Kur armët heshtën: Paqja e Krishtlindjeve e vitit 1914

99 vjet më parë, ushtarët gjermanë, britanikë, belgë dhe francezë ndodheshin në llogore përballë njëri-tjetrit. Pastaj ndodh një mrekulli e vogël: armiqtë ulin spontanisht armët e tyre. Një mesazh edhe për kohën tonë.

 

24 dhjetor fotoja e luftes krishtlindjeNjë ushtar gjerman del nga errësira. Një rreze drite bie mbi të. Ai nis dhe tregon: “Pas darkës ne festuam Krishtlindjet. Në tryezë kishim mollë, arra, degë bredhi me shirita shumëngjyrësh. Ne këndonim këngën: Natë e qetë, natë e shenjtë… (Stille Nacht)”. Gjermani fillon intonimin e këngës së krishtlindjeve. Një ushtar britanik i bashkëngjitet atij me një “Silent night”, ndërsa një francez dhe një belg me: “Douce nuit”.

Një ndjenjë e veçantë në Muzeun Flanders Fields në Ypern: në monitorët e mëdhenj shfaqen aktorët që kanë riprodhuar mrekullinë e Krishtlindjeve të vitit 1914 me citate origjinale të ushtarëve atëherë të armiqësuar. Në Ypern – qytetin belg të Flandrisë Perëndimore, i cili u bë sinonim i tmerreve të Luftës së Parë Botërore, qytet i cili ndoshta origjinën e vet e ka në paqen e Krishtlindjeve të vitit 1914.

 

 

“Për Krishtlindje ne jemi përsëri në shtëpi”

Më se të sigurtë për fitoren e tyre, gjermanët disa muaj më parë ishin nisur për në luftë. Ata kishin planifikuar një konflikt të shkurtër të armatosur. Për krishtlindje ata donin të ishin përsëri pranë më të dashurve në shtëpi. Por marshimi për në Paris kishte ngecur në Belgjikë dhe në Francën veriore. Trupat e armiqësuara filluan në fund të vitit 1914 të gërmojnë dhe të krijojnë një rrjet të gjerë të llogoreve. Ndonjëherë vijat e armikut ishin vetëm pak metra larg – me fjalë të tjera aq larg sa mund të dëgjonin njëri-tjetrin.

Pastaj ndodh një mrekulli e vogël. Siç e përshkruan një ushtar gjerman: “Më në fund një ushtar anglez doli nga llogorja duke mbajtur të dyja duart lart. Në njërën dorë mbante cigare angleze dhe duhan. Ushtari anglez erdhi deri tek ushtarët tanë dhe u uroi atyre “Gëzuar Krishtlindjet!” Ai u zgjati dorën ushtarëve tanë të cilët i kthyen përshëndetjen përzemërsisht. “Gëzuar Krishtlindjet, Jerry!” (Kështu i quanin britanikët ushtarët gjermanë, anasjelltas britanikët quheshin ‘Tommy’)”. Pastaj ne ndezëm qirinj përgjatë llogoreve të gjata me kilometra. Ishte një ndriçim i tillë festiv sa që britanikët filluan të shprehnin gëzimin e tyre me thirrje dhe duartrokitje. Njerëzit tanë filluan pastaj të mbledhin kufomat e britanikëve dhe gjermanëve të rënë”.

“Çfarë dite”, – përshkruan ushtari britanik. “Ne po pinim nga rakia e tyre, nga rumi ynë. Ne filluam për të ngrënë së bashku, po i tregonim njëri-tjetrit fotografitë e familjeve tona, po qeshnim së bashku”. Dhe papritur dikush gjuan një top futbolli. Në mes të llogorove, me portat e ngritura me kapelat ushtarake fillon loja. Se loja ka mbaruar me rezultat 3:2 në favor të gjermanëve nuk është ndoshta më shumë se një legjendë. Por për dallim të rezultatit i sigurt me sa duket është vendi ku është zhvilluar ndeshja e improvizuar në Wulverghem rreth 15 kilometra në jug të Ypern-it. Në fund të vitit 1914, me rastin e 100 vjetorit të kësaj ngjarje, atje do të ngrihet një memorial dhe do të mbahet një turne ndërkombëtar i futbollit për të rinjtë.

 

 

Vetëm një pushim i shkurtër

Më 24 dhjetor të vitit 1942, ushtarët gjermanë në Stalingrad me siguri që nuk e kishin mendjen të futbolli. Sepse atë ditë pjesëtarët e Ushtrisë VI filluan të kuptonin se Stalingradi është kthyer në një varr masiv. Një ditë më parë kishte dështuar përpjekja e Vehrmahtit për t’i çliruar ushtarët gjermanë nga rrethimi i ushtrisë sovjetike. Megjithatë në mbrëmjen e Krishtlindjeve pushuan armët në shumë pjesë të frontit përreth qytetit. Beteja për qytetin e emëruar me emrin e diktatorit sovjetik Stalin duhet të hyjë në histori si fillimi i fundit të të ashtuquajturit “Rajhu i Tretë”.

Gjithashtu edhe paqja e vitit 1914 nuk zgjati shumë: në shumicën e vendeve më 26 dhjetor vazhduan luftimet, në vende të tjera armëpushimi zgjati deri për Vitin e Ri. Po ashtu është e paqartë se sa ushtarë ulën armët në mënyrë spontane: a ishin disa mijëra apo më shumë? Sidoqoftë, pjesëmarrësit e paqes së Krishtlindjeve nuk u ndëshkuan. Por në vitet pasuese më nuk u përsëritën ngjarjet e 24 dhjetorit të vitit 1914: për shkak se komandantët kishin kërcënuar ushtarët me procese ushtarake në rast të vëllazërimit me armikun dhe për shkak të rritjes së armiqësisë mes palëve në konflikt.

“E bukura e ngjarjes së vitit 1914 është sot se ushtarët e kombeve të cilat në Luftën I Botërore qëndronin të armiqësuar në llogore përballë njëri-tjetrit, tani së bashku – krah për krah – ndodhen në misione të ndryshme në botë”, – thotë Thomas Kolatzki nga komanda udhëheqëse e Bundeswehrit gjerman përgjegjëse për Afganistan. 3100 ushtarë gjermanë janë atje pjesë e kontigjentit të Trupës Ndërkombëtare Mbrojtëse për Afganistanin, ISAF. Shumica e tyre janë të stacionuar në Mazar-i-Sharif në veri të vendit.

 

 

Bullgarët dhe rumunët, me valixhe gati!

A po përgatiten rumunët dhe bullgarët për emigracion të gjerë në Evropën Perëndimore? Nga 1 janari 2014 rumunët dhe bullgarët mund të punojnë pa kufizime në shtete të tjera të BE-së, por pjesa më e madhe e emigracionit nga këto vende tashmë është kryer, mendojnë ekspertët.

Nicu, me shumë dëshirë, do të kishte qëndruar në atdheun e tij, Rumani. 25 vjet me radhë ai ka punuar si elektricist për një kompani të madhe energjetike në perëndim të vendit, një ish ndërmarrje shtetërore, blerë më pas nga investues të huaj. Gjatë viteve të fundit shumë kolegë të tij e kanë humbur punën. 45-vjeçari fillimisht e ruajti vendin e punës. “Por për shkak të shkurtimit të personelit më është dashur të bëj edhe turne të dyfishta. Lodhesha aq shumë, sa dy herë më janë mbyllur sytë në timon”, – thotë Nicu, i cili nuk dëshiron të thotë mbiemrin. Në fund edhe ai e humbi punën.

Për të gjetur një punë të re në sektorin privat, ose për një aktivitet privat, i duhet të kryejë një kurs kualifikimi, megjithëse bëhet fjalë për një fushë, në të cilën ka punuar më shumë se dy dekada. 1000 euro kushton kursi dhe Nicu i papunë duhet ta paguajë nga xhepi i tij. Kjo shumë është sa dy paga mesatare mujore në Rumani. “Dhe unë nuk e di si do vazhdoj të financoj studimet e vajzës”, – thotë elektricisti. Për këtë arsye ai mendon që në 2014-ën të kërkojë një punë në perëndim të Evropës, p.sh. në ndërtim ose bujqësi. Megjithatë nuk është i sigurt, nëse do të guxojë ta ndërmarrë këtë hap: “Rreziku i shfrytëzimit si punëtor nga Evropa Juglindore është i madh jashtë vendit”. Me gjithë lëvizjen e lirë të punëmarrësve në BE, që prej 1 janarit 2014 do të vlejë edhe për rumunët dhe bullgarët, “njerëzit në Rumani dhe Bullgari nuk kanë bërë gati valixhet”, – mendon Sven-Joachim Irmer, drejtor i zyrës me jashtë të fondacionit “Konrad Adenauer” në Rumani dhe Republikën e Moldavisë. Është më se normale, që qytetarët e BE-së të kërkojnë punë, apo vende studimi në shtete të tjera të Unionit. “Vala e imigrantëve”, për të cilën paralajmërojnë shumë medie në Evropën Perëndimore, nuk do të ndodhë.

Rumania dhe Bullgaria janë anëtare të BE-së që nga vitit 2007. Qysh para 2014-ës qytetarët e këtyre vendeve mund të punonin legalisht në Gjermani, nëse kërkonin një leje pune në Zyrën Federale të Punësimit. Njerëz me kualifikim të lartë, të cilët punojnë në profilin e tyre, familjet e tyre dhe ata, që kryenin kualifikim profesional, ishin të çliruar nga ky rregull dhe mund të punojnë pa kufizim në Gjermani. Pra ndryshimet, që hyjnë në fuqi nga 1 janari 2014, prekin para së gjithash punonjësit e pakualifikuar nga Rumania dhe Bullgaria, të cilët deri tani mund të punojnë vetëm 6 muaj në vit si fuqi punëtore sezonale dhe që tani mund të kërkojnë edhe punë afatgjata. Veç kësaj kufizimet ligjore në praktikë nuk kanë thuajse asnjë ndikim në valën e imigracionit, mendon Victoria Stoiciu, menaxhere programi në fondacionin “Friedrich Ebert” në Rumani, që ndër të tjera hulumton rreth migracionit të punës. “Këto kufizime madje e favorizojnë migracionin e paligjshëm”. Shifra të sakta për numrin e rumunëve, që planifikojnë të emigrojnë në shtetet perëndimore të BE-së pas 1 janarit 2014, nuk ka. Aktualisht sipas një studimi rreth 3 milionë rumunë jetojnë jashtë vendit. Në Bullgari instituti “Afis” pak kohë më parë kreu një anketim, në të cilin pyeste qytetarët për planet e tyre potenciale për të emigruar. Rezultati: rreth 17 për qind e bullgarëve mendojnë të largohen nga vendi duke filluar nga viti i ardhshëm dhe të kërkojnë një punë në një shtet tjetër të BE-së. Por ky nuk është një fenomen i ri: që në 2008-ën sipas sondazheve një e pesta e bullgarëve kishte ndër mend të emigronte.

 

Punëtorë sezonalë nga të dy vendet kanë të drejtë të punojnë më së shumti 6 muaj në Gjermani

Dieter Emmer, i cili drejton filialin bullgar të sipërmarrjes gjermane Grammer, pret që para së gjithash teknikët dhe inxhinierët nga Bullgaria të kenë shanse shumë të mira në tregun gjerman të punës: “Gjermania po del nga recesioni dhe ka nevojë urgjente për këtë lloj fuqi punëtore”. Përvoja e bullgarëve në Gjermani “do të jetë më vonë shumë e vlefshme në industrinë bullgare”, – thotë Emmert. “Pyetja është, se si mund të rikthehen në Bullgari këta njerëz?”

Me këtë pyetje merret Mila Natudova. Pas një praktike menaxhimi në SHBA ajo punon për shoqatën e bullgarëve të arsimuar jashtë vendit. Të rinjtë bullgarë, që përfundojnë studimet jashtë, me kthimin në atdhe zhgënjehen nga burokracia, mundësitë e kufizuara për karrierë dhe pagat e ulëta, thotë Natudova. Kjo duhet të ndryshojë, në mënyrë që Bullgaria të bëhet tërheqëse për njerëz me kualifikim të lartë. “Megjithatë, sipas anketimeve tona gjithnjë e më shumë bullgarë janë të gatshëm të kthehen në atdhe pas një studimi jashtë”, – thotë Natudova.

 

 

 

Share it :