Florenc Drizari
Lulzim Basha informoi FMN-në për nismën e ngritjes së komisionit hetimor për zbardhjen e ngjarjes në Tatime
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, priti në një takim përfaqësuesit e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, me të cilët pati një bashkëbisedim të hapur rreth bashkëpunimit të Shqipërisë me FMN-në, situatës makroekonomike dhe fiskale të vendit. Edhe pse mes palëve nuk pati deklarata për mediat, nga takimi u mësua se opozita u paraqiti përfaqësuesve të Fondit Monetar Ndërkombëtar shqetësimet për lëvizjet e fundit të qeverisë në fushën ekonomike. Në takim morën pjesë përfaqësues të FMN-së, kreu i PD-së, Lulzim Basha, ish-ministri i Financave Ridvan Bode si dhe dy ish-zëvendësministrat Mima dhe Shehu.
Në mbyllje të këtij takimi, zyra e shtypit e Partisë Demokratike informoi se diskutimet u përqendruan tek pasiguria e krijuar si rezultat i vonesës së tejzgjatur të projektbuxhetit të vitit 2014 dhe mostransparencës qeveritare në lidhje me ndryshimin rrënjësor të sistemit tatimor në Shqipëri.
“Përfaqësuesit e FMN-së u njohën me situatën e paligjshmërisë që dominon sot pothuajse të gjitha fushat e jetës, ekonomike, financiare e sociale të vendit.
Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar iu bë e njohur situata e mbarsur e plotë shqetësime nga ana e biznesit shqiptar, lidhur me rritjen e shfrenuar të taksave, si dhe me metodat abuziviste dhe shantazhuese të administratës tatimore ndaj biznesit e sipërmarrjes në vend, të cilët janë sulur në aksion për të nxjerrë të ardhurat publike me metoda arbitrare dhe ekstraligjore.
Z. Basha ndau me përfaqësuesit e FMN-së edhe shqetësimin e lindur nga ndërhyrja e qeverisë në serverin qendror të të dhënave konfidenciale tatimore të qytetarëve të vendit, si dhe i informoi ata për iniciativën e ngritjes së komisionit hetimor për zbardhjen e ngjarjes së paprecedentë”, – thuhet në deklaratën e PD-së.
Ndërkaq, takimi i krerëve të PD-së me përfaqësuesit e FMN-s vjen pak ditë para publikimit të projektbuxhetit të vitit 2014 nga qeveria, si dhe në pikun e akuzave të opozitës drejt mazhorancës për vonesa në ligji më të rëndësishëm ekonomik të vendit dhe ndryshimet e pritshme në paketën fiskale. Lidhur me këtë të fundit, opozita ka kundërshtuar ashpër ndryshimin e sistemit të taksimit në vend, ndërsa Kryeministri Rama ka pohuar se heqja e taksës së sheshtë dhe zëvendësimi me taksën progresive është një domosdoshmëri për vendin. Sipas z. Rama, taksa e sheshtë e aplikuar nga demokratët në tetë vitet e qeverisjes së tyre ka sjellë mungesë zhvillimi dhe borxhe për buxhetin e shtetit. Rama ka pohuar pak ditë më parë taksimi progresiv, ose taksimi i ndershëm siç e quaj ai, do të ulë barrën fiskale për punonjësit me rrogë bazë si dhe do të rrisë vjeljen e të ardhurave për biznesin e madh. Për këtë të fundit kryeministri është shprehur se qeveria do të tregohet e kujdesshme për të qenë e matur në aplikimin e taksës së re, e cila edhe pse jo zyrtarisht thuhet se do të jetë nga 13 deri në 15 për qind. Lidhur me ndryshimet ne sistemin fiskal në vendin tonë, ditët e fundit kanë reaguar edhe shoqatat e biznesit, duke i kërkuar qeverisë që të mos ndryshojë taksën aktuale deri në konsolidimin e sistemit ekonomik të paktën për një vit.
Lulzim Basha pret Shpend Ahmetin
Bashkëpunim mes Tiranës dhe Prishtinës
Kryebashkiaku Lulzim Basha priti dje në një takim kryetarin e zgjedhur të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti. Zoti Basha shprehu angazhimin e tij dhe të Bashkisë së Tiranës për ta thelluar e zgjeruar edhe më tej bashkëpunimin mes Tiranës dhe Prishtinës.
Mes dy qyteteve pritet të hartohet së shpejti një plan konkret dhe i detajuar bashkëpunimi në fushën ekonomike, kulturore, sociale etj.
Zoti Basha dhe zoti Ahmeti kanë vlerësuar si shumë të rëndësishëm bashkëpunimin në kuadër të Asamblesë së të gjitha Njësive Vendore Shqiptare. Kryebashkiaku Basha shprehu bindjen se përmes një bashkëveprimi mes të zgjedhurve vendore në këtë Asamble, do të kontribuohet në vendosjen e një bashkëpunimi më të ngushtë mes shqiptarëve kudo ku ata jetojnë.
Gjithashtu, Basha vlerësoi si një moment shumë të rëndësishëm për Kosovën organizimin për herë të parë të zgjedhjeve vendore në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
“Këto zgjedhje, – tha kryebashkiaku Basha, – ishin një fitore e madhe për demokracinë dhe për aspiratën e popullit të Kosovës, për të ecur të sigurt drejt anëtarësimit me të drejta të plota në institucionet ndërkombëtare si OKB, NATO, BE etj.”
PD: Rama fsheh buxhetin e terrorit ndaj biznesit
Opozita shqiptare kritikon ashpër qeverinë për vonesat e treguara në hartimin e buxhetit të shteti. Deputeti i PD-së, Florion Mima, tha një ditë më parë se në ligjin nr. 9936, datë 26.6.2008 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, neni 29, paragrafët 2 dhe 4, thuhet: “Kryeministri i vendit miraton buxhetin në qeveri deri më datën 25 tetor dhe se brenda datës 1 nëntor, ai duhet t’i jetë paraqitur Kuvendit”.
“Sot është data 11 dhjetor dhe jo që në Kuvend nuk ka mbërritur asgjë, por as në qeveri nuk është miratuar projekt-dokumenti më i rëndësishëm ekonomik, financiar, social dhe zhvillimor i vendit.
Ajo çka publiku ka dëgjuar deri më sot, është kënga me refrenin e çakorduar, se 95% e shqiptarëve do të paguajnë më pak taksa, këngë e cila u këndua, u dëgjua dhe u duartrokit solo edhe në shfaqjen e mbrëmshme të këngëtarit, kompozitorit, dirigjentit dhe spektatorit të vetëm të shfaqjes, kryeministrit të vendit.
Partia Demokratike do të shpojë me shifra, fakte dhe argumente këtë tullumbace demagogjike dhe propagandistike të kryeministrit sapo dokumenti buxhetor dhe politikat e shkruara të vijnë në Kuvend.
Paraprakisht, vërejmë se projekti i ri buxhetor dhe politikat e taksave, janë jo në mbështetje të 95% të shqiptarëve, por kundër interesave të 100% të tyre. Ky është buxheti i demagogjisë, i pasigurisë, i terrorit mbi biznesin dhe konsumatorin, është buxheti i mllefit dhe urrejtjes ndaj shtresës së mesme dhe buxheti i varfërimit të mëtejshëm të të varfërve”, – deklaroi deputeti i PD-së.
PD: Rama po heton kundërshtarët me struktura të paligjshme
Ish-ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, akuzoi dje Kryeministrin Rama se padia e ngritur kundër tij është bërë nga ekspertë anonim dhe në kundërshtim me ligjin. Deputeti Imami tha se Kryeministri Rama ka vepruar në shkelje të plotë të ligjit në një vend demokratik dhe të shtetit të së drejtës ka vënë në krye të hetimit struktura ekstraligjore.
“Kallëzimi penal i depozituar në Prokurorinë e Përgjithshme, nuk ka ndjekur rrugën zyrtare, formale e ligjore, të hartimit dhe përcjelljes së një kallëzimi penal dhe përben një shkelje të rëndë të procedurës. Bëjmë me dije se çështja është ende duke u audituar.
Projekt-raporti i auditit të brendshëm të Ministrisë së Mbrojtjes, i cili po kontrollon ligjshmërinë e procedurës, nuk ka përfunduar ende dhe sipas afateve të përcaktuara nga ligji për auditin e brendshëm, data 11.12.2013 është afati i fundit për dorëzimin e observacioneve nga ana e anëtareve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave. Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka audituar të njëjtat procedura për vitet 2010-2012 dhe nuk ka konstatuar shkelje. Pra kallëzimi nuk ka kaluar nëpërmjet institucioneve të specializuara te Ministrisë së Mbrojtjes, apo edhe institucioneve të tjera të ngarkuara me ligj.
Pavarësisht se hetimi administrativ nuk ka përfunduar, draft raporti i grupit të auditit nuk evidenton ndonjë shkelje te procedurës ligjore e cila mund te ndiqet penalisht”, – deklaroi Imami.
Ai iu drejtua Ramës me pyetjen: Kush e ka hartuar kallëzimin penal kur hetimi administrativ nuk ka përfunduar ende?
“Ç’është ky “grupi i eksperteve”, citoj ministren e Mbrojtjes, kur qartazi nuk bëhet fjalë për Drejtorinë e Auditimit të Ministrisë së Mbrojtjes?
Si mund të hetohen në një shtet të së drejtës qytetarë apo nëpunës të shtetit nga persona të paautorizuar nga ligji?”, – thuhet në deklaratën e ish-ministrit të Mbrojtjes Arben Imami.




