Gëzim Saliu
Kryeopozitari: Me mafien në krah, Rama është rreziku më i madh publik në Shqipëri
“Rama, do të na ketë përballë në Parlament e sheshe”
Pas dorëheqjes së deputeteve gra të PS-së dhe LSI-së nga mandati, ka reaguar dje kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në mbledhjen e grupit parlamentar, e cila u zhvillua pasi opozita braktisi punimet e Parlamentit, në shenjë proteste ndaj këtij procesi, që u cilësua si atentat ndaj demokracisë. Në fjalën e tij para deputetëve demokratë, Basha përgëzoi grupin parlamentar dhe aleatët për qëndrimin parimor e dinjitoz në seancën e Parlamentit, duke theksuar se me veprimin e saj, mazhoranca me në krye kreun e qeverisë, Rama, po tregon se janë krahu politik i krimit. “Rama dëshmoi edhe një herë më qartë se kurrë bashkë me klanin e tij, se nuk janë gjë tjetër veçse krahu politik i krimit, krahu politik i mafies më të rrezikshme në Kuvend, shërbëtorë në Parlament dhe në qeveri të krimit, pengje të mafies që u dikton vendimet, vijën e sjelljes dhe gjithçka. Katër gra socialiste u detyruan të japin dorëheqjen nga mandati i deputetit nën kërcënimin e dhunës më të egër që ka miratimin dhe bekimin e Edi Ramës. Kjo është një ditë e zezë për Kuvendin e Shqipërisë, për shoqërinë shqiptare, për gratë shqiptare, për bijtë dhe bijat e Shqipërisë. Kjo është një kambanë alarmi e paprecedentë për demokracinë shqiptare. Shqipëria e di dhe falë angazhimit tonë, bota mbarë do ta marrë vesh këtë demonstrim të pashembullt të forcës së krimit, mu në zemër të demokracisë dhe institucionit numër një të saj që është Parlamenti”, – tha Basha.
Reagimi
Sipas kreut të PD-së, në mbështetje të qëndrimit të grupit parlamentar demokrat e veçanërisht të grave deputete, duhet të dalin edhe të gjitha forumet e grave në vend dhe të gjitha gratë e Shqipërisë. Basha theksoi se ato do të kenë mbështetjen e PD-së, pasi, sipas tij, ky nuk është vetëm problem vetëm i mandateve. “Është problemi i revanshit që ka marrë dhe po merr krimi, i ekzistencës ose jo të demokracisë të stilit perëndimor në Shqipëri. Rilindja apo tritoli ka qenë që në pikënisje prognoza e qeverisë “Rama-Meta”. Rilindja tashmë është arkivuar si një mashtrim i madh i Edi Ramës, për të mashtruar ata që u mashtruan. Tritol-politika është qeverisja e tij”, – deklaroi Basha. Në këtë kontekst, kryeopozitari theksoi se mazhoranca, me Ramën në krye, me papërgjegjshmërinë me të madhe dhe urrejtjen ndaj opozitës, po ngre në këmbë një sistem të pasigurisë totale dhe terrori të mirëfilltë. “Po ju lexoj, jo për ju që ishit në sallë, por për publikun vetëm një fjali nga monologu i tij i sotëm pa pikë e presje në Kuvendin e Shqipërisë. “Unë e di se disa prej jush duke u nisur nga pragu i shtëpisë, janë në hall të madh, se kanë bërë shumë të këqija”. Kështu e ndërsen krimin kundër opozitës ky palo Kryeministër që mendon se mund të bëjë prokurorin dhe gjyqtarin, t’i tregojë ai dhe jo ligji e drejtësia se kush ka bërë keq e kush jo. Një Kryeministër që flet kështu nuk pranohet kurrë në klubin e demokracive perëndimore, por flaket jashtë si një relike e vjetër e antishtetit, antiligjit e antidemokracisë”, – tha ai. Në mbyllje të deklaratës së tij, Basha bëri të ditur se Kryeministri Rama do ta ketë opozitën përballë: “Në Kuvend, përballë në çdo hapësirë të komunikimit me qytetarët, në sheshet e protestave dhe revoltës që po ngrihet anembanë vendit kundër kësaj qeverie”.
Përplasja
Berisha: Mimi Konfidentja. Kodheli: Ta kam dy herë borxh jetën e babait, CV-ja ime s’ka hajni
Në seancën e djeshme parlamentare në kuadrin e debatit për dorëheqjen e deputeteve nga mandati, një përplasje e fortë u zhvillua mes ish-kryeministrit të vendit Sali Berisha dhe ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli. Duke marrë shkas nga deklaratat e ministres për arsyet e dorëheqjes së deputetes së qarkut Lezhë Mejreme Delishi, Berisha e akuzoi atë duke e quajtur Mimi Konfidentja. “Sa i përket kësaj konfidentes që ka për borxh të thotë kryekreu i them këtu që ajo deputete mund të kujdeset për shëndetin e vet si deputete tre herë më mirë sesa jo deputete. Ajo deputete që ka një problem në veshka mund t`i shërbej vetes në pozitat e deputetes disa herë më mirë . Ky parlament ka rregullat e veta dhe ka trajtimin e vetë ndaj deputetëve të sëmurë. Ka solidaritetin e vet ndaj deputetëve të sëmurë, por jo flakjen. Ka një kufi për Mimi Kofidentja. Unë të them ty se atij që i bën avokatin jo një herë po me dhjetëra herë të ka sharë ty sepse kishte xhelozi se merrje me shumë se ai”, – iu drejtua Berisha, ministres. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Kodhelit, e cila theksoi në fjalën e saj: “Sali Berisha ne të dy njihemi shumë herët. Unë kam burrninë si askush tjetër në këtë Parlament të them dy gjëra. Jetën e babait tim ta kam borxh dy herë dhe akoma e përmend këtë, për të tjerat me mua nuk mund të krahasohesh sepse në CV-në time nuk ka pasur dhe nuk do te ketë as sot as vrasje as hajni”.
Votimi në Kuvend
Prezenca në sallë – 74 deputetët
75 vota pro – akti normativ nr. 7, datë 14.12.2013 “Për disa ndryshime në ligjin nr. 119/2012, “Për buxhetin e vitit 2013”, të ndryshuar”
74 vota pro – projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në konventën e TAMPERES “Për sigurimin e burimeve të telekomunikacionit për zvogëlimin e fatkeqësive dhe operacionet e ndihmës”
75 vota pro – për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin në fushën e sigurisë
75 vota pro – ngritja e komisionit të posaçëm parlamentar për reformën administrative-territoriale




