Kristo Frashëri dhe deformimet e historisë

Çelo Hoxha

 

kristoKristo Frashëri merret me histori prej më shumë se 60 vjetësh. Në listën me titujt e punimeve të tij, deri në vitin 1994, numri i fundit rendor ishte 97. Në dy dekadat e fundit ai ka qenë aktiv dhe pa dyshim kjo listë është zgjatur. Artikujt e tij të fundit, dy prej të cilëve kanë nxitur këtë shkrim, janë botuar në nëntorin e vitit të kaluar.

Kristo Frashëri mban gradat më të larta të mundshme profesionale që mund të marrë një historian në Shqipëri: doktor i shkencave, profesor dhe akademik.

Veç titujve shkencorë, Kristo Frashëri mban disa tituj nderi. Ai është Nder i Kombit, titull që e jep Presidenti i Republikës, dhe qytetar nderi, titull që e japin këshillat bashkiakë, në tri qytete: Tiranë, Fier, Peshkopi.

Gazetat ku ai boton i prezantojnë artikujt e tij në këtë formë: “Historiani i mirënjohur rrëfen linjat e nxehta të historisë…”; “Historiani i shquar Kristo Frashëri thotë se…” etj. Në një nga tekstet e historisë që përdoret sot në gjimnaze, gjendet, pa shumë lidhje me tekstin, një foto me këtë diçiturë: “Kristo Frashëri, historian i shquar”.

Të thuash se Kristo Frashëri është një ikonë në fushën e historisë, i bëhet një padrejtësi e madhe të vërtetës. Ai është më shumë se kaq.

Në vitin 1962 ai botoi të falsifikuar deklaratën e pavarësisë dhe, kur ky fakt u bë publik, nuk pati ndonjë lloj qëndrimi moral ndaj tij. Titulli “Nderi i Kombit” iu dha pas këtij zbulimi.

Në shkurt 2012, unë bëra publik (për herë të parë) faktin që Kristo Frashëri ka qenë në listën e dëshmitarëve të Gjyqit Special, ku u dënuan me vdekje 17 vetë të pafajshëm. Ai vetë ka pohuar se në janar-mars 1945 ka qenë pjesë e forcave ushtarake që bënin spastrimin e zonës së veriut nga shqiptarët antikomunistë. Publikimi i këtij lloj informacioni nuk i pengoi tre këshilla bashkiakë ta shpallnin nder të qyteteve të tyre.

Kristo Frashëri është i vetmi qytetar shqiptar që ka kurajë të deklarojë se e di kush e ka deklaratën e pavarësisë së Shqipërisë dhe të betohet se nuk do ta tregojë kurrë sa të jetë gjallë. Me këtë deklaratë ai ka sfiduar prokurorinë dhe shumë institucione të tjera që merren me luftën kundër krimit. Deklarata e pavarësisë është dokument i shtetit shqiptar, pronë e tij, dhe e askujt tjetër.

Nderimet e shumta dhe përulja e institucioneve përpara veprës së Kristo Frashërit tregojnë që ai trajtohet jo si ikonë, por si perëndia e historisë.

Më datë 6 tetor 2012, Kristo Frashëri botoi, në të përditshmen “Gazeta shqiptare”, një artikull dy faqe të gjerë dhe 10 ditë të gjatë. Gjatë gjithë këtij shkrimi unë do t’u referohem këtyre artikujve të tij (që në origjinal kanë tituj të ndryshëm, por përmbajtje të njëjtë: themelimin e Ballit Kombëtar) si një artikull i vetëm. Ai mundua të shpjegonte disa pika të nxehta të historisë së Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore: data e krijimit të Ballit Kombëtar, Marrëveshja e Mukjes, e ashtuquajtura çështje të kolaboracionizmit etj.

Në 25 dhe 26 tetor, gazeta “Shqiptarja.com” botoi një intervistë të Kristo Frashërit, në të cilën ai foli për disa personazhe historike shqiptare, ku midis të tjerave tha edhe këtë: “Mid’hat Frashëri nuk ka asnjë meritë, përkundrazi ka përgjegjësinë që e çoi Shqipërinë në diktaturën komuniste”.

Me artikullin e tij Kristo Frashëri thuajse nuk solli asnjë gjë të re në lidhje me historinë e luftës. Duke shfrytëzuar “autoritetin” e tij, ai thjesht rikonfirmoi mbështetjen e tij për variantin e falsifikuar të historisë të shkruar nga ai dhe kolegët e tij gjatë periudhës së diktaturës. Intervista e tij kishte diçka të re: Mid’hat Frashërin, të cilin propaganda e diktaturës komuniste e prezantonte si person që ishte munduar të frenonte ardhjen e komunizmit në Shqipëri, Kristo Frashëri e akuzon për krejt të kundërtën.

Kush habitet me faktin që një historian kaq “i shquar” mund të arrijë në këto vlerësime paradoksale, nuk duhet të habitet. Shkëlqimi “akademik” është fasada pas së cilës fshihet një historian i nivelit më joprofesional të mundshëm në faqe të dheut.

Në këtë artikull synoj të shpjegoj përse interpretimet historike të Kristo Frashërit janë të gabuara, por do ta prek pak edhe faktin që “historiani i shquar” e ka marrë dy herë titullin “Doktor i shkencave”, të dyja herët me të njëjtën vepër dhe në të njëjtën disiplinë shkencore, faktin që ka marrë dy herë titullin “Profesor” në të njëjtën disiplinë, faktin që dhe gradën “Doktor” dhe titullin “Profesor”, të dyja herët, i ka marrë pasi kishte dalë në pension dhe do të mundohem të shpjegoj, bazuar në dokumente, përse mendoj që ai mund të mos e ketë kryer fare Fakultetin e Historisë që përmendet në biografitë e tij, përfshi atë në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar të Akademisë së Shkencave.

 

Çështja e themelimit të Ballit Kombëtar

 

Në artikullin e tij në “GSH”, Kristo Frashëri mbron tezën që Balli Kombëtar është krijuar në vjeshtën e vitit 1942, duke mos sjellë asgjë të re në trajtimin e kësaj çështjeje, përveç faktit që kishte lexuar disa libra me kujtime të ballistëve në mërgim.

Dita e krijimit të Ballit Kombëtar nuk do të kishte merituar vëmendje më shumë se data të tjera historike, në qoftë se PKSH nuk do të kishte ngritur një akuzë kriminale, bazuar në një datë të shpikur prej saj. Akuza është kjo: Balli Kombëtar u krijua për t’iu kundërvënë Frontit Nacionalçlirimtar. Meqenëse dita e krijimit të FNÇ mbahej 16 shtatori 1942, data e krijimit të BK nuk mund të vendosej para kësaj date.

Deri në fund të vitit 1990 ky qëndrim ishte i kuptueshëm, historianët që mund ta kundërshtonin do të përfundonin në burg ose edhe më keq. Mirëpo, kur një person vazhdon ta mbrojë këtë version edhe pas largimit nga skena të Enver Hoxhës dhe regjimit të tij policor, atëherë interpretimi i deformuar i historisë nuk është më çështje frike, por bindjeje.

Në Arkivin Qendror të Shtetit ekziston një dosje, me dokumente të vitit 1939, mes të cilave gjendet thirrja “Nacionalizma shqiptare”. Fondi ku ruhet ky dokument është i PPSH-së, jo i Ballit Kombëtar. Thirrja është dokumenti i parë ku shfaqen bashkë emri Balli Kombëtar dhe viti 1939. Faksimilja e këtij dokumenti është botuar vite më parë nga Uran Butka dhe Tanush Frashëri. Edhe ish-drejtorja e Institutit të Historisë, Ana Lalaj, e cila nuk ka shumë ndryshime nga pikëpamja e Kristo Frashërit për luftën, e pranon këtë dokument si autentik ose të paktën këtë sugjeronte mënyra si e kishte përdorur si ilustrim që shoqëronte intervistën e saj në gazetën “Mapo”, 23 nëntor 2012, me këtë diçiturë: “Promemorie e Ballit Kombëtar e vitit 1939”. Kristo Frashëri e refuzon këtë dokument. Sipas tij, “ky pamflet është shkruar pasi ka filluar Lufta e Dytë Botërore, madje pas qershorit 1940”.

E lëmë mënjanë faktin që bota ishte përfshirë në flakë që në vitin 1939, sidomos pas pushtimit të Polonisë në 1 shtator, por edhe sikur të jetë e vërtetë ajo që thotë Kristo Frashëri, nuk është nevoja të shikojmë kalendarin të themi që viti 1940 ishte më herët se viti 1942. Citimi i tij mjafton për të kuptuar që Balli Kombëtar ka ekzistuar para Konferencës së Pezës.

Në librin e tij “Ali Këlcyra, aristokrati kuqezi”, Tanush Frashëri citon një jugosllav që e njihte mirë Shqipërinë, Vukmanoviç Tempon, faqe 197: “Balli Kombëtar (National Front) u themelua në 1939 si Lëvizje e Rezistencës kundër pushtimit italian”.

Në librin e tij, “Marrëdhëniet jugosllavo-shqiptare, 1939-1948”, historiani jugosllav Vladimir Dedijer, i cili i referohet një artikulli të Enver Hoxhës në revistën “Shqipëri-Jugosllavi”, 1947, në faqen 18 përshkruan pikat e rezolucionit të themelimit të PKSH-së, ku, mes të tjerash, thotë: komunistët “nuk duhet të harronin rrezikun nga influenca nacionaliste”. Kush e prodhonte influencën nacionaliste në vitin 1941, nëse Balli Kombëtar është krijuar në vjeshtën e vitit 1942?

Kristo Frashëri thotë se Mid’hat Frashëri nuk pranoi të shkonte në Konferencën e Pezës, por i premtoi Mustafa Gjinishit “se do të dërgonte në Pezë një vëzhgues”. Çfarë ishte Mid’hat Frashëri që do të dërgonte vëzhgues, individ apo institucion? Sipas Kristo Frashërit, i dërguari i Mid’hat Frashërit në Pezë ishte Halim Begeja, i cili “shkoi me titullin politik sekretar i Rinisë Nacionaliste Shqiptare”. Çfarë dëshmie tjetër kërkon Kristo Frashëri që të bindet se nacionalizmi shqiptar ekzistonte i organizuar para Konferencës së Pezës?

Libri me kujtime i Sejfi Vllamasit, “Ballafaqime politike në Shqipëri, 1897-1942”, mbyllet me një bisedë të autorit me Mid’hat Frashërin. Ai e fton Vllamasin të formojnë një organizatë të fshehtë. Në kujtime është viti 1939. Kristo Frashëri e konsideron këtë bisedë si të vitit 1942, duke iu referuar vitit në kopertinën e librit, e cila mund të jetë deformuar për dy arsye. Redaktori i librit, një historian me origjinë të majtë, ose e ka vendosur datën 1942, ngaqë kujtimet mbyllen me bisedën për krijimin e Ballit Kombëtar, duke u nisur nga varianti që Balli është krijuar në 1942, ose e ka bërë qëllimisht për të ngatërruar lexuesin. Unë e kam rilexuar disa herë atë pjesë dhe nuk kam gjetur asnjë indikacion që ai paragraf i përket vitit 1942. Sipas rrëfimit të Vllamasit, gjasat janë që ajo bisedë është bërë në vjeshtën e vitit 1939.

Në vitin 1943, Enver Hoxha është shprehur kështu: “Për çështjen e ofensivës së përgjithshme kundra Ballit ne mendojmë që kjo ofensivë të mos jepet në atë mënyrë që e kuptoni ju pse s’jemi hala aq të fortë sa t’u hapim luftë gjithë çetave të Ballit në Shqipëri dhe njëkohësisht me godit okupatorin” (AQSH, F. 14/AP, V. 1943, D. 20.). Ky citim mund të mos thotë shumë, por një pyetje e ngre: Si është e mundur që BK, i krijuar më vonë se FNÇ, ishte, në mos më i fortë, i barabartë me FNÇ që e kishte filluar organizmin më herët?

Të gjashta argumentet e mësipërme nuk përcaktojnë datën e saktë të themelimit të BK, por besoj se janë, për një mendje racionale, të mjaftueshme për të kuptuar se nacionalistët ishin të organizuar para datës 16 shtator 1942.

Kristo Frashëri nuk është nismëtari i deformimit të historisë. Shtrembërimi i saj nisi gjatë luftës, nga partizanët, ose, siç i cilëson britaniku David Smajli, “gënjeshtarët e regjur” (“Vitet shqiptare, 43-45”, f. 120). “Partizanët i ekzagjeronin pa masë humbjet e armikut, kurse ballistët dhe zogistët na jepnin informata të sakta në këtë drejtim, të shoqëruara edhe me etiketat e identitetit të gjermanëve të vrarë, gjë që partizanët nuk e bënë asnjëherë”, – shkruan David Smajli (f. 126). Udhëheqësit e tyre, natyrisht, ishin dhe krerët e mashtrimit.

Meqë Kristo Frashëri ngulmon se gjoja nuk ka një dokument të kohës me datën e Ballit Kombëtar, e njëjta gjë mund të thuhet për ditën e themelimit të PKSH, me të cilën nuk merret njeri. Nuk ka dokument të PKSH – deklaratë, rezolucion, thirrje, trakt, procesverbal – që të jetë përgatitur në datën 8 nëntor 1941, dita që njihet si themelimi i PKSH. Dokumentet që njihen si rezolucion dhe thirrje e themelimit të PKSH ekzistojnë në disa variante, me ndryshime nga njëra-tjera, dhe më e rëndësishmja, në to flitet për ngjarje që kanë ndodhur muaj apo vite pas themelimit të pretenduar të PKSH.

Në librin “PPSH, dokumente kryesore”, 1960, vëllimi I, thuhet: “Mbledhja [e themelimit] zgjati rreth 5 ditë dhe mbaroi në orët e vona të natës, më 8 nëndor 1941”. Në librin “PPSH, dokumente kryesore”, 1971, vëllimi I, faqe 9, thuhet: “Mbledhja e grupeve komuniste për themelimin e Partisë u mbajt më 8-14 nëntor 1941 në Tiranë”. Rezolucioni dhe Thirrja kanë po ashtu data të ndryshme. Në botimin e 1960-ës gjendet data 8 nëntor 1941, në botimin e 1971-shit është shkruar thjesht: nëntor 1941, kurse të ribotuara në librin e Kristo Frashërit, “Historia e lëvizjes së majtë në Shqipëri dhe e themelimit të PKSH, 1878-941”, këto dy dokumente kanë datën 14 nëntor 1941 (faqe 449-466).

Përveç datës, dyshimet për krijimin e PKSH i shton edhe përmbajtja e dokumenteve. Po citoj rezolucionin e botuar nga Kristo Frashërit: “Me demaskuem qeverinë e tradhtarit Kruja, manovrat e saja për me përçamë frontin nacional-çlirimtar të popullit tue paraqitë si rrezik për Shqipërinë luftën çlirimtare të popujve fqinjë Jugosllavë e Grekë me qëllim me e dobsuem luftën kundër fashizmit”. Me ndonjë ndryshim të lehtë në gjuhë, përmbajtja e citimit është e njëjtë në të gjitha variantet e rezolucionit.

Përmbajtja e citimit na jep të drejtën të vëmë në dyshim gjithçka në lidhje me themelimin e PKSH. Kristo Frashëri pretendon se rezolucioni është shkruar në periudhën 8-14 nëntor, por Mustafa Kruja u bë kryetar qeverie në 4 dhjetor 1941. Si është e mundur që një dokument të flasë për ngjarje që ende s’kishin ndodhur në kohën e hartimit të tij?

Në rezolucion, që Kristo Frashëri pretendon se është hartuar në periudhën 8-14 nëntor 1941, qeveria e Mustafa Krujës akuzohet se ishte përpjekur të përçante Frontin Nacional-Çlirimtar, ndërkohë që dihet se i ashtuquajturi Front Nacional-Çlirimtar u krijua në 16 shtator 1942.

Kristo Frashëri thotë se ruan në shtëpi dokumentin origjinal të rezolucionit. Duke parë që varianti i botuar është falsifikim i origjinalit ose një dokument krejt i sajuar shumë kohë pas themelimit të PKSH, Kristo Frashëri zotëron origjinalin e falsifikimit.

Si përfundim, mund të thuhet që data e PKSH është përcaktuar bazuar në rrëfimet e personazheve dhe jo në dokumente zyrtare. Ata zgjodhën datën 8 për të qenë afër me 7 nëntorin e revolucionit bolshevik dhe të gjithë kanë rënë dakord. Për fillimet e Ballit Kombëtar ekziston një dokument i vitit 1939 dhe Kristo Frashëri e mohon.

Problemi është në kokën e tij. Ai nuk e ka për turp t’i deformojë ose t’i injorojë krejt faktet. Për shkak të punës së tij “shkencore” në deklaratën e pavarësisë për 50 vjet nuk ekzistonte firma e Mid’hat Frashërit, Lef Nosit dhe Mustafa Krujës. Me rastin e 50-vjetorit të pavarësisë, në 1962, Kristo Frashëri botoi albumin “Rilindja kombëtare shqiptare”. Në deklaratën e pavarësisë të shfaqur aty, tri firmat mungonin, sepse Kristo Frashëri i kishte mbuluar me foto të ngjitura sipër deklaratës. Ai nuk ka dhënë kurrë një shpjegim për këtë.

Metoda e punës së Kristo Frashërit është kjo: ai ka në kokë një ide për historinë dhe të gjitha faktet ia përshtat asaj, qoftë edhe duke i mbuluar ato me foto të ngjitura me zamkë.

Vitin e kaluar ai botoi një album kushtuar Ismail bej Vlorës. Aty ka botuar edhe listën e firmëtarëve të pavarësisë. Në vend të Bab Dudë Karbunarës ka vendosur Ibrahim Karbunarën, patriotin e nderuar që e vranë komunistët në 1946. Në 23 prill 2012, unë botova një artikull në lidhje me këtë pasaktësi në deklaratën e pavarësisë së Kristo Frashërit. Ai nuk reagoi. Mendova se e pranoi në heshtje gabimin, por isha gabuar. Në datën 13 nëntor 2012, Kristo Frashëri e botoi përsëri (Gazeta shqiptare, f. 16) listën e firmëtarëve të pavarësisë. Përsëri firmëtari i vërtetë, Jorgji (Bab Dudë) Karbunara, mungonte dhe në vend të tij ishte Ibrahim Karbunara.

 

Çështja e Marrëveshjes së Mukjes

 

Kur flet për Mukjen, Kristo Frashëri ka të drejtë vetëm kur thotë se nismën për një marrëveshje mes BK-së dhe PKSH-së e mori misioni i ushtarakëve britanikë në Shqipëri. Britanikët ishin të qartë. Misioni i tyre në Shqipëri kishte vetëm një qëllim: të dëmtonin sa më shumë të ishte e mundur forcat e Boshtit. Autoriteti perandorak, ende në gjakun e tyre, arroganca financiare dhe fuqia ushtarake që kishin krijuar deri në vitin 1943, i bënte britanikët të mos i merrnin parasysh fare interesat e shqiptarëve. Përndryshe, ata do të kishin bërë me ta një marrëveshje politike, pastaj të kërkonin bashkëpunimin ushtarak të tyre (u referohem më shumë britanikëve, sepse ata erdhën të parët dhe patën ndikimin më të madh nga misionet e tjera të ashtuquajtura aleate).

Aleanca e Ballit Kombëtar me Frontin Nacionalçlirimtar (PKSH vepronte në prapaskenë, siç veprojnë të gjitha grupet kriminale) britanikëve u interesonte për të krijuar një forcë më të madhe ushtarake, e cila do të ishte në gjendje të vriste më shumë italianë ose gjermanë. Shqiptarët nuk kishin pse nguteshin për luftë, në 1943 nuk kishte asnjë dyshim që pushtuesi, italian apo gjerman, ishte shumë i përkohshëm në Shqipëri. Lufta u interesonte vetëm “aleatëve”, sepse ata kishin ngutin të vrisnin sa më shumë ushtarë ose të shkatërronin sa më shumë infrastrukturë, të Boshtit. Duke i hedhur në luftë shqiptarët, “aleatët” punonin kundër interesit të vendasve. Ata që sot shqiptarët i konsiderojnë dëshmorë, më shumë vajtën bedel për të huajt.

Pretendimet e Kristo Frashërit se PKSH shkoi në Mukje me “një bilanc të pasur fitoresh ushtarake të korrura kundrejt okupatorit”, “me një kapital moral të ngritur mbi gjakun e qindra dëshmorëve” dhe “me një ushtri të organizuar partizane të pajisur me një shtab të përgjithshëm të formuar në Labinot” janë krejt të pabaza.

Bazuar në qëllimin e organizimit të komunistëve, Italia nuk ishte okupatore e Shqipërisë, por aleate e pushtueses së Bashkimit Sovjetik, Gjermanisë. Komunistët u organizuan politikisht e ushtarakisht pas sulmit të Gjermanisë mbi BS-në, 22 qershor 1941. Në 1943, gjaku i derdhur nga çetat e komunistëve mund të frymëzonte rusët, serbët apo ndonjë popull tjetër të racës sllave, por jo shqiptarët.

Në 1 gusht 1943, kur nisi punimet mbledhja e Mukjes, ushtria partizane nuk ekzistonte. Njëzet ditë më herët, në 10 korrik, ishte krijuar një strukturë e quajtur Shtabi i Përgjithshëm, i cili përbëhej thuajse nga ata njerëz që ishin dhe anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm të FNÇ. Shtabi kishte bërë vetëm një gjë, kishte hartuar një listë me kërkesa për materiale ushtarake drejtuar britanikëve, me premtimin që shtabi do të mobilizonte në mënyrë imediate 10 mijë vetë. Bilanci i fitoreve të një ushtrie që nuk ekzistonte merret me mend.

Ushtria partizane, e emërtuar sipas modelit të marrë nga Jugosllavia, nisi në 15 gusht 1943, me Brigadën I. Britanikët vunë në dispozicion gjithçka që i duhej një force ushtarake – armë, veshmbathje, para. Kontributi i shqiptarëve në krijimin e Brigadës I ishte vetëm mishi njerëzor. Kur britanikët e kuptuan gabimin e tyre, që kishin bashkëpunuar me një tufë hipokritësh dhe frikacakësh, ishte tepër vonë. Pa dashje, ata u kthyen në financuesit e terrorizmit komunist në Shqipëri.

Për prishjen e marrëveshjes së Mukjes, Kristo Frashëri fajëson Ballin Kombëtar, me logjikën e një analfabeti. Ky analfabet ishte Myslim Peza, i cili thoshte në Mukje se “Kosovën na e ka falë fashizmi. Ne nuk pranojmë dhurata nga fashizmi” (Butka, “Marrëveshja e Mukjes…”, f. 60). Kristo Frashëri, 69 vjet më vonë, thotë të njëjtën gjë: “Të luftoje për çështjen e Kosovës do të thoshte që Ushtria Nacional-Çlirimtare të angazhohej në luftë për të mbrojtur bashkimin e Kosovës me Shqipërinë e vitit 1913 – vepër kjo e realizuar nga blloku nazifashist. Kjo do të thoshte nga ana e saj, që Ushtria NÇ të angazhohej në luftë kundër çetnikëve nacionalistë jugosllavë, natyrisht edhe kundër reparteve partizane jugosllave. Nga pikëpamja e parimeve të shpallura nga koalicioni i madh antifashist, të mbroje Kosovën do të thoshte të mbroje veprën politike të agresorëve hitlerianë. Kjo do të thoshte gjithashtu të luftoje nën ombrellën e ushtrive hitleriane kundër çetnikëve dhe partizanëve jugosllavë, të cilët pa mbaruar lufta trajtoheshin si aleatë të koalicionit të madh antifashist. Me këtë qëllim, Balli Kombëtar binte në kundërshtim me porositë e aleatëve të mëdhenj antifashistë, të cilët kërkonin mobilizimin e të gjithë demokratëve antifashistë për të luftuar okupatorët nazifashistë dhe jo për të mbrojtur vendimet e tyre”.

Bazuar në arsyetimin e Kristo Frashërit, me çlirimin e Kosovës në 1999, NATO realizoi projektin e Duçes dhe Hitlerit. Interpretimi më i saktë i kësaj është ky: në 1999, angazhimi i forcave demokratike perëndimore në Kosovë pohoi sa i drejtë kishte qenë vizioni i nacionalistëve shqiptarë. Sikur “aleatët” t’ua kishin vënë veshin më herë nacionalistëve shqiptarë, do ta kishin shpëtuar Ballkanin nga shumë tragjedi. Mes të tjerave, nuk do të kishte ndodhur as gjenocidi grek ndaj çamëve.

Në të kundërt, me gjithçka që thotë për Mukjen në “Gazetën shqiptare”, në intervistën e tij për “Shqiptarja.com”, Kristo Frashëri e konsideron sot bashkimin e Kosovës me Shqipërinë “shqetësim kryesor”. “Nëse të gjitha këto troje ku banojnë shqiptarët do të jenë nën një çati të vetme politike të përbashkët, Shqipëria do të ecë më shpejt, sepse do të ketë vetëm një detyrë, të ecë, të përparojë, të përmirësojë e të pasurojë vendin”, – thotë ai. Ata që e kërkuan këtë para 60 vjetësh, ai i quan tradhtarë, pa i ardhur turp që artikulon me “shqetësim” atdhetar idetë e njerëzve që ushtria ku ai bënte pjesë i vrau pikërisht se kërkonin bashkimin e shqiptarëve në një shtet të vetëm. Ato që Kristo Frashëri i thotë në intervistë, Mid’hat Frashëri i ka artikuluar që në vitet ‘20, megjithatë ai e quan Mid’hat Frashërin një të verbuar nga urrejtja për komunizmin. Kristo Frashëri mund të jetë i vetmi që nuk e shikon hipokrizinë e tij.

Dashuria e Kristo Frashërit për shqiptarët nuk është një ndjenjë e natyrshme. Në fakt, dashuria e tij për shqiptarët nuk është ndjenjë fare, por retorikë e artikuluar në varësi të fuqisë së atij që ai i lëpin çizmet. Nëse shtetet e fuqishme janë pro shqiptarëve, ai i ka për zemër shqiptarët, nëse shtetet e fuqishme janë kundër shqiptarëve, zoti Frashëri mendon se nuk është koha e duhur të mbrosh interesat e shqiptarëve. Kjo paqëndrueshmëri e tij mund të jetë edhe pasojë e faktit që ai nuk ka lindur në Shqipëri.

Kristo Frashëri i përmend shpesh “aleatët”, por këtë e bën se i duhet të ketë një pikë referimi përtej gjykimit të tij, që ta hedhë herë pas here në artikull për t’i dhënë punimit autoritet. Dikur këtë e bënte duke përdorur emrin e Enver Hoxhës e të marksistëve të tjerë, tani e bën me termin “aleat”. Ky është spekulim vulgar. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria nuk ishte pjesë e koalicionit anglo-amerikano-sovjetik. Misionet britanike në Shqipëri ishin ekuivalente me grupet vullnetare që kishin shkuar më herët në Spanjë. Lidhja e këtyre grupeve me vendet e tyre ishte e ngjashme me lidhjen e brigadistëve të Spanjës me Bashkimin Sovjetik. Aleatët nuk ishin vende komuniste, por në Shqipëri ata përkrahën, për hesap të tyre, pjesën kriminale, duke i shkaktuar dëm të pallogaritshëm Shqipërisë.

 

Vijon nesër…

Share it :