Kullat “zaptojnë” Shqipërinë, 16 projekte mbi 15 kate marrin leje në KKTU

Kullat “zaptojnë” Shqipërinë, 16 projekte mbi 15 kate marrin leje në KKTU

Të paktën 16 leje që kanë kaluar në Këshillin Kombëtar të Territorit dhe Ujit në mbledhjen e datës 17 korrik parashikojnë projekte ndërtimi me lartësi 15 kate e më shumë, ku pjesa më e madhe janë të përqendruara në Tiranë, ndërsa një pjesë tjetër lidhet me zonat bregdetare.

Vendimet janë për leje zhvillimi, ndërtimi apo rishikim të atyre ekzistuese dhe përfshijnë godina rezidenciale, struktura shërbimi, hotele dhe komplekse me funksione të kombinuara. Në listën e miratuar dominojnë ndërtesat shumëkatëshe në kryeqytet, ku përfshihen disa prej projekteve me lartësinë më të madhe.

Ndër projektet më të larta është Garda Tower, me 43 kate mbi tokë për të cilën është kërkuar rishikim i kushteve gjatë ndërtimit , ndërsa M-21 parashikon një godinë shërbimi dhe banimi me 26 kate mbi tokë.

Në Tiranë janë miratuar gjithashtu Elite Tower me struktura deri në 24 kate, Vertical Village me deri në 23 kate, si dhe projekte të tjera rezidenciale dhe shërbimi me 15 deri në 19 kate.

Në listën e projekteve të reja përfshihet edhe zhvillimi i Rijetëzimit të Stadiumit “Selman Stermasi”, ku parashikohen dy struktura të veçanta: një strukturë shërbimi dhe hoteleri me 23 kate dhe një strukturë shërbimi e banimi me 25 kate. Ky projekt është pjesë e nismës që ka nisur qeveria përmes Korporatës Shqiptare të Investimit

Përveç Tiranës, disa prej projekteve me lartësi të konsiderueshme janë të përqendruara në zonat bregdetare.

Në Durrës është miratuar një kompleks rezidencial dhe shërbimesh me 20-21 kate, ndërsa në Vlorë janë dhënë leje për objekte me deri në 16 kate. Në zonën e Shëngjinit është miratuar gjithashtu projekti “Duna”, një godinë shërbimi dhe banimi me 1-15 kate mbi tokë.

Krahas projekteve të ndërtesave shumëkatëshe, në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit janë shqyrtuar dhe miratuar edhe një sërë lejesh për investime në infrastrukturë dhe energji.

Në sektorin energjetik janë përfshirë disa projekte për prodhim të energjisë elektrike, përfshirë hidrocentrale dhe impiante fotovoltaike me kapacitete të ndryshme që shkojnë deri në dhjetëra megavat.

Projektet(leje ndertimi/ zhvillimi ose rishikim i kushteve te ndertimit)
Rijetëzimi i Stadiumit Selman Stërmasi – Tiranë
Strukturë shërbimi, hoteleri 23 kate dhe 20 kate mbi tokë
Strukturë shërbimi, banimi 25 kate dhe 21 kate mbi tokë
Godinë shërbimi dhe banimi – Invest Society – Tiranë
1-15 kate mbi tokë, me 4 kate parkim nëntokë
Godinë banimi, shërbimi dhe hoteleri – Elbavo – Tiranë
3-14-17-19 kate
Vertical Village – Tiranë
Objekt banimi dhe shërbimesh 8-23 kate mbi tokë
Uzina Residence – Tiranë
Rezidencë 16 kate mbi tokë
Elite Tower – Tiranë
Godinë banimi dhe shërbimi me 16 dhe 24 kate mbi tokë
Kompleks rezidencial dhe shërbime – Durrës
6-7 dhe 20-21 kate mbi tokë
Scarlet Tower – Tiranë
Strukturë me funksione komplekse, shërbim dhe rezidencial me 12, 13, 14, 15 kate mbi tokë
Vertical Community – Tiranë
Objekt rezidencial dhe shërbime me 12, 15, 17, 18 kate mbi tokë
M-21 – Tiranë
Objekt shërbimi dhe banimi 26 kate mbi tokë
Garda Tower – Tiranë
Objekt banimi, hoteleri dhe shërbime 43 kate mbi tokë
Godinë banimi dhe shërbime – Vlorë
1-16 kate mbi tokë
Objekt banimi dhe shërbimi – Tiranë
10, 12, 14, 15 dhe 16 kate mbi tokë
Godina banimi dhe shërbimi – Kamëz
13 dhe 16 kate mbi tokë
The Wave – (Spille)Rrogozhinë
Apart-Hotel 15 kate mbi tokë me 2 kate nëntokë
Duna – Shëngjin, Lezhë
Godinë shërbimi, banimi 1-15 kate mbi tokë me 2 kate nëntokë
/Monitor

Share it :