Kur opozitën ta bën Merkel

Nga Basir Çollaku

Nga Basir ÇollakuGjermania është Merkel. Pesha dhe forca e saj janë emblemë dhe markë njëherësh në Evropën e luhatur sa nga ekonomia, aq dhe bashkimi i ngadaltë. Erdha, pashë, bëni reformat dhe do të fitoni, mund të ishte konkluzioni i Merkelit në 240 minuta shqiptare. Euforia e paravizitës u mbyll me porositë e çdo takimi dhe batutat me partizanë e gjermanë të KM Rama më shumë veshën stofin e barcaletave se tendencën e një rrëshqitjeje leksikore lider matanë vendit. Në një mënyrë të hollë, Merkel në këtë vizitë në Tiranë ishte opozita shqiptare për disa probleme thelbësore. Krimi i organizuar, reforma në drejtësi, korrupsioni si një nga tërheqjet e përsëritura të vëmendjes, thanë fort atë çka nuk është bërë në Shqipëri. Rruga për në BE, mesazhoi Kancelarja, ka në shtratin e vet ndarjen me krimin dhe të shkuarën. Kriminelë në Kuvend dhe kryetarë bashkish janë sinonimi i vërejtjes thelbësore të Merkelit duke qartësuar dilemat se kjo mund të kapërcehet lehtë e me një sy të mbyllur. Merkel në asnjë rast nuk uroi KM-në apo mazhorancën për fitoren e 21 qershorit. Sepse, ajo kishte ardhur për të gjithë shqiptarët dhe jo thjesht për qeveritarët. Një deklaratë tjetër e shpeshtë ishte ajo e krijimit të hapësirës ligjore për biznesin. Jo ryshfet, jo para për të bërë punën siç akuzonte kompania gjermane pak javë më parë. Larg duart nga xhepat e biznesit dhe të qytetarëve reflektonte veshtërheqjen fjalia e Kancelares dhe kjo në takimin me bizneset. Binte në sy ndoshta për arsye axhende apo mospërputhjeje takimesh mungesa e kreut të Parlamentit Ilir Meta. Kjo, mbase jo për hir të thashethemeve të debateve në seanca plenare. Një tjetër xhelozi bashkëkryetarësh me hije pushtetesh e dyshimesh në mes. Në takimin me biznesin merrte pjesë kreu i opozitës, Lulzim Basha. Kjo, për të shuar dalldinë e nacionalistëve ekstremë të mendimit se Merkel ka zgjedhur partner politik jashtë spektrit të saj. Një lajthitje mediatike e konsumuar shpesh, por e sfumuar në pak çaste. Dhe një tjetër fshikull, eksodi i mijëra shqiptarëve. Nuk mund të mbahen dy kunguj nën sqetull. Edhe të hyjmë në BE, edhe të kërkojmë azil në Gjermani. Ndaj ndani, o njërën, o tjetrën. Rregullat janë të qarta. Në BE shkohet pa krim, pa korrupsion, pa eksod. Të tjerat janë shteg ku standardet nuk preken as bëhet kompromis me to. Ra në sy servilizmi mediatik. Jo për faj të gazetarëve, absolutisht. Ata janë profesionistë dhe faji shkon tutje. Pyetën dy mediat kombëtare, siç kanë qejf gjithnjë qeveritë. Kushti i Ramës për të rrokur detajet ishte dukshëm i pranishëm. Mungoi pyetja për zgjedhjet. Munguan shumë pyetje. Por Merkel me fjalën e saj nuk la shumë vend për pyetje të gjata. Ajo tha do të shihemi prapë, e deri atëherë ne duhet të tregohemi gjermanë në përmbushje detyrimesh, nëse duam të jemi në BE. Në të kundërt, varka do të na jetë mbushur me ujë…

Share it :