Kompanitë e Xhindolit dhe Ujkas me centrale diellore 174 MW në toka publike me qira simbolike
Qeveria ka miratuar ndërtimin e tre centraleve të reja fotovoltaike në Lushnjë, Sarandë dhe Poliçan, duke vijuar zgjerimin e investimeve private në sektorin e energjisë diellore, ndërsa një pjesë e projekteve po shoqërohen edhe me debate për përdorimin e tokave publike të dhëna me qira simbolike.
Vendimet e miratuara në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave i hapin rrugë ndërtimit të impianteve me një kapacitet total prej 174 MW. Projekti më i madh do të ndërtohet në fshatin Savër të Lushnjës nga shoqëria “3X Energy” sh.p.k., me një kapacitet prej 70 MW. Në Sarandë, kompania “Park Sol Energy” sh.p.k. do të zhvillojë një park fotovoltaik me kapacitet 50 MW, ndërsa në Poliçan, shoqëria “X One” sh.p.k. do të ndërtojë një central me kapacitet 54 MW.
Sipas vendimeve të qeverisë, projektet do të kenë një afat ndërtimi deri në 36 muaj dhe do të operojnë për 49 vjet. Kompanitë janë të detyruara të respektojnë standardet mjedisore, si dhe të raportojnë periodikisht tek institucionet përgjegjëse për ecurinë e investimeve dhe prodhimin e energjisë.
Një nga elementët që po tërheq vëmendje lidhet me mënyrën e sigurimit të tokave ku do të ndërtohen impiantet fotovoltaike. Në disa raste, kompanitë kanë përfituar sipërfaqe të konsiderueshme tokash publike me qira simbolike nga bashkitë përkatëse, duke ngritur debate mbi përdorimin afatgjatë të pronave publike për investime private shumë fitimprurëse.
Në Savër të Lushnjës, projekti do të zhvillohet nga kompania “3X Energy”, e kontrolluar në masën 90% nga biznesmeni Agim Xhindoli dhe 10% nga Adrian Dule. Ky është investimi i dytë i madh në energjinë diellore për Xhindolin. Vitin e kaluar, ai së bashku me biznesmenin Paqsor Buzi përfituan rreth 60 hektarë tokë shtetërore në Bashkinë Sarandë me qira simbolike për ndërtimin e një tjetër centrali fotovoltaik.
Vendimi i Bashkisë Sarandë shkaktoi kundërshtime të forta nga banorët e Nivicës, të cilët pretendojnë se toka është pronë e tyre dhe se nuk mund të jepet për investime private për sa kohë çështja vijon të jetë në proces gjyqësor.
Edhe projekti në Poliçan sjell një emër të njohur të biznesit shqiptar në sektorin e energjisë. Shoqëria “X One” zotërohet nga Ylli Ujka, Cesk Ivanaj dhe Ilir Trebicka. Ujka njihet kryesisht në sektorin e ndërtimit, ku ka marrë leje për zhvillimin e kullave tek zona e ish-Gardës në Tiranë, por vitet e fundit po zgjerohet me shpejtësi edhe në investimet në energjinë diellore, një sektor që po konsiderohet gjithnjë e më fitimprurës për shkak të rritjes së kërkesës për energji të rinovueshme dhe kostove të ulëta operative.
Sipas vendimeve të qeverisë, kompanitë do të paguajnë në favor të shtetit 2% të prodhimit vjetor të energjisë ose vlerën monetare ekuivalente të saj. Megjithatë, përfitimi i tokave publike me kosto minimale po ngre diskutime mbi balancën mes interesit publik dhe stimulimit të investimeve private në sektorin energjetik./ Ekofin.al




