Begaj dekretoi shkarkimin e Vlora Hysenit, Bardhi: Jep llogari pse e emërove
Pas dekretimit nga Presidenti Bajram Begaj të shkarkimit të Vlora Hysenit nga drejtimi i Shërbimit Informativ të Shtetit, ka reaguar kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.
Bardhi e ka vënë theksin te vendimi i Presidentit për emërimin e Hysenit në krye të SHISH-it, duke kërkuar që Begaj të japë shpjegime për verifikimet që janë kryer para emërimit të saj.
Sipas kreut të grupit parlamentar të PD-së, ai kishte paralajmëruar që në mars të vitit 2023 për pikëpyetjet që, sipas tij, ekzistonin rreth integritetit të Hysenit.
Bardhi thotë se në atë kohë i kishte kërkuar publikisht Presidentit të verifikonte informacionet mbi largimin e saj nga shërbimi inteligjent i Kosovës dhe dyshimet për nxjerrje apo mosruajtje të informacionit të klasifikuar.
“Përpara se të dekretonte shkarkimin e Vlora Hysenit, Bajram Begaj duhet të jepte llogari pse dekretoi emërimin e saj, pa sqaruar pikëpyetjet serioze mbi integritetin e saj”, shprehet Bardhi.
pretendon gjithashtu se Presidenti nuk bëri transparencë për këto çështje dhe e dekretoi Hysenin, pavarësisht dyshimeve që, sipas tij, ishin ngritur në atë kohë.
Në reagimin e tij, Bardhi ngre edhe pretendime për një bashkëpunim të dyshimtë të Hysenit me shërbime sekrete serbe, pa paraqitur në këtë reagim prova për këto akuza.
“Çfarë verifikoi përpara se t’i besonte Vlora Hysenit sekretet e shtetit?”, pyet Bardhi.
REAGIM I KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMEMTAR TË PD, GAZMENT BARDHI
Përpara se të dekretonte shkarkimin e Vlora Hysenit, Bajram Begaj duhet të jepte llogari pse dekretoi emërimin e saj, pa sqaruar pikëpyetjet serioze mbi integritetin e saj.
Më 17 Mars 2023, ditën që Edi Rama e propozoi në krye të SHISH-it, i kërkova publikisht Presidentit të verifikonte informacionet për largimin e saj nga shërbimi inteligjent i Kosovës nën dyshimet për nxjerrje ose mosruajtje të informacionit të klasifikuar.
Presidenti zgjodhi të mos bënte transparencë dhe e dekretoi Vlora Hysenaj, megjithë dyshimet e forta se ajo kishte bashkëpunim të dyshimtë me shërbimet sekrete serbe.
Në vend që t’i shërbente shtetit dhe sigurisë kombëtare, Bajram Begaj u soll si ushtar i Edi Ramës. Sot u detyrohet shqiptarëve një shpjegim: çfarë verifikoi përpara se t’i besonte Vlora Hysenit sekretet e shtetit?




