Kruja historike e braktisur, Kalaja: Qyteti pa ujë, me rrugë si pas lufte dhe i harruar nga qeveria
Një ceremoni përkujtimore për ditëlindjen e heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, e organizuar nga opozita në Krujë, ka shërbyer si një kambanë alarmi për gjendjen e rëndë të qytetit historik. Kreu i Partisë Demokratike në Krujë, Aulon Kalaja i ftuar në edicionin e mesditës në Syri tv me moderatorin Arnold Kariqi, ka akuzuar qeverinë për një harresë dhe braktisje totale të qytetit, duke e kthyer atë në një hije të lavdisë së dikurshme.
Sipas Kalasë, ndërsa vëmendja e qeverisë është përqendruar në qytete si Gjirokastra dhe Berati, Kruja, kryeqyteti i parë i Shqipërisë dhe një nga destinacionet më të vizituara turistike, është lënë pas dore. “Kruja mbetet qyteti më i vizituar i Shqipërisë nga turistët, por asnjë nga ministrat e qeverisë Rama nuk i ka kushtuar rëndësi,” deklaroi ai.
Problemet e listuara janë të shumta dhe dramatike. Kalaja denoncoi se qyteti, emri i të cilit vjen nga krojet, sot vuan nga mungesa e ujit të pijshëm. Infrastruktura rrugore është në gjendje të mjerueshme. “Rrugët i ka si bilanc lufte, plot me gropa,” tha ai, duke theksuar se kjo penalizon rëndë turizmin dhe jetën e përditshme të banorëve. Madje edhe stadiumi “Kastrioti”, dikur një emblemë e qytetit dhe i vlerësuar nga FIFA në vitin 2016 si një vend i mrekullueshëm, sot është kthyer në një vendgrumbullim inertesh dhe qensh endacakë.
Më tej, Kalaja foli për një proces të pandalshëm shpopullimi dhe shkatërrimi institucional. Institucione kyçe si gjykata, prokuroria dhe zyrat e hipotekës janë larguar nga qyteti. Shkollat po mbyllen, për shkak të rënies së numrit të nxënësve.
“Mesazhi im ka qenë që ne të mos ikim nga Kruja, por ta bëjmë Krujën,” përfundoi Kalaja, duke bërë thirrje për investime dhe një strategji të qartë për të ringritur qytetin historik, i cili edhe pse i rrënuar, sipas tij, “në çdo cep ka histori dhe mbetet një vend i mrekullueshëm”.
Arnold Kariqi: E nisim pak me aktivitetin e ditës së sotme në Krujë, një ceremoni përkujtimore e datëlindjes së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, pjesëmarrja e liderit të opozitës Berisha. Ndoqëm fjalën e tij, po ashtu dhe aktivistë. Aulon, përse u kthye pas kaq kohësh vëmendja tek Kruja tashmë?
Aulon Kalaja: Po, kishte kohë që nuk organizohej një aktivitet për Skënderbeun në Krujë dhe pa diskutim që Kruja është kryeqyteti i parë i Shqipërisë. Është fakt, është një qytet historik dhe unë nuk e kuptoj se si ka mundësi që asnjë nga ministrat e qeverisë Rama nuk i ka kushtuar rëndësi Krujës, por merren domethënë vetëm për Gjirokastrën dhe Beratin.
Ne i duam shumë fort këto qytete, por Kruja mbetet qyteti më i vizituar i Shqipërisë nga turistët. E parë në këtë këndvështrim, emisioni i fundit televiziv që është bërë për Krujën është në vitin e pandemisë, në 2020-ën, dhe ishte domosdoshmëri që aktiviteti i tillë i përmasave madhore, kombëtare të rikthehej në Krujë aty ku heroi kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu veproi për 25 vite me radhë duke e lënë kalanë e Krujës të pamposhtur nga asnjë hordhi turke.
Kruja ka përjetuar tre rrethime shumë të fuqishme, ndërkohë që populli heroik i Krujës, me në krye kohortën pretoriane, që ka qenë elita, me krutanët më të besuar që mbante me vete Skënderbeu, kanë ruajtur nderin e këtij qyteti.
Por, sot Kruja nuk ka ujë, megjithëse e ka marrë emrin nga krojet, pra fjala, fjala Krujë vjen nga krojet. Sot Kruja rrugët i ka si bilanc lufte.
Arnold Kariqi: Pra, kjo Krujë plot histori.
Aulon Kalaja: Nuk ka rrugë Arnold, domethënë rruga që të çon për në Krujë, nuk e di se kur ke qenë për herë të fundit, por është me gropa dhe ka trafik që në qytetin e Fushë-Krujës vazhdon rreth 40 minuta dhe i penalizon të gjithë turistët që kanë vendosur për të kaluar një fundjavë aty ose për të bërë një vizitë në kalanë e Krujës. E parë në këtë këndvështrim, prandaj ishte domosdoshmëri, ky aktivitet në qytetin e Krujës për t’i kthyer edhe njëherë projektorët e shqiptarëve drejt këtij qyteti dhe vëmendjen e qeverisë nga ana tjetër, se kërkon investime, kërkohet që në Krujë mos ketë më pisha të prera, të sëmura nga rrugë, kërkohet që në Krujë të mos mbyllen shkollat siç është mbyllur shkolla e Berberës, në qendër të Krujës, pas kalasë së Krujës shkollë dhe kopsht, për shkak të shpopullimit janë mbyllur. Pra kemi një përzënie të qytetarëve, një dëbim të krutanëve dhe mesazhi im sot ka qenë ne të mos ikim nga Kruja, por ta bëjmë Krujën në këtë rast. Prandaj ishte një ftesë për të gjithë shqiptarët sot atje.
Arnold Kariqi: Dhe sigurisht edhe Kruja nuk i ka shpëtuar shpopullimit, Aulon?
Aulon Kalaja: Është një nga qytetet më të goditura.
Arnold Kariqi: Jo vetëm shpopullimit, edhe institucionet, janë kthyer në në gangrenë pothuajse në të gjithë bashkitë e mesatare.
Aulon Kalaja: Një nga qytetet më të goditura, do ju jap disa fakte, i kanë heq gjykatën, prokurorinë, zyrat e ALUIZNI-t, hipotekën, stadiumi i Kastriotit që është një emblem. Ekipi i Kastriotit luan në Fushë-Krujë se ku të gjejë fusha të lira në Kamëz apo e të tjerë e të tjerë. Në vitin 2016, fiks në këtë datë, FIFA bëri një postim. Në 2016 dhe tha, ky është një vend i mrekullueshëm për të luajtur futboll dhe stadiumi i Kastriotit u shpall si një nga stadiumet më të bukura në botë. Tani është një vend ku hidhen inerte dhe mblidhen qentë e rrugës. Pra ju fola për shkollën, në orën 5:00 mbasdite në Krujë nuk ke as gra, as fëmijë, as pleq, pra është një qytet totalisht i rrënuar, por ngado që të gërmosh në Krujë, do gjesh histori dhe absolutisht është një vend i mrekullueshëm. Unë gjykoj që është momenti që ne të nxjerrim në pah edhe gjërat e mira të të këtij qyteti, jo vetëm dramat që po përjeton.
Arnold Kariqi: Skënderbeu ditën e sotme i bashkoi edhe përfaqësuesit e qeverisë ose pushtetit lokal, Aulon, apo nuk erdhën?
Aulon Kalaja: Shiko, ata kanë bërë dje një homazh për 5 majin, për ditën e dëshmorëve, domethënë me rastin e vdekjes së Qemal Stafës. Ndërkohë ne sigurisht duke besuar tek Partia Demokratike është një parti kombtariste, ka çështjen kombëtare si yll polar. Ne e pamë të arsyeshme që të festonim ditëlindjen e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, që lindi me 6 maj në vitin 1405. Po, Skënderbeu është një figurë përbashkuese që i bashkoi të gjithë princat shqiptarë pa dallim feje, krahine apo ideje në 2 marsin e vitit 1444, por gjithçka nisi pikërisht nga qyteti historik i Krujës. Jo më kot, unë ju urova mirëseardhjen të gjithëve sot në kryeqytetin e parë të Shqipërisë, që është Kruja.
Arnold Kariqi: Aulon, sa është bërë në në kontekstin e promovimit të Krujës, se Kruja turistike, mund të ketë rrugët e bukura, pazari i bukur, sigurisht historia është shumë e madhe, kalaja e Krujës, Skënderbeu. Pra, duket ose perceptohet në publik sikur ka një promovim shumë më të lartë për Korçën, për Gjirokastrën, duke parë ministren, ish-ministren Kumbaro, po ashtu kryeministrin Rama dhe sikur Kruja është lënë pas dore.
Aulon Kalaja: Po Kruja sigurisht edhe në zgjedhjet e fundit e tregoi veten që ishte një qytet që reagon, reagon domethënë herë pas here. Ajo që doja të thoja unë kam parë me shumë vëmendje postimet e të gjithë ministrave, të kryeministrit e të tjerë e të tjerë, në dinamikë se nuk është problemi që të hedhësh një mesazh domethënë edhe ti ta kalosh lumin me kaq. Ka një mungesë vëmendje totale për për këtë vend. Pra çfarë kap nga ura e Tapizës e sipër që i thonë këto deri në veri, konsiderojnë veri dhe veriu ka 15 bashki gjithsej, besoj se ju e dini, edhe me hartën e re territoriale nuk është se do bëjnë qametin. Me sa di unë këta duan t’i zvogëlojnë bashkitë.
Kështu që e parë këtë këndvështrim, një nga problematikat që ne kemi pasur aty është pikërisht bashkimi i bashkisë së Krujës me bashkinë e Fushë-Krujës. Dikur kanë qenë dy bashki. Në vitin 2015, pa pyetur askënd, morën një vendim dhe bashkuan Fushë-Krujën dhe Krujën dhe katër njësi të tjera administrative si Thumana, Nikla, Bubqi dhe Malësia e Krujës duke bërë një bashki e cila duhet thënë është një bashki që nuk ja ofron shërbimin qytetarëve. Ka qytetarë që janë 18 km larg dhe nuk e marrin shërbimin. U tha që do shkurtoheshin shpenzimet, ndërkohë u futën më shumë njerëz në punë. Ajo që nuk kuptojnë tani Arnold është kjo historia që po jetojmë kohë ku po digjitalizohen shërbimet dhe po rritet numri i punonjësve. Pra ky është një absurd dhe është një paradoks shumë i madh i kohëve moderne…




