Gëzim Saliu
“Statusi, vlerësim për reformat që janë bërë edhe nga qeveria e kaluar, edhe nga ajo aktuale”
Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Füle, deklaron se dhënia e statusit për Shqipërinë është dëshmi se BE e mban premtimin, nëse pala tjetër plotëson kriteret. Në konferencën për shtyp në Luksemburg, me rastin e dorëzimit të Presidencës greke, Füle u shpreh se ka besim se Shqipëria do të vijojë me vullnetin politik për të konsoliduar reformat, për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Sipas eurokomisionerit, dhënia e statusit është një vlerësim për reformat e ndërmarra nga qeveria e kaluar dhe ajo aktuale, duke nënvizuar se hapja e negociatave kërkon përmbushjen e një sërë kriteresh të përcaktuara si prioritete nga BE-ja. “Ajo çka ne po themi në mënyrë të vazhdueshme është se opinioni që ne kemi për dhënien e statusit kandidat, përfshirë edhe Shqipërinë, detyrat janë mjaft të mëdha. Nëse e mbani mend vitin e kaluar ne identifikuam 12 prioritete kyçe për 2013-ën dhe kemi besuar që Shqipëria do të zgjidhte një pjesë të madhe prej tyre, në mënyrë që të rekomandonim kështu dhe dhënien e statusit kandidat. Besoj se është shumë e qartë se dhënia e statusit kandidat nuk do të thotë hapje e negociatave, por është një vlerësim për reformat që janë bërë edhe nga qeveria e kaluar, edhe nga ajo aktuale. Gjithashtu, të japë shtysë për iniciativa të tjera dhe reforma të tjera, për dialogë në 5 prioritetet kyçe, ne kemi përcaktuar qartë atë se çfarë duhet bërë. U jam mirënjohës shteteve që e nënvizuan akoma më fort sot”, – u shpreh Füle.
Hapja e negociatave
Sipas eurokomisionerit, hapja e negociatave për anëtarësimin në BE do të varet nga politika shqiptare se sa do bashkëpunojë ajo për të përmbushur 5 kriteret kyçe. I pyetur në konferencë se sa do të zgjasë ky proces, ai tha: “Ka dy lloj politikash në BE që janë të lidhura që nga fillimi. Fillimisht është integrimi më i thellë i BE-së dhe zgjerimi. Pra, të thellohet bashkëpunimi mes vendeve anëtare dhe njëkohësisht të zgjerohet duke shtuar vende të reja. Janë këto dy politika që po e çojnë përpara BE. Ndonjëherë një politikë mund të ndikojë tek një tjetër dhe ndonjëherë ndodh e kundërta. Por midis këtyre dy politikave dua të them që janë të lidhura në të njëjtën kohë dhe pa këto politika BE nuk mund të ecte përpara. Së treti, nëse Shqipëria do të jetë në gjendje të hapë negociatat gjatë mandatit të ardhshëm, mund t’ju siguroj se kapaciteti i KE-së, dashamirësia dhe vendosmëria për të ndihmuar Shqipërinë do të jenë aty. Pyetja e vetme është nëse bota politike në Shqipëri do të kryejë përpjekjet për të plotësuar ato 5 prioritete kyçe. Dhe më pas përgjigjja e pyetjes suaj do të jetë pozitive”. Më tej, komisioneri për Zgjerimin shprehu bindjen e tij se Shqipëria do të vazhdojë me vullnetin e saj politik për të përmirësuar dhe thelluar reformat e saj. “Shembulli më i mirë i kësaj është shkatërrimi i kanabisit në Lazarat gjatë javës së kaluar. Pavarësisht nga kjo një sërë sfidash gjenden përpara, Shqipëria duhet të vazhdojë të konsolidojë një sistem, në mënyrë që të mbetet pro dhe e afërt me sfidat e Bashkimit Evropian. Për ta përmbyllur dua të them se dhënia e statusit kandidat kundrejt Shqipërisë është një dëshmi e qartë se procesi i zgjerimit është i besueshëm dhe dinamik dhe se Bashkimi Evropian u qëndron premtimeve, në një kohë që partnerët gjithashtu i bëjnë detyrat e tyre”, – pohoi Füle.
Greqia: Negociatat hapen nëse plotësohen kriteret
Zv.ministri i Jashtëm i Greqisë, Dimitris Kourkoulas, vlerësoi dje se hapja e negociatave varet nga plotësimi i kritereve, ndërsa vlerësoi se Presidenca greke ka bërë punë të mirë. “Koha midis dhënies së statusit kandidat dhe hapjes së negociatave varet kryesisht nga aftësia e vendit kandidat për të përmbushur kushtet të cilat janë të përmendura qartë këtu”, – tha ai.
Nishani: Ditë gëzimi për shqiptarët, mirënjohje për vendet mike që mbështetën vendin
Pas vendimit të Këshillit të Ministrave të BE-së për dhënien e statusit të vendit kandidat Shqipërisë, Presidenti Bujar Nishani ka përshëndetur këtë vendim, duke falënderuar vendet mike, që mbështetën Shqipërinë. “Ditë gëzimi për Shqipërinë tonë! Mirënjohje të gjithë shqiptarëve, që besuan dhe punuan me vendosmëri për ëndrrën evropiane. Mirënjohje për vendet mike, që, pa mëdyshje, unanimisht mbështetën përpjekjen disavjeçare për marrjen e merituar të statusit, si vend kandidat i BE-së. Besimplotë se vendimi i sotëm do të jetë në rezonancë të plotë me vullnetin e Këshillit Evropian”, – mbylli mesazhin e tij kreu i shtetit Nishani.
Ish-kryeministri për statusin/ Berisha: Arritje madhore, u vlerësuan reformat e qeverisë sonë. Rama e pengoi për dy vite
Marrjen e statusit të vendit kandidat e përshëndeti dje edhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili ka theksuar se, edhe pse me vonesë, për shkaqe shqiptare, kjo është një arritje madhore në rrugën e integrimit të plotë të Shqipërisë në BE. “Kjo është një arritje madhore në rrugën e integrimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Para së gjithash, është vlerësim i suksesit të reformave tona që kanë sjellë Shqipërinë në stadin e meritimit të plotë të statusit të vendit kandidat. Dua t’u shpreh një mirënjohje të thellë atyre mijëra punonjësve të administratës shtetërore që, me punën, përkushtimin e tyre në hartimin, miratimin dhe zbatimin e mijëra ligjeve, vendimeve, rregullave, kritereve, standardeve, reformave, me përgjigjet e sakta të 2284 pyetjeve dhe 2000 nënpyetjeve të pyetësorit të Komisionit Evropian dhe përgjigjen e merituar, bënë të mundur që Shqipëria të zbatojë me seriozitet Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit, kërkesat për heqjen e vizave dhe të meritojë plotësisht që në tetor të vitit 2012 rekomandimin e përsëritur dhe në tetor të vitit 2013 të KE për statusin si dhe vendimin e sotëm të Ministrave të Jashtëm të BE”, – shkruante Berisha në rrjetin social. Në fund të reagimit të rij, ish-kryeministri u ka kujtuar shqiptarëve se shkaku kryesor i mosmarrjes së statusit në tetor të vitit të kaluar ishte pikërisht Kryeministri aktual, Edi Rama, i cili, sipas tij, bëri një akt antikombëtar, duke refuzuar votimin e tri ligjeve për të cilat ishte rënë dakord.
Ambasada e SHBA-së: Hap i rëndësishëm përpara, urime nga miqtë amerikanë
Ambasada e Shteteve të Bashkuara ka uruar dje Shqipërinë për marrjen e statusit kandidat, me një dedikim të veçantë dhe të këndshëm në faqen zyrtare në “Facebook”. “Sot, Këshilli i Ministrave të Jashtëm vendosi t’i japë Shqipërisë statusin e vendit kandidat për Bashkimin Evropian. Urime nga miqtë tuaj amerikanë për këtë hap të rëndësishëm përpara!”, – theksohej në postimin e ambasadës amerikane.
Presidenti i KE-së, Barroso, të hënën në Tiranë
Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, do të vizitojë Shqipërinë të hënën e ardhshme. Lajmi është konfirmuar për agjencinë e lajmeve “Presheva jonë” nga burimet e Komisioni Evropian. Vizita e zotit Barroso vjen në një moment, kur BE-ja ka vendosur pro statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. “Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, aktualisht gjendet në Bukuresh. Pas kësaj vizite në Bukuresht, ai të dielën do të jetë në Serbi, kurse të hënën do të vizitojë kryeqytetin shqiptar, Tiranën, për një vizite njëditore”, – deklaroi Mariana Correa, zëdhënëse në kabinetin e Presidentit të KE-së.




