Kryeministri kundër udhëzimit të Ministrisë/ “Furgonët”, Rama: Ja tri zgjidhjet

Florenc Drizari

 

Kryeministri: 1- Do të ndalohen mjetet pa licencë. 2- Vajtja plot dhe kthimi bosh.  3- Shoferët do të bëjnë zgjedhjen për përdorimin taksi apo shërbim ndërurban

 

Rama-ne-Kuvend1 (1)Ngërçi i krijuar me qarkullimin apo jo të furgonëve jashtë qyteteve ku ata janë licencuar është shoqëruar me debate edhe në punimet e djeshme të seancës plenare në Kuvendin e Shqipërisë. Deputetët e opozitës kërkuan tërheqjen e qeverisë nga masat për të ndaluar ushtrimin e këtij shërbimi në vend, duke vënë theksin se mijëra përdorues të këtyre mjeteve do të mbeten pa punë, ndërsa krerët e mazhorancës akuzuan të djathtët për gjendjen e vështirë që lanë në shërbimin e transportit të njerëzve. Kryeministri Edi Rama tha dje se shërbimi urban do të ridimensionohet, duke folur për tri kushte për shoferët e furgonëve. Rama dha se nuk është e drejtë që të abuzohet nga mazhoranca me deklaratat se po bllokohen edhe ata shoferë furgonësh që janë të pajisur me licencë. “Është shumë skandaloze që ju i drejtoheni atij grupi duke i gënjyer, sepse askush nuk ka dhënë urdhër dhe as ka ndaluar dhe as ka ndërmend të ndalojë deri në momentin kur do të rindërtohet sektori, asnjë mjet të licencuar”, – theksoi Kryeministri.

Sipas Ramës, qeveria aktualisht propozon tri aspekte për këtë shërbim. E para është ndalimi i të gjitha mjeteve (furgonëve) që ushtrojnë aktivitetin e tyre pa qenë të licencuar; e dyta, sipas kreut të qeverisë, ka të bëjë me respektimin e ligjit që furgonët të shkojnë të mbushur me pasagjerë, por me kushtin që kthimin ta bëjnë bosh. Për këtë Rama mori edhe një shembull: “Furgonët e Korçës vijnë deri në Tiranë dhe sjellin pasagjerë dhe këtu ndalojnë e marrin pasagjerë. Po furgonët e Tiranës kur shkojnë në Korçë çfarë do të bëjnë, pra nuk shkojnë dot. Vajtja plot e kthimi bosh. Duke qenë se ju nuk bëtë asgjë për të vënë rend ligjor dhe gjithçka mbi transportin e bëtë monopol, sot jemi në një situatë kur forgonët kanë marrë jashtë ligjit rolin e shërbimit ndërurban dhe shërbimi normal ndërurban nuk zhvillohet. Madje, kompani të tëra autobusësh kanë falimentuar. Nuk është normale në këto kushte. Duhet të riorganizohet i gjithë ky sistem”.

Kryeministri theksoi se aspekti i tretë do të jetë ai i zgjedhjes së shoferëve të furgonëve se cilin shërbim do të kryejnë: Atyre me licencë do t’u jepet kohë që të bëjnë një zgjedhje. Në rastin kur duan të bëjnë shërbimin ndërurban taksi, jo shërbim ndërurban ndërqytetas, mbi bazën e kësaj zgjedhjeje do të përmbushin standardet. Ndërsa të tjerët do të qarkullojnë me licencë dhe standarde brenda zonës ku kanë licencën”, – tha Rama.

Qëndrimi i Kryeministrit Rama erdhi pas akuzave të opozitës ndaj qeverisë. Pas fjalës së Ramës reagoi edhe kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, i cili iu përgjigj Kryeministrit me një shprehje të Mao Ce Dunit. “Ndodh aksident me furgon, këta dalin thonë do bllokojmë furgonët. Ndodhi dje aksident me Benz, do dalin nesër të bllokojnë Benzat? Mao Ce Duni ka thënë “bajga është më e vlefshme se dogma, pasi bajga të paktën bëhet pleh”, – u shpreh Paloka. Pas këtij komenti nuk mungoi edhe reagimi i Kryeministrit Rama me shprehjen: “Burimi i citatit të Mao Ce Dunit është dikush tjetër dhe mbi këtë citat është ngritur dhe qenia e këtij që foli para meje”.

Debatet për qarkullimin e furgonëve u bënë gjatë seancës së djeshme parlamentare, ku po diskutoheshin disa projektligje në fushën e bujqësisë dhe marrëveshje tregtare, ndërkohë që shoferët e furgonëve kanë deklaruar se do të protestojnë deri në grevë urie, nëse do të bllokohet lëvizja e tyre.

 

 

Topalli: Kryeministri, fjalim shatra-patra

 Ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli reagoi pas fjalës së Kryeministrit Edi Rama dje në Kuvendin e Shqipërisë, duke e quajtur qëndrimin e tij sikur të ishte në opozitë e jo në krye të ekzekutivit. Lidhur me protestën e shoferëve të furgonëve, Topalli i tha Ramës se ata do të jenë në protestën që pritet të organizojë opozita në datën 20 shkurt, e ndërsa e quajti qëndrimin e tij për këtë çështje një fjalim “shatra-patra”.

“Një Kryeministër që foli shatra-patra më shumë se 30 minuta, vetëm këtu kam parë. Më bën përshtypje më shumë dhe s’e di në ka vend tjetër ku ministri i Brendshëm flet për transportin dhe Kryeministri për inovacionin e udhëtarëve”, – thotë ajo. Një reagim për këtë çështje u bë edhe nga deputeti i PD-së, Gert Bogdani, i cili tha se Kryeministri Rama nuk foli për rendin e ditës dhe se shqetësimi i shoferëve të fugonëve pret zgjidhje nga qeveria.

 

 

DETAJ

Paketa e 11 shkurtit e ministrit Tahiri për sigurinë rrugore

– Sensibilizimi i qytetarëve (drejtuesit e mjeteve dhe këmbësorët)

Duke filluar nga sensibilizimi i qytetarëve i drejtuesve të mjeteve, duke vazhduar me edukimin, dhe edukimin e konceptojmë shumëdimensional nga fëmijët në shkolla deri në edukimin e kandidatëve për drejtuar një mjet.

– Drafti ligjor: 10 ditë burg për shoferin e dehur

Ndryshim i nenit 291 të Kodit Penal, duke përcaktuar si masë minimale të dënimit të drejtuesve të mjeteve pa leje drejtimi dhe në gjendje të dehur 10 ditë heqje lirie.

– Eliminim të transportit ndërqytetës me furgon

Do të marrim masa imediate për të sanksionuar rregullat e transportit publik ndërqytetës, duke eliminuar njëherë e mirë transportin me furgon. Policia e Shtetit do të fillojë menjëherë nga puna për ndalimin e transportit të qytetarëve me furgon…

 

 

 

Votimi i ligjeve dje në Kuvend

Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Italisë, për programin “Fuqizimi i Agjencisë Shqiptare të Pagesave (AZHBR) për lëvrimin e Kontributeve në Bujqësi”. (shumicë e thjeshtë)

99 pro

Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Italisë, për realizimin e programit “Projekti pilot për krijimin dhe eksperimentimin e një sistemi sigurimesh të lehtësuara për mbulimin e rreziqeve në bujqësi”. (shumicë e thjeshtë)

101 pro

Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Italisë”

102 pro

Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së huas dhe projektit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, e operatorit të sistemit të transmetimit, SH.A., si Agjencia e zbatimit të projektit, dhe KFW FRANKFURT AM MAIN, për financimin e projektit “Linja e transmetimit 400 KV Shqipëri – Kosovë (Tiranë – Prishtinë). (shumicë e thjeshtë)

102

Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar”.

70 pro
29 kundër

Komisioni hetimor në Policinë e Shtetit

95 pro
1 kundër (Dashamir Peza)

 

 

 

Tahiri: Të premten nisin bisedimet me përfaqësues të transportit

 Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, bëri të ditur se duke filluar nga dita e premte do të nisin bisedimet me përfaqësues të ligjshëm të transportit ndërurban, për të ndërtuar modelin e transportit ndërqytetës, që, siç tha ai, do të garantojë sigurinë e udhëtarëve dhe standarde moderne. “Bëhet fjalë për një transport që nuk ofron asnjë kusht sigurie. E parashikon ligji, pavarësisht se ju dështuat ta zbatonit ligjin. Ne po ecim me masa të planizuara për të ndërtuar një model të ri të transportit ndërqytetës. Po ndalojmë mjetet që zhvillojnë shërbim transport të licencuar”, – deklaroi ministri Tahiri.

 

 

Kuvendi miraton 15 emrat e komisionit hetimor në Policinë e Shtetit

 

Kuvendi miratoi dje me 95 vota pro dhe 1 kundër edhe përbërjen e komisionit hetimor për kontrollimin e zbatimit të legjislacionit në fuqi gjatë procesit të lëvizjeve të burimeve njerëzore të Policisë së Shtetit. Sipas vendimit të miratuar në seancën e kaluar plenare, do të jenë 15 deputetë në përbërje të këtij komisioni në raporte përfaqësimi 8 nga mazhoranca dhe 7 nga opozita. Gjatë votimit në Kuvend, deputeti socialist Dashamir Peza votoi kundër emrave të komisionit. Më herët PD kishte bërë publikë emrat e 7 anëtarëve të saj, bashkë me kryetarin Arben Ristani, ndërkohë që risi ishin 8 anëtarët e komisionit nga Partia Socialiste, bashkë me nënkryetarin Taulant Balla. Gjatë votimit të javës së shkuar të komisionit për hetim parlamentar në Policinë e Shtetit, Partia Socialiste kërkoi kohë për të propozuar tetë anëtarët e saj në këtë komision.

PD
Kryetar, Arben Ristani
Eduart Halimi
Oerd Bylykbashi
Gent Strazimiri
Flamur Noka
Ylli Shehu
Dashamir Tahiri (PDIU)

PS
Nënkryetar, Taulant Balla
Pirro Lutaj
Ermonela Felaj
Blendi Klosi
Pjerin Ndreu
Paulin Sterkaj
Xhemal Qefalia
Gjovalin Kadeli

 

 

Share it :