Kriza e Greqisë/ Qeveria: Preken vetëm eksportet. S’ka rrezik për bankat me kapital grek. FMN: Risku i ulët

Gëzim Saliu

FMN dhe CaniBSH, Guvernatori Sejko: Sistemi bankar shqiptar nuk ka asnjë ndikim direkt nga kriza greke

Cani: Parashikojmë 3.5% rritje ekonomike për vitin 2016 dhe 4% për 2017-ën. Ilahi: Borxhi të ketë një konsolidim fiskal edhe në 2016-ën

Qeveria dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar në vend sigurojnë se ekonomia shqiptare nuk rrezikohet nga kriza që po thellohet gjithnjë e më shumë në shtetin fqinj grek. Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, dhe shefi i FMN-së, Nadeem Ilahi, theksuan dje në konferencën e përbashkët se risku i krizës greke në Shqipëri është i ulët dhe se bankat me kapital grek, që operojnë në vend, janë të sigurta. “Kemi diskutuar për ekspozimin që ka Shqipëria ndaj krizës greke. Sistemi bankar në Shqipëri është tejet likuid. Në tërësi mund të themi se bankat me kapital grek në Shqipëri kanë pasur ndikim në rënie. Ndikimi i tyre i ulët, risk i ulët. Dërgesat e emigrantëve kanë qenë të rëndësishme në ekonominë shqiptare. Vjen një vëllim i tyre nga Greqia, këto mund të preken nga zhvillimet në Greqi por duhen parë që të kufizohet ndikimi i tyre në ekonomi. Ndërsa risku nga kjo krizë për ekonominë shqiptare është i ulët”,- tha Ilahi.

 

Qëndrimi i qeverisë

Sipas ministrit shqiptar të Financave, efektet e situatës greke në ekonominë shqiptare janë nën kontroll. Për Canin, i vetmi ndikim i ndjeshëm do të jetë në eksportet drejt shtetit grek, por, siç theksoi ai, nuk bëhet fjalë që ato të ndalojnë totalisht. “Ulja e fuqisë blerëse në Greqia mund të ndëshkoje në eksportet tona, por kjo është një çështje që duhet parë me kohë. Nëse ndodh që të zhvlerësohet monedha, është një efekt i përzier, por supozojmë se do ulet eksport shqiptar në Greqi. Nuk bëhet fjalë që eksporti të ndalojë”, – tha ai. Nga ana e tij kreu i FMN-së tha se vëllimi i eksportet shqiptare drejt Greqisë janë të pakta, dhe kjo nuk pritet të ketë ndikim në Shqipëri. Ndërkaq sa i përket bankave shqiptare me kapital grek që funksionojnë në vend, Cani theksoi se ato duhen rishikuar si nga ana ligjore dhe nga ana e administrimit të tyre. “Ne gjykojmë që këto banka janë në kontrollin e autoriteteve shqiptare. Në kuadër e komitetit dhe gjykimi është që të gjithë treguesit e sistemit bankar shqiptare dhe atyre greke, janë të konsoliduar dhe nuk ka asnjë rrezik për bankat shqiptare”, – deklaroi Cani. Në të njëjtën linjë me qeverinë dhe FMN-në ishte dje edhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gentian Bejko, i cili garantoi se situata në Greqi nuk ka asnjë ndikim tek bankat shqiptare. “Duke marrë shkas nga Zhvillimet në Greqi, ambienti i jashtëm paraqitet sfidues. Politikat ekonomike financiare të vendit duhet ti kujdesim. Do marrim masa afatgjate. Por pritshmërinë e ekonomisë shqiptare janë pozitive. Garantojmë publikun se sistemi bankar nuk ka asnjë ndikim direkt nga krizës greke dhe sigurohet garanci”.

 

Ekonomia shqiptare

Ndërkohë, shefi i FMN-së në Shqipëri u shpreh pozitiv në vlerësimin e ekonomisë shqiptare, ndërsa theksoi se për borxhin duhet konsolidim fiskal edhe në vitin 2016. “Programi ekonomik i Shqipërisë vijon të jetë në rrugë të mbarë, ka progres, ka shenja të rimëkëmbjes ekonomike. Pritet rimëkëmbje edhe në sektorin e bujqësisë. Në përgjithësi qeveria i ka përmbushur objektivat në kuadër të programit. Për borxhin duhet të ketë një konsolidim fiskal edhe në 2016 por do vazhdojmë diskutimet tona. Për sektorin e energjisë elektrike, reformat ecuri shumë të mirë, aq sa mbështetja që kërkon ky sektor nga buxheti i shtetit ka rënë nën nivelin që prisnim ne”, – theksoi Ilahi. Nga ana e tij, numri një i Financave në vend, Cani, deklaroi për vitet në vijim është parashikuar një rritje ekonomike me 3.5 deri në 4 për qind. “Duke pasur parasysh vazhdimin e procesit për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura dhe rritjen e konsumit, mendojmë se rritja ekonomike do ti afrohet projeksionit për 3 për qind. Trajektorja e rritjes ekonomike për vitet 2016-2017 do të jetë pranë asaj që është parashikuar dhe më parë, me 3.5 për qind për vitin 2016 dhe 4 për qind për vitin 2017”, – theksoi ministri.

 

Ministri i Ekonomisë/ Risku i krizës së shtetit fqinj, Ahmetaj: Greqia zë 7.3% të shkëmbimeve tregtare

Ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, deklaroi dje në konferencën e përbashkët me FMN-në se sa u përket shkëmbimeve tregtare Greqia zë 7.3% të volumit. “Ndajmë të njëjtit konkluzion me FMN që programi ekonomik i Shqipërisë vazhdon të shënojë progres. Duhet të marrim një sërë faktorësh të brendshëm e të jashtëm. E vërtetë që sektorët realë të ekonomisë kanë reaguar pozitivisht. Ekonomia shqiptare ka treguar që është e qëndrueshme. Për shkëmbimet tregtare të dhënat e majit tregojnë se Greqia zë 7.3% të volumit. Të orientuar nga Gjermania, Spanja, Italia duke ulur fuqinë e ndikimit të ekonomisë greke”, – tha Ahmetaj. Ndërkohë ministri i Ekonomisë theksoi se qëllimi i qeverisë është të thyejë tabunë të rritjes ekonomike mbi 3%. “Qëllimi i qeverisë është të thyejë tabunë disa vjeçare të rritjes ekonomike mbi 3%. Në 3 mujorin e parë është shënuar rekord në tërheqjen e investimeve të huaja”, – tha Ahmetaj.

 

Kriza greke ndan edhe mazhorancën, Kokëdhima: Seancë për pasojat. Braçe: Mos krijo panik

Kriza që ka përfshirë Greqinë ka ndezur debate dhe replika në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Ekonomisë mes kreut të këtij komisioni Erjon Braçe dhe deputetit Koço Kokëdhima. Ky i fundit kërkoi që të mbahet një seancë e posaçme për pasojat e krizës greke. “Të mbahet seancë për pasojat e krizës greke. Të diskutojmë me specialistë për të ndihmuar qeverinë”, – tha ai. Ndërkohë, Braçe në kundërpërgjigje ndaj Kokëdhimës tha se nuk duhet të krijohet panik i tepërt. “Të mos krijojmë panik dhe shqetësime të tepërta. Qeveria i ka marrë të gjitha masat”, – u shpreh kreu i Komisionit të Ekonomisë.

 

Debati në Komision/ Mazhoranca, e sigurt se kriza greke s’ka asnjë ndikim. PD: Prek rritjen ekonomike të Shqipërisë

Situata në Greqi u bë pjesë e debatit të djeshëm në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë, ku mazhoranca e majtë theksoi nga ana e saj se nuk ka asnjë shkak për panik në vend. Kryetari i Komisionit, Erjon Braçe, informoi deputetët se autoritetet më të larta financiare të vendit janë duke mbikëqyrur hap pas hapi situatën në Greqi. “Komiteti i Stabilitetit Financiar është mbledhur në mënyrë konstante, më shumë se e parashikon rregullorja. Gjithashtu, ka qëlluar që e gjithë situata të monitorohet në detaj nga FMN, i cili po asiston qeverinë shqiptare në këtë proces”, – deklaroi Braçe. Sipas tij, edhe në rast se kriza në Greqi do të përshkallëzohet, qeveria dhe Banka e Shqipërisë i kanë të gjitha instrumentet për të mbrojtur ekonominë kombëtare. “Ka një plan shumë të qartë veprimesh dhe masash nga banka qendrore dhe institucionet e tjera, kështu që nuk ka arsye as për panik e as për shqetësime që më pas marrin doza politike”, – theksoi Braçe. Po ashtu, ministri i Financave, Shkëlqim Cani, garantoi deputetët se nuk ka asnjë arsye për t’u shqetësuar nga situata në Greqi, veçanërisht në planin financiar. “Kemi siguri maksimale të paktën në drejtimet tona, sidomos për sistemin bankar. Ne në Shqipëri jemi mësuar të themi “bankat greke”, por ato janë banka shqiptare me kapital grek, që nuk kanë asnjë lidhje me Greqinë, përveç aksioneve ose pronësisë”, – deklaroi Cani. Por, deputeti i PD-së, Sherefedin Shehu, theksoi se thellimi i krizës në Greqi mund të godasë rritjen ekonomike të Shqipërisë. “Bankat të ashtuquajtura “greke” nuk përbëjnë rrezik për qytetarët, kjo është e vërtetë. Por nuk mund të mos marrim në konsideratë mundësinë që Shqipëria të zhvlerësohet dhe që kolapsi i mundshëm i Greqisë nuk mund të kalojë pa u ndjerë në Shqipëri. Unë mendoj se efekti i parë do të jetë në rritjen ekonomike të vendit”, – deklaroi Shehu.

 

 

Share it :