Kuvend/ “Dëshmitari kyç”, Tahiri: Ngjarje e rëndë,  opozita të mos bëhet palë me krimin

Florenc Drizari

 “Pres çdo detaj për të çuar para drejtësisë të gjithë ata që kanë përgjegjësi ligjore,  përfshi edhe ata që njëherë e një kohë dolën nga aneksi i errët i politikës”

Saimir Tahiri ne parlament Akuzat e Partisë Demokratike ndaj Kryeministrit Rama dhe ministrit të Brendshëm për daljen e emrit të dëshmitarit kyç për gjyqin ndaj Arben Frrokut sollën edhe reagimin e Saimir Tahirit, i cili nga salla e Kuvendit të Shqipërisë garantoi se do të ketë hetime deri në fund për zbardhjen e kësaj çështjeje. Një ditë më parë, ministri Tahiri pranoi se nxjerra e të dhënave për dëshmitarin kyç në këtë proces gjyqësor ishte një ngjarje e rëndë. Në replikë me deklaratat e PD-së, ministri akuzoi përfaqësuesit e opozitës që po e përdorin këtë çështje kundër Policisë së Shtetit. Edhe pse marrja e fjalës nga ministri nuk ishte parashikuar në rendin e ditës së punimeve të Kuvendit, Tahiri i kërkoi leje Kryeparlamentarit Meta për mbajtjen e një deklarate të shkurtër për një çështje të komentuar ditët e fundit.
Tahiri
“Duhet të pranoj para Kuvendit se kjo është një nga ato gjëra që nuk duhet të ndodhin. Nuk mund të them tani më shumë detaje lidhur me këtë çështje. Policia e Shtetit garanton sot informacionin dhe të dhënat për ata që bashkëpunojnë me policinë. Kjo nuk do të thotë që nuk do zbardhim edhe atë që ka ndodhur edhe për çështjen në fjalë, sepse është një çështje që e kanë një të shkuar, një pjesë të së cilës ia dimë të gjithë me ato fotot e gostive të kupolës së policisë, por do të zbardhet plotësisht edhe nga një hetim që ka nisur tashmë dhe që unë pres çdo detaj për të çuar para drejtësisë të gjithë ata që kanë përgjegjësi ligjore, përfshi edhe ata që njëherë e një kohë dolën nga aneksi i errët i politikës dhe sqetullës së Saliut për të drejtuar policinë drejt skutave më të errëta të krimit dhe që sot janë futur prapë në politikë, me komitete, me kryesira e kështu me radhë. Por është më mirë t’ia lëmë hetimit”, – deklaroi Tahiri.

Ministri i Brendshëm akuzoi opozitën se me rastin në fjalë, po rreshtohet në krah me krimin, duke bërë politikë mbi një çështje që kërkon mbështetjen e policisë, tha ai.

“Kam bindjen se faktet do flasin më fortë se fjalët. U bëj thirrje publikisht atyre që janë bërë barrë e shtuar për policinë, lëreni policinë të punojë. Ndalni presionet ndaj Policisë së Shtetit dhe baltën ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit duke inkurajuar krimin. Nuk gjej asnjë arsye dhe pse mendoj atë që mendojnë të gjithë se kjo opozitë ka zgjedhur të rreshtohet në anën e krimit duke sulmuar policinë. Në Lazarat quajti bandë Policinë e Shtetit. Nuk e kuptoj si mund të ndodhë të arrish uljen e krimeve të rënda vrasjet dhe opozita të shpikë vrasje të fshehura nga policia. Kriminelët në këtë vend kanë më shumë aleatë se njëri-tjetrin në politikë, polici e shumë e shumë të tjerë”, – u shpreh Tahiri. Edhe pse nuk përmendi emra konkretë nga opozita, ministri i Brendshëm replikoi edhe mbi deklaratat që ka bërë pak ditë më parë kreu i PD-së, Lulzim Basha, për zbardhjen e identitetit të dëshmitarit kyç në çështjen “Frroku”. “Pandëshkueshmëria është aleati më i madh i krimit. Është për këtë arsye që i pandëshkuari më i madh i akuzuar për vjedhjen e mijëra dollarëve në rrugën Durrës – Kukës sot bëhet aleat i krimit. Ky i pandëshkueshmi më i madh është një nga ata që pret ditën për të ardhur në pushtet, ndaj i duan gjyqtarët si Gjin Gjoni për t’i përdorur si në rastin e Ristanit. Lëreni policinë të punojë”, – deklaroi Tahiri nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë.

 

“Dëshmitari”/ Reagon PD: Rama e Tahiri thelluan skandalin, të dhënat dolën nga zyra e tyre

Pas deklaratës që ministri i Brendshëm bëri në sallën e Kuvendit për publikimin e identitetit të dëshmitarit kyç në procesin për vrasjen e komisarit të policisë, Partia Demokratike reagoi me anë të deputetit Arben Ristani, duke thënë se Edi Rama e thelloi skandalin, duke sulmuar opozitën me anë të ministrit të tij. Sipas deputetit Ristani, identiteti i dëshmitarit të drejtësisë doli nga zyrat e tij dhe ishte peshqesh për aleancat kriminale që ka ndërtuar Edi Rama në Kuvend.

“Publikimi i emrit, mbiemrit dhe portretit të dëshmitarit është një skandal i paprecedentë dhe është një krim, para të cilit Kryeministri dhe ministri i Brendshëm duhet të mbajnë përgjegjësi jo vetëm morale, por ligjore në radhë të parë. Edi Rama ia dorëzoi mafias dëshmitarin e drejtësisë me duart e tij, për interesat e tij politike, dhe sot del e sulmon opozitën. Lëreni të qetë policinë të punojë, mos hidhni baltë mbi policinë, thotë ministri i Ramës, që në rastin konkret do të thotë “na lini rehat kur bashkëpunojmë me krimin, mos na i bëni publike të palarat”. Kjo është shumë e rëndë, ia dorëzojnë dëshmitarin e drejtësisë krimit dhe kërkojnë nga opozita që të mbyllë gojën, por hiqeni nga mendja, asnjë marifet, nuk do ta shpëtojë as Edi Ramën, as Saimir Tahirin, nga kjo përfshirje dhe shërbim kriminal që po i bëjnë mafias që është sot aleatja e tyre kryesore në pushtet”, – deklaroi Arben Ristani.

 

“Zbulimi i identitetit”, Berisha: Në Shqipëri krimi është qeveri

 Ish-kryeministri Sali Berisha, nëpërmjet një statusi në rrjetin social “Facebook”, ka akuzuar kreun e qeverisë, Edi Rama, si përgjegjësin kryesor të situatës së kriminalitetit në vend. Duke u ndalur tek zbulimi i identitetit të dëshmitarit kyç, në gjyqin ndaj vrasjes së komisarit Dritan Lamaj, Berisha bën sërish përgjegjës Ramën. Sipas tij, ‘Rama është vetë koka e krimit sepse më dt 15 shtator mediat dhe policia njoftojnë se dëshmitarit të mbrojtur nga policia i kanë vendosur tritol nën sediljen e makinës. Burime nga policia më njoftuan se vendi i vendosjes dhe sasia e tritolit ishin të njëjta me vendvendosjen dhe tritolin në të ndenjurat e Besnik Dervishit. Të nesërmen, policia, ndonëse e kishte njoftuar një ditë më parë, vendosjen e tritolit mori urdhër ta mohonte këtë ngjarje dhe mediave iu bënë kërcënime dhe presion nga qeveria që lajmin të mos e transmetonin. – Me urdhër nga lart, në shkelje të të gjitha ligjeve, policia dekonspiroi emrin e vërtetë të dëshmitarit dhe bëri publike foton e tij, gjë që nuk ka ndodhur kurrë më parë. – Rama është koka e krimit sepse para pak ditësh, dëshmitarit të cilin policia e kishte strehuar në një banesë të fshehtë, sipas mediave i shkuan për vizitë i ati i Frrokut me dy të tjerë me një mesazh të prerë: “Mbylle gojën ose kokën”. Më tej lideri historik i demokratëve apelon se qytetarët duhet të ngrihen dhe të protestojnë ndaj asaj që ai e quan, aleanca e kriminalitetit. “Ky është vetëm njëri nga rastet e shumta që dëshmon se në Shqipëri krimi është Kryeministër, kryetar parlamenti e qeverie dhe vendi protektorat krimi. I bëj thirrje prokurorisë së shtetit të nisë urgjent hetimin për të gjitha këto akte që zëvendësojnë ligjin dhe shtetin ligjor me krimin dhe sundimin e tij dhe ti garantojë me çdo kusht mbrojtje dëshmitarit të vetëm në procesin e ekzekutimit të komisarit Lame. Është shumë e qartë që, në zbatim të marrëveshjes së 29 korrikut, Rama dhe falangat e tij duan ta eliminojnë atë fizikisht. Ftoj qytetarët të ngrihen kundër aleancës së kriminelëve sepse revolta popullore e të gjithë qytetarëve që nuk duan të qeverisen nga krimi është jetike për fatin e tyre dhe të vendit!”

Share it :