La Libre”: Rama gjithnjë e më i izoluar, protestat trondisin regjimin në Shqipëri

La Libre”: Rama gjithnjë e më i izoluar, protestat trondisin regjimin në Shqipëri

Transferimi i një vendi natyror të mbrojtur në bregdet te familja Trump, e cila planifikon të ndërtojë një hotel atje, po shkakton një valë të fuqishme protestash.

Gazeta belge La Libre i ka kushtuar një artikull zhvillimeve të fundit në Shqipëri, duke pohuar se protestat po marrin përmasa gjithnjë e më të mëdha dhe se “Revolucioni i Flamingove” po sfidon qeverinë e kryeministrit Edi Rama.

Sipas medias belge, në protesta po marrin pjesë kryesisht të rinj, ndërsa edhe diaspora shqiptare është bashkuar me mobilizimet, si brenda vendit ashtu edhe në disa shtete evropiane dhe në Shtetet e Bashkuara.

Artikulli thekson se Edi Rama është në një pozicion më të dobët politik dhe se reagimi i tij ndaj protestave është shoqëruar me akuza për ndërhyrje të huaja dhe sulme ndaj kritikëve.

La Libre shkruan gjithashtu se partnerët ndërkombëtarë po shfaqin shqetësime në rritje për gjendjen e shtetit të së drejtës në Shqipëri, ndërsa citon edhe shkrimtarin Fatos Lubonja, sipas të cilit mbështetja ndërkombëtare ka qenë “sigurimi politik i jetës” për kryeministrin.

Gazeta belge përfundon se Rama po përballet me izolim në rritje dhe tensione edhe brenda Partisë Socialiste.

Shkrimi i La Libre:

“Një Shqipëri e re po lind”, pohojnë njëzëri protestuesit, shumica prej tyre shumë të rinj. Ditët e fundit, diaspora shqiptare, e cila ka nisur të kthehet në vend për pushimet verore, është bashkuar masivisht me marshimet, ndërsa mobilizime me nismën e saj po vazhdojnë në të katër anët e botës, në Francë, Belgjikë, Zvicër dhe Shtetet e Bashkuara

Edi Rama ka zgjedhur t’i përgjigjet lëvizjes protestuese, që po e sfidon, me fyerje dhe sulme verbale, duke denoncuar “ndërhyrje të huaja” misterioze dhe duke pretenduar se lëvizja drejtohet madje nga “armiq të Shqipërisë dhe të Izraelit”.

Kryeministri socialist i Shqipërisë mban marrëdhënie shumë të ngushta me qeverinë e Benjamin Netanyahut dhe nuk heziton të akuzojë të gjithë kritikët e tij për antisemitizëm. Për ta plotësuar këtë narrativë, ai përmendi më pas edhe mundësinë e ndërhyrjeve iraniane, por pa këmbëngulur shumë në këtë skenar pak të besueshëm.

“Javën e kaluar ai shkoi në Paris për të kërkuar mbështetjen e “mikut” të tij, Macron. Deri tani, Edi Rama ka gëzuar një lloj “çeku të bardhë” nga partnerët e tij evropianë, pasi ka harmonizuar politikën e jashtme të Shqipërisë me atë të Bashkimit Evropian.

Megjithatë, devijimet nga shteti i së drejtës po kritikohen gjithnjë e më shumë nga disa ambasada perëndimore në Tiranë, ndërsa afrimi i tij me administratën Trump po krijon gjithnjë e më shumë shqetësime. Edi Rama është gjithashtu anëtar i “Këshillit për Paqen”, të krijuar nga presidenti amerikan”.

“Ish-i burgosuri i diktaturës staliniste dhe një nga zërat moralë të Shqipërisë, shkrimtari Fatos Lubonja, shpjegon se Edi Rama i konsideron këto mbështetje ndërkombëtare si “sigurimin politik të jetës”.

Megjithatë, kryeministri shqiptar është gjithnjë e më i izoluar dhe më i dobësuar. Sipas informacioneve të publikuara nga mediat vendase, mbledhja e fundit me dyer të mbyllura e Partisë Socialiste ka qenë veçanërisht e tensionuar,” thekson media belge.

Share it :