Gëzim Saliu
Ambasadori gjerman: Administrata nuk është pronë apo vegël politike, duhen standarde
Hoffmann: Mbështesim Shqipërinë në rrugën e integrimit, palët të ndryshojnë sjellje
Gjermania këshillon që mazhoranca qeverisëse të mos kritikojë Këshillin e Ministrave të BE-së për vendimin e statusit kandidat, pasi, sipas saj, me rëndësi parësore në këtë proces është bashkëpunimi mes palëve politike. Kryediplomati gjerman në vend, Hellmut Hoffmann, kritikoi dje qëndrimet e qeverisë lidhur me këtë proces, duke kërkuar në të njëjtën kohë kujdes të veçantë në reformën në administratë. Po ashtu, ai kërkoi edhe ndryshimin e sjelljes nga ana e opozitës, e cila, sipas tij, nuk duhet të kundërshtojë çdo vendim të ekzekutivit. “Këshilla ime është, të mos ecni në rrugën e kritikave ndaj KiE-së. Mos thoni BE ishte kundër për të na dhënë statusin. E vërteta është më e thjeshtë, unë njoh njerëz që nuk iu duk e vështirë apo e pabesueshme kur u thuhet që Bashkimi Europian donte të shihte sjelljen e opozitës dhe qeverisë së re. Nuk më pëlqejnë sjelljet e fundit politike, opozita dhe qeveria duhet të ndryshojnë sjellje. Opozitë e fortë nuk do të thotë të thuash jo ndaj gjithçkaje që bën qeveria, por edhe qeveria duhet të ndalojë së praktikuari të njëjtat gabime të së shkuarës dhe të trajtojë administratën publike sipas standardeve evropiane dhe jo si vegël politike”, – tha Hoffmann.
Reagimi
I pranishëm në veprimtarinë e organizuar nga Instituti i Studimeve Ndërkombëtare, me temë “Perspektiva gjermane në zgjerimin e BE-së”, ambasadori Hoffmann theksoi se duhet të ndërmerren reforma të rëndësishme, të cilat duhet të jenë bindëse për Bashkimin Evropian. Sipas ambasadorit gjerman, që qershori të jetë një sukses për integrimin e Shqipërisë, ka një mundësi, dialog konstruktiv mes palëve. “Ekziston një shprehje: “Duhen dy vetë për të luajtur tango”, prandaj duhet bashkëpunim mazhorancë-opozitë, në mënyrë që të prezantohen reforma të shëndetshme dhe bindëse për BE-në. Ne nuk presim që Shqipëria të fitojë luftën ndaj krimit dhe korrupsionit, ky është një projekt më afatgjatë. Marrja e statusit është vetëm një hap në serinë e gjatë të hapave, mendoj se gjërat janë zhvilluar dhe Shqipëria mund ta bëjë këtë hap”, – tha ai. Në këtë kontekst, ai bëri të ditur se Gjermania mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. “Gjermania e mbështet plotësisht Shqipërinë në rrugën drejt BE-dë. Kjo është arsyeja që Gjermania gjendet këtu me mjaft projekte, si ujërat e zeza, energjia, mjedisi etj., por kërkon edhe sundimin e ligjit, luftën ndaj korrupsionit. Qeveria ka ndërmarrë hapa të mirë, por duhet parë se si këto politika do të përkthehen në praktikë, për të marrë statusin e vendit kandidat në BE”, – pohoi kryediplomati gjerman. Nga ana tjetër, Hoffmann bëri të ditur se Gjermania është përpjekur të thellojë integrimin e BE-së dhe për të realizuar një projekt të plotë evropian, por jo të gjitha vendet kanë mundur të jenë pjesë e BE-së. “Politika e zgjerimit po sfidohet. Është e vërtetë ka një lodhje të vendeve evropiane nga kjo perspektivë. Kjo vjen pasi vendet e fundit të anëtarësuara nuk u përshtatën si duhet. Prandaj kërkesat për aplikantët e rinj janë më të mëdha. Qeverisja demokratike është çështja kryesore. Presim të ketë bashkëpunim të fortë mes institucioneve. Tjetër është lufta ndaj krimit, i cili minon qeverisjen demokratike”, – u shpreh ambasadori gjerman Hellmut Hoffmann.
Këshilltari i Helsinkit
Robert Hand: Konsolidim të institucioneve demokratike
Këshilltari i lartë politik i Komisionit amerikan të Helsinkit, Robert Hand, deklaron se tranzicioni politik ishte një hap i rëndësishëm për Shqipërinë, por jo aq sa për ta kaluar në “delir” klasën politike shqiptare. Sipas tij, duhet më shumë bashkëpunim nga palët për të çuar përpara zhvillimin e vendit. “Tranzicioni ishte shumë i rregullt dhe ky ishte një hap i rëndësishëm për Shqipërinë. Megjithatë, duhet të kuptohet se në kontekstin e përgjithshëm, ishte thjesht një hap. Një tranzicion i rregullt duhet të jetë rruga normale për një qeveri demokratike, kështu që shpresoj që si opozita ashtu edhe pala në pushtet të mos ndjehen të vetëkënaqur dhe të mendojnë se kjo mjafton. Ata duhet të bëjnë hapa përpara për të përballuar sfidat e tjera dhe të bëhen gati për integrimin në Bashkimin Evropian”, – tha ai në një intervistë për “Zërin e Amerikës”. Në këtë kontekst, Hand theksoi se gjatë vizitës së Presidentit Nishani në Uashington, ky i fundit dha një vlerësim pozitiv për situatën në Shqipëri. “Anëtarët e Kongresit vunë në dukje se partia që e emëroi atë për presidencën nuk është më në pushtet dhe ky është një zhvillim i ri për Shqipërinë, është hera e parë që ndodh një gjë e tillë dhe duke pasur parasysh historinë e vështirësive mes partisë në pushtet dhe opozitës ndër vite, ky është një shans për të parë se si mund të funksionojnë gjërat. Ne u inkurajuam që Presidenti Nishani shprehu angazhimin që ai të luajë rolin e vet që gjërat të funksionojnë dhe që të gjitha palët në Shqipëri, qofshin në qeveri ose jo, të tregojnë të njëjtin angazhim dhe të përpiqen ta çojnë vendin përpara, Shpresoj që qeveria të bëjë të njëjtën gjë në mënyrë që të shohim një konsolidim të vërtetë të institucioneve demokratike në Shqipëri. Vendi ka vërtetë nevojë për një gjë të tillë dhe unë kam shpresë që të ndodhë”, – theksoi Hand. Për Robert Hand tensionet politike mes dy partive kryesore janë të natyrshme në demokraci, por, sipas tij, duhet të ketë angazhim dhe përpjekje për të arritur kompromise për të mirën e vendit.
Deputeti i PDIU-së
Tahiri: Jo pjesë e Komisionit të Reformës pa PD-në, s’bashkohemi me mazhorancën
Deputeti i Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet, Dashamir Tahiri, bëri të ditur dje se kjo forcë politike nuk ulet në tryezën e Komisionit pa u garantuar më parë konsensusi mes Partisë Socialistë dhe Partisë Demokratike. “PDIU nuk ka marrë asnjë vendim që të shkojë vetë në Komision. Ajo gjithmonë ka bërë thirrje që me këtë të merren dy partitë e mëdha e që të arrihet konsensus. Asnjë reformë territoriale pa konsensusin e opozitës nuk do të ishte një reformë. Nuk ka kuptim që të marrë pjesë vetëm PDIU për të bërë kuorumin”, – tha Tahiri. Po ashtu, duke marrë shkas edhe nga takimi i kreut të PDIU-së Idrizi me Kryeministrin Rama e Kryeparlamentarin Meta dy ditë më parë, Tahiri mohoi të jetë diskutuar edhe një kalim i mundshëm i kësaj force politike drejt mazhorancës. “Ne nuk kemi marrë asnjë vendim që do të kalojmë në mazhorancë. Sa u përket drekave apo kafeve që zoti Idrizi konsumon, ajo është punë e zotit Idrizi. Unë po them në emër të grupit se nuk ka asnjë vendim. As ofertë s’ka, as vendim s’kemi marrë”, – u shpreh deputeti i PDIU-së.




