët në vijim. Gjatë ditës së sotme nga kontrollet e ushtruara është bërë i mundur sekuestrimi I 2 tonë e 950 kilogramë marijuanë, 1 armë zjarri pushkë model 63, 88 kallëpe tritoli, 3 bidonë të mëdhenj të mbushur me fishekë mitralozi të rëndë të lehtë dhe kallashnikovi, 3080 Fishekë model 56, 12 Krehra fishekësh, 1 makineri për presim të lëndës narkotike dhe 2 makineri për lojëra fati. Gjithashtu në vijim të operacionit në orët e para të mëngjesit nga forcat e policisë, në Lazarat, u zbulua një banesë ku në bodrumin e saj kishte 9 fuçi plastike të mbushura me marijuanë në formë boçeje gjithsej 383 kg. Gjithashtu në të njëjtën banesë u sekuestruan edhe dy makineri të lojërave të fatit. Policia ka shpallur në kërkim pronarin e banesës A. Proko.
Laç/ Vetëvritet pranë Kishës së Shna Ndout, para 3 muajsh u kthye nga Spanja
Një 29-vjeçar është gjetur i pajetë pranë Kishës së Shna Ndout në Laç. Viktima u identifikua si Dorian Feza, 29 vjeç, dhe nga hetimet e para konstatohet se është vetëvrarë me automatik. Feza kishte vetëm 3 muaj qe ishte kthyer nga Spanja, ku kishte emigruar prej disa kohesh, ndërsa mbrëmë ishte larguar nga shtëpia dhe familjarët nuk kishin dijeni për vendndodhjen e tij. 29 vjeçari u gjet i vdekur nga kalimtarë të rastit vetëm pak metra larg kryqit që ndodhet në kishën e Laçit, me automatikun pranë këmbëve dhe nga ekspertiza rezultoi se ishte vetëvrarë vetëm me një plumb. Policia po heton për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Interpol/ Ekstradohet Elton Koxherri, në kërkim për plagosje të rëndë
Interpol Tirana ekstradoi dje nga Milanoja drejt vendit tonë Elton Koxherrin, 29 vjeç, lindur banues në Krastë, Bulqizë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë arrest në burg ndaj tij për kryerjen e veprës penale të plagosjes së rëndë me dashje, të kryer në bashkëpunim. I ekstraduari Elton Koxherri, më datën 2.11.2010, në Tiranë në bashkëpunim me shtetasin Shkëlqim Koxherri kanë rrahur dhe goditur me dorezë dore shtetasin Majlind L., duke i shkaktuar plagë të rënda. Ngjarja ka ndodhur pas një konflikti në lidhje me pronësinë e një toke. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën, në datën 12.5.2014, në Itali, u bë i mundur arrestimi, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë i shtetasit Elton Koxherri. Në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas ky shtetas iu dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Tiranë/ Emërohet në krye të Rrugores Mithat Tola
Mitat Tola është emëruar drejtor i ri i Policisë Rrugore. Tola në krye të Rrugores do të zëvendësojë Dritan Bonën, i cili u shkarkua nga kjo detyrë dy javë më parë për shkelje procedurale. Bashkë me drejtorin e Rrugores u pezulluan nga detyra edhe disa efektivë të cilët, sipas Policisë së Shtetit, kishin kryer shkelje e falsifikime, kryesisht me gjoba.
Elbasan/ Zhduket 21-vjeçari, i tha familjarëve se do shkonte në plazh
Një 21-vjeçar nga Elbasani rezulton i zhdukur që prej së dielës. Denoncimi për zhdukjen e tij është bërë në policinë e Elbasanit nga familjarët. Sipas tyre, i riu Renato Hamza, 21 vjeç, iu ka thënë se do shkonte në plazh me disa shokë dhe se i kanë humbur kontaktet me të që nga ajo ditë. Familjarët e tij apelojnë për gjetjen e Renatos si dhe për dhënien e informacioneve të vlefshme mbi vendndodhjen e 21-vjeçarit.




