Kryeparlamentari grek/ Meimarakis: Marrja e statusit në qershor, sfidë edhe për Greqinë. Rasti i Karelit do marrë drejtësi

Gëzim Saliu

Nishani: BE destinacioni i vetëm i yni, përshëndesim hapat e Greqisë në lidhje me Kosovën

Evangelos_Meimarakis_dielli.al_Kryeparlamentari grek Vangelis Meimarakis  deklaron se marrja e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë në qershor, bazuar në rekomandimin pozitiv të Komisionit Evropian, një sfidë prioritare edhe për Presidencën Greke. I gjendur në Shqipëri, në kuadër  të pjesëmarrjes në punimet e Konferencës së XII-të të Kryetarëve të Parlamenteve të vendeve anëtare të Nismës Adriatiko-Joniane, kreu i parlamentit të Greqisë bëri të ditur se ashtu siç vendi i tij ndihmoi Shqipëria të anëtarësohet në NATO, do të bëjë ç’është e mundur që ajo të bëhet kandidate për në BE në qershor të këtij viti.

 

Takimi me Nishanin

Në takimin me kryetarin e Parlamentit të Republikës greke, Vangelis Meimarakis, Presidenti i Nishani deklaroi se Bashkimi Evropian mbetet destinacioni i vetëm për Shqipërinë . “Një objektiv strategjik që do të arrihet falë rezultateve tona dhe ndihmës së partnerëve tanë, ndër të cilët Greqia zë një vend të rëndësishëm. E konsideroj me fat faktin që Greqia mban Presidencën e Bashkimit Evropian në një moment kur ne presim me të drejtë marrjen e statusit të vendit kandidat në muajin qershor”, tha ai. Po ashtu në këtë takim, Nishani dhe Kryeparlamentari Meimarakis shkëmbyen mendime për ecurinë e situatës ekonomiko-financiare në Greqi dhe vlerësuan lart qytetarët dhe institucionet e vendit fqinj për përgjegjshmërinë dhe sakrificat në përballimin e sfidave dhe kapërcimin e situatës së rëndë. Në lidhje me episodet e rënda, ndodhur së fundi në burgjet greke, si Nishani ashtu edhe Meimarakis vunë në dukje se, : “këto incidente, sado serioze, nuk duhet dhe nuk mund të cenojnë marrëdhëniet mes vendeve dhe popujve tanë dhe shprehën besimin e plotë në trajtimin e tyre me objektivitet nga institucionet e vendit fqinj dhe se ata do të japin drejtësi”. Nga ana e tij, kreu i shtetit vlerësoi edhe hapat e ndërmarra nga Parlamenti grek dhe institucione të tjera të vendit fqinj në lidhje me qasjen ndaj Kosovës, një realitet, që po shërben sipas tij në stabilitetin dhe qetësimin e rajonit, veçanërisht pas fillimit të bisedimeve me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

 

Kryeparlamentari Meta

Në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun grek, kryeparlamentari Meta theksoi se duke nisur nga fakti se vizita po realizohej gjatë presidencës Greke të BE-së, ajo ka sipas tij edhe dimensionin saj evropian. “Ne i kemi shprehur mirënjohjen tonë të thellë që Greqia i ka dhënë dhe vazhdon ti japë mbështetjen e saj axhendës sonë evropiane. Greqia si një vend i BE përfaqëson edhe një avokat të rëndësishëm të perspektivës evropiane të rajonit tonë dhe vlerësojmë përkushtimin e saj për të përshpejtuar integrimin Europian të rajonit përfshirë këtu edhe Kosovën e cila gjithashtu e ka vendin në BE. Shqipëria dhe Greqia si dy anëtare të NATO-s kanë një përgjegjësi të veçantë për forcimin paqes sigurisë dhe stabilitetit”, tha Meta. Ndërkohë kreu i Parlamentit grek tha se vendi i tij ka treguar me vepra që e do integrimin e rajonit në BE dhe NATO, integrim që theksoi Meiramakis, do të ndihmojë në stabilitetin, sigurinë dhe zhvillimin e rajonit, në interes të qytetarëve.  “Me këtë vizitë dërgojmë një mesazh optimizmi se marrëdhëniet tona janë të shkëlqyera karakterizohen si strategjike. Një mesazh që u dërgojmë jo vetëm qytetarëve por të gjithëve që dy vendet tona duhet ë bashkëpunojnë për të mirën e zhvillimit dhe ka shumë mundësi që këtë mesazh ta japim ne”, theksoi kreu i Parlamentit grek.

 

 

Takimi me Merimarakis/ Basha: Angazhim për të zgjidhur çështjet e mbetura pezull, thellim bashkëpunimit

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha priti dje kreun e parlamentit grek Vangelis Meimarakis, në një takim ku u diskutua për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe procesin e integrimit europian të Shqipërisë, gjatë drejtimit të Presidencës së Bashkimit Europian nga Greqia. Basha vlerësoi mbështetjen e Greqisë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe për lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë në zonën Shengen, dhe shprehu mirënjohjen për këtë mbështetje si dhe urimin që gjatë presidencës greke të BE-së, Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat.  Duke u ndalur në marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve, Basha tha se është bërë progres në lënien pas të problemeve të së shkuarës dhe zgjidhjen e shumë çështjeve që kishin mbetur pezull. Në këtë kuadër, ai bëri apel për angazhim të mëtejshëm të dy vendeve e qeverive për të zgjidhur dhe çështje të tjera, si ajo e pronave të qytetarëve çamë të shpërngulur pas luftës së dytë botërore.  Po ashtu, kreu i PD-së vlerësoi vëmendjen e autoriteteve greke ndaj momenteve të veçanta siç ishte rasti fatkeq i Ilia Karelit, dhe shprehu bindjen se drejtësia e vendit fqinj do të bëjë punën e saj për zbardhjen e ngjarjes. “Ndonëse marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë të mira ka ende potenciale të pashfrytëzuara për të thelluar dhe konsoliduar më tej këto marrëdhënie, dhe se për këtë duhet të mbizotërojë vullneti i mirë politik dhe vendosmëria për të hapur një kapitulli të ri bashkëpunimi edhe më të ngushtë e të frytshëm në të gjitha fushat”, deklaroi Basha.  Më tej, duke vlerësuar përkushtimin e Greqisë ndaj perspektivës europiane të Europës Juglindore, kreu i opozitës shprehu bindjen se njohja formale e Kosovës nga shteti helen do të shërbejë për konsolidimin e proceseve integruese në Ballkanin Perëndimor.

 

Rrugët/ Haxhinasto: Teknologji moderne për verifikimin e cilësisë

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto inspektoi cilësinë e punimeve në segmentin rrugor Plepa-Kavajë-Rrogozhinë, ku tha se ka filluar një proces të vlerësimit i të gjithë punimeve me një teknologji modern. “Kështu që do të kemi një ide të qartë për gjithçka që është bërë dhe si është bërë me qëllim që kjo të na shërbej edhe për të ardhmen, për të rritur standardin dhe cilësinë e realizimit të veprave publike siç janë rrugët e Shqipërisë”, tha ai.  Duke përfituar nga kjo vizitë, Ministri edhe një herë theksoi demosdoshmërinë e vendosjes së elementeve të sigurisë dhe sinjalistikës në veprat e infrastrukturës rrugore. “Shumë shpejt këtu do të realizohe punimet që lidhen me elemente të sinjalistikës dhe të sigurisë së rrugës,” deklaroi ministry.

 

Share it :
Koncesioni i check-up/ Milva Ekonomi i dha mln € Vilma Nushit, paratë u investuan te kulla e Pak ditë më parë, emisioni “Plug” në Syri TV bëri një përmbledhje me fakte dhe dokumente konkrete të abuzimeve që janë bërë nga shteti shqiptar me koncesionet e shëndetësisë, një prej tyre edhe koncesioni i check-up, një skemë e madhe abuzimi me taksat e qytetarëve shqiptarë. Për këtë koncesion u hap një garë ku morën pjesë disa kompani me eksperiencë në fushën e kryerjes së analizave mjekësore, por fituese u shpall 3P Life Logistic e Vilma Nushit. Do të hyjmë në detaje dhe do të kuptojmë se jemi përpara një gare fiktive me fitues të paracaktuar. Së pari, kjo kompani u themelua më 9 dhjetor 2014, ndërsa kontrata koncesionare u firmos dy ditë pa u mbushur muaji, më 7 janar 2015. Ndërkohë, gara për koncesionin e check-up u shpall që në shkurt 2014. Thënë ndryshe, 11 muaj përpara se të lidhej kontrata me kompaninë që Vilma Nushi themeloi një muaj përpara se të firmoste marrjen e koncesionit prej 138 milionë eurosh. Dhe çudia më e madhe qëndron te fakti se shpallja e fituesit zyrtarisht u bë më 6 tetor 2014, dy muaj përpara se të themelohej kompania që do të fitonte kontratën koncesionare. Pas firmosjes së kontratës koncesionare në fillim të muajit janar 2015 nga Ministria e Shëndetësisë dhe kompania 3P Life Logistic, Agjencia e Prokurimit Publik refuzoi publikimin e kësaj kontrate pasi konstatoi shkelje të rënda ligjore. E para, kontrata u dërgua në APP pa numër protokolli dhe pa u firmosur nga titullari i institucionit. E dyta ishte shuma totale që shteti shqiptar do të paguante në fund të 10 viteve koncesion, si dhe mënyra e pagesës, që sipas APP-së, në formularin e dërguar nga MSH deklarohej se pagesa për check-up do të kryhej në bazë të numrit të analizave që do të kryheshin. Dhe këtu ka një mospërputhje në lidhje me vlerën totale të kontratës së nënshkruar. Konkretisht, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/23 Prot., datë 20.01.2015, në pikën 5 jepet vlera totale e kontratës 13.833.000.000 lekë. Ndërkohë, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/27 Prot., datë 10.02.2015, në paragrafin IV.4 shkruhet shprehimisht se: “Vlera reale do të jetë në varësi të numrit të kontrolleve”. Gjashtë ditë më pas, Ministria e Shëndetësisë firmos edhe njëherë formularin e njoftimit të kontratës së nënshkruar dhe më datë 19.02.2015 ministri i atëhershëm, Ilir Beqaj, i delegon kompetencën vartëses së tij, Milva Ekonomi, që të firmosë formularin e fituesit të kontratës koncesionare. Në këtë shkresë, përveç firmës dhe vulës së Ministrisë së Shëndetësisë, deleguar te Milva Ekonomi, saktësohet në pikën IV.3 se: “Vlera totale e kontratës do të jetë 13.833.000.000 lekë”, apo rreth 138 milionë euro për dhjetë vjet. Ndërsa në pikën IV.4 saktësohet: “Vlera e sipërcituar është vlera e dhjetë viteve të marra së bashku për numrin maksimal të kontrolleve për grupmoshën 40-65 vjeç. Vlera reale e kontratës do të jetë më e ulët pasi ajo do të llogaritet në varësi të numrit të kontrolleve që do të kryhen çdo vit”. Do të mjaftonte vetë ky dokument, që minimalisht sot SPAK ta kishte marrë të pandehur zv.ministren e asaj kohe, Milva Ekonomi, e cila me dashje i ka shkaktuar disa milionë euro dëm buxhetit të shtetit, pasi me firmën e saj ka kryer pagesa në kundërshtim me kushtet e parashikuara në kontratë. Por skandalet nuk mbarojnë këtu. Në pikën 3 të kontratës përcaktohet se: Kjo ndodhi për një arsye. Vilma Nushi, sipas kontratës, 20 laboratorët do të duhej t’i ndërtonte në qendrat shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe, në përfundim të koncesionit, ky investim do t’i mbetej si aset shtetit shqiptar. Gjë që nuk ndodhi asnjëherë. Sipas kontratës që shihni në ekran, nënshkruar mes kompanisë së Vilma Nushit dhe kompanisë Intermedica të deputetit të PS-së, Vasil Llajo, çmimi për një check-up te Intermedica për Vilma Nushin do të kushtonte 740 lekë me TVSH. Pra, ndërkohë që shteti do t’i paguante Vilma Nushit 1844 lekë me TVSH për kryerjen e një pakete check-up, ajo e delegoi këtë shërbim te nënkontraktori për një çmim prej 740 lekësh me TVSH. Me vetëm këtë skemë, Vilma Nushi ka përfituar për çdo analizë rreth 11 euro. Gjithçka me firmën e hedhur nga ish-zv.ministrja Milva Ekonomi. Në një përballje me gazetarin Freard Rista, zonja Ekonomi mohoi të kishte lidhje me këtë formular kontrate, pavarësisht se emri dhe firma e saj janë të zeza mbi të bardhë. Kompania e Vilma Nushit, Marketing & Distribution, e cila ka në pronësi koncesionin e check-up nëpërmjet kompanisë 3P Life Logistic, rezulton gjithashtu se ka financuar edhe kompaninë “Victoria Construction”, e cila po ndërton kullën “Ekspozita Building”. Deri këtu do të ishte diçka normale, nëse pas kësaj kulle nuk do të qëndronte një emër si ai i Ervin Matës, i arrestuar së fundmi në Brazil me kërkesë të SPAK-ut për trafik droge. Konkretisht, në vitin 2018, kompania Marketing & Distribution kalon për llogari të shoqërisë “Victoria Construction” një shumë prej 1.1 milionë eurosh. Nga të dhënat e bilanceve të kompanisë “Victoria Construction”, nuk specifikohet arsyeja pse Vilma Nushi i ka dhënë një shumë të tillë monetare kompanisë. Derdhja e parave u bë vetëm një vit përpara se të firmosej leja e ndërtimit për kullën “Ekspozita Building”. Pra, në vitin 2018 Vilma Nushi paguan këstin e parë të parave për llogari të kompanisë së Luan Matës, ndërsa në vitin 2019, me firmë të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, u miratua edhe leja e zhvillimit. Kujtojmë se pikërisht në vitin 2018, kur Vilma Nushi ka deklaruar se ka futur për investim 1.1 miliardë lekë në kullën e Ervin Matës, ka marrë edhe dividendin e parë nga kompania e check-up, në vlerën e rreth 1.2 miliardë lekëve, përafërsisht sa shuma që futi te kulla e Ervin Matës. Edhe për këtë gjë, zonja Ekonomi u pyet nëse ndjen ndopak përgjegjësi morale që me firmat e saj pasuron privatin, i cili më pas këto lekë të fituara nga taksapaguesit shqiptarë i investon tek personazhe me rekorde kriminale, por nuk ktheu përgjigje, duke kyçur gojën dhe nxituar këmbët për të votuar. /Piranjat news