Anxhela Tato
Dëshmia e autorit para oficerëve të policisë: Nuk i duroja dot më ofendimet e tij
Policia, viktima Jetmir Lazaj po kthehej nga Fieri, ku kishte gjetur një vend pune
“E vrara se më ofendonte sa herë që shikoheshin”, – pjesë nga rrëfimi i autorit të dyshuar të vrasjes së ndodhur në Mallakastër. Para oficerëve të policisë gjyqësore autori i krimit Emiljano Yzeiraj ka rrëfyer se nuk duronte dot më ofendimet dhe të sharat e herë pas hershme të viktimës, çka e nxiti që paraditen e së martës ta qëllonte me sëpatë pas koke duke e lënë të vdekur në vend. Por nga ana e forcave të policisë ka dyshime se ky krim mund të jetë i lidhur me ndonjë motiv tjetër. Blutë kanë mundur që vetëm brenda 24 orë nga gjetja e trupit të viktimës Jetmir Lazajt të vënë pas hekurave autorit. Burime nga policia kanë bërë me dije se të dyja palët janë konfliktuar me njëri-tjetrit kur janë ndeshur në rrugë dhe autori e ka qëlluar me sëpatë kokës. Në ngarkim të 19-vjeçarit është ngritur akuza e vrasjes me dashje, ndërsa pritet që pas tre ditësh ai të ulet në bankën e të akuzuarve për t’u njohur me materialin e prokurorisë dhe masën e sigurisë së togave të zeza. Ndërkohë që është sekuestruar nga ana e forcave të policisë arma e krimit, e cila është një sëpatë. Në pyetje janë marrë edhe familjarë të viktimës, të cilët kanë mohuar që i afërmi i tyre të kishte konflikte ose probleme me ndonjë person. Trupi i pajetë i 32-vjeçarit u gjet në një kanal nga një bari i zonës, i cili njoftoi menjëherë policinë. Sipas të dhënave të policisë viktima ishte i papunë dhe herë pas here ai lëvizte në qytete, ku kërkonte vende pune me të cilën mund të mbante familje e tij. Viktima ishte baba i dy fëmijëve.
Ngjarja
Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Fierit bënë me dije se trupi i pajetë i Jetmir Lazajt, nga fshati Kalenjë, u gjet rreth orës 20:00 të së hënës në malin e Goricës. Ka qenë një bari i zonës, i cili teksa po kthehej me bagëtitë për në banesën e tij ka parë një kufomë në mal. Ai menjëherë ka sinjalizuar policinë, e cila ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur hetimet. Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në morgun e Spitalit Rajonal të Fierit, ku i është nënshtruar ekspertizës. Mjekët ligjorë kanë konstatuar se Jetmir Lazaj, baba i dy fëmijëve, kishte disa hematoma në tru, të cilat i janë shkaktuar me mjete të forta. Policia ka marrë në pyetje pjesëtarë të familjes Lazaj, të cilët kanë deklaruar se 32-vjeçari nuk kishte konflikte me asnjë person. Ata kanë sqaruar se Jetmiri ishte i papunë dhe se shkonte herë pas here në Ballsh për të kërkuar punë. Mësohet se mëngjesin e së hënës, viktima kishte shkuar në Ballsh, ku kishte gjetur punë ditore. Pas punës, ai është nisur për në banesë, duke udhëtuar nëpër shpatin e malit të Goricës që ndan fshatin Lavdan dhe atë Kalenjë. Sipas hetuesve të çështjes, gjatë rrugës, në malin e Goricës, Jetmir Lazaj është goditur me mjete të forta në kokë, duke i shkaktuar vdekjen. Autori i krimit Emiljano Yzeiraj është ballafaquar me viktimën në rrugë dhe të dy kanë nisur të debatojnë. Situata ka degraduar dhe 19-vjeçari ka goditur viktimën me sëpatë pas kokës duke i marrë jetën. Sipas të dhënave të policisë mësohet se shkaku i krimit ka qenë një konflikt banal mes të dyja palëve, ku autori është shprehur se viktima e shante dhe e ofendonte.
Francë
Shkatërrohet banda e grabitësve, pranga kreut shqiptar
Autoritetet policore franceze në bashkëpunim me EUROPOL kanë zbuluar në Paris një bandë vjedhësish dhe kanë arrestuar 15 persona. Banda dyshohet se drejtohej nga një shqiptar dhe një rumun, ndërsa në përbërje të së cilës ishin kryesisht shqiptarë. Policia franceze tha se, ka arrestuar dhe dy drejtuesit e bandës së cilëve gjatë kontrollit iu gjetën dhe 59 mijë euro në një dhomë që dukej se ishte baza e bandës. Hetimet nisën në dhjetor të 2012 pas arrestimit të një shtetasi shqiptar, i cili kishte kryer vjedhje në periferi të Parisit. Hetimet e mëvonshme zbuluan më tej një rrjet të tërë grabitësish dhe kriminelësh kryesisht nga Shqipëria, të cilët kryenin vjedhje në një rreze 200 km brenda Parisit. Rrjeti i të rekrutuarve nga kreu shqiptar i bandës përbëhej nga afro 280 grabitësish që kryenin vjedhje të ndarë në grupe në mbrëmje jo vetëm në Paris, por dhe qytete të tjera franceze. Muajt e fundit janë arrestuar 30 anëtarë të bandës. Grupi kriminal ka bashkëpunuar dhe me rumunë dhe bullgarë të angazhuar dhe në vjedhjen e automjeteve. Policia franceze thotë se rrjeti në fjalë mund të ketë grabitur rreth 150 makina. Në aksion ka marrë pjesë jo vetëm policia franceze, por dhe ato belge, suedeze dhe italiane. Në 18 nëntor, EUROPOL instaloi një zyrë në Francë për të mbështetur hetime me qëllim zbulimin e grupit. Hetuesit kanë konfiskuar kompjutera, laptop, telefona celulare dhe pajisje elektronike.
Prokuroria
Asnjë provë për akuzën ndaj Klodiana Shalës, nuk ka shpërdorim detyre
Prokuroria nuk vërteton akuzën e ngritur ndaj sportistes Klodiana Shala duke arritur në përfundimin që nuk ka vepër penale. Nga hetimet e organit të akuzës nuk është provuar as në mënyrë shkresore dhe as verbale që Klodiana Shala të ketë konsumuar veprën e shpërdorimit të detyrës. Pritet që brenda pak ditësh Prokuroria e Tiranës të bëjë publik vendimin e pushimit të hetimeve. Materiali referues tregon se Klodiana Shala në cilësinë e Drejtoreshës së Agjensisë së Sporteve ka lidhur një kontratë qeraje me një shtetase tjetër, duke i dhënë kësaj të fundit një sipërfaqe prej rreth 100 metra katror, që ndodhet pranë një kompleksi sportive. Kontrata është lidhur me një afat kohor 5 vjeçar dhe se shuma financiare është paguar konform rregullave, në buxhetin e shtetin. Sipas ligjit në fuqi të dhënies së ambienteve me qera janë zbatuar dhe kushtet e kontratës, dhe nisur nga kjo situatë prokuroria e Tiranës, ka vendosur të mos fillojë kallëzimin penal të depozituar nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve. Mësohet se pikërisht në këtë kallëzim shtrohej dhe një pikë tjetër, ku nënvizohej fakti se në dijeni të ish-drejtoreshës Klodiana Shala, personi që kishte marrë ambientin me qera, kishte filluar punimet duke shtuar sipërfaqen territoriale në rreth 300 metra të tjera. Gjithmonë sipas kallëzimit edhe në këtë rast Klodiana Shala ka abuzuar për shkak se kishte lejuar në mënyrë të qëllimshme zgjerimin e ambienteve të subjektit që kishte marrë me qera pronën. Mirëpo nga verifikimet e prokurorisë së Tiranës rezultoi se gjatë kohës së kryerjes së punimeve për zgjerimin e sipërfaqes nga subjekti qiramarrës, Klodiana Shala, është vënë në dijeni dhe më pas ka përpiluar një shkresë, duke i kërkuar policia Bashkiake dhe Inspektoratit të Ndërtimit të Bashkisë, që të merrnin masa për pezullimin e punimeve dhe prishjen e çdo punimi, të kryer jashtë sipërfaqes së marrë me qera. Sipas akuzës, i gjithë materiali verifikues tregon se nuk është konsumuar asnjë vepër penale dhe për pasojë është vendosur dhe mosfillimi i procedimit penal.




