Zbardhet dosja e Gjykatës së Shkodrës për dënimin e të riut që vrau dy turistët çekë. Ministria e Drejtësisë nis një kontroll në Gjykatë për të verifikuar procedurat e ndjekura
I arrestuari Sokol Mjacaj ka mundur të përfitojë nga mosha e tij e re dhe gatishmëria për të bashkëpunuar me Gjykatën për ngjarjet kriminale në të kaluarën. Ai është dënuar dy herë me burg, gjithsej pesë vjet për vjedhje dhe grabitje me pasojë vdekjen e një fëmije. Por në asnjë rast juristët nuk kanë mundur të kuptojnë që përballë kishin një kriminel gjakftohtë. I dyshuar si një kriminel i lindur gjakftohtë, ka dalë disa herë para trupave të gjyqësorit shqiptar. Por Sokol Mjacaj ka mundur t’ua hedhë të gjithë juristëve në Shkodër e në Tiranë, të cilët janë marrë me dy çështjet e tij, njëra me pasojë vdekjen e një fëmije.
Arrestimi i fundit
Arrestimi më i fundit daton më 25 korrik të vitit 2014 për vjedhje. Më 24 dhjetor të vitit 2014, Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër e ka dënuar atë me 1 vit e 6 muaj burg. Ky dënim i është ulur në 1 vit, pasi ai e ka pranuar krimin dhe ka përfituar uljen me 1/3. Ai e apeloi vendimin duke i kërkuar Gjykatës së Apelit të Shkodrës të marrë në konsideratë faktin se ishte vetëm 19 vjeç. Më vonë ka hequr dorë nga ankimimi. Dënimin e përfundoi pak ditë para se të vriste në Prekal dy turistët çekë, Mikael Svatos dhe Ana Kosinova.
Historia kriminale
Historia kriminale e Sokol Mjacajt nis më 11 shtator të vitit 2010. Së bashku me vëllezërit Edmond e Besnik Kodra, atëherë në moshën 15-vjeçare, ai merr pjesë në vrasjen barbare të Agim Lerajt. I mituri është keqtrajtuar, është goditur me sende të forta në kokë, në trup e gjymtyrë dhe është mbytur me duar dhe me një zinxhir që e kishte në qafë. Autorët i kishin kërkuar t’u siguronte një sasi marijuane, por ai kishte refuzuar, duke u thënë se nuk kishte mundësi t’ua gjente. Sokol Mjacaj ia kishte treguar krimin babait të tij, Franit. Kur ishte pyetur në polici, e kishte mohuar vrasjen, por më pas kishte treguar vendin ku gjendej trupi i viktimës. Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër e dënoi me 10 vjet burg për veprën penale të “Vrasjes së kryer në rrethana cilësuese në bashkëpunim”. Mjacaj e apelon vendimin. Më 4 janar të vitit 2013 Gjykata e Apelit të Shkodrës, e përbërë nga gjyqtarët Musa Halili, Fuat Vjerdha dhe Luan Dervishi, vendosin ta dënonin jo për “Vrasjen në bashkëpunim”, por për “Sigurim të kushteve për kryerjen e vrasjes”, një vepër për të cilën e dënon me 2 vjet e 6 muaj burg dhe për “Moskallëzim të krimit” për të cilën dënohet me 1 vit e 6 muaj burg. Në total, për akuzat në lidhje me vrasjen e 13-vjeçarit Agim Leraj ai dënohet me 4 vjet burg.
Kontrolli i Ministrisë
Në një kohë kur Ministria e Drejtësisë njofton se ka nisur inspektimet në gjykatat e Shkodrës, jo zyrtarisht mësohet se institucionet e drejtësisë në vend kanë pasur dijeni për vendimet e shpallura ndaj Sokol Mjacajt, në lidhje me gjykimin e tij të mëparshëm për vrasjen e 13-vjeçarit, Agim Lera. Burimet jozyrtare pohojnë se, prindërit e fëmijës së vrarë janë ankuar përmes një letre pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë, menjëherë pasi Gjykata e Apelit Shkodër u tregua tolerante ndaj 3 të akuzuarve për vrasjen e fëmijës, ku edhe u ndryshua kualifikimi për Sokol Mjacajn, nga për “Vrasje në rrethana cilësuese”, në “Moskallëzim krimi”. Të njëjtën letër, prindërit e fëmijës së vrarë, në vitin 2013 ia kanë dërguar edhe Prokurorisë së Përgjithshme, ndërkohë që përpjekjet e tyre për të marrë drejtësi nuk janë përfillur as nga Gjykata e Lartë, e cila ka lënë në fuqi vendimin e Apelit të Shkodrës.
Gjykimi në Shkodër
Për vrasjen e 13-vjeçarit, Sokol Mjacaj është gjykuar si i mitur, për shkak se në atë kohë ishte 15 vjeç. Ai dëshmoi në Gjykatën e Shkallës së Parë të Shkodrës se krimin ia kishin rrëfyer dy shokët e tij, të cilët e masakruan fëmijën për dy telefona celularë. Por, Gjykata e Shkodrës e konsideroi edhe Mjacajn fajtor dhe bashkëpunëtor në krim, madje – në vlerësimin e gjykatës – ishte Mjacaj, ai që e kishte çuar të miturin në vendin ku do të vritej. Për këtë arsye, për shkak të parashikimeve që mban ligji për të miturit, atij iu dhanë 10 vite burgim. Por, ishte Gjykata e Apelit Shkodër, ajo që përmbysi vendimin e Shkallës së Parë, duke e dënuar Mjacajn vetëm me një vit e 6 muaj heqje lirie, por kësaj radhe jo për vrasje, por për moskallëzim krimi. Ky vendim, më pas u la në fuqi edhe nga Gjykata e Lartë, e cila i hapi “dritën jeshile” Sokol Mjacajt për t’iu drejtuar lirisë.
Trupat e pajetë të dy turistëve çekë ende në morg
Edhe pse ekspertiza mjekësore e dy trupave të turisteve çekë të vrarë në Prekal të Dukagjinit ka përfunduar, ata vijojnë të qëndrojnë në morgun e Tiranës. Trupat e dy viktimave pritet të tërhiqen nga Ambasada Çeke në vendin tonë, por nuk bëhet e ditur data e saktë. Sipas ekspertizës, Mikael Svatosh ka dy plumba pas kokës dhe disa të tjerë në trup, ndërsa Ana Kasinova ka një plumb në kokë. Sipas mjekëve, dy viktimat kanë edhe plagë të tjera në trup të shkaktuara nga plumbat, ciflat e xhamit dhe batimi i makinës.
Për dashurinë, shqiptari masakron me thikë greken
Për dashurinë mund të ndodhin shumë. Edhe nga ato më dramatiket. Kjo ka ndodhur me një djalë dhe një vajzë në Greqi. Ajo, 17 vjeçe, dhe aspak e bindur në dashurinë e tij. Ai 22 vjeç dhe i marrosur keq pas saj. Por ndjenja e tij ishte larg vëmendjes së adoleshentes që nuk e përfilli duke e paguar shtrenjtë. Adoleshentja 17-vjeçare, emigrante nga Shqipëria, ka mbetur e plagosur rëndë pasi u qëllua me thikë nga djaloshi pesë vjet më i madh se vetja, komunikoi sot zyrtarisht Policia e Greqisë. Vajza 17 vjeçe, gjendet në spital nën kujdesin e mjekëve, në situatë kritike. Policia thotë se ka arrestuar të dyshuarin e krimit, një djalë 22 vjeçar nga Shqipëria. Nga hetimet që publikoi sot policia, një ditë më parë, në Krisopulis, lokalitet në Kavala, 22-vjeçari shqiptar, ka rrëmbyer një thikë dhe me të ka qëlluar në fyt adoleshenten shqiptare. “I riu qëlloi me thikë në fyt të miturën pasi më herët i kishte shprehur disa herë dashurinë dhe nuk kishte gjetur mbështetje prej saj. Në momente gjaknxehtësie ka nxjerrë një thikë dhe e ka goditur”, – tha policia lokale. Menjëherë pas krimit, i riu u zhduk në drejtim të paditur. Por disa orë më vonë është arrestuar nga policia lokale.




