Gëzim Saliu
“Të gjithë demokratët, aksionerë të barabartë në parti, askush nuk do të diktojë zgjedhjen”
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaron se qëllimi kryesor i zgjedhjeve që po zhvillohen në të gjithë piramidën e forcës më të madhe opozitare ka qenë dhe është nxjerrja me votë të lirë e drejtuesve më të mirë. Në kuvendin Zgjedhor të mbajtur në Kurbin, kryedemokrati theksoi dje se është detyrë e drejtuesve të rinj të PD-së të hartojnë alternativën e zhvillimit dhe t’u kthejnë besimin qytetarëve shqiptarë. “Drejtuesit duhet të garantojnë përveç vendosmërinë edhe gatishmërinë dhe përkushtimin për të përqafuar alternativën tonë, bashkimi dhe ribashkimin e gjithë kontributeve historike, hapjen dhe ripërtëritjen e partisë, opozitën e fortë dhe të vendosur por opozitën me fakte”, – u shpreh Basha.
Zgjedhjet në PD
Në kuvendin zgjedhor të degës së Kurbinit, kreu i demokratëve tha se askush nuk mund dhe nuk do të ndikojë zgjedhjen anëtarëve të kësaj partie. Sipas Bashës, të gjithë demokratët janë aksionerë të barabartë në këtë sipërmarrje të madhe politike. “Askush nuk mund dhe nuk do t’i ndalojë të diskutojnë dhe të dialogojnë hapur për gjithçka që duhet bërë më mirë në këtë parti”, – pohoi ai. Më tej, lideri i PD-së theksoi se me zgjedhjet dhe ekipin e ri, forca më e madhe opozitare po krijon alternativën e re. Në këtë kontekst, Basha nënvizoi se PD do të udhëheqë vendin ën përmbushjen e aspiratës evropiane. “Qytetarët shqiptarë e dinë që ne jemi partia që kemi vullnetin, besimin, energjitë dhe kapacitete për t’ju rikthyer shpresën, për t’i rikthyer besimin dhe për të udhëhequr edhe njëherë vendin drejt arritjes dhe përmbushjes së aspiratave mbarë popullore, për dinjitet, për mirëqenie, për siguri, për integrim”, – deklaroi kreu i PD-së. Basha ka zgjedhur të marrë pjesë në të gjitha kuvendet zgjedhor në degët e PD-së në qytetet e vendit, ku ka nënvizuar rëndësinë e votës së anëtarësisë dhe përgjegjësinë që do të përçojë ajo tek drejtuesit e rinj. Një pjesë e mirë e degëve të PD-së kanë zgjedhur tashmë kryetarët e tyre, duke nisur nga Mati, Saranda, Lushnja, Tropoja, Hasi, Librazhdi, Peqini, Shijaku, Kuçova, Mirdita, Kavaja, Elbasani, Korça, Pogradeci, Devolli, Fieri, Patosi, Lushnja, Tepelena, Përmeti, Mallakastra, Miridita, Lezha, Kurbini. Pasi të mbyllet ky proces për thuajse pas një jave, do të pritet përfundimi i zgjedhjeve edhe në degën e Tiranës, i cili me vonesë për shkak se është dega më e madhe dhe procesi i anëtarësimeve zgjati më shumë. Në përfundim të zgjedhjeve, partia Demokratike do të mbledhë Kuvendin Kombëtar i cili do të zgjedhë më pas Këshillin Kombëtar, i cili do të miratojë, nëse do të ketë ndryshime në statusin e selisë blu. Ndërkaq do të jetë Këshilli, i cili do të zgjedhë kryesinë e re, nënkryetarët, sekretarin e Përgjithshëm dhe sekretarët e çështjeve specifike.




