Kreu i opozitës në aktivin e Durrësit/ Basha: Marshimi i 20 shkurtit, detyrë e çdo qytetari në demokraci

Florenc Drizari

 

“Një PD pa historinë e saj është pa shtyllë kurrizore. Një PD pa brezin e ri është pa të ardhme”

 

basha_14Rreth 70 të rinj iu bashkuan thirrjes së kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Bashës, në qytetin e Durrësit. Procesi i verifikimit të listave të anëtarësisë dhe pranimet e reja në PD ka filluar prej disa ditësh dhe krerët e partisë më të madhe opozitare në vend, pritet ta vazhdojnë këtë praktikë në të gjitha qytetet e mëdha të vendit. Një ditë më parë kreu i PD-së mori pjesë në aktivitetin e zhvilluar në Durrës, ndërkohë që pasditen e së enjtes pritet që të jetë në qytetin e Elbasanit. Nga qyteti bregdetar, Basha bëri i bëri thirrje të rinjve t’i bashkohen Partisë Demokratike. Duke vënë theksin tek bashkimi dhe ribashkimi i demokratëve, Basha tha se dera e PD-së do jetë e hapur jo vetëm për të rinjtë, por për këdo që dëshiron të bëhet anëtar i Partisë Demokratike.

 

Basha

 “Direktiva ime është e qartë dhe pa ekuivok: bashkim dhe ribashkim pa asnjë paragjykim i gjithë kontributeve nëpër vite, hapje e partisë për pranime të reja nga brezi i ri, por pa i mbyllur derën askujt që dëshiron të anëtarësohet në Partinë Demokratike.

Ky bashkim jetik, ky rikthim në partinë e tyre, në shtëpinë e tyre i kontributeve politike në vite, ky vlerësim për themeluesit, qëndrestarët dhe anëtarët pa përjashtim, ky afrim i brezit të ri me PD-në u realizua në formë festive gjatë përvjetorëve 23-vjetorit të degëve që nisën pas përvjetorit të Tiranës këtu në Durrës dhe që i kremtuam në të gjitha degët e vendit. Tani është koha që ky bashkim duhet të marrë jetë në formën institucionale, duke u bërë të gjithë pjesë aktive e strukturës politike nga niveli i seksionit në nivelet e tjera të parashikuara në statutin e partisë tonë”, – deklaroi Basha në aktivitetin e zhvilluar dje në qytetin e Durrësit.

Duke falënderuar organizatorët e këtij aktiviteti për punën e nisur, Basha tha se “sipas raporteve paraprake anë e mbanë Shqipërisë, janë me qindra e me mijëra të rinjtë dhe të rejat që duan të anëtarësohen në Partinë Demokratike, duke i dhënë një mesazh të madh shprese mbarë shoqërisë shqiptare me përzgjedhjen e tyre”.

Gjithashtu Basha foli edhe për udhëzimin e ri për të kontaktuar të gjitha ata anëtarë të PD-së që kanë humbur kontaktet apo janë tërhequr nga kjo parti, për t’u bërë sërish pjesë e kësaj force politike.

 

Protestat

 Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u bëri thirrje të gjithë demokratëve që të marrin pjesë në protestën që pritet të zhvillohet më datën 20 shkurt në Tiranë. Basha tha se protesta e 20 shkurtit do të bëhet jo se kjo qeveri dhe shumica e majtë ka lidhjen e njohur të deshendencës me partinë e Enver Hoxhës, por sepse kjo qeveri ka instaluar e ngritur në sistem brenda një kohe të shkurtër paligjshmërinë dhe mashtrimin e publikut, dy nga shtyllat e politikës së vjetër antidemokratike.

Marshimi i protestës me 20 shkurt është një detyrë qytetare, është detyrë e çdo qytetari në demokraci. Të nderuar anëtarë të aktivit të Durrësit. Bashkërisht në këtë agorë të madhe të kuvendimit që do të nisë pas përfundimit të procesit të anëtarësimeve dhe rivitalizimit të bazës të së dhënave të kësaj dege dhe të çdo dege tjetër, ne do të nisim procesin zgjedhor në Partinë Demokratike. Por lufta jonë opozitare nuk ka të ndalur në asnjë çast të vetëm. Ndaj paralelisht me angazhimin tuaj i kërkoj aktivit të Durrësit dhe aktivit të degëve anë e mbanë Shqipërisë mobilizim maksimal për të derdhur në sheshin historik “Skënderbej” më 20 shkurt fuqinë e madhe njerëzore të qytetarëve të lirë që do të protestojnë bashkë me ne më 20 shkurt, jo me kokën pas por me kokën para”, – deklaroi nga qyteti i Durrësit kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

 

 

“Kundër bllokimit të furgonëve”

Berisha: Marshi i 20 shkurtit është antidodi ndaj qeverisë Rama-Meta

 Një qëndrim të papërgjegjshëm dhe korruptiv të qeverisë Rama – Meta e ka quajtur ish-kryeministri Sali Berisha vendimin për ndalimin e furgonëve si transportues urbanë. Sipas Berishës, vendimi i qeverisë shkatërron 17-20 mijë vende pune. Për këtë ish-kreu i qeverisë bën thirrje që përdoruesit e furgonëve të dalin në protestën e 20 shkurtit të deklaruar më parë nga Partia Demokratike.

“Beteja me furgonët e qeverisë Rama -Meta është një akt shumë i papërgjegjshëm dhe fund e krye korruptiv që shkatërron më së paku 17-20 mijë vende pune. Unë u bëj thirrje të gjithë shoferëve të furgonëve, familjarëve të tyre, të mos përkulen, por të përdorin të gjitha mjetet demokratike, demonstratat dhe grevat për të mbrojtur vendet e tyre të punës. Ju bëj thirrje qytetarëve të solidarizohen me shoferët e furgonëve dhe familjet e tyre në protestën e tyre të drejtë.

Unë ftoj të gjithë shoferët e furgonëve, familjarët e tyre të bashkohen me ne në marshin mbarë popullor të 20 shkurtit kundër mashtrimeve të mëdha elektorale, shkatërrimit masiv të vendeve të punës dhe rritjes të pandalshme të papunësisë, vendosjes së faturës aforfe të energjisë që detyron qytetarët të paguajnë 2.5 herë për energjinë më shume se sa kreu i qeverisë, kundër vendimit për furgonët që i pret bukën e gojës 17-20 mijë familjeve shqiptare. Marshi i 20 shkurtit është antidodi, përgjigjja më e merituar ndaj revanshit të qeverisë Rama – Meta!! sb”, – ka shkruar një ditë më parë në profilin e tij në “Facebook”, ish-kryeministri Sali Berisha.

 

 

Share it :