Ervin Kaduku
– A është qasja e duhur nga ana e qeverisë, por dhe nga banka qendrore e ato private, të minimizosh risqet që paraqet një krizë madhore e fqinjit tonë jugor? Goditjet negative në rast se kriza vijon të përshkallëzohet janë shumë të fuqishme…
Gati të gjitha institucionet shtetërore që kanë reaguar deri më sot lidhur me pasojat e krizës greke mbi Shqipërinë, kanë deklaruar se ndikimi i saj mbi ekonominë shqiptare është minimal. Por, duket se pas kësaj tentative për të fshehur realitetin situata qëndron ndryshe. Shqipëria po përgatitet për rrezikun se kriza në Greqi, fqinj i saj jugor, do të detyrojë qindra mijëra emigrantë shqiptarë të kthehen në Shqipëri, duke prerë remitancat tek familjet më të nevojë, në një nga shtetet më të varfra ish-komuniste të Evropës Lindore, shkruante dje gazeta e njohur ekonomike “Financial Times”.
Sipas gazetës, ministrat në Tiranë kanë shprehur besimin se sistemi bankar shqiptar mund t’i mbijetojë stuhisë, edhe pse ka tri banka në Shqipëri që janë greke dhe të cilat kontrollojnë pothuajse 16% të totalit të aktiveve në sistem. Por, shqetësimi rreth kthimit të mundshëm të migrantëve nënkupton që Shqipëria dhe shtetet e tjera të Ballkanit mund të jenë të parat që do të ndiejnë krizën e Greqisë, më shumë sesa shtetet e tjera të Evropës. Rreth 12% e popullsisë prej 3.2 milionë vetash jetojnë poshtë linjës së kufirit të varfërisë të përcaktuar nga Banka Botërore, prej 2 dollarësh në ditë.
“Emigrantët shqiptarë kanë shkuar në Greqi që në fillim të viteve 199-s”, – tha Ditmir Bushati ministër i Jashtëm i Shqipërisë, gjatë një takimi me gazetarë të BE-së që vizituan Tiranën të mërkurën. “Kontributi i shqiptarëve që janë jashtë, në Greqi dhe Itali gjithashtu, ka qenë tepër i rëndësishëm në mbështetjen e ekonomisë shqiptare. Ekonomikisht, ne i kemi ndier efektet e krizës greke”, – tha ai.
Rënia
Remitancat nga shqiptarët që punojnë jashtë ranë nga 952 milionë euro në 2007 në 544 milionë euro vitin e kaluar, por edhe një shifër më e ulët përfaqëson rreth 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë. Rreth 180.000 migrantë shqiptarë janë kthyer në shtëpi në pesë vitet e fundit, teksa kriza greke është intensifikuar, por disa qindra mijëra, që janë aty kryesisht ilegalisht, vlerësohen që kanë mbetur — pjesa më e madhe e tyre në periferi të Athinës dhe në Selanik.
Rreziku tani është se një numër i madh i emigrantëve, në qoftë se ata humbasin punën dhe kursimet e tyre në Greqi, do të kthehen në Shqipëri. Kjo do të rrisë më tej papunësinë -që aktualisht është 14 për qind të fuqisë punëtore – në afat të shkurtër, do të ushtrojë presion në sistemin e sigurimeve shoqërore dhe do të paraqesë sfidën në integrimin e fëmijëve të emigrantëve të arsimuar në gjuhën greke në shkollat dhe shoqërinë shqiptare.
Këto probleme janë konsideruar potencialisht më serioze për Shqipërinë sesa rreziku i infektimit financiar nga Greqia. Zyrtarët shqiptarë të bankës qendrore thonë se tre bankat greke në pronësi greke në vend kanë raporte të mjaftueshmërisë së kapitalit më të larta se 17 për qind, mbi minimumin prej 14 për qind.
Perspektiva
Nikos Kotzias, ministri i Jashtëm i Greqisë, pritet të vizitojë Tiranën më 15 korrik, por kjo mbetet për t’u parë nëse ai do të mbërrijë me ide të freskëta për tejkalimin e një grindjeje lidhur me kufijtë midis të dy vendeve në Detin Jon. Në vitin 2010, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë anuloi një marrëveshje territoriale të nënshkruar me Greqinë një vit më parë.
Një tjetër pikë e mosmarrëveshjes është se, sipas mendimit të Tiranës, Shqipëria dhe Greqia, edhe pse të dy anëtarë të NATO-s, janë ende teknikisht në luftë, sepse parlamenti grek nuk ka shfuqizuar një dekret të luftës, miratuar kur forcat italiane të bazuara në Shqipëri sulmuan Greqinë në vitin 1940. Sipas pikëpamjes së Shqipërisë, kjo e pengon minoritetin etnik shqiptare çam, të dëbuar nga Greqia gjatë Luftës së Dytë Botërore për bashkëpunim të pretenduar me nazistët, nga rimarrja e pronës së konfiskuar.
Ambasadorja
Ambasadorja e Çekisë në vendin tonë Bronislava Tomasova, duke ju referuar krizës ekonomike që po kalon Greqia, bëri dje një apel që Shqipëria të zbatojë të gjitha rekomandimet e vëna nga Bashkimi Evropian, në mënyrë që të mos bjerë pre e krizës ekonomike. Për sa u përket qëndrimeve që ka Grupi i Vishegradit për mënyrën se si duhet të menaxhohet kriza në Greqi, ajo tha se është e njëjtë me frymën që po ndjek Bashkimi Evropian në zgjidhjen e kësaj situate. “Për sa i përket krizës ekonomike që po kalon Greqia, nuk di të them me siguri nëse do të ketë apo jo ndikim në vendet e Ballkanit Perëndimor, pasi janë ekspertët financiarë ata që mund ta saktësojnë më mirë një gjë të tillë. Nga ajo që po dëgjojmë ditët e fundit, duket se kemi një ndarje të institucioneve në dy arsyetime të ndryshme. Pala e parë pretendon se kriza ekonomike që po kalon Greqia do të ketë ndikim në vendet e Ballkanit dhe është edhe pjesa tjetër, që thotë se nuk do të ketë ndikim. Ajo që është thelbësore për Greqinë është fakti që duhet të merren masa që vendi të dalë nga kriza”, u shpreh ambasadorja.
Duke shtuar se, për sa i përket Shqipërisë, ajo duhet të zbatojë me korrektësi rekomandimet e bëra nga BE, pasi është e vetmja mënyrë për të ecur përpara dhe për të mos rënë pre e krizës që po kalon Greqia. Ambasadorja Tomasova arsyetimin e saj në lidhje me ndikimin që mund të ketë në rajon kriza greke e dha gjatë Forumit Evropian me rastin e marrjes së presidencës së radhës së Grupit të Vishegradit nga Çekia.
Paralajmërimi i S&P
Agjencia vlerësuese Standard and Poor’s paralajmëroi pak ditë më parë se ajo mund të zhvlerësojë renditjen e besueshmërisë së Bullgarisë, Maqedonisë, Shqipërisë, Rumanisë dhe Serbisë në rast se telashet e Greqisë do të përhapen në sistemin e tyre bankar, shkruan Reuters. Frika e S&P është lidhur me atë se bankat greke zotërojnë filiale të rëndësishme në këto shtete të Evropës Juglindore dhe shqetësimi është që, në rast se Athina do të detyrohet të dalë nga Eurozona, huadhënësit e saj mund të falimentojnë, me një efekt domino në filialet e tyre. Në rast se qeverive të ndryshme do t’u duhet t’i shpëtojnë ato, kjo do të dëmtonte financat kombëtare dhe perspektivën afatgjatë të rritjes. “Ne nuk e përjashtojmë mundësinë e mbështetjes së qeverisë për bankat”, tha S&P në një raport. “Në rast se një mbështetje e tillë do të dobësojë parametrat fiskalë dhe të borxhit të qeverive, kjo mund të ndikojë negativisht në renditjen e tyre kombëtare”.
Efekti tek tregtia/ Intensifikimi i krizës në shtetin fqinjë, efekt te tregtia dhe remitancat
Një tjetër ekspozim lidhet me ndikimin që mund të ketë situata e paqartë në ekonominë e Greqisë, që është tashmë e dobësuar nga recesioni, që po zgjat prej gjashtë vitesh. Ndonëse Shqipëria i ka diversifikuar marrëdhëniet tregtare, duke u orientuar drejt shteteve të tjera, sërish lidhjet e bizneseve të jugut me Greqinë janë të forta. Për katërmujorin e parë 2015, eksportet drejt Greqisë zinin vendin e pestë, pas Italisë, Kosovës, Turqisë dhe Spanjës. Grupi më i eksportuar për 4 mujorin e parë 2015 ishte “tekstile dhe këpucë”, me 41% të totalit. Një përshkallëzim i krizës do të vërë nën presion sipërmarrjet që punojnë me material porositësi në jug të vendit (kryesisht Gjirokastër e Korçë) të gjejnë partnerë të tjerë tregtarë veç kompanive greke.
Edhe nëse vazhdojnë të punojnë me kompanitë greke, do të përfitojnë më pak të ardhura për shkak të zhvlerësimit të mundshëm të dhrahmisë së re.
Për importet Greqia ishte e treta, pas Italisë e Kinës me 8.3% të totalit. Grupi më i importuar ishte ai ushqim, pije duhan me 32% të totalit. Zëvendësimi i kanaleve të importit duket më i thjeshtë për kompanitë e mëdha distributore me bazë në jug të vendit (kryesisht Gjirokastër), megjithëse kjo mund të rrisë kostot e importit. Gjithsesi, kompanitë importuese mund t’i gëzohen importeve më të lira në lekë ose euro, si rrjedhojë e zhvlerësimit të pritshëm të monedhës së re.
Vetëm disa vjet më parë Greqia ishte partneri i dytë tregtar i Shqipërisë si për eksportet ashtu dhe për importet.
Investimet
Ndonëse shteti grek prej disa vitesh po vuan një krizë të thellë ekonomike dhe borxhesh, ai kryeson në Shqipëri përsa i përket stokut të investimeve të huaja direkte për vitin 2013. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, Greqia ka një stok të investimeve të huaja prej 1.07 miliardë eurosh në fund të vitit 2013, me një rritje prej 40% në raport me një vit më parë, ku vendin kryesor e zënë telekomunikacionet. Nëse shteti grek vijon në bjerë më shumë në krizë, efekti do të ndihet dhe në investimet e huaja në Shqipëri, qoftë në fluksin e ri të investimeve ashtu dhe në daljen e të ardhurave nga investimet në formën e transferimit të fitimeve, që është rritur ndjeshëm vitin e fundit, teksa “bijat” do të tentojnë t’u vijnë në ndihmë “mëmave” të tyre.
Përfitimet
Në një fazë të parë Shqipëria mund të përfitojë nga vala e largimit të parave nga Greqia, duke pritur një pjesë të tyre, siç ndodhi në në qershor 2012, kur depozitat në valutë në sistemin bankar shqiptar shënuan një rritje të fortë mujore, josezonale, me rreth 6.5 miliardë lekë, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, më e larta e viteve të fundit. Rritja, në pjesën më të madhe erdhi nga largimit i depozitave nga bankat greke, si rrjedhojë e frikës së daljes së Greqisë nga eurozona në prag të zgjedhjeve të asaj kohe. Me emigrantët shqiptarë në Greqi, që vlerësohet se kanë kursime që arrijnë deri në 2 miliardë euro, një pjesë e parave të larguara nga shteti fqinjë ka ardhur gjatë tre viteve të fundit në Shqipëri.
Por, në një afat më të gjatë nëse kriza në vendin fqinjë përshkallëzohet dhe shteti helen del nga euro, kanalet e ekspozimit në Shqipëri do të jenë më të shumtë dhe më të fuqishëm.
A po i “plas në dorë” një tjetër drejtoreshë Ramës?
Kryeministri Rama bëri bujë në fillim të mandatit të tij duke emëruar në poste kyçe të administratës të rinj pa përvojë të mëparshme me arsyetimin se këta, gjaku i ri, do t’i jepnin shkelmin korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin duke sjellë një frymë të re. Dy ndër emërimet e tij më të bujshme ishin Elisa Spiropali si Drejtoreshë e Përgjithshme e Doganave dhe Briseida Shehaj si Drejtoreshë e Përgjithshme e Tatimeve. Për shkaqe që jo të gjitha varen nga keq administrimi, të dy këto sektorë patën një mos realizim të theksuar të të ardhurave gjatë fillimit të këtij viti.
U desh që Elisa Spiropali të merret lejen e lindjes që të largohej nga drejtimi i doganave.
Por, ndërsa duket se u harrua performanca jo shumë e admirueshme e Spiropalit në dogana, Ramës po i shtohet një tjetër dhimbje koke nga drejtoresha tjetër, ajo e tatimeve.
Në një letër drejtuar Ramës dhe Briseida Shehajt, Ahmet Premçi i paraqet dorëheqjen e parevokueshme nga pozicioni i Drejtorit të Hetimit Tatimor duke hedhur njëkohësisht një serë akuzash mbi drejtoreshën e tatimeve.
Premçi e arsyeton dorëheqjen e tij me mungesën e bashkëpunimit nga ana e drejtoreshës Shehaj pavarësisht kërkesave dhe memove të vazhdueshme të drejtuara nga ai.
“Gjej rastin t’Ju kujtoj këtu, se përjashto periudhën e parë disa mujore të bashkëpunimit tonë të frytshëm (ku pati një seri aksionesh dhe rezultatesh konkrete, që janë radhutur si arritje të panjohura më parë), u bë më shumë se një vit që Ju, me apo pa dëshirë, nëpërmjet veprimeve dhe mosveprimeve Tuaja, e izoluat dhe denigruat institucionin e Hetimit Tatimor. Jo vetëm në përditshmërinë e praktivae administrative, por edhe në rastet ku u jam drejtuar me Memo apo kur kam paraqitur shqetësime konkrete, Ju nuk jeni përgjigjur”, shkruan Prençi në letrën drejtuar Shehajt.
Më poshtë, ai e cilësone gjendjen alarmante duke theksuar se Drejtoria e Tatimeve po trajtohet si pronë private.
“Përballë një situate të tillë alarmante, unë largohem nga detyra, me dëshirën që kjo të shërbejë si këmbanë alarmi për të ardhmen e këtij institucioni, i cili nuk është pronë private e askujt!”, – thekson ai.
Tatimet dhe doganat janë sektorë strategjikë ku mpleksen shumë interesa dhe zakonisht puna e tyre shoqërohet me debate nga palë të treta, megjithatë, është ndër të paktat raste ku një funksionar i lartë në tatime largohet demonstrativisht nga detyra duke hedhur akuza të forta ndaj drejtuesit.
(marrë nga portali ALBEU)
Gazsjellësi TAP thërret kontraktorët në Leçe të Italisë
Konsorciumi i gazsjellësit TransAdriatik do të zhvillojë një takim me kontraktorët dhe nënkontraktorët në Leçe të Italisë. Qëllimi i takimit është evidentimi i punës në terren, zgjidhja e problematikave dhe përshpejtimi i ndërtimit të veprës. Në faqen e saj zyrtare në internet, konsorciumi njofton se, në takim do të diskutohen çështje me qëllim rritjen e bashkëpunimit mes bizneseve dhe rritjes së kapaciteteve të furnizimit dhe shpërndarjes së gazit. Megjithatë, të gjitha bizneset e interesuara për të qenë pjesë e ndërtimit të kësaj vepre energjetike duhet të aplikojnë për marrjen e punëve nëpërmjet njoftimeve për tender që zhvillon konsorciumi. Këto njoftime publikohen në faqen zyrtare të zhvillimit të tenderëve të Bashkimit Evropian dhe pjesëmarrja në to për të qenë pjesë e gazsjellësit TAP është e vlefshme si për kontraktorët, ashtu edhe për nënkontraktorët.
Ndërkohë, nesër pritet të nisë puna për ndërtimin rrugëve ndihmëse, që do të krijojnë kushtet për ndërtimin e mëtejshëm të tubacioneve të gazit në vendin tone. Ceremonia zyrtare e inaugurimit të punimeve pritet të zhvillohet në Çorovodë.
Gazsjellësi TransAdriatik vlerësohet si investimi më i madh i huaj në vendin tone, me rreth 1 miliard euro dhe impakt fillestar në ekonominë shqiptare deri në trefishin e kësaj vlere. Gazsjellësi TAP ka një kapacitet të transportit të gazit deri në 10 miliardë metër kub në vit, me mundësi dyfishimi të kësaj sasie në të ardhmen.
Biznesi gjerman, i pakënaqur me mbështetjen e shtetit shqiptar
Reforma në drejtësi është një domosdoshmëri për të përmirësuar situatën në vend dhe për të vendosur barazinë para ligjit për të gjithë. Nga Durrësi, ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Helmut Hoffman tha se të paktën që nga korriku i vitit 2013, asnjë gjyqtar apo prokuror nuk është dënuar në vend, ndërsa komuniteti i biznesit është i pakënaqur dhe gati të tërheqë investimet. “Nga bisedat që kam pasur me investitorët gjermanë në Shqipëri kam mësuar se ata janë të pakënaqur dhe shprehen të gatshëm për t’u tërhequr nga vendi. Ky shqetësim është bërë prezent edhe gjatë takimit të fundit të Kancelares Angela Merkel me kryeministrin Rama”, – deklaroi Hoffman.
I pranishëm në konsultimin publik mbi reformën në drejtësi, kryetari i prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Florian Rauning e vuri theksin tek rëndësia e konsultimeve që siguron sukses të reformës. Ai e vuri gjithashtu theksin tek efiçenca e sistemit. “Menaxhimi aktiv i çështjeve garanton pjesëmarrjen e të gjitha palëve në çdo seancë, duke pakësuar rastet e korrupsionit. Regjistrimi audio rrit transparencën, sepse garanton një procesverbal objektiv dhe të plotë të gjykimit, duke i dhënë palëve besim tek saktësia e të dhënave. Këto janë themelet e sistemit të drejtësisë në këtë shekull”, deklaroi Rauning.
Ai tha se Shqipërisë i duhet një plan zbatimi dhe i ofroi Kuvendit mbështetjen e prezencës së OSBE-së në hartimin e tij, duke u bazuar në përvojat më të mira ndërkombëtare.
Konsultimet publike të dokumentit “Analiza e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri – 2015” janë ndërmarrë nga grupi i ekspertëve të nivelit të lartë, që ndihmon komisionin e posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi.




